E premte, 29.03.2024, 02:37 PM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Liturgji në kishën e Millosheviqit në Prishtinë!

E enjte, 10.06.2021, 07:30 PM


Blerim Latifi:

Sot (07-06-2021) familja jonë e madhe përkujton rënien e njërit prej djemëve më të mirë që kemi pasur ndonjëherë, Fadil Latifit. Ishin ditët e fundit të robërisë, por Prekazi vazhdonte edhe në ato ditë të përgjakej nga makineria ushtarake serbe. Fadili sot prehet pranë babës së tij dhe axhës tonë, Arif Latifit, i cili luftoi bashkë me Shaban Polluzhën deri në ditën e fundit të kryengritjes së tij, dhe në moshën 83 vjeçare u vra nga serbët në luftën e fundit, me 15 prill 1999. Fadili prehet po ashtu pranë axhës tonë Emin Latifit, i cili ra dëshmor i lirisë me 7 shkurt të vitit 1945, gjatë Kryengritjes së Shaban Polluzhës. Prehet po ashtu pranë gjyshit, Ahmet Latifit, i cili kur mori vesh se i është vrarë djali,Emini, u tha atyre që ia sollën lajmin e zi: hallall krejt djemtë e mi i qofshin Shabanit!

_________

Nuk është e rastësishme hiç pse Kisha Ortodokse Serbe ka zgjedhur 10 qershorin për të mbajtur liturgji në kishën e Millosheviqit në Prishtinë. 10 qershori është data e themelimit të Lidhjes së Prizrenit, organizatës së parë kombëtare shqiptare.10 qershori është data e fillimit të largimit të ushtrisë e policisë serbe nga Kosova, pas nënshkrimit të kapitullimit të tyre në Kumanovë me 9 qershor 1999. 10 qershori është data kur gjatë vizitës së tij në Tiranë, në qershor 2007, presidenti Bush, njoftoi botën se pavarësia e Kosovës është punë e kryer. Dhe, duke zhvilluar një liturgji në zemër të Prishtinës, në një kishë gurthemelin e të cilës e kishte vënë vetë krimineli Arkan,Kisha Ortodokse Serbe ka dashur dhe ia doli të përçoi një mesazh politik kundër këtyre tri datave. Madje, nën hundët tona dhe me lejen e institucioneve tona të mjera shtetnore, të mbushura me qyqarë e të padijshëm.

***

Në vitet ’90, të shekullit të kaluar, kur Millosheviqi marshonte me ushtrinë e tij nëpër Kroaci, Bosnje e Kosovë, duke shndërruar në tokë të djeguar secilin fshat e qytet që ngrihej kundër Serbisë së Madhe, prapa tij qëndronin tri institucionet kryesore kulturore serbe: Kisha Ortodokse Serbe, Akademia Serbe e Shkencave dhe Lidhja e Shkrimtarëve të Serbisë. 22 vite pas përfundimit të luftërave të ndyra të Millosheviqit, Kisha Ortodokse Serbe vazhdon të mbaj të njëjtin pozicion në përkrahje të shovinizmit serb. Dhe dëshmia ma e freskët është liturgjia e sotme e zhvilluar në kishën e ndërtuar nga Millosheviqi në hapësirën e Universitetit të Prishtinës gjatë viteve ’90. Kjo liturgji nuk duhej të lejohej në asnjë mënyrë, sepse ajo nuk ka asnjë lidhje me besimin fetar, por vetëm me mesazhe politike, që lidhen krye e këput me trashëgiminë e Millosheviqit. Në fakt, ka shekuj që Kisha Ortodokse Serbe mesazhin kristian e kupton vetëm në termat e interesit nacional serb. Nuk ka abuzim më të madh të figurës së Krishtit, sesa të fshehësh nën simbolikën e tij duart e përgjakura të fashizmit serb.

_________

Hungarezët paskan marrë vendim që në Parkun qendror të Budapestit të vendoset busti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Bota e civilizuar vazhdon ta nderoj emrin e Heroit tonë kombëtar, edhe sot, shekuj pas vdekjes së tij, derisa në vetë kombin e tij ka plot zuzarë e shpirtshitur që vazhdojnë ta fyejnë e përdhosin emrin e tij.

_________

Të dënosh kriminelët e luftës, por jo edhe ideologjinë që ka frymëzuar dhe justifikuar krimet e tyre, do të thotë të bësh drejtësi gjysmake! Do të thotë ta lësh të paprekur burimin e të keqes. Do të thotë ta lësh të hapur mundësinë që ky burim të gjenerojë prapë kriminelë si Ratko Mladiqi. Mladiqi nuk ishte një vrasës me probleme psikike. Atë e bëri vrasës nacionalizmi shovinist serb, prandaj dënimi i tij pa iu referuar këtij nacionalizmi është drejtësi gjysmake.Tekstet doktrinore të nacionalizmit serb duhet të trajtohen si Mein Kampf i Hitlerit!

_________

Ljubisa Dikovic, ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, në një intervistë për Kurir’in, paska thënë se ushtria serbe një ditë do të kthehet përsëri në Kosovë. Dikovic, njëri nga përgjegjësit kryesorë të shumë masakrave në Kosovë, në mesin e tyre edhe për Masakrën e Rezallës, nuk ndihet fare i penduar për luftën e tij të ndyrë në Kosovë. Përkundrazi, ndihet krenar dhe paralajmëron ripushtimin e Kosovës. Ai, sot, në Serbi, e ka statusin e një heroi të gjallë. Dhe këtu duhet theksuar një gjë: derisa Serbia kriminelët e luftës së saj të ndyrë, i bën heronj, ne, heronjtë e luftës tonë i kriminalizojmë. Dhe, derisa Serbia përgatitet për çastin kur rrethanat historike në të ardhmen do t'ia mundësojnë rikthimin ushtarak në Kosovë, ne merremi me gjëra të kota politike e religjioze, gjatë gjithë kohës. Dikush njëherë ka thënë: shtetin mund ta fitosh në mënyra të ndryshme, por nëse nuk ke mendim shtetëror ke për ta humbur së shpejti!

_________

Faik Fazliu është invalid i luftës. Si njëri ndër pjesëtarët më të hershëm të UÇK-së, ai e humbi njërën këmbë në betejat e saj për lirinë e Kosovës dhe sot mezi levizë si pasojë e plagës. Sjellja e zyrtarëve policorë ndaj tij, duke e përplasur për tokë, është sjellje e shëmtuar, e cila, si në shumë e shumë raste të tjera, na dëshmon se policia e Kosovës është e mbushur me huliganë të uniformuar.

_________

Nëse i shikojmë statistikat e aksidenteve fatale që po ndodhin përditë në Kosovë, na del një fakt shqetësues : pjesa më e madhe e atyre që i shkaktojnë aksidentet janë të moshave të reja. Kryesisht janë djem të rinj që vozisin si të çmendur rrugëve të Kosovës dhe, për pasojë, po shkaktojnë vdekje të përditshme, si ajo e djeshmja në Ferizaj ku humbën jetën katër qytetarë. Ky është një tregues i qartë i një rinie që është duke kaluar nëpër një krizë të thellë të edukimit, edukimit të kuptuar si socializim, si përfitim i aftësive për t’u sjellur sipas rregullave themelore të mirësjelljes dhe përgjegjshmërisë sociale. A është ashpërsimi i drejtësisë penale zgjidhja e këtij problemi? Vetëm pjesërisht. Edukimin dhe kulturën nuk mund t’i zëvendësoj asnjë faktor tjetër socializues. Por kush ka kohë të mendoj për to në këtë vend?

_________

Thomas Sowell e bën një dallim legjendar midis ekonomisë dhe politikës: "Leksioni i parë i ekonomisë është pamjaftueshmëria: asnjëherë nuk ka mundësi për t'i kënaqur kërkesat e të gjithëve.Leksioni i parë i politikës është të shpërfillë leksionin e parë të ekonomisë".  Pra, t'u premtoj të gjithëve plotësimin e të gjitha kërkesave. Kështu, mashtrimi, gënjeshtrat, manipulimi, bëhen teknika themelore të atyre që kanë vendosur ta kalojnë jetën në politikë. Por pse denoncimi i mashtrimeve politike nuk u jep fund atyre? Pse mashtrimet politike funksionojnë vazhdimisht? Sepse, siç thotë Makiaveli, kurrë nuk mungojnë njerëzit që duan të gënjehen. E tëra ka të bëj me aftësinë për t'ua ushqyer shpresat dhe iluzionet. Dikush ka thënë se politikanët janë thjesht tuxharë të shpresave njerëzore.

________

Së shpejti:



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora