E premte, 29.03.2024, 09:33 AM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: E bekuara nga perënditë

E merkure, 09.06.2021, 08:30 PM


E BEKUARA NGA PERËNDITË

Udhëpërshkrim Ekskluziv nga Pëllumb Gorica

Një ndjenjë ngazëlluese të mbërthen kur udhëton drejt Valbonës. Ajo të ngjan me magjinë e përrallave dhe me vete thua se vend të bukur zgjodhi Perëndia, që jo më kot Romakët në shek III pas Krishtit, të mrekulluar nga bukuria dhe begatia e saj, e pagëzuan me emrin Valbona.

Valbona është me të vërtetë një luginë me tiparet e një amfiteatri madhështor të rrethuar nga kurora malesh të lartë të Alpeve Shqiptare (një Eden Parajse), me fustanin e gjelbër të Driadave dhe ajrin plot freski. Demetra (Toka Mëmë) përgjatë miliona shekujsh e ka shpërblyer me bukuri epike, me larmi malesh; por më shumë me ujërat kaltëroshe, si simfoni jetëdhënëse e lumit më të bukur të Shqipërisë, që harbohet shkumë e valë nëpër gurë, duke i rrumbullakosur me gurgullimë, që të puthë brigje përgjatë një rruge gjysmëqarkore, ku bëhet kanion te Ura e Shtrenjtë në Shoshan, duke u bashkuar me rrjedha të tjera më të vogla drejt liqenit të Komanit që bëhet dritë.

Fluturimtar dhe i përhumbur nga kënaqësia, kalojmë liqenin e Komanit, që, sa herë e sheh, aq herë të magjeps me ngjyrën smerald të ujrave. Qyteti i Bajram Currit ngrihet rrëzë Bjeshkëve të Bishevës dhe Ponarit, me shtëpitë-kulla dhe pallatet e kohës së Socializmit, si gunga të padëshirueshme në trupin e shëndoshë të tij. Tropoja dikur është quajtur Malësi e Gjakovës. (Emri administrativ “Tropojë” është i ri, i “Epokës së ndritur të Socializmit”, ndërsa edhe vetë Tropoja e vjetër më herët thirrej Astë).

Sytë i ngul thellë në peizazhin që të tërheq aq shumë. Aq më madhështore bëhet kjo bukuri nga ashpërsia e shpërfaqur me krenari. Ja Jezerca hijerëndë, atje lart në mjegull, mbuluar me plis të bardhë. Në këtë majë me bukuri marramendëse, plot Zana, Orë e Shtojzovalle (është vendi më tipik i legjendave me Orë e Zana), me heronjtë e Epikës së Kreshnikëve, me shpella të paeksploruara, të banuara që në Lashtësi.

Historitë e periudhës së Paganizmit, të ruajtura në kujtesën e të moçmëve në trevat e Veriut, thonë se shumë kohë më përpara në majë të malit të Shkelzenit lartësohej Tempulli i Diellit, i cili shkëlqente edhe natën deri në breg të detit (nga ka marrë dhe emrin Shkëlzen = shkëlqen). Shkëlzeni për banorët e këtyre trevave është kthyer në një vend pelegrinazhi (aty ndodhet edhe varri i shenjtit Shkëlzen), ku në stinën e Verës, në shenjë besimi ndaj kultit të Diellit, flijonin gjënë e gjallë (bagëti) apo thyenin kotruvet me verë e bylmet (si kurban) ndaj mirësisë së kryezotit të tokës e të njerëzve. Pelegrinët, në kthim thuhej se merrnin me vete ujë nga gurrat e malit (si Ujë i Shenjtë për shërim), të cilin e shpërndanin në kullë, në vathë të bagëtive dhe në arë (si bekim për mbarësi e bereqet). Në të njëjtën shtrirje të vargmaleve ndodhet Maja e Hekurave, një emër që vjen nga disa formacione ngjyrë ndryshku. Legjendat thonë se ato janë hekurat e ankorimit të anijeve kur deri këtu ishte det. Në këtë Natyrë madhështore, përplot histori e lavdi kreshnikësh, një copëz tjetër Parajse është Dragobia, ku syri arrin të shijojë ngjyra, tinguj, gjelbërimin e pishave, që duken sikur kanë të përbashkët me banorët e saj krenarinë dhe jetëgjatësinë. Përmes degëve të pyllit me pisha e ahe dëgjon shushurimën e ajrit të shëndetshëm (si dallgët e një oqeani) dhe zërat e zogjve; ku ndjen thellë aromën e luleve, ku vështron ujërat e freskët e të pastërta qelibar, tejet e vështirë t’i rigjesh në magjira të tjera. I prek kullat hijerënda, këto karakolle burrërie shqiptare, së bashku me shpellën, aty ku kaloi ditët e fundit të jetës Heroi i Popullit Bajram Curri, që në zhvillimet historike të kohës ( vitet 1920 -1925) u shqua si atdhetar.  “Atje nisi,/ atje mbaroi;/ atje krisi,/ atje pushoi...”

Ecën në atë dekor luftrash me dragoj e bajlozë, orë, zana, duele kreshnikësh e vringëllima heronjsh mitologjikë. Më bëhej se shihja në shtratin e Valbonës ato valltaret, që u ngjanin shtojzovalleve të përrallave tona. Në Tropojë vallja nuk kërcehet, por sikur fluturon, që i jep solemnitet asaj dhe e bën komunikuese me malet rreth e rrotull, me qiellnajën e shqiponjave në majat e bjeshkëve.

Valbona është kthyer në një qytezë, e cila frymon gjallëri, me bujtina që shtohen njëra pas tjetrës, kryesisht dykatshe të stilit tradicional. Por, sa poezi ka në këto pamje, ku vështron ndërtime të thjeshta (me gurë dhe dru, me çati të pjerrëta brenda natyrës dhe në harmoni të plotë me të), që të japin kënaqësi të veçantë e çlodhje në freskinë magjike të pyllit, por edhe murana të rrënuara kullash dhe stane të braktisura, që përpijnë me pamjen e tyre të egërsuar çdo kalimtar. Mendja më çoi mbrapa nëpër kohë, në venbanimet e ndërtuara nga fundi i Neolitikut, që, për të plotësuar nevojat baritore, vizitorit si mua i flasin për një art ndërtimi me materiale e mundësi të thjeshta. Teksa po vështroja brenda staneve nuk vëreja asnjë dru, shtylla e porta. Hyrjet ishin krejt natyrore, zgavra të vogla pa dritare. Asnjë krevat brenda stanit. Çobanë e baresha, (burra apo gra) i përfytyrova me shpinën shtrirë mbi rrasa guri dhe me kokat e tyre mbështetur mbi jastëkë guri.

Në bujtinën e Kol Gjonit ( e vetmja kullë në Valbonë, mbetur e paprekur nga babëzia e ndërtimeve) shijohet ende mikpritja malësore sipas traditës. Aty takon njerëz të mrekullueshëm që prisnin Mujin me Halilin të vijnë prej Kohës që të kalojnë natën aty.

Do vijë dita që do të jetë e vështirë të gjesh vend në bujtinat. Duke rënë pre e babëzisë për fitime të shpejta, në tavolina do të të shtrohen ushqime të blera në market e gjysëm të gatuara, ndërkohë që vizitori shkon atje për ushqim tradicional të zonës dhe jo për Coca-Cola e për vezë pularie dhe qumësht me kuti. Ai nuk do kërkoj krepa me çokolatë në Valbonë, por petulla me mjaltë, qumësht të freskët e djathë bjeshke; të pushojë në kullat e gurta me çati të pjerrëta e të mbuluara me dru; të mos i mbulojnë krevatët me kuverta atlasi, por me velenxa; të jenë me oxhak e jo në bujtina me ajër të kondicionuar, me gjithfarëlloj lëndësh ndërtimi, pa rregulla dhe pa asnjë respektim të Arkitekturës, që kanë pushtuar luginën; të mos shkel mbi pllaka majolike, por prej guri, të mos i heqin poturet malësorët dhe plisin për xhinset, por t’i mbajnë veshur dhe të presin turistët me to, sepse nderohen.

Mulliri i Valbonës, që dukej prej së largu, si magjja e jetës me objekte të hershme të zhvillimit social, dëshmon qytetërimin jetik në plotsimin biologjik të banorëve malësorë. Pasja e një mulliri në të kaluarën shënonte kulmin e pasurisë së një familjeje, kur ajo kishte lopë, dele, bletë dhe veronte në bjeshkë.

Sheh mullirin dhe të bëhet se dëgjon rropamën e çartur të gurëve të tij, të detyruar nga goditja e ujit. Ai nuk është i vogël; përkundrazi, madhësia e tij tregon për numrin e njerëzve që vinin këtu e mund të qëndronin në hyrje, me trajtën e mirëfilltë të një oborri pritës. Mulliri ishte dhe një lloj logu dashurie nga gurgullima e vijës së ujit dhe, njëkohësisht, për muzikën e tij. Mulliri është i njohur në qindra vite për banorët përreth e më gjerë, me mure prej guri dhe pa tavan; trarë të trashë, jo dhe aq të drejtë; kurse çatia me dhoga, mbi të cilat janëvendosur pllaka guri.

Do të doja të isha këtu kur ai të bluajë misër, grurë, elb e tërshërë, për të nërmytur bukën, “flinë” apo “petën” e shijshme me hithra dhe të bëja një kulaç me miell taze, ta hanim të ngrohtë e me djathë.

Një herë të vetme të shkosh, mrekullohesh prej saj

Shëtitjet në luginën e Valbonës (me shumë befasi) dhe ecja në ajër të pastër nëpër shtigje janë përjetim i këndshëm, që nuk harrohet mes kënaqësisë së pamjeve të mrekullueshme të maleve hijerënda, pyjeve të harlisura (në një botë të largët legjendash), nga stani në stan, nga shpella në shpellë, nga qafa në qafë, ngjitur kreshtave, ku duhet me i ngritë sytë mbi humnerat dhe ujëvarat.

Duke u bërë pjesë e një grupi miqësh, nëpër Shtegun (shekullor) të Dhenve, Valbonë- Theth, aq sa të njohur, aq edhe të panjohur, sa më lart ngjitesh, aq më e bukur të shfaqet pamja, atje ku Zotërat bëjnë punë njerëzish, në një udhëtim ndryshe, larg rrëmujës, të duket sikur koha prej shekujsh ka ngecur në vend me histori që janë ruajtur fort dhe me zakonet e tradita të lashta.

Befas vëmendjen ta tërheq (si një pikturë e më shumë) një magji poetike me plot muzikë dhe pëshpërima të bukura, saqë nuk beson se është liqen i krijuar nga dora e Zotit, i rrethuar nga gjelbërimi, me ngjyra shprehëse të drithërimave të qetësisë. Duke mos e prishur atë ndjenjë të këndshme solemniteti që na kishte pushtuar, u ulëm në breg të liqenit të Xhemës; aty nëpër shkëmbinjtë majëmprehtë, ku ai shtrihej si në pëllëmb të dorës. Nuk ke si të mos mrekullohesh para ujit të kthjelltë, që merr edhe ngjyrë të gjelbër, kur rrezet e diellit përflakin majën e Xhapojës e krijonin ca vezullime të ylberta, si fole drite nëpër degët e aheve, aq sa s’të bëhet të ndahesh prej tyre. Të ngjan si loti i derdhur i Ajkunës për vëllain e pagjetur (një nga shtatë Omerët e Mujit) dhe i mallkon bjeshkët që e fshehin varrin e tij.

Atje ku buron Valbona, në një ujëvarë me ujë të pastër, që rrjedh gjithë zhurmë e potere nga një shkëmb i lartë, ne takohemi me ata që e kishin shkelur dhe po ktheheshin. Fëmijë, të rinj, gra e burra. U gëzohesh tingujve të ëmbël, cicërimave të zogjve që ndjekin me potere njëri-tjetrin në fluturimin nëpër gjelbërimin e harlisur. Në këtë manifestim të mrekullueshëm të Natyrës, sa kënaqësi aroma e lulebjeshkëve, e gjethit dhe e barit të sapokositur. Mbi lëndinën e njomësht lulet me ngjyra të hareshme gumëzhinin me ngritje-zbritje nga bletët e vyeshme. Ato të joshnin dëshirën për të qëndruar sa më shumë atje.

Ndërsa çapitemi drejt ujëvarës, që gurgullon lehtë e pa pushim duke shpërndarë currila të kristalta, drithërima të vërshojnë në trup. Uji i saj bie nga një lartësi prej pesëmbëdhjetë metrash, pingul, si lot i kthjellët, në ca rrëke hollake që herë thellohen në shtratin e vet e herë zhduken, të përpira nga gurët nënëntokësorë, sikur luajnë kukafshehtas e pastaj dalin sërish, atje ku nuk e prêt, poshtë Fushës së Gjësë, në Rrogam, me shushurimë magjike dhe pamje kaltëroshe, sikur flokët e harlisur të një vajze.

Magjia e Valbonës e kërcënuar nga HEC-et

Lumturinë e Valbonës po e shëmtojnë, për ta fshirë nga monumentet e Natyrës, që të largojnë banorët, të cilët jetojnë me bukurinë e saj; me leje të qeveritarëve kusarë. Je i pafjalë nga ajo çka vështron atje, ku turistët nuk do të kenë se ç’të gjejnë më.

Në emër të zhvillimit, është vënë dorë mbi të, duke mos e respektuar të tregojë hiret nga lakmia e pafrenueshme e njeriut me pushtet, që po e vret me pangopësinë dhe kryeneçësinë e tij. Shikon nga afër se e kanë masakruar shtratin e Valbonës, me prita, dhera, beton, zhavor e hekur, duke bërë që këtë bukuri tepër mbresëlënëse (siç bëjnë kudo në Shqipëri), ta shëmtojnë më shumë. Prerja e ujërave të lumit Valbona në Mbaskollatë, për t’u kthyer në digë, i shkatërrohen bukuritë natyrore dhe për asgjë vdes jo vetëm Turizmi e aktivitetet sportive, por rrezikohet peizazhi i saj, shëndeti i Botës Bimore dhe Shtazore; aq sa banorët do të shpërngulen së bashku me ujin. Do të jetë vonë të, kur fatkeqësitë do të vërshojnë si kuçedra të të shkyejnë. Por kjo arrihet duke hedhur beton e hekur dhe duke bërë ndërtime, aty ku Perëndia përgjatë miliona shekujsh ka bërë stilizime në mënyrën më të mrekullueshme e më mjeshtrore të mundshme. Sot në Shqipëri është shndërruar në epidemi fakti, që atje ku rrjedh ujë prej maleve, të ndërtohet një a më shumë hidrocentrale dhe prej kësaj sëmundjeje nuk ka shpëtuar as Valbona, që rrezikon për të larguar banorët që jetojnë me Natyrën e të shëmtojnë peizazhin e saj të mahnitshëm me lloj - lloj ndotjesh dhe me tharjen e burimeve, për ta shkatërruar në HEC-e, nga interesat e babëzisë mafioze me mbështetjen e pushtetit.

Magjia e Valbonës; sytë e bukur të saj, flora, fauna, diversiteti biologjik, të kërcënuara nga ndërtimi i hidrocentraleve, pa funksionimin normal të saj, do kthehet e shkretë dhe nëse vazhdon më tej, pasojat do jenë dramatike në kohë të afërta e largëta, si për Natyrën ashtu edhe për njeriun. Pra, askush nuk mund t’i marrë Natyrës më shumë se ç'mund të japë në të vërtetë, sado ta dhunojë atë. Ishin të pranishëm banorët e luginës (me përfaqësim) qytetarë nga gjithë Shqipëria; artistë, alpinistë, ambientalistë, etj, për të ndërgjegjësuar e frymëzuar, pa dallim bindjesh, politike ( Kombëtarë, e pse jo edhe Ndërkombëtare), me thirrjen e fuqishme për pezullimin e këtij projekti ogurzi të Pushtimit të Luginës Valbonës nga HEC-et, duke shkatërruar këtë perlë të bukur, të shpallur Park Kombëtar. Një shembull se toka meme, me pasuritë e saj të dhuruara nga Zoti e trashëguar ndër breza, duhet të mbrohen, duke i bërë ballë kujdo që cënon ato. E zgjodhi këtë lloj kundërshtimi për të shpëtuar bukurinë e Valbonës (apo gostinë e dallaveres pushtet) edhe Catherinë Bohne, kjo luftëtare e madhe amerikane në mbrojtje të Natyrës e cila bashkëjeton me Luginën e Valbonës.

Valbona nuk duhet të thahet e as të shkatërrohet në emër të fitimit. Nuk duhet kurrsesi të lejojmë, që kjo dhuratë të shkatërrohet për interes të pak njerëzve të cilët mendojnë vetëm për para. Pra; askush nuk mund t’i marrë Natyrës më shumë se ç’mund të japë në të vërtetë, sado, që ta dhunojë atë. Po u shkatërrua shpejt, do të shprehemi: Dikur na ishte në këtë vend një lumë i mrekullushëm, në këtë luginë e cila ishte shumë e bukur dhe quhej Valbonë, që u përpi nga përbindëshi.

Valbona nuk është thjesht një lumë, por një ndër perlat e Veriut, si pjesë e “Identitetit Kombëtar Shqiptar”, pronë e pandashme e të gjithë Shqiptarëve. Ndaj e vetmja thirrje është: Lereni të rrjedhë shëndetshëm!

***

Eh,Valbona, kjo luginë e bukur e bjeshkëve tona të mahnitëshme, me plot bukuri, më shumë aroma të larushuara, me gjuhë zogjsh, me ajër dhe dëborë të pashkrirë, merr shkëlqimin e syve të vizitorëve. Një herë të vetme të shkosh e rrëmben një “copë”prej saj; atë bukuri hyjnore që, përtej mbresave, e ruan si kujtim: ujërat shushuritës të lumit si lot i kthjellët përgjatë shtratit të saj mijëvjeçar.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejën me shkrim të autorit.

Copyright © Pëllumb Gorica

Copyright © ZemraShqiptare.net



(Vota: 32 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora