Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Liri Pone Bele: Livia Princeshe

| E merkure, 16.06.2021, 05:45 PM |


LIVIA PRINCESHË

Tregim nga Liri Pone Bele

Mendoj se, pothuajse është e pamundur të përshkruhet ndjenja e kënaqësisë, gëzimi në përmasa të pamatshme kur ke para vetes, mban shtrënguar në kraharor mbesën e vogël, bisedon lirshëm duke ndjekur e përqendruar në çdo fjalë të shprehur prej saj. Jo rrallë shqipton një rrokje të vetme në mënyrën më të pastër të mirëkuptimit reciprok. Në më të shumtën e rasteve, ajo drejton bashkëbisedimin, kështu koha kalon pa ndier dhe çuditërisht të pakësohet interesi për çka ndodh në mjedisin rrotull teje.

Vendosëm të vizitonim Janinën në ditën e parë të majit të këtij viti. Rruga e gjatë,

pozicioni ulur pranë meje, e favorizoi Livian të më tregonte episode të reja të jetës së personazheve të konfiguruara saktë dhe artistikisht prej saj, si: Olisa, Olieri…, për të cilët isha e informuar dhe e kisha sugjeruar të shkruante një  tregim.

- Po, nënë! E kam menduar vetë, por nuk po nxitohem. Po e rishkruaj në mendjen time disa herë, sepse, duke e përpunuar me durim, arrihet e përsosura.

Për një vogëlushe gjashtë vjeçe e gjysmë, ky arsyetim më shtangu, aq sa nuk po mund të vazhdoja bisëdën. E habitur, shihja nga dritarja pamje piktoreske

, të cilat nuk po më linin asnjë mbresë… Heshta. Në moment m’u kujtua një episod. Teksa një ditë po zbrisnim me ashensor së bashku me Livian, se si m’u krijua një pamje e dyshimtë që qepallat e vogëlushes ishin paksa të fryra. Sapo dolëm nga ashensori, u përkula lehtësisht drejt kokës së saj , i ngrita fytyrën për të qenë fare pranë, shpreha me fjalë shqetësimin tim, shoqëruar në moment me lëvizjen e dy gishtave të dorës së djathtë dhe tentova të… Reagimi i saj i befasishëm më gozhdoi:

- Nënë! Mos e prek syrin tim! Nuk ke punë ti, me sytë e mi. As që po të kërkoj ndihmë…

M’u desh pak kohë ta shtjelloja kundërshtimin e një fëmije dyvjeçar, përmbajtja e të cilit tregonte qartë se, krahas rritjes, ajo njëkohësisht po formonte dhe prezantonte dinjitetin e vet. Po e kujtoja me imtësi atë episod të shkurtër kuptimplotë. Në çast, Livia më shkëputi nga mendimet, më kapi krahun dhe duke u afruar  me veshin  tim  më pyeti:

- Ti nënë, pse nuk shkruan një tregim për mua? Ty të pëlqejnë..., por kam një kusht të vetëm,  të mos  e ndryshosh  emrin tim të vërtetë, Livia.

Pas një çasti, unë  iu shpreha këmbënguljes së saj:

- Livia, do të doja ta bëja, por nuk mundem, e kam të vështirë…

- Atëherë, bëhemi bashkëpunëtore…

Tunda kokën, pa mundur të pohoja, ndërsa brënda zemrës sime po lumturohesha. Njëherazi po i jepja plotësisht të drejtë. Emërtimi “tregim” meritonte rrëfimin e disa pjesëzave të jetës së saj, që dëshiroj t’i rendis me kënaqësi në respektim të zgjuarsisë së Livias, sepse po më befasonte.  Kisha dëshirë ta pyesja një ditë për personazhet e filmave vizatimore, për cilësitë e çdonjërit, me qëllim që të mësoja se ku e bazonte ajo përzgjedhjen e sjelljes midis tyre. Olisa, Olieri dhe shokët e tyre, të cilët, imagjinata e saj e fuqishme, gati gati i prezantonte si personazhe reale. Dukej se po zgjatesha në bisedë. Ndërkaq, bashkëshorti im nuk po na ndërpriste, por edhe ai kishte të drejtë të shkëmbente fjalë, buzëqeshje me mbesën e shtrenjtë. Isha pikërisht unë që, pa dashje, po e pengoja dhe gjykimi i Livias, pasi na vështroi  njëri pas  tjetrit, ishte i vlefteshem  për    dy, kryesisht  për  mua:

- Fakti që ne rrimë gjatë së bashku dhe bisedojmë shpesh, nuk do të thotë se , ty nënë    dua më shumë se gjyshin.

Ç’përgjigje t’i jepja? Çastet kur Livia me logjikën e saj të pakundërshtueshme më ka vendosur me shpatulla pas murit janë të shumta.  Po  përmend  disa:

Dy vite më parë, gjatë muajit gusht, ishim e gjithë familja me pushime në apartamentin tonë në  katin e  katërt në bregdet, ulur në ballkonin e të cilit po sodisja pamjen tërheqëse të sipërfaqes së lëmuar me ngjyrë të kaltër të detit jo shumë larg nesh, rrezatimin e ëmbël të shkumës së bardhë të dallgëve të vogla pranë bregut, shoqëruar me shushurima pothuajse imagjinare. E përqendruar së tepërmi, po ndihesha shpirtërisht e lehtësuar dhe nuk po kujdesesha të ktheja kokën mbrapa e të ndiqja me vëmendje veprimet e mbesës, e cila po qëndronte paksa larg meje, duke u argëtuar me një lodër fëmijësh (e pafalshme sjellja ime në ato çaste)… U ngrita me vërtik. Ajo nuk po ndodhej në vendin e mëparshëm. Hyra në dhomën komunikuese me ballkonin; nuk po e shihja as në divanet e kuzhinës, njëri prej të cilëve kishte përsipër një mbulesë të dizenjuar me figurina të ndryshme, e hedhur mbi mbajtësen anësore, ku mbesa  varej  pas  tij…

- Livia! Livia, ku je fshehur? Të lutet nëna, m’u përgjigj, jam tepër e shqetësuar, - thërrisja me zë të lartë, ndërsa gjysmë e përkulur kontrolloja poshtë tyre.

As më e vogla lëvizje përqark meje. Fatbardhësisht, e pabesueshmja ndodhi. Në moment, mbesa ime pa mbushur ende katër vjeç, flaku çarçafin tej, duke qëndruar gjysmë ndenjur, u mbështet te jastëku pas saj dhe, me një  buzëqeshje    çiltër, m’u drejtua:

- Nëna! Për të parë, nuk shikon (syzet i kam prej shumë vitesh të domosdoshme), për të dëgjuar, nuk dëgjon, vetëm shkopi  të mungon!

Përgjigje më të saktë nuk kishte për mua, më takonte plotësisht. Pasi e mora veten mbas tronditjes, më tërhoqën vëmendjen detaje si treguese të zgjuarsisë së Livias. Përparësia i takonte përmbajtjes, vargjeve të rimuara bukur, ekzaktësisht në përputhje me realitetin. Konkluzioni i tretë: teksa qëndronte shtrirë në divan me kokën të vendosur nën nivelin e jastëkut mbuluar me çarçaf, ajo e kishte ulur ritmin dhe intensitetin e frymëmarrjes aq sa të mos krijohej pranë fytyrës së saj më e vogla lëvizje e mbulesës në atë sektor. Ndodhesha në një pozicion tejet të vështirë në ato çaste kur nuk po orientohesha ku ajo ndodhej, për më tepër që ballkoni nuk ishte rrethuar nga shtresa mbrojtëse rrethuese midis kangjellave. Puna ime si mjeke duhet të më drejtonte të kontrolloja me kujdes edhe nën çarçafin mbulues të divanit, të cilin e përdornim kur donim një sy gjumë. Ai nuk e kishte funksionin e mbulesës së divanit. Pranova me ndërgjegje se mençuria e saj në ato çaste linte shumë mbrapa prakticitetin  tim…..

Në verën e vitit tjetër, si përherë organizonim takime familjare. Ishte një mbasdite e nxehtë korriku. Fëmijët sugjeruan të bënim një shëtitje diku jashtë për t’u çlodhur. Në  të njëjtën, kohë freskia e atyre orëve do të ishte e dobishme. Kur prisnin përgjigje prej meje, unë iu drejtova vajzës  sime:

- Do të më pëlqente një gotë me dhallë të  ftohtë!

Ajo e solli. Pothuajse e boshatisa në moment dhe, ndërsa zgjata dorën për të ma rimbushur atë,  shkëmbeva shikimim me Livian, e cila nuk mund ta fshihte shkallën më të lartë të habitjes fëmijërore pas gotës së dytë.

- Kjo është dhallë cilësore, e nderon vendin e origjinës, Myzeqenë, saktësisht qytetin e Fierit… Sa për akulloret e Tiranës…, - buzëqesha duke e parë me vëmendje.

Përsëri gjykimi i Livias ishte i papritur:

- Si Tirana, ashtu edhe Fieri, të dy janë qytete shqiptare, nënë. Këtë  gjë  e dinë të gjithë.

Si herë të tjera, argumentimet e mia munguan. Fakti që shpesh e provokoja në fjalët anglisht bëri që, ende pa i kaluar të gjashtë vjeçët, Livia fliste qartë anglisht. Filmat e shumtë televizivë e vizatimorë dhe emisionet për fëmijë e favorizonin (gjithashtu, edhe prindërit e Livias e njohin  mirë  gjuhën  angleze).

Një ditë, teksa bëja lojën time të preferuar, duke u ngatërruar kinse me fjalët (bëja sikur nuk dalloja dot fjalën “derë” nga “dritare”), Livia më drejtoi si  përherë  njërën  nga  pyetjet  e mënçura    saj. U  shtanga:

- Nënë! Dyshoj se ti këto ngatërresa fjalësh i bën të qëllimshme, do  të më  provokosh  mua. Librat anglisht ti i lexon ,atëherë si ka mundësi ??

Përgatitja parashkollore mundësoi të fillonte klasën e parë afërsisht një muaj para se të mbushte gjashtë vjeçe. Vlerësimet e mësueses m’i tregonte të shkruara në fund të faqes së detyrës si në detyrat me shkrim, ashtu dhe matematikë. U gëzohesha shumë atyre. Kur po e pyesja për notat e marra në mësime, tregova pa mburrje, por me qëllim dashamirës dëshirën time ta nxisja për të mësuar rregullisht çdo ditë, duke i mëshuar se detyrat shkollore ishin më kryesoret, përparësia e një nxënësi, të  mos nënvlerësonte përgatitjet mësimore se… dikur vetë unë, nëna e saj, kisha qenë nxënësja  e parë e klasës…

- Livia, nëna, gjatë gjithë viteve të shkollës, kam marrë vetëm notën 5. Dua...

Nuk më la ta mbaroja fjalën dhe ngultas m’u drejtua me fjalët:

- Nënë! Numri është i njëjti, por *pesa* e kohës së sotme nuk ka të njëjtën vlerë me atë të  kohës suaj; është vjetëruar ajo e juaja…

E pamundur të vazhdoja më tej. Një tjetër gabim imi iu shtua të mëparshmëve, doja të rifitoja me çdo kusht pozitën e “fitimtarit” ndaj mbesës së vogël, sepse u binda që dinjiteti, mënçuria, natyrshmëria e karakterit të saj, çdo ditë e më tepër po e prezantonin befasuese Livian. Rastësisht më lindi një ide qesharake. Një ditë, bëra nja dy telefonata, subjekti i të cilave më detyronte të shprehesha jo me zërin tim të zakonshëm, por paksa më të rreptë. Për më tepër, në mbyllje të bisedës telefonike, u tregova më e prerë, madje dhe paksa e ashpër. Gjatë atyre çasteve, Livia    shihte me vëmendje dhe, pas pak pyeti:

- Nënë, se si po dukesh sot. Po flet shkurt, si të jepje urdhra.

- Sigurisht, jam një mbretëreshë, e kam këtë të drejtë.

Në çast sytë e kaltër të Livias, duke treguar më të lartën shkallë të habisë, prezantuan në të njëjtën kohë rrezatimin mahnitës të një diamanti  të rrallë.

Çfarë, çfarë dëgjova?! Nëna ime është një mbretëreshë?! Së shpejti do të  mbush  gjashtë  vjeçe dhe unë  nuk  e paskam ditur !?

- Nëse ti do të ishe mbretëreshë, atëherë babi im, pra djali yt, do të ishte princ, por ai asnjëherë nuk e ka quajtur veten, nuk ka treguar se është një princ.

Heshta një copë herë. Në çastin kur ngrita kokën, qartësisht dallova  se Livia po mendohej.

- Dua të të bëj disa pyetje, nënë. E para, ku e ke kurorën mbretërore? Pse  nuk  është  mbi  kokën  tënde?

Përgjigjja ime pas një çasti:

- E po, qysh kur flokët e mi u zbardhën, ajo nuk më dukej e përshtatshme… Por do ta zëvendësoj së shpejti…

- Mbretëreshat jetojnë në kështjella; shtëpia jonë është një ndërtesë e zakonëshme. Ku  ndodhet kështjella  mbretërore ?

- Kanë kaluar shumë vite, asaj i duhen  disa  ripunime.

- Ku  e ke  tavolinën  mbretërore?

Me shpejtësi  ja  këtheva përgjigjen  :

- Këtu hapësira jonë është e vogël dhe e papërshtatshme për një tavolinë    përmasave…

- Si e ka emrin kryeshërbëtorja jote?

Heshta një çast dhe:

- Mosha e saj drejt plakjes më detyron ta zëvendësoj me një të re…

- Po  cili është komandanti ushtarak i Mbretërisë?

- Është… një problem mjekësor e detyroi gjeneralin të pushojë një periudhë kohe. Do ta marrë sërish detyrën.

- Nënë, shpesh ti bën gabime në anglisht, ngatërron fjalët më të zakonshme, a  mund  të besohet  për  një mbretëreshë?

- Sinqerisht, e pranoj se ke të drejtë. Jam ngatërruar disa herë, sepse emocionet kur takohemi  bashkë , janë    forta.

- Kësaj radhe, më e thjeshta  pyetje  për  ty nënë…

Livia ulur përballë meje  duke më parë me kureshtje, gërshetuar me një ironi të lehtë, njëherazi po dukej e sigurt në fitoren midis betejës sime për të mbajtur “titullin e mbretëreshës”, gjë që më detyroi të dorëzohesha në moment ,pa kushte. Ishte një pyetje e saj dhe e paracaktur për t’u lënë në fund të “ndeshjes”:

- Nuk ka mundësi që mbretëresha të zgjedhë dhallë për të pirë. Nuk mund  ta besojë askush, nënë, kështu  apo  jo?!

E shtëngova në kraharor dhe nuk mund të vazhdoja më tej. U  kujdesa ditëve të tjera të mos e përmendja më shakanë e titullit “mbretëreshë”, përgjigjen e së cilës e mora të argumentuar dhe iu gëzova pa masë njohjes reale të shkallës së inteligjencës, pothuajse e paimagjinueshme deri  atëherë  të mbesës sime  gjashtëvjeçare.

Një mbasdite ishim diku pranë kodrave të liqenit të Tiranës. Livia me motrën trevjeçare, pothuajse fare pak qëndruan në këndin e lojërave. Shëtitën gjatë mes luleve të porsaçelura, të shumëllojshme, mes gjelbërimit të pafund dhe dukeshin të lumturuara. U kthyem në shtëpi  të qetë dhe të çlodhur mbas asaj mbaditeje të këndëshme. Pas pak Livia m’u afrua, qëndroi përballë meje dhe duke buzëqeshur më tha:

- Të lutem, nënë, ule pak kokën, mbylli sytë një çast,  se kam një surprizë për ty. Ndjeva se diçka po vendosej mbi kokën time, por se çfarë  mund    ishte, nuk po orientohesha….

- Nënë! Ngrihu  tani  dhe  shihe  vehten    pasqyrë.

Nuk munda të shqiptoja asnjë fjalë të vetme kur po shihja një tufë lulesh natyrale të bardha, rozë dhe manushaqe. Midis tyre disa fije bari të gjelbër, të vendosura së bashku me kujdes në një rreth kauçuku (sigurisht një prej lodrave), perimetri i të cilit përputhej me atë të kokës sime. Një pamje aq tërheqëse, si të mos e njihja veten teksa mbeta para pasqyrës. Gjithçka  u qartësua  me  zërin e ëmbël    Livias:

- Nënë! Kjo është kurora jote mbretërore!

U përkula në moment ta ngrija në krahë, por ajo me një pamje serioze vazhdoi:

- Tani, surpriza  tjetër  po  të pret...

Në ato çaste ndodhi e paimagjinueshmja, kur, duke mbajtur dorën time me të dyja duart e saj të vogla, më tërhoqi ngadalë dhe u futëm   bashkë në dhomën e saj. Atje Livia, në një tavolinë të vogël, mbante lapsat e vizatimit, fletore të shumta, sepse ka prirje ndaj pikturës. Në moment ngriti  një mbulesë të bardhë. Çfarë të shihje më parë! Njëra më e bukur se tjetra, punime plasteline të kujdesshme mbi të, shëmbëlltyra e një kështjelle, disa figura ushtarësh mbi muret e saj, në qëndër një godinë e gjerë, e gjatë, e lartë dhe njëkohësisht mbizotëruese e atij mjedisi sa real, po aq imagjinar, në brëndi të së cilës  prezantohej e përpunuar me kujdes dhe më e koncentruar, një shëmbëllim kolltuku apo një karrige paksa  më e lartë se  një  e zakonshme:

- Nënë! Kjo është Mbretëria jote!

Një drithërimë ndjesie e ëmbël më pushtoi, të cilën e kam të pamundur ta përshkruaj.

- Të falënderoj, Livia, kjo është mbretëria që meritoja unë! Uroj që ti të jesh në të ardhmen një princesheshë e vërtetë!

- Nënë, të premtoj se, kur të rritem, do të bëhem princesha që ti ëndërron!

Në atë moment u ndjeva vërtet si një mbretëreshë, si ato të përrallave të fëmijërisë sime!