E premte, 19.04.2024, 05:47 AM (GMT+1)

Kulturë

Ora News: Mehmetaj flet rreth Çmimit Kadare 2021 dhe përplasjeve Qosja-Kadare

E merkure, 02.06.2021, 06:48 PM


Fituesi i Çmimit Kadare 2021, Gani Mehmetaj ishte i ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “PolitikOn” në Ora News, ku foli rreth romanit “Zogjtë e qyqes”, tashmë i finalizuar në libër nga UET Press.

Në bisedën me gazetarin Alfred Lela, Mehmetaj foli për letërsinë dhe për peshën që ka ky çmim prestigjioz, më i rëndësishmi në letërsinë shqipe.

Po ashtu pjesë e bisedës ishin edhe përpjekjet e integrimit të letërsisë, si dhe takimi i parë me Ismail Kadarenë në Prishtinë para 40 vjetësh.

INTERVISTA E PLOTË

Çfarë do të thotë “Çmimi Kadare” për një autor nga Kosova?

Çmimi Kadare është shumë i rëndësishëm si për një shqiptar nga Shqipëria, Kosova apo Diaspora. Ka emër kumbues është prestigjioz dhe çdo shkrimtar është krenar ta marrë këtë çmim. është diçka e veçantë, e jashtëzakonshme, sepse emri garanton që mund të ketë diçka brenda atij çmimi. Po ashtu bën të mundur që të popullarizohet emri i librit. Pavarësisht se kam shumë romane e libra, por është çmimi ai që nuk të bën shkrimtar, por t’i hap rrugët që publiku të lëxojë apo që lexuesi të jetë më afër teje dhe të ketë interes më shumë për veprimtarinë tuaj.

A e keni takuar Ismail Kadarenë?

Unë e kam takuar Kadarenë para 40 vitesh në Prishtinë. Në atë kohë flitej shumë për ardhjen e Ismail Kadaresë në Prishtinë. Ishte Përgatitja e Rilidjes ku punoja dhe unë për botimin e veprave të Ismail Kadaresë. Ishte së bashku me Helenën dhe shëtisnin nëpër qytet. Në atë kohë kam qenë kritik filmi dhe flitej se do të xhirohej filmi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, sipas romanit të Kadaresë, me Michel Piccoli dhe Marcello Mastroianni, kështu që e mora lejën për të qenë më afër me Kadarenë dhe të mësoja se çfarë do bëhej me atë projekt. U takova me protokollin zyrtar sepse përreth kishte njerëz që e ndiqnin. Më informoi që është e vertëtë që do të kryhej një projekt i tillë që Marcello Mastroianni do të luajë rolin kryesor, roli e priftit që Michel Piccoli gjithashtu ishte i përfshirë.

Si shihej Kadare në atë kohë në Kosovë?

Ishte një idhull, gati si idhujt e muzikës që vinin kohë pas kohe. Njerëzit kishin një besim ta takonin, por edhe një ngurrim, pasi ishte pengesë. Po lëvizte lirshëm nëpër shtet dhe e shihnin si një lloj idhulli të pakontestueshëm.

Vazhdon ta ketë këtë aureolë ende në Prishtinë dhe Kosovë Kadareja?

Une mendoj që edhe më tutje e ka namin dhe emrin e madh sepse çdo vit ka pasur suksese të jashtëzakonshme, qoftë me çmime ndërkombëtare, qoftë me suksese nëpër romane, prandaj është shkrimtari numër 1, më i lexuar por edhe më i popullarizuar.

Ju e keni ndjekur si njeri i letrave, letërsisë dhe gazetarisë padyshim një debat të dikurshëm të fortë Kadare-Qosja. Mund të thoni premisat e këtij debati, ishin të vërteta, apo ndoshta një debat i kërkuar mes dy njerëzve të cilët secili në mënyrën e vetë pretendon për atësinë e letravre.

Shumica e kanë mbështetur Kadarenë pasi, së pari ai e mbështeste përcaktimin e shqiptarëve për Europën Perëndimore, pasi ne i përkisnim asaj kulture dhe mendësie, gjë që Qosja të habiste me një përcaktim tjetër që pak kush e kuptonte pse e bën një gjë të tillë, pasi ne nuk kishim asgjë të bënim me Turqinë ose me orientin.

Pse e bënte Qosja një gjë të tillë?

Njerëzit që e ndjekin nga afër kanë nxjerrë deklarata të tij para 20-30 vitesh kur thoshte se Turqia ishte pushtuese dhe përnjëherë tha kush e shan Turqinë është në krah të Serbisë. Unë mendoj se kush është me Turqinë është edhe me Serbinë.

Duket se kjo që thotë Qosja çon ujë edhe te një pretendim i vjetër historik i serbëve të cilët i klasifikonin shqiptarët si turq ose myslimanë ose afër Turqisë. Nuk është drojtur zoti Qosja nga ky lloj kurthi?

Nuk e di pse e ka bërë këtë gjë, pasi sipas meje kjo është një njollë për të. Pasi të thuash që pushtuesi yt 500 vjeçar është fati yt dhe jo fatkeqësia jotë, ta duash pushtuesin ose ta falësh pa e kërkuar ai një falje të tillë nuk është e natyrshme dhe nuk është në rregull. Por është një përcaktim që besoj se do të pendohet, pasi është një përcaktim që s’të kap mendja.

Cili është shkrimtari më i mirë në Kosovë sipas jush?

Sipas meje poeti dhe shkrimtari më i mirë në Kosovë është Azem Shkreli. Anton Pashku është i fashmën te ne dhe Ali Podrimja poet. Shkreli mendoj që është edhe një romancier shumë i mirë. Edhe tregimet e Pashkut edhe të Shkrelit të viteve ’60 janë shumë të mira.

A i ndiqni zhvillimet e letërsisë në Shqipëri, përveç Kadaresë?

Janë tre katër shkrimtarë shqiptarë që i ndjek me endje, çdo botim të tyre të ri e ndjek. Disa kanë përkthyer jashtë, disa është fatkeqësi që nuk kanë depërtuar jashtë Shqipërisë dhe Kosovës. Por jam krenar që janë shkrimtarë të mirë dhe që i përkas asaj letërsie.

Pse e keni titulluar romanin “Zogjtë e qyqes”?

Është një kuptim metaforik. Qyqja së pari folenë e vet e bën në çerdhen e huaj, kur del nga veza zogu i dëbon të gjithë zogjtë e tjerë, kur rritet e prish edhe çerdhen edhe ikën. Dmth është një kuptim që e thotë personazhi kryesor i romanit tim “Zogjtë e qyqes”, konolisti serb i cili për bashkombasit e tij e bën një krahasim të tillë, thotë: “ne jemi si zogjtë e qyqes, erdhëm këtu, na i ndërtuan shtëpitë, jetuam mirë dhe në një moment të caktuar pasi bëmë zullume të caktuara, e prishëm shtëpinë dhe ikëm në Serbi.

E keni zgjedhur kolonin serb dhe me anë të tij keni përshkruar gjithë historinë e marrëdhënieve të tensionuara mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë apo ka dhe nënshtresa të tjera romani?

E kam zgjedhur qëllimisht narrator rrëfimtarin serb sepse është më e besueshme për opinion, ka dhe një qëndrim asnjëanës. është kritik ndaj bashkëkombësve të vetë, por nuk e merr euforia as ndaj shqiptarëve. Jam përpjekur që të paraqes një kronikë reale të kohës. Ka edhe nënshtresa të tjera, dashuria dhe urrejtja mes serbëve dhe shqiptarëve, acarime të ndryshme, lufta që shpërthen në fund dhe kulmon me një masakër dhe gjithë atë që quhet nënshtrues dhe i nënshtruari.

A ka pasur ndonjëherë dashuri mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë?

Unë e trajtoj në bazë të martesave të përziera që ka pasur atëherë.

Etnitë në Kosovë jetonin si komshinj, si miq apo si armiq etik? Ishin armiq po e vishnin me etikë qytetare apo civile bashkëjetesën?

Dilnin me paragjykim serbët, por krijoheshin edhe marrëdhënie të shëndosha, ndonjëherë edhe miqësore. Kishte edhe dashuri mes dy palëve, vajzat dashuroheshin me shqiptarë dhe ky raport ka qenë pak më i shpeshtë. Kryesisht janë martuar shqiptarët me serbe dhe nuk mbaj mend të kundërtën. Një gjë që nuk e kam kuptuar shumë ose kanë qenë raportet konservative. Pavarësisht dhunës, armiqësive dashuria është kultivuar.

A mund të thuhet se kanë qenë pak më të hapur, se më bën pak përshtypje që serbët i kanë dhënë vajzat për shqiptarët, ndërsa shqiptarët si kanë dhënë për serbët. A tregon kjo një lloj hapje, një lloj civilizimi?

Nuk mendoj se është çështja që janë më të hapur. Ata as nuk e jepnin as nuk e merrnin, ata dashuroheshin sepse në çdo situatë familjet serbe kanë reaguar keq ndaj asaj dashurie. Serbët ishin pushtues dhe këtë e ndjenin edhe vajzat shqiptare dhe nuk e pranonin diçka të tillë, pasi e kishin pushtuesin mbi kokë. Përgjithësisht pak femra martoheshin me pushtuesin.

Shqiptarët e Kosovës me të drejtë i shihnin si pushtues serbët, a ndodh e njëjta gjë me pakicat në Kosovë, a ndihen tashmë ata si të pushtuar?

Ata tashmë kanë mbetur aty, janë bërë vendas, por nuk është se janë pushtuar. Serbët janë të përfaqësuar në të gjitha instancat shtetërore, nuk mendoj se e ndjejnë veten si të pushtuar.

Nëse do të zgjidhnit diçka të mirë nga Jugosllavia titiste, cila do të ishte?

Nuk do të zgjidhja asgjë, ishte diçka e tolerueshme derisa nuk shpërtheu në një konflikt të armatosur. Mbase do zgjidhja pas vitit ’74 një liri relative disa të drejta që nuk ishin deri atëherë, por kjo erdhi nga presioni ndërkombëtar. Ata ishin të interesuar ta ruanin Jugosllavinë sepse e dini që shqiptarët mund ta shkatërronin Jugosllavinë sepse janë shumë të pabarabartë me të tjerët. /Gazeta Liberale



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora