E enjte, 28.03.2024, 11:31 AM (GMT)

Kulturë

Prend Buzhala: Një Orë Letrare simpatike

E diele, 20.06.2021, 01:13 PM


UJËMIRË: NJË ORË LETRARE SIMPATIKE, LIBRAT E DHURUAR DHE DISA EVOKIME FRYMËZUESE

Nga Prend Buzhala

Ujëmiri është qendra ku e kam kryer shkollën fillore. Sot, në prag të Ditës së Çlirimit të Klinës- Një TAKIM LETRAR simpatik në SHFMU "Ali Krasniqi" në Ujëmirë të Klinës, me nxënës e mësmidhënës të kësaj shkolle, si dhe me krijues letrarë, që erdhën nga Podjeva e Kamenica (Njazi Kastrati, Rudi Berisha, Zylfie Gërvalla), si dhe nga komuna e Klinës (Ismet Krasniqi, Prend Buzhala e Fatmire Berisha).Klubi i Shkrimtarëve "Vore Ujko" i Klinës  kishte dërguar ditë më parë një duzinë librash për Bibliotekën e shkollës dhe këso botimesh sollën edhe krijues tjerë. Krijimet e tyre i lexuan nxënës e krijues letrarë, kurse të pranishmit i përshëndetën drejtori i shkollës Alban Bojaj, si dhe dhurues librash (Mësmimdhënësi Sejdi Desku, Rudi Berisha, Ismet Krasniqi etj).

Drejtoria e shkollës, në fund, dha MIRËNJOHJE për dhuruesit e librave.

1.

Nga kjo shkollë kanë dalë edhe krijues në zë,  si Osman R. Gashi (poet, piktor, aktor e regjisor), Tahir Desku, Agim Desku, Idriz Berisha (piktor e poet), piktorë si Azem Gashi, Selman Gashi etj, e dhjetëra emra të tjerë.

Gjatë dekadave të fundit të shek. XX ishte edhe qendër e lëvizjeve kombëtare dhe e luftës çlirimtare, që dha shumë dëshmorë, luftëtarë, njerëz të spikatur të çështjeve kombëtare, ish të burgosur politikë etj.

Do theksuar se para luftës Ujëmiri ka pasur dy biblioteka, njërën në shkollë e një Bibliotekë Publike, që të dyjat ndër më të pasurat në gjithë Kosovën. Por biblioteka e shkollës u dogj me arkivin e pasur e me gjithë objektin shkollor nga soldateska serbe, kurse e dyta, gjatë viteve '90, u shkatërrua e u bart në Klinë.

2.

Ujëmiri dikur ishte qendër e rëndësishme lokale, që lidhte Dukagjin, Llapushë e Drenicë (përmendet si qendër e tillë prej vitit 1330 në krisobulat e Deçanit). Nëpër të kalon lumi Klina. Përmendet në krisobulat e Manastirit të Deçanit që më 1330, kurse përgjatë gjithë shekujve të pushtimit osman, përmendet në defterët turk. Duke qenë vazhdimisht një qendër lokale, aty gravitojnë fshatrat Çabiq, Dobërdol, Siqevë, e Shtaricë dhe deri vonë edhe Ceroviku, Zabergja e Gjurgjevik i Madh.

Do theksuar, po ashtu, edhe një dukuri tjetër e që është bërë pjesë e traditës së përbashkët e rrënjëve të përbashkëta dhe pjesë e procesit të formimit të vetëdijesimit kolektiv kombëtar të popullit shqiptar, siç janë lidhjet e përbashkëta familjare dhe ruajtja e këtyre lidhjeve në mes familjeve me përkatësi të ndryshme religjioze.

3.

Së fundmi, është rasti që ta evokoj edhe ngjarje që lidhet me këto ditë të Çlirimit të Klinës. Ishte viti 1993, po ashtu qershor, fundi i vitit shkollor. Gjimnazistët e Klinës mësonin nëpër shtëpitë shkolla e nëpër punkte shkollore, e ndër to ishte edhe shkolla e Ujëmirit që iu bëri konak. Në sallën e arsimtarëve, ku sot qëndruam, ishim mbledhur arsimtarët për përgatitjen e përfundimit të vitit shkollor. Ndërhyn milicia serbe, duke përplasur dyert e sallës, me automatikë drejtuar kah ne: "Ruke u vis..." (Duart lart...) me një sharje serbisht.

Unë nuk i çova duart lart.

Më bërtasin (duke menduar që jam nga Këshilli i Lirive e Të Drejtave Njerëzore, meqë me Idriz Dushin që e drejtonte në Klinë KMLDNJ-në, na kishin n ndaluar në një rast të ngjashëm). Më urdhëruan të shkoj afër dritares së sallës, për ta zbritur fotografinë e Skënderbeut nga muri. Iu thashë JO, në asnjë  mënyrë! E morën një arsimtar ta zbriste foton, e urdhërojnë që ta shkelmojë fotografinë, por ai këtë nuk e bën. Atëherë, milici me mbiemrin Jovanoviq, një milic histerik, urrejtja e të cilit nuk kishte kufi, e zbret fotografinë mbi tavolinë dhe me çizmet e tij e bën copë e grimë! (Së paku, ai nuk i ka dëgjuar shovinistët serbë se Skënderbeu qenka me prejardhje sllave, apo si propagandojnë sot shqipfolës).

Ndërkohë, gjatë bastisjes së sallës, i gjetën rreth 40 dëftesa shkollore (ishin të klasës sime, si kujdestar klase), dëftesa me emblemën e Republikës së Kosovës dhe me vulat e Republikës.

Mua më arrestuan, më dërguan në Stacionin e Milicisë në Klinë dhe ia lanë ftesën edhe drejtorit të shkollës Hamit Shala.

Në Klinë, bastisën edhe zyrat e LDK-së. Më morën, ashtu në gjendje arresti, deri në zyrën e LDK-së. Aty gjetën kryetrarin e degës së LDK, Ismet Rracin e nja gjashtë anëtarë të kryesisë së degës (meqë edhe vetë isha anëtar i kësaj kryesie). Fillojnë bastisjet e zyrës, morën materialet që i gjetën (procesverbale kryesisht, komunikatat tona për gjendjen etj.).

E kërcënojnë Ismetin:

"Përse e keni hapur këtë zyre ilegale? Përse nuk e keni regjistruar në organet tona serbe..."!

"Jo, se ne nuk e njohim Republikën e Serbisë."

Pasojnë sharje, thyerje, çjerrje. Dhe i arrestojnë edhe ata të gjashtit që gjendeshin aty.

Në ndërkohë, numri i të arrestuarve në stacionin e milicisë, arriti deri në 15 veta.

Milicia, kur i panë dëftesat e vulën (që ua solli Hamit Shala), desh u çmendën!

Filluan goditjet e rrahjet.

Me pyetjen provokuese se a e njihni Republikën e Serbisë, anëtarët e Kryesisë së degës deklaroheshin se e njohim vetëm Republikën e Kosovës.

Pas disa orësh na lirojnë, por ndër ta edhe të përgjakur nga torturat (sidomos Ramadan Krasniqi).

Ishte po ai fund i vitit shkollor, që lidhet edhe me një ngjarje frymëzuese:

nxënësit nga Klina për në Ujëmirë udhëtonin me tren. Ndërhyn milicia serbe dhe i zbret nga treni. Nxënësit, dhjetëra sish, mësyjnë Ujëmirin këmbë (rreth 12 kilometra larg nga Klina), arrijnë diku kah përfundimi i mësimit. Kur iu thamë nxënësve se përse nuk u kthyen në shtëpitë e tyre, meqë është kaq larg, ata njëzëri u përgjigjën:

"Deshëm t'i tregojmë Serbisë, se nuk na ndalin dot, se nuk mund të na ndalin nga mësimi as nga shkolla shqipe."

(Ndër ta sot, ka emra dëshmorësh, luftëtarësh, mësimdhënësish...)

E bëra këtë evokim në shenjë HOMAZHI NDAJ SHKOLLËS SHQIPE e të rënëve të saj.

4.

Me këtë frymë sot edhe e mbajtëm këtë ORË LETRARE e dhurim të librave tanë, si homazh për bibliotekat e djegura e të shkatërruara.

Si nderim për LIRINË E KOSOVËS.



(Vota: 2 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora