Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Resmi Osmani: Hakmarrje!

| E hene, 07.06.2021, 06:16 PM |


Hakmarrje!

Nga Resmi Osmani

Pasi dëgjoi rrëfimin e Roksanës[1] për vdekjen e të birit në Babiloni, Olimpia[2] u bind se të birin e kishin helmuar. Vrundujt e rrëfimeve thënëse e kunderthënëse i shtilleshin rrëmujshëm e pa rend, plekseshin e përplaseshin në labirintet e mëndjes së saj që punonte ethshëm. Mundohej të vinte rregull, por në çdo rast, midis tyre zvarritej gjarpri i zi helmues, Jolau, që me porosinë vdekësore të atit dhe në përbetimin e pabesë me disa gjeneralë të urryer, kishte hedhur helmin me veprim të ngadaltë në kupën e Lekës.Tashmë, pas rrëfimit të Roksanës, ajo nuk kishte pikë mëdyshje. Lekën e kishin helmuar.Dora vrastare ishte Jolau[3], truri i komplotit Antipatri[4]. Shkaku: zilia, smira, etja grryese për pushtet, sundim e pasuri dhe gjith ato ligësi e dobësi të natyrës njerëzore, që gëlojnë si barërat helmuese në kopshtin e jetës të shpirtvegjëlve dhe mosmirënjohësve. Në atë çast të dhimbshëm, të ngjallur nga rrëfimi i Roksanës, nga thellësia e qënies së saj ngriti krye etja për hakmarrje.

Hakmarrje kërkonte shpirti i nënës, që ia kishin tharë e përvëluar me vdekjen e birit, të ngjizur nga një mrekulli dhe të ushqyer nga gjaku dhe qumshti i gjirit të saj. Hakmarrje kërkonin sytë, që ishin verbuar pa mundur të shihnin më atë pamje të bukur, fisnike, të hijshme, gati të perëndishme. Hakmarrje kërkonte dëgjimi, që ishte mpakur pa ndjerë sërish tingëllimin dhe muzikalitetin e atij zëri të ëmbël e të dashur.Hakmarrje kërkonin duart, parzma dhe krahët e saj, që kurrë më nuk do të mundnin ta ledhatonin dhe shtrëngonin në gjoks birin e dashur.

Hakmarrje kërkonte dielli i përflakur, që i kishte ndritur ditët dhe fushat fitimtare të luftës, hëna dhe yjet që i kishin derdhur neteve të prehjes shiun e artë të dritës së tyre të mugët, hakmarrje kërkonte toka mëmë, që hapat e tij e kishin trandur në një rrugëtim të gjatë sa bota dhe ajo i kishte dhënë forcë si Anteut,s’ia kishte kursyer gostitë e të mirave të saj. E kërkonte deti tallaz shumë që ai e kishte çarë trimërisht tejembanë në Helespont[5]. Hakmarrje kërkonte era, që i kishte pertharë dhe flladitur djersët e mundimeve të luftës, burimet që i kishin shuar etjen zhuritëse.

Hakmarje kërkonin drurët, nën hijen e të cilëve ishte çlodhur dhe gurët e pragut të pallatit mbretëror, që nuk do t’I shkelte më kurrë këmba e tij.

Medet, medet, o bir!

Shpirtin, mendjen dhe zemrën e saj e kishin pushtuar Erinitë, perënditë e zeza gjakderdhëse e të skëterrshme të hakmarrjes.

Teksa dhembja dhe vuajtjet janë njerëzore, mendonte ajo, hakmarrja është një veprim jo vetëm i ligjshëm, që rrjedh nga e drejta, por edhe e perëndishme. Edhe Zotat hakmerreshin: Zeusi i tërfuqishëm gjauante dhe përvëlonte me rrufe armiqtë e vet. Perënditë e Olimpit grindeshin dhe hakmerreshin egërsisht. Le t’u thahej shpirti dhe t’u verboheshin sytë nga të qarët edhe nënave të vrasësve të të birit, t’u mbeteshin të veja gratë dhe fëmijët bonjakë. Le të derdhej gjaku i tyre për të larë helmin e shpirtit të saj. Le të mbeteshin pa varre, t’i hanin korbat dhe eshtrat t’ua zbardhte dielli. Shpirtrat e tyre në Had[6], të mos gjenin prehje gjer në amshim!

Ishte një lutje që ajo ua kishte bërë zotave.

Hakmarrje, hakmarrje, hakmarrje!

Jo çdo gjë kishte humbur. Ajo, Nëna Mbretëreshë, ishte ende gjallë ,që me vullnetin e të epërmve, jetonte për të përmbushur amanetin e Tij. Ja ku ishte edhe nipi, filiz mbretëror.Në rrembat e tij rridhte po ai gjak.Në të ishte trupëzuar shpirti dhe pamja e Lekës, me hirin e zotave, mbase dhe mençuria, guximi dhe trimëria për të përtërirë lavdinë atërore.

E pa me dhembsuri të nipin.

-Madhëri,- i foli të voglit.-Afrohu!

I zgjati të dy duart. Ai iu qas me droje: e trembi shkëlqimi i egër i syve të saj.Olpmpia që e kuptoi, i buzëqeshi trishtueshëm dhe ia mori duart në të sajat.

-Ti je mbreti Aleksandër IV. Trashëgimtari. Gjyshja do të verë në fronin e Maqedonisë! Fronin e atit tënd.

-Puthja dorën gjyshes!- I tha butësisht Roksana.

Dhe mbreti me droje puthi duart e nënsës Mbretëreshë.

Ngrohtësia e buzëve të nipit, i kaloi në trup Olimpisë si një impuls jetësor gjallërues.

Vendimi ishte marrë.Lufta për fronin ishte shpallur.

Fragment nga romani ”Mbretëresha olimpia”, botuar nga “Kristalina.KH”,Tiranë 2011



[1] Roksana,gruaja afgane e Aleksandrit të Mdh, që i lindi djalin Aleksandër  IV.

[2] Olimpia, princeshë epirote, gruaja e Filipit II, nëna e Aleksandrit të Madh.

[3] Jolau, djali I Antipatrit, qilartari(Kupembajtësi)i Aleksandrit.

[4] Antipatri,gjeneral, i caktuar regjent i Maqedonise pasi Aleksandri u nis për luftën në Azi.

[5] Ngushtica e Bosforit.

[6] Hadi, bota e skëterrshme e nëndheut.