E enjte, 28.03.2024, 03:07 PM (GMT)

Kulturë

Tahir Bezhani: Ushtimë zjarri

E shtune, 19.06.2021, 11:04 AM


Tahir Bezhani

USHTIMË  ZJARRI

Toka ime e shtrenjtë

Të kam gjak shpirti,

Copë e ngjeshur ashti

Me Ty dertoj çdo përplasje  jete

Më thuaj  pash besën tënde

A do m’i ruash gjatë eshtrat e lodhur

Aty brenda palcës tënde plot zjarr

Je ADN-a flakëruese e qenies sime

Në flak u rrita

Rrugës së zjarrit udhëtoj

Jam i ngrirë si akull

Dua të shkrihem në diell

Të ngrohem e mos të përvëlohem

Në dashurinë time të bërë tym....

Fol, fol

Pash gjakun e trupit e zemrën e plasur

Jorgani  im arnuar durimeve

A do më mbash në gjirin tendë

Se  vuajtjet  dertojnë rrugëtimet e gjata,

Zharavë e pasosur  kurrë  pesëqind vjet

E zemra do të pushoi e qetë

Bujtinave të  magjepsura  si në Olimp

Aty ku ngrohen shputat e mia të thërrmuara

Zbathur  kërcej të mbetur si eshtra të tretur

Rrahishtave e zjarrishtave

Gurishtave të derdhura si  erozion i shkriftë

Si  stenda zemre  kurorë kohe

Ku  dëgjohen ushtimë hidhërimesh

Nëpër mote  mashtruese....

Fol pash besën toka ime e shtrenjtë

Dhe që rrotullohesh  si hi  gacash  nëpër shekuj

Gaz  vajeve të mundimshme

Lot  buzëqeshjeve të dhunshme

Jehonë e tretur largësive

Përvilmë damarëve deri në thellësi....

TAITJE MALLI...

Ai gur oborri

Si i verbër më shikon përmes plasjeve

E qarjeve vijnë psherëtima vaji

Përjarget guri i ngulitur në dheun tim

Shurdhmemec i them kur nuk dëgjon

E ai ofshanë e ai duron

E unë ia fshij djersët e rrudhave te thella

Do gjethe i ngjajnë lëmashkut

I shtresuar në fytyrën brishtë

Gurnajës së  mbetur peng malli

Si fëmijë  rritur lagështisë së harruar

Dhimbshëm shikoja kohën e varur bebëzave

Thinjat buzëqeshin sipër vetullave si kurorë

Shkopi dridhej në shuplakën e dorës

Plot  rrudha

E koha...

Shiringat më nuk gjejnë gjakun venave

Kohë e mbytur në lumë malli

Sa dënesë guri  në këndin  e kullës së rrënuar

O Zot kthema kohën

Se më vjen mall  fletët e jetës t’i lexoj

Si fëmijë në klasën e parë

Jeta derë dy kapakësh qenka

Sa të hyrish nga njëra me vaje

Del nga tjetra me lemerisje....

Gjakovë

4-5.qershor,2021



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora