| E premte, 04.06.2021, 09:48 PM |
DITA NDËRKOMBËTARE E FËMIJËVE DHE PËRDITSHMËRIA E TYRE
Nga
Ndue Dedaj
Sapo
kaloi 1 Qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve dhe të gjithë, sipas mënyrës së
tyre, bënë qokën e radhës, një fotografi me ata, në klasë, në oborrin e
shkollës, në rrugët e qytetit, në Bashkinë e Tiranës etj. Pati gjer prindër që
ua uruan të vegjëlve të tyre festën zyrtare të fëmijëve të botës, siç ka burra
që iu urojnë grave të veta 8 Marsin në rrjetet sociale.
A
është ky një duk i panevojshëm, në mos, një falsitet? Cila është në të vërtetë
“fotografia” e përditshme e prindërve me fëmijët e tyre? E edukatorëve me
nxënësit? E politikës me brezin e ri? Kjo e fasadës së 1 Qershortit, apo diçka
tjetër?
Të
nesërmen e ditëfestës së fëmijëve, makinat e prindërve kishin zënë të gjitha
rrugicat e shkollave duke lënë aty fëmijët për fillimin e mësimit, që i kishin
marrë pesëqind metra më larg? Nuk e kupton këtë “luks”, këtë përkujdesje të
prindit, që fëmijës së tij të mos i hasë këmba në tokë, sa është në klasat e
fillores. Se pastaj ndërron puna. Prindi nuk është më ai i veturës dhe fëmija
nuk është më ai i dhëni pas prindit si atëherë kur ishte vogëlush dhe donte
t’ia mbushte duart me lodra tash e parë. Jo, tashmë, atij, adoleshentit i
mjafton një telefon i mirë për të dhënë e marrë me botën. Pa i hyrë një analize
të imët social-psikologjike, që nis te ajo makina e prindit të kamur - fëmija i
privilegjuar e humbet socializimin dhe atë copë udhë që duhet ta bëjë si gjithë
bashkëmoshatarët për në shkollë, - problemi mbetet edukimi, prindërimi, ajo që
duhet bërë dhe ajo që nuk duhet bërë për fëmijën, në përditshmërinë e tij.
Mjerisht
përvoja po tregon përherë e më shumë se adoleshentët nuk kanë mbështetjen e
duhur nga familja dhe shoqëria. Këto të fundit ngrihen në këmbë vetëm kur
pëlcet ndonjë skandal, që nuk e kishte “parë” askush para se të ndodhte.
Atëherë befasohemi të gjithë, nuk i japim dot shpjegim se si mund të gjendet në
grackën e abuzuesve të rritur një minorene, në një shkollë të kryeqytetit, apo
të një fshati diku në përiferi.
Përditshmëria
e fëmijëve tanë nuk mund të jetë ndryshe nga monotonia e të mëdhenjëve, që
presin të ndodhë me patjetër një ngjarje e ditës, të merren të gjithë me të.
Edhe nëse nuk ka një ngjarje, si, bie fjala, shpallja “non grata” e zotit
Berisha nga qeveria amerikane, atëherë ajo ngjarje do të “shpiket” brenda 24
orëve, pasi, përndryshe, studiot e shumta televezive do të mbetën si mulliri pa
ujë, nuk do të kenë mese të merren deri në mesnatë. E patë si shpërthyen kundër
gjyqtares së Elbasanit, për atë videon e saj në Tik - Tok? Dhe jo vetëm në
media, por të gjithë, qeveritarët, njerëzit e drejtësisë, moralistët, si me
thënë, pro-të dhe kundra-t. Nga stuhia që u ngrit, të krijohej përshtypja se
ishin lëkundur kolonat e reformës në drejtësi, paçka se ajo video e cenon
etikën e një institucioni si gjykata.
Askush
nuk thotë që të mos merremi me problematikat e ditës, dhe ato më të nxehtat,
por ky “turravrap” për ta rrokur, njohur e panjohur gjënë, tregon se sa
sipërfaqësorë e të nxituar jemi. Ndërkohë që kemi aq “ngjarje” të padukshme, aq
njerëz fisnikë të kësaj bote, që do t’i thoshin shumë sidomos moshës së re, por
që nuk i bëjmë pjesë të studiove, gazetave, portaleve etj. Ja, një nënë në
Kosovë u shua. Zojë Prendi. Një nënë me pesë djem dëshmorë, vrarë në masakrën e
Mejës dhe Korenicës, Gjakovë, në fund-prillin e vitit 1999: Viktorin, Sokolin,
Markun, Robertin dhe Gjergjin. E morëm vesh nga miqtë tanë atje. “Dhembja e saj
ishte e përmasave biblike dhe vetëm nënat shqiptare që kanë idealin e lirisë
mund të përballonin atë”, shkruanin ata. Një kushtim i ndjerë me këtë rast dhe
nga ish-Kryeministri Haradinaj. Por a do të flitet ndokund në mediat e këtushme
për të dhe për bijtë e saj martirë? Edhe sikur ajo ngjarje të jetë veç histori,
meriton të risillet në kujtesë, aq më tepër për nxënësit dhe studentët, që të
përfshirë nga virtualja, janë larg njohjes së situatave të tilla dramatike
nëpër të cilat ka kaluar populli ynë herët e vonë. Fotoja e nënë Zojës gjendet
në muzeun e kujtesës në Prishtinë. Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit, muzeu i
Gjergj Kastriotit - Skënderbeut në Krujë, muzetë i Gjirokastrës, Shkodrës,
Korçës etj. janë adresa të historisë, që sa më shumë vjetërohen, aq më
intriguese bëhen për fëmijët e të rinjtë.
Ka
aq shumë vlera kombëtare, ndaj të cilave duhet zgjuar interesi i rinjve, por që
nuk bëhet me retorikë e as me histori zyrtare, si ajo që do të hartojë Akademia
e Shkencave, kur në shkollë sot ka tekste alternative!? Aq më tepër pa lexuar
libra e pa shkuar në biblioteka. Një fëmijë, të cilit iu dhurua një libër me 1
Qershor, tha se do t’ia jepte gjyshes pensioniste ta lexonte, pasi në shtëpinë
e tij tani e vetmja që lexonte ishte ajo!? Nuk është vetëm batudë e pafajshme,
por një realitet trishtues për të ardhmen e fëmijëve të sotëm, që të lexuarit e
librave e quajnë “punë” të gjysheve. Ka nisur sezoni i provimeve për nxënësit e
arsimit 9 -vjeçar e të mesëm, do të plotësohen testet në lëndë të ndryshme, por
askush nuk ka bërë paraprakisht ndonjë test për të lexuarit gjatë vitit.
Fëmijët shpesh ndjekin rrugën më të lehtë për të kryer detyrat në formën e
projekteve shkollore, i drejtohen internetit për informacione dhe pak, shumë
pak librit, e kjo jo për faj të tyre. Është e sigurtë që ata do të argëtoheshin
për bukuri në kopshtin zoologjik duke fotografuar kafshët e egra, por nuk dimë
si do të ndjeheshin në një fermë blegtorie, mes dhive, deleve e lopëve, nëse do
të ishin thirrur për të të ndihmuar aty disa orë?...
E,
kështu, mund të vijohet me të tjera anë ku e përditshmja e fëmijëve çalon, nuk
është rozë si në ditët festive, si në manifestimet e ndryshme publike të tyre,
që nganjëherë duket se bëhen më shumë për të argëtuar të mëdhenjtë sesa veten.
1
Qershori. Ai koleksioni i fotografive tona të qeshura me fëmijët. Makinat që në
mëngjes çojnë të vegjlit nëpër shkolla dhe, ana tjetër e medaljes, e
përditshmja e fëmijëve tanë me aq shumë probleme.