Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Idriz Zeqiraj: OVL të UÇK shantazhon popullin e Kosovës

| E diele, 13.06.2021, 08:53 AM |


OVL TË UÇK SHANTAZHON POPULLIN E KOSOVËS

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Unifikimi i Faktorit Ushtarak të Kosovës, dështoi në Osllo të Norvegjisë. Këtë dështim e donte LPK e re, e cila mori me puç Lëvizjen; Tirana zyrtare social-komuniste; Serbia dhe DGSE franceze. Në këtë dështim prijnë zyrtarët e Tiranës, të cilët dhanë mesazhin: "Kryeqyteti i Kosovës është Beogradi!"

Mesazhi-urdhër, i dytë, ishte: "Oficerët e FARK-ut të largohen nga Shqipëria!" Oficerët e karrierës, të kërcënuar me jetë, nga LPK dhe Tirana zyrzare, iu drejtuan Komandantit Suprem, Dr. Ibrahim Rugova, me pyetjen-dilemë: "Ç`të bëjmë?!" Presidenti Rugova, qe përgjigjur prerazi: "Ju jeni ushtarak dhe e dini çfarë të bëni. Kthim prapa nuk ka, pavarësisht rrezikut!"

Sikur nuk mjaftoi prishja e turpshme e Marrëveshjes të Osllos, që ndau Faktorin Ushtarak, që kurrë më nuk u bashkuan, pavarësisht deklaratave hipokrite të tanishme, pasuan sabotimet tjera. Filluan vrasjet e organizuara, të listuara të ushtarakëve të FARK-ut, të kuadrove dhe veprimtarëve të LDK-së, gazetarëve të luftës, kuadrove të hershëm të LPK-së, rivalë potencialë, për pushtetin e pritshëm!

LPK dhe Tirana zyrtare ekzekutoi ministrin e Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqi, në Tiranë; ushtarakët Sadri Ramqaj, Ilir Konushevcin, Dr. Hazir Malaj, Qazim Jakupin; kontraktorët e ushtrimoreve ushtarake: Rushit Elezi e Muharrem Tafa; zhdukja pa gjurmë të oficerëve, pas pushtimit të përgjakshëm të ushtrimoreve të FARK-ut, në Kolsh e Kalimash të Kukësit.

Sabotimi i luftës nga LPK, zyrtarët social-komunist të Tiranës, me aleatë Serbinë dhe Sherbimin Informativ freng, kulmoi, kur vendosën që UÇK-në, të mos e aktivizojnë në Luftën e Kosovës. Kjo ngjallë habi e huti- njëherësh. Por, këtë e deklarojnë dhe e dëshmojnë, bindshëm, themeluesit e UÇK-së, thjeshtë, për arsye sabotimi të luftës, që shpjeguam më sipër. Individë dhe grupe të vogla, që shkuan në luftë, pa lejen e SHTAB-istëve të "Rogner-it", në të shumtën e rasteve, u dekonspiruan dhe u vranë, kryesisht, në prita!

Të kuptohemi, Thaçi, Veseli, Krasniqi, nuk janë themelues të UÇK-së; as krerët dhe as bishti i UÇK-së; as komandantë dhe as ushtarë të UÇK-së. Rrjedhimisht, nuk janë pjesë e luftës. Fundja, Hashim Thaçi, edhe pse njihet për - fjalë e rrenë -, në këtë rast, ka qenë i sinqertë dhe krejt i saktë, kur thotë se "gjatë luftës, kam qenë larg frontit të luftës". Fotografitë e tyre, Thaçit dhe Veselit, me  uniformën e UÇK-së, janë bërë në Malet e Martaneshit, përgjatë stërvitjes të ushtaraëve të kampit në Fullqet, afër Klosit, rrethi i Matit, afro 200 km larg, nga fronti i luftës në Kosovë!

Edhepse kam qenë në Emergjencën aktive të luftës, së bashku me nipërit e mi, Hasan dhe Ismet Rexhaj, si dhe 18 punëtorët e Firmës tonë "Etniku", të angazhuar për bartjen e bazës materiale ushtarake, përfshi komplet armatimin si dhe pritjen, strehimin, akomodimin e ikanakëve, refugjatëve nga Kosova, pra, kemi qenë pjesë e luftës dhe kemi ndjekur nga afër rrjedhat e saj, përfshi edhe angazhimin në luftë të disave dhe "mrizimin", nën hijet e mimozave në Tiranë të disa të tjerve!

Megjithatë, shumë të dhëna faktike, se kush e themeloi UÇK-në dhe kush e sabotoi ate, i dëshmojnë, bindshëm e botërisht, edhe eprorët, zyrtarët e lartë të LPK-së. Dhe, përputhën, madje, plotësisht, me shpjegimet tona për luftën. Përndryshe, lexoni fejtonet në vazhdime, të zyrtarëve të LPK-së, në gazetën "Kosova-sot", si dhe mediet tjera, në korrik-gusht 2018.

OVL të UÇK ka huqë misionin!

Ngulmon në destabilizimin e Kosovës!

OVL të UÇK-së, e organizuar pas luftës, me porosi të PDK-së, u kujdes edhe për themelimin e Shoqatës të Invalidëve të Luftës dhe të Dëshmorëve të Atdheut. Qëllimi ishte për t`i bërë bisht të saj, edhe dy Shoqatat tjera. Dhe, i keqpërdori suksesshëm, në të gjitha protestat e saj, për shantazhimin e popullit të Kosovës; destabilizimin e saj, krejt njëjtë, siç veprojnë armiqtë e Kosovës! Dhe, u vetëpagëzuan, cinikisht dhe turpërisht, "Shoqata të dala nga lufta", me thirrjen e hapur: "Luftë Rugovës dhe LDK-së së tij!"

OVL të UÇK-së, e themeluar nga PDK-ja, pas ndarjeve në partira dhe bashkimit në koalicionin PAN, e kanë pronë të përbashkët. Këtë biçim Organizate, e përdorin, si "xhokere", sa herë që kanë nevojë, për ndonjë poshtërsi të radhës, gjithëherë, në dëm të Kosovës.

Shoqata fantomë e OVL të UÇK-së, krerët drejtues të saj, i ka pasur me kartelë kriminale e rrugaçërore. Të gjithë kanë qenë vegla të PDK-së, me aleatët e saj. Përtej dy dekadave shantazhojnë dhe kërcënojnë popullin, e përçajnë atë, në vend që ta kultivojnë unitetin e popullit!

Kjo Shoqatë i ka sjellur shumë të zeza popullit të Kosovës. Prandaj edhe është bojkotuar nga veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve, që, dikur, janë identifikuar si pjesë e krahut të FARK-ut, të cilët e kanë shpërfillur si përçarëse, destabilizuese dhe me plotë elementë falsifikatorë e rrugaçërorë.

E habitshme, si tolerojnë pjesa e shëndoshë, anëtarët e devotshëm të këtyre shoqatave, të sundohen nga harbutër e banditër?! Aq më keq, pse pranojnë të jenë pjesë e PAN-it, i njohur për krime dhe hajni zyrtare, për degradimin e shtetit të Kosovës, shkatërrimin e tij, deri në prag të zhbërjes?!

1) Pas çdo arrestimi, të kriminelëve politikë apo ordinierë, kanë organizuar protesta të dhunshme, madje, në të gjitha qytetet e Kosovës, me sllogane idioteske: "Lironi çlirimtarët!", "Lironi heronjtë!" Ndërkohë që ata akuzoheshin si kriminelë dhe këtë e konfirmonte Gjykata;

2) Kanë realizuar protestat e dhunshme, të mars-prillit 2004, në koordinim me partitë-banda të PAN-it, të organizuara nga Serbia. Për rrjedhojë, pati një duzinë të vrarësh, qindra të plagosur, djegie e shkatërrime, që u ndërtuan me buxhetin e Kosovës. Bazuar në këto protesta e vrasje, u kërkua nga Serbia, i bindën edhe Qendrat e Vendosjes, për Decentralizimin e deri ke "Zajednica", realizimi i së cilës, vazhdon të ngulmohet edhe sot.

Duke marrë shkas nga trazirat e 2004-ës, Serbia fitoi status të zonës së mbrojtur, për kishat dhe manastiret ortodokëse! Edhe kjo është "dhuratë" e rrugaçërisë dhe të banditizmit të porositura, e OVL të UÇK-së!

3) PDK-ja donte ta rrëzonte, qeverinë e drejtuar nga Isa Mustafa. Dhe, urdhëroi krijesën e saj, OVL të UÇK-së, të kërcënohet me protesta, ose të fillojë dhënien e pensioneve për veteranët. I frikësuar se po humb postin e kryeministrit, Mustafa u dorëzua, pranoi ultimatumin banditesk të OVL të UÇK-së, pa hetuar fare vërtetësinë e "Dëshmive!" Për rrjedhojë, komandantët karrierisë e grykësa, për klientelë elektorale dhe para, shitën shumë mijëra "Dëshmi të Veteranit"! Nga 12.700 veteranë faktikë, i shumëzuan në 46.300, prej tyre 33.600 "veteranë" të rrejshëm! Kështu filloi krimi i madh, vazhdon edhe sot, një makro hajni zyrtare e shekullit, e realizuar nga OVL të UÇK-së!

Banalizimi i një proteste të sforcuar artificiale

4) PDK-ja po shfrytëzon rastin e një mini-incidenti të njeriut me afera penalizuese, Faik Fazliu, për të protestuar e banditizuar bulevardit të Prishtinës. Dhe, poshtërsisht e rrugaçërisht, është përzgjedhur 12 Qershori, Dita e Çlirimit të Kosovës, për ta ngrirë buzëqeshjen e lirisë, shqiptarëve të kudondodhur! Turp e ndot, për një parti, që pretendon shumë dhe nuk meriton asgjë, përveç shpalljes të paligjshme, për krimet dhe hajnitë e bëra, për dy dekada radhazi!

5)  Brenda një mbremje, të paktën, 4(katër) televizionet qendrore: RTK, TV DUKAGJINI, T7, KLAN 10, e patën në studio, Faik Fazliun, se bashku, me panelistët, më saktë, banalistët, sepse, me përjashtime të pakëta, me porosi të PAN-it, ishin pozicionuar, në sulm frontal, kundër qeverisjes aktuale, të kryesuar nga Albin Kurti!

Në debatet televizive të porositura, Faik Fazliu paraqitet si "për gjynah, i shtyrë, i rrëzuar kot se koti"! Realisht, ai doli përballë policisë, duke mbrojtur pronarët e restorantit dhe kundërshtuar policinë! Policia ishte e zemëruar me pronarët, të cilët, me shumë dënime të përsëritura dhe të papaguara, sfidonin policinë, shtetin. Një shtet ligjor, duhej t`ia vinte drynin këtij restoranti. Si duket kemi të bëjmë me njerëz sfidues unik, që mbrohen nga - Të FORTËT -! Këtu shpërfaqet edhe bllofi i bandës PAN-iste, që kërkon faljen komplete të dënimeve pandemike. Megjithatë, edhe mund të rishikohet mundësia, për falje të pjesëshme të këtij borxhi.

Përndryshe, Faiku kishte edhe rrugë tjetër, për të dalë nga restoranti! Megjithatë, nuk u pa ndonjë agresivitet nga Fazliu, dhe shtyrja mund të shmangej. Por, raporti mjekësor, për Faikun, është qesharak, sepse rrëzimi, rënia në dysheme e tij, është parë të këtë qenë e koontrolluar, duke u mbajtur për dy karrikat anësore.

a) Faik Fazliu njihet, të paktën, për dy krime të rënda, njëri politik dhe tjetri ekonomik, që meriton ndëshkim, pavarësisht të kaluarës apo të një plage që ka. Duke qenë në cilësinë e kryetarit të OVL të UÇK-së, ai, në mënyrë kriminale e kundra-kombëtare dhe, thellësisht, rrugaçërore, ka organizuar djegien e Flamurit të Shenjtë të Dardanisë, i ideuar dhe i miratuar nga Presidenti Rugova, i cili ka elemente të Shqiptarisë, më shumë se çdo famur tjetër, përfshi edhe atë kombëtar.

Kallja flamujve të Dardanisë, madje, në nivel Kosove, më 2005, i përmjerë, i dhjetë, jo vetëm Faik Fazliun, me shokë, por, edhe të gjithë krerët trumcakë, injorantë e profanë të PAN-it banditesk, të cilët, kriminalisht,  ngroheshin në flakët e flamujve të kallur, ku shquhej simboli i shqiponjes!!!

b) Gjeneral Spiro Butka, oficër shqiptar, kryetar i Shoqatës të OVL të UÇK-së, në Shqipëri, dëshmon: "Unë i dorëzova, Komisionit Qendror, në Prishtinë, emrat e 186 luftëtarëve aktivë dhe ndihmës rrethanorë, në Luftën e Kosovës. Kur filloi pagesa, "dikush" këtë shifër e ngriti në 3.000 veteranë! Edhe pas kësaj shifre, ka shtesë emrash "veteranësh" të rrejshëm! Gjenerali akuzon Faik Fazliun, se me paratë e fituara, nga shitja e "Dëshmive të Veteranit", në bashkëpunim me vendorët shqiptarë, ka hapur biznese tregëtare dhe të tjera".

Gjenerali Butka, akuzon, me emër, "Faik Fazliun, i cili, në bashkëpunim me disa shtetas shqiptarë, në Kukës dhe gjetkë, ka shitur, të paktën, 2.814 "Dëshmi të Veteranit", të gjitha të rrejshme, plus të tjera, që kanë kaluar shifrën 3.000!"

Çuditërisht, askush, nga lukunia e panelistëve të ftuar, në katër studiot e televizive të cituara, brenda një mbremje, nuk e përmendi akuzën e rendë, falsifikuese e hajnore, në adresë të ish-kryetarit të OVL të UÇK-së, Faik Fazliu, për krimin monstrum ekonomik, shkaktuar buxhetit shtetëror të Kosovës, siç është shitja industriale e "Dëshmive të Veteranit!?

Degradimi Nënë e bijë, PDK-OVL të UÇK

6) Sulmi frontal i opozitës, kundër Qeverisë Kurti, përjashto LDK-në, e cila nuk është aq aktive, motivohet edhe nga lehtësia e gabuar, që bëri Kurti, me shkarkimin e padrejtë dhe arbitrar të këshilltarit të tij, Shkëlzen Gashi. Ai tha një të vërtetë, qoftë edhe të hidhur, siç ishin vrasjet në muajtë parë të mbarimit të luftës, kryesisht, vrasje ordiniere, për të përvehtësuar pronat serbe dhe të pakicave tjera. Ambasadori britanik, O´Konore, thotë se "Gjyshërit serbë, të bashkëshortës sime, i vranë njerëzit e UÇK-së, për t`ua marrë banesën në Prishtinë!"

Prandaj, për Qeverinë Kurti, do të ishte fatale, nëse do të hamendej, për ndonjë shkarkim ministrash, nga presioni artificial i opozitës. Fundja, kryeministri duhet t`i drejtohet popullit, t`i tregojë atij, se "PAN-istët nuk durojnë opozitarizmin, duan destabilizimin e Kosovës, në koordinim të plotë me Beogradin. Qëllimshëm po pengojnë Qeverinë tonë, në realizimin e programit qeverisës".

Njerëz të krimit, të strehuar në partitë-banda të PAN-it dhe bishtra të tyre, janë angazhuar, skajshëm, për destabilizimin e vendit, ashtu siç e kërkon edhe Serbia. Edhe dosjet e Speciales, po dyshohet të kenë ardhur nga Serbia. Vuçiqit dhe shtetit të tij, i mungon shumë Hashim Thaçi dhe mbështetësit e tij, për ndarjen e Kosovës. Vuçiqi, të paktën, mendërisht e shpirtërisht, është me ju, është brenda turmës të protestuesëve të mundshëm në Prishtinë.

Të trimëruar nga krerët rrugaçë të OVL të UÇK-së, një rrugaç tjetër, kryetari i Sindikatës të Arsmit, Rrahman Jashari, kërcënon se "sa të jam unë kryetar, nuk lejoj testimin profesional të mësuesëve!" Rrahmani pretendon se ai duhet të vendosë, nëse duhet shtuar ditë mësimi, për mungesat pandemike! Kjo anarshi tmerron!

Ja çfarë shteti i kanë lënë Albin Kurtit, PAN-istët mujësharë e banditër!

Realisht, "komandantët" e akuzuar, dje dhe sot, nuk kanë vrarë ushtarë serbë, sepse nuk kanë pasur asnjë përballje luftarake me armikun. Vrasje të tilla ka pasur në Betejën e Loxhës dhe Kososhare. Ish-SHIK-asi, Naim Miftari, dëshmitar i Gjykatës Speciale, mjaft i informuar për krimet e "komandantëve", ndonëse ishte në strofullën e gjarpërinjëve, pohon se "në mesin e 100 viktimave, për çka akuzohet Hashimi me shokë, vetëm njëri është serb dhe të gjithë të tjerët janë shqiptarë!"

Krimi politik ka ndodhur, varret e shqiptarëve të pafajshëm, janë kudo në Kosovë. Vrasjet, më saktë, ekzekutimet, kanë qenë, paraprakisht, të listuara. E gjithë kjo është një "e fshehtë publike"!