E premte, 19.04.2024, 02:48 PM (GMT+1)

Mendime

Shirley Cloyes DioGuardi: Të shpëtojmë Kosovën

E diele, 30.11.2008, 01:49 AM


Të shpëtojmë Kosovën

 

Nga Shirley Cloyes DioGuardi*

 

Liderët politikë të Kosovës dhe organizatat joqeveritare, që sollën mëse 30,000 njerëz në rrugë më 19 Nëntor për të protestuar planin “gjashtë pikësh” të OKB-së, duhet të përkrahen nga të gjithë ata që u intereson e ardhmja e Evropës Juglindore.

 

Implementimi i planit gjashtë pikësh – bazuar vetëm në rekomandimet e Beogradit për doganat, kontrollin kufitar, policinë, gjyqësinë, vendet religjioze serbe, dhe vendosjen e EULEX-it në Kosovë - do të cenonte sovranitetin e Kosovës, do të minonte pavarësinë, dhe do të përfundonte shansin për të sjellë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Ballkan për shumë dekada të ardhshme.

 

Kundërshtimi ndaj planit gjashtë pikësh ishte mesazhi i duhur që është dashur të dërgohet tek komuniteti ndërkombëtar. Dhe, le të shpresojmë që nuk është shumë vonë.

 

Korrikun e kaluar, në artikullin tim “Kosova po rrëshqet” kisha thënë se ishte e paqartë se kush ishte në krye të Kosovës, që organizatat ndërkombëtare kishin mandate konfliktuale ndërmjet tyre, që të gjitha nga ato nuk kishin forcën e duhur, dhe që përfundimisht askush nuk ishte në krye të asgjëje. Mandej kisha theksuar po ashtu se Serbia po merrte hapa të rëndësishëm me qeverinë e re që po i çonte para interesat serbe në skenën e politikës ndërkombëtare.

 

Me ndihmën e Rusisë, Beogradi gati krejtësisht pati sukses në bllokimin e procesit të njohjes së Kosovës, dhe qeveria e Kosovës në vend që t’i merrte gjërat në duart e veta, po përulej para dëshirave të komunitetit ndërkombëtar. Kisha paralajmëruar atëherë që kjo situate po e bënte “mjaft të pamundshme ndonjë përgjigje adekuate ndaj veprimeve serbe për të rrënuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës” dhe se derisa kjo gjendje të ndryshonte, Kosova do të mbetej “e pavarur vetëm me emër.”

 

Që nga atëherë gjërat veç sa janë përkeqësuar. Kosova po bie nga kreu i agjendës politike ndërkombëtare për shkak të krizës ekonomike në perëndim, zgjedhjeve presidenciale në SHBA, dhe luftërave që po vazhdojnë në Irak dhe Afganistan.Beogradi ka shfrytëzuar këtë vakuum për të minuar vendosmërinë e BE-së për të përkrahur mandatet e parapara me planin e Marti Ahtisarit, Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës të 17 Shkurtit, dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Vendosmëria e BE-së filloi të shkatërrohet nga frika e vendosjes së EULEX-it nëpër gjithë Kosovën (veçanërisht në veri të lumit Ibër) dhe hakmarrja e mundshme nga Rusia.

 

Në vend të insistimit për vendosje pa kushte të EULEX-it, siç parashihet në planin e Ahtisarit për “pavarësinë e mbikëqyrur” të Kosovës, Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-Moon iu përgjigj frikës së BE-së dhe presionit të Serbisë. Ai vuri në pah qëllimin e tij për vendosjen e misionit të BE-së nën UNMIK-un.

 

Në Tetor, ai bëri thirrje për negociata të reja në mes Prishtinës dhe Beogradit dhe lançoi planin e tij gjashtë pikësh si bazë e këtyre negociatave, plan ky i cili thirrej në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit (rezolutë kjo që e llogaritë Kosovën si “provincë” të Serbisë dhe jo si shtet të pavarur.) E gjithë kjo është dashur të kuptohet për atë që në të vërtetë është: një strukje i perëndimit tek politikat e para-pavarësisë që i lejojnë Beogradit të ketë fjalën e vet mbi të ardhmen politike dhe ekonomike të Kosovës.

 

Realitetet shokuese të Planit Gjashtë Pikësh

 

Plani gjashtë pikësh sfidon elementet esenciale të një shteti sovran e të pavarur. Ky plan do të vendoste EULEX-in nën OKB-në dhe prani e tij në Kosovë do të ishte “neutrale ndaj statusit.”Në realitet, kjo do t’i kundërvihej pavarësisë së Kosovës dhe do të zgjaste betejën serbe për kthim të Kosovës si provincë të tyre. Pikat doganore 1 dhe 31 nuk do të ishin nën kontroll të qeverisë së Kosovës e as nuk do të ishin pjesë e buxhetit të konsoliduar të Kosovës.

 

Doganat në veri do të viheshin nën kontrollin e serbëve të Kosovës (dhe përfundimisht Beogradit), dhe hyrjet nga këto pika doganore ekskluzivisht do të përdoreshin nga komunat veriore. Pasi që doganat kontrollojnë rrjedhën e të mirave dhe shërbimeve dhe mbrojtjen e kufijve, kjo do të bënte ndarjen de facto të Mitrovicës një realitet.

 

Edhe me keq, çdo komunitet me shumicë serbe në Kosovë ka status special nën planin gjashtë pikësh. Kjo nuk përfshin vetëm komunat e parapara me planin e Ahtisarit, por edhe enklavat serbe të shpërndara nëpër gjithë Kosovën. Në këto komunitete, policët serbë nuk do t’i përgjigjeshin Policisë së Kosovë, por një polici serb me gradë të lartë i cili do t’i raportonte një komisioneri policie të OKB-së.

 

Tutje, gjyqësia do të punonte sipas rregulloreve të UNMIK-ut dhe jo ligjeve të Kosovës, dhe Kisha Ortodokse Serbe e Kosovës do të ishte e lidhur direkt me kishën në Serbi dhe do t’i jepte llogari qeverisë serbe.

 

Nëse implementohet ky plan, këto pika do të krijonin një sistem paralel të bazuar në ndarje etnike, gjë që do të thyente shkrimin dhe kuptimin e planit të Ahtisarit dhe kushtetutën e Republikës së Kosovës.Kjo do ta bënte Kosovën më pak shtet seç ka qenë nën UNMIK-un dhe një shtet më të komplikuar se Bosnja.

 

Marrëveshja e Dejtonit e vitit 1995 e ndau Bosnjën në tri territore të veçanta. Ky plan do të hiqte një pjesë të territorit të Kosovës, do të gravuronte pjesën tjetër, duke krijuar kështu një problem madhor. Dhe, brenda natës Kosova do të kthehej në një shtet të dështuar, i paaftë për të përparuar ekonomikisht apo politikisht.

 

Kosovarët po bartin barrën e dështimit të komunitetit ndërkombëtar për të vendosur EULEX-in. Duke ofruar planin gjashtë pikësh, komuniteti ndërkombëtar don që Serbia të ndihet fitimtare; don që t’u japë shqiptarëve të Kosovës impresionin se ata po përkrahen në mënyrë që të mos ndodhin trazira sociale; dhe don që të thotë se politika e tyre gjeostrategjike e mbrojtjes kinse po funksionon.

 

Arkitekt i kësaj strategjie është Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Havier Solana (i cili është përkrahur shumë nga Ministri i Jashtëm francez Bernard Kouchner, i cili në cilësinë e tij si kryesues i radhës së BE-së ka insistuar që Prishtina ta pranojë planin gjashtë pikësh). Sikur edhe strategjitë tjera të inspiruara nga Solana në Ballkan, edhe kjo nuk do të funksionojë. Përkundrazi, kjo do të parandalojë të gjithë rajonin nga integrimi në Evropën e bashkuar, dhe bile mund të çojë edhe në konflikt të ri.

 

Plani i Ahtisarit është i vdekur, dhe Plani Katër Pikësh i Qeverisë së Kosovës nuk mjafton

 

Ka ardhur koha të kuptohet se plani i Ahtisarit ka vdekur; është një shkrim akademik që është i gjallë vetëm në Kushtetutën e Kosovës. Mos të harrojmë se 90 për qind e planit të Ahtisarit ka të bëjë me serbët. Por, është e pamundur që të realizohet mandati i Ahtisarit, që u jep serbëve jo vetëm të drejta të barabarta, por më shumë të drejta se secilit nga grupet tjera minoritare në Evropë, nëse serbët e Kosovës e kundërshtojnë atë dhe Beogradi vazhdon t’i kontrollojë ata.

 

Andaj, Zyra Civile Ndërkombëtare, që duhet të zbatojë planin e Ahtisarit, nuk mund të bëjë një gjë të tillë. Liderët serbë të Kosovës veprojnë pa asnjë lloj lidhjeje me qeverinë në Prishtinë. Kjo i bën deklaratat e diplomatëve të SHBA-ve dhe BE-së se ata e përjashtojnë ndarjen e Kosovës vetëm fjalë.

 

Me rënien e planit të Ahtisarit, qeveria e Kosovës, që deri më tani ka vepruar retroaktivisht dhe në pajtueshmëri me komunitetin ndërkombëtar, ka rastin për të shpëtuar Kosovën. Kundërshtimi dhe mospranimi i planit gjashtë pikësh të OKB-së dhe propozimi i planit të saj katër pikësh që thërret për vendosje të menjëhershme të EULEX-it në të gjithë Kosovën dhe që afirmon bashkëpunimin e vazhdueshëm të saj me SHBA-të, BE-në dhe NATO-n, është një fillim i mirë, por jo i mjaftueshëm.

 

Zyrtarët politikë shqiptarë dështuan në kapitalizimin e ndjenjës pro-shqiptare anekënd botës pas luftës, kur patën mundësinë më të madhe për t’iu kundërvënë propagandës serbe, për të shkatërruar strukturat paralele në veri, dhe për të vendosur autoritetin e Prishtinës nëpër gjithë territorin e Kosovës.

 

Nëntë vite pas përfundimit të luftës, euforia fillestare që erdhi si përgjigje ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës qorroi Kosovën para këtij realiteti. Mungesa e iniciativës nga ana e partive politike të Kosovës, që po mërziteshin më shumë për të ardhmet e tyre politike në zgjedhjet e ardhshme, i mundësuan serbëve të konsolidoheshin edhe më shumë.

 

Hapat e Ardhshëm për Elitën Politike të Kosovës

 

Është koha që qeveria e Kosovës tani duhet të mos presë më që komuniteti ndërkombëtar të marrë timonin por që ajo të marrë hapat e duhur, gjë është dashur të bënte menjëherë pas shpalljes zyrtare të pavarësisë më 17 Shkurt. Disa nga këta hapa përfshijnë:

 

Zhvillimin e një kampanje të fuqishme të marrëdhënieve publike në bashkëpunim me aleatë që kanë përvojën dhe ekspertizën e duhur anekënd botës. Kampanja duhet të promovojë vlerat shqiptare dhe duhet të kundërshtojë propagandën serbe që paraqet shqiptarët si myslimanë ekstremistë dhe Kosovën si vatër të fundamentalizmit në zemër të Evropës.

 

Kjo kampanjë po ashtu duhet të sfidojë komunitetin ndërkombëtar që po vazhdon të kënaqë Serbinë dhe po kapitullon para kërcënimeve të saj. Dhe, duhet të kthejë vëmendjen botërore tek viktimat e pafajshme shqiptare dhe boshnjake të luftërave agresive të Milosheviqit. Kampanja po ashtu duhet të insistojë që pranimi i Serbisë në BE duhet të kushtëzohet me respektimin e sovranitetit të Kosovës nga Serbia dhe me dorëzimin e Ratko Mladiqit në Tribunalin e Hagës.

 

Marrjen e hapave të domosdoshëm për të vënë veriun nën kontrollin e Prishtinës. Thirrja e qeverisë për vendosjen e EULEX-it në partnership me qeverinë e Kosovës, BE-në, dhe SHBA-të ishte hapi i parë në këtë drejtim. Mirëpo, qeveria duhet që të vërë rend në kufijtë veriorë dhe të arrestojë të gjithë kontrabanduesit dhe krerët e strukturave paralele, dhe pastaj t’u ofrojë “karota” atyre që bashkëpunojnë dhe “shkopinj” atyre që rezistojnë.

 

Ngritjen e çështjes së abuzimit të të drejtave të njeriut nga ana e Beogradit ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë, dhe Bujanoc.Gjersa gjithçka po bëhet për t’i kthyer serbët në Kosovë, asgjë nuk po bëhet për të korrektuar përzënien e shqiptarëve nga Lugina e Preshevës që ndodhi gjatë luftës dhe represionin e vazhdueshëm që ushtrohet ndaj atyre që ende jetojnë atje.

 

*Shirley Cloyes DioGuardi është këshilltare për çështje të Ballkanit pranë Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora