E enjte, 28.03.2024, 11:27 PM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Historia nuk fillon me qeverinë Kurti

E diele, 20.06.2021, 01:57 PM


Blerim Latifi:

Në kohën e gazetave të printume budallallëqet e militantëve partiakë dëgjoheshin njëherë në katër vite, edhe atë në audienca të kufizuara. Tash, në kohën e rrjeteve sociale, budallallëqet e tyre marrin vëmendje të përditshme dhe mbarë kombëtare. Kjo po e transformon natyrën e vetë demokracisë, nga një regjim ku zhvillohet garë e ideve politike, në një regjim ku rëndësi ka kush bën zhurmë më të madhe linçuese. Aristoteli flet për degjenerimin e demokracisë në oklokraci, në demokraci të turmave të çmendura që mbushin sheshet dhe vrapojnë pas demagogëve të etur për pushtet.Situata është e njëjtë, veç tash agorat antike janë zëvendësuar me sheshet digjitale.

__________

E lexova në media këtë lajm :” Me 70 vota për, një kundër dhe një abstenim ka kaluar në Kuvend të Kosovës propozimi për emërimin e anëtarëve për Komisionin për dhënien e provimit të jurispodencës”.

Ka vite e vite që në mediat tona dhe në të deklaratat e ndryshme, përfshirë edhe ato të shumë juristëve, qarkullon shprehja e gabuar “provimi i jurispodencës”. Duket se është e pamundur t’u futet në kokë njerëzve në këtë vend se nuk thuhet jurispodencë, por jurisprudencë. Nuk e di se ku e kanë gjetur këtë fjalën “podencë”. Prudenca është fjalë e vjetër latine që shpreh shkathtësinë (virtytin) e të gjykuarit, të vepruarit dhe qeverisurit përmes arsyes dhe maturisë. Në kontekstin juridik prudenca është kapaciteti për të gjykuar  me arsye dhe maturi në çështjet e drejtësisë. Është pothuajse ekuivalente me fronesisin e Aristotelit.

__________

Kosnett paska thanë se historia nuk fillon me qeverinë Kurti. Do të thotë se amerikanët nuk pajtohen me idenë e Kurtit për një fillim të ri në çështjen e dialogut. Ata po kërkojnë që Kurti të vazhdojë aty ku e kanë lënë paraardhësit e tij kryeministra.Natyrisht, kjo bie në kontradiktë të plotë me ato që ka premtuar Kurti.Në këtë situatë Kurti i ka përpara dy alternativa: të gëlltis premtimin e tij për fillimin e ri dhe të vazhdoj punën që po ia kërkojnë amerikanët ose t'u rezistoj edhe njëherë atyre dhe vendi të niset drejt zgjedhjeve të reja! Zgjedhja në këtë dilemë do të varet nga ajo që Kurti do ta gjykoj si të keqën më të vogël për të.Mundet fare lehtë që të kemi një vjeshtë të nxehtë elektorale dhe rrjedhimisht edhe riciklimin e krizave politike që i kemi parë vit pas viti, tash e një kohë të gjatë.

__________

Katër propozimet e Kurtit në takimin e tij me Vuçiqin duken mirë si retorikë politike, por si kushte për ndryshimin e karakterit të dialogut, nuk funksionojnë dot.Këtë do ta marrim vesh së shpejti. Në një dialog apo negociatë kushte vendos ai që është më i fuqishëm se pala me të cilën bisedon. Në shtatë vitet e fundit politika kosovare ka punuar sistematikisht në dobësimin e pozicionit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës në raport me Serbinë. Si rezultat sot ne jemi në situatën kur as nuk mund t'i imponojmë kushtet tona të dialogut e as të tërhiqemi prej tij, ndërsa rezistenca e Kurtit do të ballafaqohet me rrezikun për t'u vlerësuar si pozicion destruktiv nga europianët dhe amerikanët. Dihet se tradicionalisht kështu është vlerësuar pozicioni i Serbisë, por fatkeqësisht tani rolet janë ndryshuar dhe kjo krejtësisht për fajin tonë.

__________

Ky është një libër i shkruar nga një serb. Është një histori e treguar me shembuj konkret mbi përzierjen direkte të Kishës Ortodokse Serbe në luftërat në ish Jugosllavi, kuptohet si frymëzuese dhe legjitimuese e Serbisë së Madhe. Në njërin nga konstatimet e librit, autori shkruan: "Peshkopët e Kishës Ortodokse Serbe u jepnin më shumë rëndësi çështjeve strategjike, ushtarako- politiko, sesa çështjeve me karakter teologjik"(faqe 159).

Fatkeqësisht të vërtetat e përmbledhura nga ky libër sot fare nuk përmenden jo vetëm nga diplomatët e huaj, por as nga ne që nuk jemi në gjendje t'i themi ato sa herë që ngriten pretendimet fetare serbe në Kosovë.

__________

Ëndrra 100 vjeçare e kryengritjeve për çlirim nga Serbia u bë realitet me 18 qershor 1999, kur ushtari i fundit serb u largua nga Drenica, për të mos u kthyer kurrë më, në jetë të jetëve.

_________

Gëzuar Dita e Çlirimit të Kosovës gjithë bashkëluftëtarëve dhe shqiptarëve!

P.S. Këtë djaloshin e shtrirë majtas, me pushko-mitrolez M 43 përpara, besoj e njihni.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora