Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhemal Ahmeti: Testamenti i Milladinit

| E shtune, 12.06.2021, 01:49 PM |


Testamenti i Milladinit

Nga Xhemal Ahmeti

Rama tha se Kosova nuk ka gjasa ta padis Serbinë për gjenocid. Shqipëria dhe aleatët, pra partnerët perëndimorë, tha ai qenkan kundër. Cilët partnerë konkretisht? Dhe nga qenka kaq i sigurt Rama për këtë punë, kur padia ende nuk është materializuar?

U puqën, përqafuan dhe u shkrinë së qeshuri. Në ndarje e sipër Edi e shtrëngoi Albinin aq përmallshëm për qafe saqë Zoran Zaevi pas tyre linte përshtypjen sikur donte t’i japë ndihmën e shpejtë fqinjit kosovar, njëkohësisht duke lutur Ramën: «Liroje pak se i more frymën të shkretit». E ai, basketbollisti peshëmadh sa King Kongu në filmin e Merian C. Cooper-it, duke ia kthyer: «Ky është djaloshi xhait, e rregullojmë, bëhet, bëhet xhanëm».

Këto ishin skenat publike që Prishtina mediale i festoi si bashkim ujdimadh të dy shteteve shqiptare. Çka mirëpo ndodhi në të vërtetë gjatë samitit në Tiranë?

Pamjet tjera, të transmetuara nga brenda tubimit sollën dy fytyra të tendosura, të fryra, skuqura: Ana Brnabiç hundëzajshëm e Albin Kurti i bërë tym. Samiti u mbyll pa një deklaratë të përbashkët!

Pas mbledhjes Ana Brnabiç tha se samiti dështoi për shkak se disave nuk u intereson zhvillimi i rajonit, por duan të poshtërojnë Serbinë. Albin Kurti nuk kishte nënshkruar ngase shteti i tij ishte trajtuar si një atopos, një gropësirë gjeografike pa status e subjektivitet.

I.

Rëndom primatët e samiteve të llojit duken si adeptë të një zone politike amorfe. Konfliktet që i shoqërojnë manifestojnë faktin se nuk përfaqësojnë asgjë kongruente me vlerat perëndimore. Duke aktruar një pacifizëm (internacionalist) të kamufluar të tipit të devotio postmoderna -s (Life after God) ndoshta besojnë se do bindin më në fund BE-në të jenë aorta fisnike e kontinentit. Natyrisht e njëkohësisht duke kërkuar nga Brukseli mirëkuptim se pse nuk braktisin dot hamamet turke dhe se pse qenka aq zor të nxjerrin turinjtë nga tenxheret me kaviar të Putinit. Magmë vitalistësh zhvatës. Shqipëria, Maqedonia dhe tjerët nuk duan të kuptojnë se s’mund të jetë atraktor i mirëqenies së tjetrit asnjëherë ai subjekt afin edhe për krimet më të rënda në mbrojtje të legjendave dhe kotecit të tij, siç bën shteti i zonjës Brnabiç. Ose mundet nëse ai shtet ka të bëjë me vende, të cilat shquhen për nga vulgariteti invaziv i një utilitarizmi ku dominon skamnori sapiental, parimet etike të të cilit determinohen nga fuqia e valutës investuese dhe asgjë tjetër. Ose gjitha këto shtete jo veten, por kosovarët i konsiderojnë si brotoi të Ballkanit. Si sferë ku jetojnë njerëz që në vend të kodeve morale jetojnë sipas asaj «Etikës e  padinjitetshmërisë» të Luhmanit.

Ndoshta nisur nga kjo perspektivë mbi kosovarët, organizatorët e  samiteve të llojit, mos-hidhërimin e Serbisë e kanë kuptuar si nevojë për mohim, delegjitimim të Kosovës. Dhe kur qeveria e këtij shteti reagon ndaj kësaj sjelljeje, sllovenët me kroatët çojnë shpatullat përpjetë dhe si të pashpresë thonë se Serbia duhet ta njohë më në fund realitetin. Primatët e këtyre vendeve, në deklarim e sipër nuk japin përgjigje për tema që nuk ishin agjendë e samitit. Me përjashtim të njërit.

II.

Edi Rama bën ndryshe. Ky më i mençur dhe më me kompetencë për të folur për Kosovën se tjerët. Çështje biofijesh? Në një intervistë për «Euronews Serbia», ky ligjëroi se palët në konflikt duhet t’i harrojnë armiqësitë dhe të kujdesen për zhvillimin e rajonit dhe të ardhmen e tyre evropiane. Jashtëzakonisht romantike kjo dashuri internacionaliste. Megjithatë nuk përbën thagmë ky deklarim. Pastaj tha edhe diçka që nuk ishte temë e samitit: shpjegoi se Kosovën nuk e përkrah Shqipëria në aksionin e saj për të paditur Serbinë për gjenocid. Kështu ngase Kosova qenka e pavarur dhe vendos vetë. A mundet të vendos ajo vetë edhe për mënyrën se si do vendos për të ardhmen e saj politike dhe për mënyrën se kur dhe si do t’i falë ekzekutorët e njerëzve dhe djegësit e shkatërruesit e vendit të saj? A është ajo aq e pavarur se për të bërë padi pa ndihmën e Shqipërisë, e cila përcakton kualitetin e padisë apriori si të kotë? Kaq thellë nuk hyri kryeministri i Republikës pak më në moshë shqiptare, por në emër të gjitha aleancave i deklarua kundër padisë. Donë të thotë se Tirana zyrtare paska bërë një aksion diplomatik me shtetet e perëndimit duke i pyetur apo manifestuar qëndrimin e saj kundër padisë? Cilës padi, kur ajo ende nuk është publikuar? Është kjo arsyeja që shtyn Ramën të besojë versionin serb se në Kosovë nuk ka pasur gjenocid? Po të ishte ndryshe, po të besonte se atje kanë ndodhur krime, ai nuk do ta diskutonte këtë gjë. Jo ngase si primati i parë politik i një shteti që nuk u shkoqet dot vetingjeve e kupton rolin dhe peshën e drejtësisë. Jo vetëm për qytetarët e tij e kupton ferrin e viktimave dhe pjesëtareve të tyre, por edhe të tjerëve, atyre andej gardhit. Mirëpo puna qenka pra ndryshe: në kujtesën e primatit të Tiranës gjenocidi nuk paska ndodhur, si rrjedhojë ashtu ai edhe e reprezenton atë, jo vetëm mentalisht, por edhe me sjellje (Reprezentimi mental është një entitet fryme me veti semantike).

Është kjo mënyra se si Rama donë ta bind Vulinin të mos jetë „shiftar“?

III.

Paralelisht me samitin në Tiranë, në Beograd u mblodhën ish gjeneralët me «inteligjencien» dhe shtetin për të konstatuar se NATO i humbi 36 aeroplanë në luftën me ata; se Serbia fitoi de facto luftën pasi siguroi rezolutën e OKB, e cila nuk lejoi që Serbisë t’i hiqet Kosova nga territori. Shumica prej tyre ishin drejtpërsëdrejti të involvuar në krimet e bëra në Kosovë. . Edhe organizatorët e samiteve si ky i Tiranës operojnë me këtë mendësi të gjeneralëve beogradas. E qartë: nuk gjenden në Hagë, por në Beograd dhe mbajnë tubime. Si shtetet tjera ballkanike, të cilat gjykimin e shqiptarëve deklarueshëm e konsiderojnë padrejtësi, por është Kosova ajo që ngushtohet prej këtyre mos ta prish zhvillimin e rajonit e jo Serbia. Hipokrizi? Injorancë? Pale çka. Secili shtet ka interesat e veta. Ashtu siç bëjnë serbët në Bosnjë dhe në Kosovë. Shqipëria bën ndryshe. Asnjëherë nuk ka vepruar në ndonjë formë më spektakolare se kjo. Kështu ka vepruar ndaj vetes dhe Kosovës përherë – pavarësisht dramës. Utensiliat parapolitike të Tiranës në fushën e diplomacisë përherë kanë rezultuar bumerang për interesat rajonale të etnosferës shqiptare. Fatkeqësisht.

IV.

Padia kosovare për gjenocid bëhet jo si kërkesë politike për t’ia bllokuar me naze e poza të të fortit dikujt autostradat minishengenike nga duhet të kalojnë vëllezërit serb, pasardhësit e Milladinit, për në det. Ajo është kërkese e qindra familjeve dhe mijëra njerëzve, të cilëve iu zhdukën njerëzit, iu dogjën shtëpitë, tokat, kafshët dhe gjithçka çka kishin. Ata humbën gjithçka nga një shtet, i cili ushtroi etnocid ndaj tyre rreth 120 vjet. Rama dhe primatët tjerë ballkanik duhet të kuptojnë  se për ç’arsye pa u vënë drejtësi në këtë drejtim nuk do ketë paqe në «rajonin e tij proevropian». Ata e dinë edhe fjetshëm se kush e pengon këtë drejtësi, por problemi eshtë diku tjetër e jo tek mosdija:  konsiderojnë autostradat, aeroportet, mallrat si bazën e çdo morali paqeje e koekzistence. Gjitha tjerat duan që të mbeten të pagjetura – si kufomat e kosovarëve gropave serbe.

Padia – u pranua apo jo (e si kur edhe Shqipëria qenka kundër) ajo parasëgjithash është një luftë e drejtë e të dëmtuarve për drejtësi. Është edhe manifestimi i një gjendje të paprecedentë historike, në të cilën viktimat gjykohen e vrasësit mbajnë tubime që arsyetojnë festueshëm po të njëjtat krime. Paqja ndër kombe nuk ndërtohet me hekurudha dhe aeroporte por me empati për të drejtën, drejtësinë dhe me respektin ndaj lirisë dhe dinjitetit të tjetrit – qoftë ai i së njëjtës kombësi, fqinj apo tejoqeanik.

Marrë nga https://www.gazetaexpress.com/