| E diele, 30.05.2021, 10:58 AM |
Kolë Miri Dedvukaj, simboli i besës dhe burrnisë Malësore
Nga
Gjekë Gjonlekaj, New York
Dyert
e shpërnguljeve biblike të shqiptarëve nga Mal i Zi u hapën në fund të viteve
60’ dhe qysh atëherë e sot nuk u mbyllën kurrë. Lamtumira(goodbye) vendlindjes
është akt trishtues, sidomos për gra e burra në moshë të shtyrë. Prindërit tonë
relativisht të moshuar nuk erdhën në Amerikë për një jetë më të mirë, dhe jo se
jo për t’u pasuruar,por për të mos u ndarë nga njerëzit e tyre më të dashur.Kjo
periudhë mërgimesh të mëdha meriton studime dhe analiza të shumta nga ekspertët
e shoqërisë shqiptare. Rrugët e shpernguljeve nuk ishtin të shtruara me
lule,por me lot e dhimbje të mëdha. Historia e mërgimit ishte ndonjëherë edhe
tragjike. E tillë kishte qënë për familjen e Kolë Mirit të Hotit. Dy djemtë e
Kolës dhe nusja e djalit të madh kishin emigruar nga vendlindja në vitin
1971,dhe ishin vendosur në Itali. Gjatë pritjes për emigrim ata ishin vizituar
shumë herë nga të dashurit e tyre. Nëna e tyre Djellushë Lekja i kishte
vizituar 9 herë brenda një viti,ngase ajo e përjetonte rëndë mungesën e
tyre.Para nisjes së tyre për në Shtetet e Bashkuara,prindërit kishin shkuar në
Romë për t’u thënë udhën e mbarë. Pasi kjo bijë fisnike e shtëpise së përmendur
të Zek Nikut të Kojës ishte përqafuar e përshëndetur me djemtë e saj aty në
vend i kishte rënë pika në zëmër dhe një ditë vonë kishte dhënë shpirt në
spitalin e Romës,në moshën 43-vjecare. Ndërsa ata kishin arritur në New York
,nëna e tyre qëndronte e vdekur në morgun e Romës në pritje për t’u kthyer në
Hot të Malësisë. Përsëri Kolë Miri “mes dy zjarresh”,do të kishte kënduar
rapsodi shqiptar Sali Mani. Kola kishte mbetur qyqe vetëm në rruget e Romës.
Për vdekjen e gruas së tij kishte njoftuar menjëherë kushririn e tij besnik
Patër Daniel Gjecaj. Ky meshtar françeskan shqiptar shumë i nderuar i kishte
qëndrua pranë deri atë ditë që Kola dhe gruaja e tij e vdekur ishin nisur për
në vendlindje. Kolë Mirit kjo vdekje i kishte shkaktuar çrregullime që nuk i
kishte paramenduar kurrë. Njëra nga ato ishte vendimi për t’u larguar njëherë e
përgjithëmonë nga Malësia. Kola nuk e kishte imagjinuar asnjëherë largimin nga
ajo tokë.Por pas vdekjes së gruas kishin ndryshuar planet e tij familjare.Nuk
shihte rrugë tjetër përveçë bashkimit familjar.Një vit më vonë, së bashku me 4
fëmijet e tij, imigroi në Shtetet e Bashkuara. Ashtu siç e kishin traditë ata
punuan ditë e natë dhe pas disa vjetësh u rregulluan shumë mirë në pikëpamje
ekonomike. Kolë Miri gëzonte respekt të madhe tek malësorët shqiptarë dhe emëri
i tij ishte garanci për shumë suksese të familjes dhe shoqërisë. Ai bënte fushata
për ngritjen e qëndrave fetare dhe shoqërore në New York dhë në Detroit. Merrte
pjesë aktive në mbledhje e ceremoni të ndryshme dhe vepronte si një misionar
për paqë e marrëveshje midis malësorëve kudo. Kolë Miri dhe Mark Miri kishin
një të kaluar të lavdishme sepse ishin kryqëzuar në “Kalvarin e Hotit” nga
bandat kriminale komuniste të Toger Babës dhe Bajo Stankut. Marku dhe Kola
kishin pësuar mundimet e Krishtit për të shpëtuar kapiten Gjelosh Luli nga
mizoritë barbare staliniste. Për qëndresën e tyre legjendare flitet sot e kësaj
dite. Kolë Miri ishte tepër i sinqertë dhe modest. Ai ishte natyrisht i
zgjuar,fliste nga përvoja dhe përjetimet personale. Nuk kishte prirje për dukje
as për krye të vendit.Ai ishte natyrisht i mirë dhe besnik. Per mortin e tij
para 23 vjetësh me rastin e vdekjes e kisha shkruar se besa e Kolë Mirit ishte
më e fortë se Mali i Veleçikut. Për çudi, Kola i kishte mësuar përmendësh
lagjet e New Yorkut ku jetonin malësorët. Nuk lexonte dhe nuk shkruante por në
aparatin e tij të kujtesës ishin fotografuar pikat kryesore te orientimit.Kur i
mbushej mendja Kolës për vizita nuk bente lutje e duva për ndihmë ,por merrte
shkopin dhe nisej tek miqtë dhe dashamirët e tij. Pavarësisht se nuk ishte i
shkolluar Kolë Miri ishte malësori shqiptar më i nderuar në këtë vend. Merrte
pjeë në dhimbjet e mëdha shoqërore,sidomos në morte qofshin ato në Shtetet e
Bashkuara ose në Malësi, Prej vitit 1975 e deri në vitin 1990,Kolë Miri kishte
kaluar Atlantikun, vajtje e ardhje mbase 100 herë, të gjitha për morte në
vendlindjen e tij.Ai mbante titullin e kampionit për udhëtime të kësaj natyre.
Asnjë shqiptar ose amerikanë,bile as ndonjë i huaj tjetër nuk mund të ketë bërë
aq shumë udhëtime për vdekje jashtë Amerikës. Shumë herë malësorët pyesnin pse
nuk po e mbyllim këtë ceremoni cka po presim? Dikush atje më largë përgjigjej
po presim Kolë Mirin nga Amerika.Gjatë këtyre udhëtimeve Kola kishte përjetuar
episode të ndryshme,ngase nuk fliste asnjë gjuhë tjetër përveç gjuhës shqipe.
Në një rast në Londër e kishte humbur lidhjen e aeroplanit për New York. Dhe
për këtë autoritetet e aeroportit kishin sjellur një përkthyes nga gjuha shqipe
në sërbisht,por Kola nuk merrte vesh sërbisht. Pas pak ata kishin prurë një
përkthyes shqiptar,por as atë nuk e kuptonte sepse perkthyesi fliste dialektin
tosknisht. Mosha e shtyrë dhe vështirësit e komunikimit kishin qënë pëngesë e
madhe gjatë këtyre udhëtimeve.Para Luftës së Dytë Botërore,Kola kishte jetuar
në Shqipëri në Hot të Ri në Shtoj të Mbishkodrës. Kishte jetuar atje një çerek
shekulli me vëllezër e motra.Ai ruante kujtime të mrekullueshme nga jeta në
Shqipëri. Kolë Miri tregonte shumë për Shqipërinë e asaj kohe. Kishte parë e
takuar personalitete të larta të shoqërisë shqiptare. Ai e kishte pëlqyer shumë
kohën e Zogut. Pavarësisht se nuk merrte pjesë në mbledhje partish
politike,Kola ishte zogist i vërtetë. Në vitin 1944 ishte kthyer përgjithëmonë
në vendlindjen e tij në Traboin të Hotit në Mal të Zi, ku jetoi deri në vitin
1973. Kolë Miri vdiq me 21 Maj te vitit 1992 në moshën 82-vjecare. Gjatë kohës
në spital e kisha vizituar disa herë,duke i thënë fjalë të mira e kurajo se do
të bënte më mirë,por ato ditë nuk ishte aspak optimist. Nje ditë më vonë vdiq
në Spitalin Lawrence në Bronxville të New Yorkut,në qytetin ku kishin jetuar
shumë familje të njohura amerikane,midis tyre edhe Familja Kennedy. Nderimet
dhe ceremonitë mortore u bënë për dy ditë me radhë në Memorial Day Weekend. Për
Kolë Mirin si për asnjë shqiptar tjetër ishin bërë tri ceremoni mortore. Një në
New York, një në Hot të Ri në Shtoj të Mbishkodrës në Shqipëri tek nipat dhe
mesat e tij ku kishte jetuar 25 vjet dhe nderimet më të fundit dhe varrimi
ishin bërë në Vuksanlekaj të Hotit në Mal të Zi. Historianët amerikanë thonë se
për Abraham Lincolnin ishin bërë ceremoni mortore në disa qytete të Amerikës
para se të bëhej varrimi në vendlindjen e tij në Illinois.Misioni i Shqipërisë
pranë OKB në New York ia dha vizën Kolës së vdekur dhe 32 malësorëve tjerë për
varrimin e tij në vendlindje. Ky ishte malësori i parë i vdekur që kaloi nëpër
tokën e Shqipërisë pas rënjes së diktaturës.Ky ishte mort i madh dhe
ceremonial,që nuk ishte parë asnjëherë më parë dhe natyrisht kishte pasur shumë
gojtarë,vajtore e gjëmtarë. Por një tragjedi shumë herë më e madhe se kjo u
përsërit edhe një herë në shtëpinë e Kolë Mirit në New York më 11 Shtator
2001,kur nipi i tij Simon Dedvukaj ra dëshmor në Kullën Binjake (World Trade
Center) në Manhattan. Kjo tregonte se rrugët e tyre të mërgimit kishin qënë të
shtruara me gjëmba e jo me lule. Por kjo familje fisnike i përballoi të gjitha
me nder e faqe të bardhë.Prej Kolë Mirit mësuam të gjthë.Ai ishte mësuesi ynë
më i mirë i jetës,sepse fliste nga përvoja personale. Kurrë nuk kam parë asnjë
shqiptarë si Kolë Mirin që mund t’i ketë zbatuar aq bindshëm normat e Kanunit
të Lekë Dukagjinit dhe urdhënimet e Tëzot që janë 10. I tillë kishte qënë edhe
vellau i tij Mark Miri. Por Markun e kam takuar vetem një herë gjatë një vizite
në New York. Mark Miri dhe Kolë Miri kishin një kod të tyre moral të veçantë dhe
për këtë meritojnë monument në tokën shqiptare. Ata ishin nderi i kombit,dhe
duhet të respektohen si të tillë sot e përgjithëmonë.