E premte, 19.04.2024, 03:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Arjana Loçe: Ç`është një grua? (Cikël poetik)

E hene, 01.12.2008, 11:50 AM


Arjana Loçe
Arjana Loçe, (shkurt Ana), ka lindur më 28 Maj 1986 në qytetin e Kuçovës. Aty mbaroi shkollën e mesme të përgjithshme, për të vazhduar më pas studimet e larta në degen e Gazetarisë, Tiranë. Në moshën 18 vjeçare, boton vëllimin e parë poetik me titull “Poezia e Zemrës”. Pasioni për letersine do të ecte nderkaq përkrah atij për gazetarinë. Ka punuar në disa organe mediatike dhe së fundmi drejton, programin radiofonik “Pena dhe Zëra të dashurisë”, ne 98.7 Mhz, një program në të cilin nuk mungon asnjëherë interpretimi i poezisë së mrekullueshme shqiptare.

Është në proces për një botim të dytë.

 

Ç`është një grua?

 

Një grua është qenia

që botën ndryshon,

që lind dashuri,

fëmijë dhe pasion.

Një grua është era

që gjithçka pushton,

një grua është fllad,

stuhi e ciklon.

 

Një grua është dita,

një diell i ri.

Një grua është nata,

mister që nuk di.

 

Një grua janë ngjyrat

bashkuar në një,

kontrastet e forta,

pikturat pa zë.

 

Një grua është bota

që përherë do t`mbes,

qenia që rilind

para se të vdes.

Një grua është frymëzimi

që s`ka të mbaruar

arti i Zotit

që e ka krijuar.

 

 

Funerali i dashurisë

 

 

Dha shpirt…

Mbaroj, e në përshpirtje

lot... 

O Zot!

Sa e madhe, sa sublime

Dashuria,

edhe vdiq!

Funerali bëhet-s`bëhet,

u përligj.

Kujtimi s`do që të varroset

kurrë…

tani zemra, trupi, shpirti

janë sëmurë.

 

 

Në ëndërr pse më vjen?

 

 

Në ëndrra vjen më ngatërrohesh,

një pështjellim krijon tek unë

dhe prapë rikthehet si pa formë

imazhi yt, në timin gjumë.

 

Në ëndrrën time përse vjen,

nuk e kupton sa më lëndon,

se ndjen që n`realitet e vuaj

ndarjen që sot na bashkon?

 

Mos më eja më në ëndrra,

shpirtin më mos ma sfilit,

si në realitet - në ëndrra,

njësoj, vdesin dashuritë.

 

 

Ora e ndarjes

 

Erdhi ora e ndarjes!

Nuk ka lëvizje akrepash si përherë,

por gjëmime kambanash vajtimi.

Sa i hidhur është ky çast,

harrimi, harrimi, harrimi.

 

Erdhi ora e ndarjes!

Nuk ka më fjalë të ëmbla si dikur,

por lot të hidhur si helm i zi.

Oh, sa shumë dhembje mban brenda,

dashuri, dashuri, dashuri.

 

 

Kujtesa kalendarike

 

 

Prapë në mendje të kam...

Kujtesa ime në fletët e bardha,

ka nxirë me lapsa që s`fshihen,

ato që së bashku kaluam.

Kujtesa si një kalendar,

plot ditë e data shënuar.

 

Me të kuqe ditët plot lumturi,

me gri çastet kur grindeshim,

me blu netët kur bënim dashuri,

me rozë ato kur putheshim.

 

Eh…veç kujtesën kalendarike,

kam tani që ti më ike.

 

 

Lutje

 

Ja ra mbrëmja...

Shtrati bosh.

Zemra dimër.

Loti shi...

lag kujtimet,

teksa buzët,

luten që të kthehesh

Ti.

 

 

Atë natë

 

 

Ti me siguri e mban mend

strehën e vogël, të shkretë,

që prej asaj nate të çmendur,

unë vendosa ...

ta shes më shtrenjtë.

 

Askush nuk e di sekretin,

që zemrat tona bashkë ndanë,

tani ajo nuk është më e zbrazët

se brenda ...

kujtimet tona mban.  

 

 

Puthja...

 

Kur ti më puthe në buzë

për herë të parë,

unë sytë të putha paskëtaj.

Më puthe në buzë

dhe se di përse.

Të putha në sy

 se s`dua më të qajnë.

 

 

 

Abstraksion

 

Jeta,

pikture abstrakte,

brenda telajove ngjyre gri,

aty ku ndodhem une,

atje ku humbet ti

here pikture me ngjyra

e here bardh e zi,

ne kornize e zhveshur jeta,

abstraksion ngjyre gri.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora