Mendime
Fahri Dahri: Vështrime ekonomike (3)
E merkure, 02.06.2021, 08:00 PM
Pjesa III.
- Sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive si
efekt i vettingut.
Nga Fahri
Dahri
Problem tepër i
rëndësishëm dhe që kërkon kujdes të veçantë, është mënyra e administrimit të
pasurive, qofshin në mall apo para, të subjekteve fizike dhe juridike, të cilat
krijohen nga funksionimi normal i Vettingut. Bëhet fjalë për vlerat
materiale dhe monetare të përfituara nga financimi i terrorizmit, pastrimi i
parave, vlera të realizuara nga krimi i organizuar, nga tjetërsimi i pronave,
si vlera pasurore në mall dhe para nga korrupsionet aktive e pasive, që me
vendime gjyqësore, sekuestrohen apo konfiskohen.
Tek ne vlerat më
të mëdha objekt konfiskimi dhe sekuestrimi do të jenë pasuritë e paluajtshme;
toka, pallatet e ndërtimit, hotelet, pasuritë e luejtshme si makineri të ndryshme,
automjetet dhe vlerat në para, përfshirë edhe thesarin. Pasuritë e konfiskuara
apo të sekuestruara, duhet të menaxhohen nga institucione shtetërore dhe aspak
nga subjekte apo institucione jo shtetërore. Këto institucione, në bazë të
vlerësimeve nga ekspertë përkatës të pavarur, do të kryejnë admniistrimin dhe
shitjen e tyre. Të ardhurat nga shitja e këtyre objekteve, duhet të derdhen në
llogari të posaçme bankare dhe të përfshihen në zërin buxhetor “të ardhura
nga sekuestro dhe konfiskim prej Vettingut”.
Deri tani nuk ka
rezultate të dukshme në drejtim të sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive të
persona që i kanë krijuar nga kryerja e veprave penale, si korrupsioni, etj.
Lidhur me këto çështje, mungesa e vetëdijes ligjore, profesionale dhe përgjegjshmëria
tek disa prokurorë dhe gjyqtarë, në drejtim të ndjekjes korrekte të kryerjes së
detyrës për të vendosur për sekuestrimin, apo konfiskimin e pasurisë të
personave me veprimtari kriminale nuk është më konstatim, por janë fakte reale.
Prandaj është krijuar bindja mbarë popullore se marrjet e këtyre masave bëhen
të realizueshme kur sistemi i drejtësisë të jetë vërtet i pavarur, të mos jetë
i kapur dhe as të ndikohet nga politika.
Me rëndësi është
gjithashtu edhe krijimi i kushteve optimale që prokurorët dhe gjyqtarët të mos
kenë mundësi të bien në situata korruptive. Konfiskimi dhe sekuestrimi i
pasurive të paligjshme, duhet të gjejnë mbështetje ligjore në Kodin Penal dhe
Kodin civil. Veprimtaritë kriminale dhe korrupsioni duhet domosdoshmërisht të
përballen me ligjet.
Ish Presidentit
Obama gjatë Asamblesë së Përgjitshme të OKB-së, në Shtator 2012 ka deklaruar
se: “E ardhmja nuk duhet t’u përkasë të korruptuarve që vjedhin burimet e
një vendi. Ajo duhet t`i përkasë studentëve dhe sipërmarrësve, punëtorëve dhe
pronarëve të bizneseve, të cilët kërkojnë një prosperitet më të gjerë për të
gjithë njerëzit…”.
Ndofta ka ardhur
koha që ligjvënësit të rishikojnë dhe amendojnë (përmirësojnë) pjesë të Ligjit
Nr.10 192, datë 3 dhjetor 2009 ”Për parandalimin dhe goditjen e krimit të
organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”,
me të cilin duhet të rregullohen shumë çështje që lidhen me krijimin,
sekuestrimin, konfiskimin dhe administrimin e pasurive të paligjshme. Kërkohet
një përsaktësim më i prerë në përqëndrimin, administrimin e përdorimin e këtyre
fondeve të shprehura në vlera monetare, apo asete të ndryshme të palëvizshme e
të lëvizshme.
Ka shtete që kanë
krijuar “Fondin Sovran të Pasurisë, pasuria e popullit rikthehet tek
populli”. Fondet Kombëtare të Pasurisë duhet detyrimisht të zotërohen dhe
menaxhohen nga shteti me synim për të ruajtur me rigorozitet të ardhurat e
siguruara nga konfiskimet dhe sekuestrimet. Kapitali fillestar i këtyre
institucioneve apo kompanive shtetërore, të krijohet nga vlerat e arkëtuara nga
privatizimet e ndryshme në formën e parave apo aseteve. Institucioni shtetëtor
i administrimit të “Fondeve nga Pasuritë Sekuestro” si dhe të fondeve të
tjera, duhet ligjëruar që të jenë subjekte për auditim vetëm nga Instituti i
ekspertëve kontabël të autorizuar (EKA-Auditët).
Me këtë llogjikë
duhet vepruar edhe me kontrollin e zbatimit ë ligjeve të sistemit fiskal në
tërësi. Ushtrimi i verifikimeve, kontrolleve të kalojë në një institucion të
vetëm shtetëror, ose institucion i liçensuar i pavarur, ku të përfshihet jo
vetëmkontrolli i zbatimit të ligjeve të tatim-taksave, por të gjitha detyrimet
financiare si ndaj shtetit ashtu dhe institucioneve të tjera (derdhjet e
kontributeve shtetërore dhe shoqërore, rregjistrimi i të gjithë punonjësve,
pagat etj.). Ndryshe nga sa veprohet sot, ku veprojnë disa institucione
kontrolli, që shpesh edhe “përplasen” me njëri-tjetrin. Një i tillë mund
të shërbejë Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar, të cilët krahas
çertifikimit të Bilanceve dhe Pasqyrave Financiare të bisneseve, kompanive etj.
të ushtrojnë edhe këto verifikime.
Transferimi i
vlerave materiale dhe monetare në ”Fondin nga Pasuritë Sekuestro” mundëson
krijimin e burimeve të fuqishme financiare në duart e shtetit; krijohet një
institucion i gjallë, energjik me efekte pozitive në përballimin e fenomeneve
ekonomike negative. Nuk duhet të trembemi se po devijohet nga teoritë ekonomike
që aktualisht veprojnë, as të tërhiqemi se ndofta centralizimi i disa degëve
kryesore ekonomike në duart e shtetit, të cilat po jepen me konçesione, apo
privatizohen në disa duar të paracaktuara, të paafta, papërvojë drejtimi dhe
administrimi, i hapet shtegun sistemit socialist në ekonomi. Jo, aspak, nuk
është ky këndvështrim! Përvojat përfitohen gjatë ushtrimit në kohë, dhe jo nga
militantizmi apo nepotizmi.
Është vërtetuar
gjatë 28 viteve se privatizimi i disa degëve kryesore të ekonomisë, apo
pjesëmarrje me aksione shtetërore, nuk kanë patur prurje zhvillimi, përkundrazi
në përgjithësi kanë rezultuar ose në falimentim, ose i janë drejtuar rritjes së
çmimeve, duke rënduar ekonomikisht si familjarët në përgjithësi dhe buxhetin e
shtetit. Faktet tregojnë se nxitimi drejt 100% të privatizimeve në forma të
ndryshme të degëve kryesore të ekonomisë, ka qenë jo vetëm irentabël por ka
krijuar situata të rënda deri edhe në tensione ndërshtetërore. Në shumë nga
degët ekonomike të privatizuara, shërbime, apo dhënie me konçesione, rezultuon
se “sipërmarrësit” i trajtojnë veprimtaritë dhe efektet financiare thjeshtë
prona personale-private, ndryshe nga konceptet e ekonomisë së tregut.
Përpara realiteteve të sotme të këtyre
fenomeneve, të cilat në vazhdimësi kanë thelluar hendekun mes rreth 10
përqindshit dhe 90 përqindshit të popullsisë, shtrohet detyra për marrjen e
disa masave, me përqëndrim kryesisht tek pasuritë e përfituara nga
informalitetet, pa përjashtuar mundësitë e qendrimeve në tërësi ndaj
rishpërndarjes së të ardhurave. Ndikimi fillimisht rekomandohet për tu shtrirë
në rastet e para, nëpërmjet vendosjes dhe zbatimit të suksesshëm të
“Vettingut”.
Të gjithë jemi
ndërgjegjësuar tek domosdoshmëria e katarsit, që po vepron në disa nga
institucionet tona me “Vettingun”. Efektet e “Vettingut”, do të çlirojnë
shoqërinë nga oligarkët politiko-ekonomikë informalë, do shpëtohet nga
nepotizmi dhe militantizmi.
Nëpërmjet
zbatimit rigoroz të Vettingut, pasuria e përqëndruar në disa miliarderë dhe
“super miliarderë”, do të sjellë nevojën e një rishpërndarjeje dhe vendosjen e
disa normave, që sigurojnë raporte të drejta për ndarjen e fitimit ndërmjet
punës dhe kapitalit. Realizimi i Vettingut, është kërkesë objektive e kohës.
Shtrirja e tij nuk duhet kushtëzuar me hapësira gjeografike, politike,
ekonomike, të caktuara, mbasi nga epërsitë pozitive, Vettingu duhet të shtrihet
në të gjitha shtetet e Europës dhe më gjërë.
Së fundi, dihet
se të gjithë njerëzit gjatë jetës aktive dallohen në grupe apo kategori në
vartësi të veprimtarive që kryejnë. Është zgjedhja e tyre, kushtet, rrethanat
hisorike, sociale dhe ekonomike. Në këtë trajtesë do të veçoj dy kategori
njerëzish:
? Ata të
grupimeve politike dhe,
? grupimet e
studimeve shkencore, të dijes në përgjithësi.
- Grupnjerëzit e
politikës, pavarësisht nga kapacitetet e dijeve dhe përvojave, arrijnë të
shfrytëzojnë rezultatet tepër të dobishme në zhvillimet e të gjitha fushave të
jetës, të studjuara dhe zbuluara nga grupnjerëzit e dijes. Edhe në këtë rast,
zhvillimi shoqëror ka pranuar dhe ligjëruar në heshtje pabarazinë e theksuar
mes këtyre dy kategorive, qoftë në drejtim të pasurisë dhe të plotfuqishmërisë.
Kategoria e
grupit politik, përfiton nga përvehtësimi i arritjeve të grupit tjetër, siguron
pushtet dhe pasuri.
- Ndërsa
kategoria e grupit të studimeve dhe çpikjeve, shpërblehet me ligjet që nxjerr
grupi politik, nuk priren drejt pasurive, mbetet në histori me cilësim “Emër i
mirë”.
Politikani, me
arritjet e grupimit të studiuesave në fushat e ndryshme të shkencës, krijon
pasuri dhe pushtet. Pushtetin e tyre, me anë të politikës, e shtrijnë në të
gjitha drejtimet, bile deri edhe tek nënështrimi i kategorisë së shkencëtarëve
duke shfrytëzuar dhe përdorur pikërisht rezultatet e tyre, prej të cilave
sigurojnë përfitime pasurore. Një shembull tepër interesant është, fjala vjen,
mbajtjet në kasafortë nga politikanët çelësat e “bombës atomike”, dhe sa herë
ju duhet kërcënojnë Botën. Një e padrejtë e madhe që shoqëria njerëzore duhet
të reagojë fuqishëm për të ndrequr vendosjen e ekuilibrave.
Besoj se të
gjithë kemi një mendim: “Paradokse të shëmtuara, kontradikta, anomalira që
shoqëria duhet të çlirohet duke i ndrequr”.
Shënim
(¹): Adam Smith (05.06.1723-17.07.1790), filozof dhe ekonomist skocez i
Iluminizmit. Ai qëndron në histori si babai i shkencës ekonomike moderne, vepra
kryesore e të cilit “Pasuria e kombeve”, është një nga tekstet themeltare të
liberalizmit ekonomik.
Fund
Tiranë,
më 31 /maj/2021.-
Ekspert
ekomomie Fahri Dahri