Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Dedaj: Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve dhe përditshmëria e tyre

| E premte, 04.06.2021, 08:48 PM |


DITA NDËRKOMBËTARE E FËMIJËVE DHE PËRDITSHMËRIA E TYRE

Nga Ndue Dedaj

Sapo kaloi 1 Qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve dhe të gjithë, sipas mënyrës së tyre, bënë qokën e radhës, një fotografi me ata, në klasë, në oborrin e shkollës, në rrugët e qytetit, në Bashkinë e Tiranës etj. Pati gjer prindër që ua uruan të vegjëlve të tyre festën zyrtare të fëmijëve të botës, siç ka burra që iu urojnë grave të veta 8 Marsin në rrjetet sociale.

A është ky një duk i panevojshëm, në mos, një falsitet? Cila është në të vërtetë “fotografia” e përditshme e prindërve me fëmijët e tyre? E edukatorëve me nxënësit? E politikës me brezin e ri? Kjo e fasadës së 1 Qershortit, apo diçka tjetër?

Të nesërmen e ditëfestës së fëmijëve, makinat e prindërve kishin zënë të gjitha rrugicat e shkollave duke lënë aty fëmijët për fillimin e mësimit, që i kishin marrë pesëqind metra më larg? Nuk e kupton këtë “luks”, këtë përkujdesje të prindit, që fëmijës së tij të mos i hasë këmba në tokë, sa është në klasat e fillores. Se pastaj ndërron puna. Prindi nuk është më ai i veturës dhe fëmija nuk është më ai i dhëni pas prindit si atëherë kur ishte vogëlush dhe donte t’ia mbushte duart me lodra tash e parë. Jo, tashmë, atij, adoleshentit i mjafton një telefon i mirë për të dhënë e marrë me botën. Pa i hyrë një analize të imët social-psikologjike, që nis te ajo makina e prindit të kamur - fëmija i privilegjuar e humbet socializimin dhe atë copë udhë që duhet ta bëjë si gjithë bashkëmoshatarët për në shkollë, - problemi mbetet edukimi, prindërimi, ajo që duhet bërë dhe ajo që nuk duhet bërë për fëmijën, në përditshmërinë e tij.

Mjerisht përvoja po tregon përherë e më shumë se adoleshentët nuk kanë mbështetjen e duhur nga familja dhe shoqëria. Këto të fundit ngrihen në këmbë vetëm kur pëlcet ndonjë skandal, që nuk e kishte “parë” askush para se të ndodhte. Atëherë befasohemi të gjithë, nuk i japim dot shpjegim se si mund të gjendet në grackën e abuzuesve të rritur një minorene, në një shkollë të kryeqytetit, apo të një fshati diku në përiferi.

Përditshmëria e fëmijëve tanë nuk mund të jetë ndryshe nga monotonia e të mëdhenjëve, që presin të ndodhë me patjetër një ngjarje e ditës, të merren të gjithë me të. Edhe nëse nuk ka një ngjarje, si, bie fjala, shpallja “non grata” e zotit Berisha nga qeveria amerikane, atëherë ajo ngjarje do të “shpiket” brenda 24 orëve, pasi, përndryshe, studiot e shumta televezive do të mbetën si mulliri pa ujë, nuk do të kenë mese të merren deri në mesnatë. E patë si shpërthyen kundër gjyqtares së Elbasanit, për atë videon e saj në Tik - Tok? Dhe jo vetëm në media, por të gjithë, qeveritarët, njerëzit e drejtësisë, moralistët, si me thënë, pro-të dhe kundra-t. Nga stuhia që u ngrit, të krijohej përshtypja se ishin lëkundur kolonat e reformës në drejtësi, paçka se ajo video e cenon etikën e një institucioni si gjykata.

Askush nuk thotë që të mos merremi me problematikat e ditës, dhe ato më të nxehtat, por ky “turravrap” për ta rrokur, njohur e panjohur gjënë, tregon se sa sipërfaqësorë e të nxituar jemi. Ndërkohë që kemi aq “ngjarje” të padukshme, aq njerëz fisnikë të kësaj bote, që do t’i thoshin shumë sidomos moshës së re, por që nuk i bëjmë pjesë të studiove, gazetave, portaleve etj. Ja, një nënë në Kosovë u shua. Zojë Prendi. Një nënë me pesë djem dëshmorë, vrarë në masakrën e Mejës dhe Korenicës, Gjakovë, në fund-prillin e vitit 1999: Viktorin, Sokolin, Markun, Robertin dhe Gjergjin. E morëm vesh nga miqtë tanë atje. “Dhembja e saj ishte e përmasave biblike dhe vetëm nënat shqiptare që kanë idealin e lirisë mund të përballonin atë”, shkruanin ata. Një kushtim i ndjerë me këtë rast dhe nga ish-Kryeministri Haradinaj. Por a do të flitet ndokund në mediat e këtushme për të dhe për bijtë e saj martirë? Edhe sikur ajo ngjarje të jetë veç histori, meriton të risillet në kujtesë, aq më tepër për nxënësit dhe studentët, që të përfshirë nga virtualja, janë larg njohjes së situatave të tilla dramatike nëpër të cilat ka kaluar populli ynë herët e vonë. Fotoja e nënë Zojës gjendet në muzeun e kujtesës në Prishtinë. Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit, muzeu i Gjergj Kastriotit - Skënderbeut në Krujë, muzetë i Gjirokastrës, Shkodrës, Korçës etj. janë adresa të historisë, që sa më shumë vjetërohen, aq më intriguese bëhen për fëmijët e të rinjtë.

Ka aq shumë vlera kombëtare, ndaj të cilave duhet zgjuar interesi i rinjve, por që nuk bëhet me retorikë e as me histori zyrtare, si ajo që do të hartojë Akademia e Shkencave, kur në shkollë sot ka tekste alternative!? Aq më tepër pa lexuar libra e pa shkuar në biblioteka. Një fëmijë, të cilit iu dhurua një libër me 1 Qershor, tha se do t’ia jepte gjyshes pensioniste ta lexonte, pasi në shtëpinë e tij tani e vetmja që lexonte ishte ajo!? Nuk është vetëm batudë e pafajshme, por një realitet trishtues për të ardhmen e fëmijëve të sotëm, që të lexuarit e librave e quajnë “punë” të gjysheve. Ka nisur sezoni i provimeve për nxënësit e arsimit 9 -vjeçar e të mesëm, do të plotësohen testet në lëndë të ndryshme, por askush nuk ka bërë paraprakisht ndonjë test për të lexuarit gjatë vitit. Fëmijët shpesh ndjekin rrugën më të lehtë për të kryer detyrat në formën e projekteve shkollore, i drejtohen internetit për informacione dhe pak, shumë pak librit, e kjo jo për faj të tyre. Është e sigurtë që ata do të argëtoheshin për bukuri në kopshtin zoologjik duke fotografuar kafshët e egra, por nuk dimë si do të ndjeheshin në një fermë blegtorie, mes dhive, deleve e lopëve, nëse do të ishin thirrur për të të ndihmuar aty disa orë?...

E, kështu, mund të vijohet me të tjera anë ku e përditshmja e fëmijëve çalon, nuk është rozë si në ditët festive, si në manifestimet e ndryshme publike të tyre, që nganjëherë duket se bëhen më shumë për të argëtuar të mëdhenjtë sesa veten.

1 Qershori. Ai koleksioni i fotografive tona të qeshura me fëmijët. Makinat që në mëngjes çojnë të vegjlit nëpër shkolla dhe, ana tjetër e medaljes, e përditshmja e fëmijëve tanë me aq shumë probleme.