| E diele, 30.05.2021, 06:25 PM |
NËN DIELLIN E JONIT
(Shënime
nga Llogaraja, Dhërmiu, Vunoi, Himara etj.)
NGA
NDUE DEDAJ
Vlora
e Flamurit është një rajon mesdhetar nga më të lakmueshmit, për detin, lagunën
e Nartës, ishullin e Sazanit, gadishullin e Karaburunit, kalanë e Kaninës,
malin e Llogarasë, bregun e Jonit me hotele dhe plazhe të pafundme, Kurveleshin
dhe zonën tjetër malore plot histori e monumente. Është tërhequr ushtria që dje
kishte zënë kodrat më të bukura me transhe, gryka topi e bunkere dhe ka nisur
epoka e turizmit bregdetar, jo pak i kritikuar për ndërtimet pa vend.
Një
shëtitje në fundjavë, nëpër disa nga qendrat turistike të Jonit, tani kur
pritet të fillojë sezoni turistik i verës, ngjan si në fushimin e një “ushtrie”
që përgatitet për betejën e radhës të detit, deri sa të ndodhë vërshimi i
turistëve, aq sa të mos kesh ku të hedhësh kokrrën e mollës, kudo në brigjet e
pamata joniane. Sezoni, në të vërtetë, ka nisur, jo vetëm se tek Uji i Ftohtë
në Vlorë e ke të vështirë të kalosh me makinë në mesditë nga trafiku i rënduar
i automjeteve që shfryjnë nga ecja “ca-ca” (gjurmë-gjurmë) mbi asfalt, por dhe
se janë ngritur çadrat e para në plazhe, duke nisur nga Lungomarja, që siç
duket nuk do të thirret ndonjëherë në shqip, dhe pse gjuhëtarët këshillojnë
pareshtur. Ardian Vehbiu shkruan: “Ta zëvendësosh fjalën e bukur shqipe
shëtitore me pedonale, apo bregdet me lungomare pa një pa dy është nënvlerësim
i gjuhës tënde”. Por nuk do të ndalemi më tej në kundrimin gjuhësor. Një rrugë
e re për në rajonin bregdetar të Jonit (për të cilën ka filluar puna) dhe ai
tuneli i premtuar, që do të fusë “kryet” në Fushën e Dukatit e do të dalë në
Palasë, është më e pakta “shpëtimi” nga kthesat e Llogarasë. Atëherë, Tiranë me
Dhërmiun, nuk do të ishte më shumë se dy orë.
Vlora
ofron njëherësh, brenda një ore, turizmin malor dhe atë bregdetar. Mjafton të
ngjitesh apo të zbresësh një mijë metrat e Llogarasë. Parku Kombëtar i saj
është një pasuri e rrallë pyjore, natyrore dhe turistike. Fëmijët, pasi kanë
“folur” me drerët në kopshtin e tyre dhe i kanë ushqyer me dorën mbushur me
kokrra drithi, pyesin se ku është e famshmja “pisha flamur”. Nuk ke nevojë ta
kërkosh patjetër atë, pasi era bjeshkëtare ka krijuar shumë të tilla. Dreka, në
njërin nga resortet e Parkut, është e shijshme, me gatimet e traditës vlonjate
etj. Nuk është e vështirë ta vëresh ndryshimin, krahasuar me pesë vite më parë,
kur kemi qenë herën e fundit këtu. Rruga që e përshkon Llogaranë ka sjellë
zhvillim dhe urbanizim, ndryshe nga disa qendra të tjera malore të djeshme, me
shtëpi pushimi për punëtorët, ku rruga “këputet” aty.
Dhërmiu
është tashmë një kështjellë e turizmit jonian. Pas një natë gjumëlehtë, në
njërën nga bujtinat turistike, kafeja e mëngjesit në breg, si në kuvertën e një
anije, të shijon aq sa dhe peizazhi blu i detit që nuk mund t’ia ndash sytë
asnjë çast. Një kaltërsi që vetëm Joni ta dhuron. Ke pasur rastin ta shijosh
atë që para dyzet vitesh, student vullnetar për një muaj në brezaret e Lukovës,
kur imazhi i “vajzës së valëve” nuk do të ishte më tragjik si në baladën e
rapsodit Neço Muka, por jetëdhënës si vetë flladi i Rivierës, që befas do të
bëhej emri i bijës tënde të sapoardhur në jetë në Veri. Si pa e kuptuar ishe
bërë dhe ti hisetar i diellit të këtij bregdeti të përkryer nga natyra, por jo
gjithnjë të mirë-ujdisur nga dora e njeriut.
Deti
dhërmiot sot është zgjuar disi i zemëruar, kushedi pse Poseidoni, ndryshe nga
ne, nuk ka fjetur mirë. Dallgët vijnë e thërmohen në bregun shkëmbor, duke u
ngritur stërkalat deri në dhjetë metra lartësi. Valët tërhiqen mbrapsht pasi
kanë lënë bregut një “dëborë” shkumëzuese. Nëse për ne të rriturit, kjo
marrëdhënie e bregut me detin është poetike, për fëmijët që presin me padurim
të futën në ujë e të lahen, nuk është kështu. Ata poezinë e detit e duan kur
bëjnë detyrat e shkollës dhe jo kur kërkojnë ta “pushtojnë” pash më pash vetë
detin. Ai, për ta, i ka të gjitha lodrat, mjafton të kredhën në ujërat e tij,
për të mos thënë se është “lodra” me e madhe argëtuese e tyre.
Shpella
e Piratëve është gjithnjë aty, në gjirin shkëmbor të Dhërmiut, guva me
stalaktite që Petro Marko e “eksploroi” për lexuesit e vegjël në njërin nga
romanet e tij. Duket se ngrehinat po ia humbasin disi misterin asaj. Hotele pa
numër. Pëherë e më shumë beton, përherë e më pak breg me rërë për t’u larë. E
lajmet me “piratë” të detit nuk kanë sosur as sot. Herë pas here në brigjet e
Karaburunit zihen gomone me drogë etj. Një lajm i tillë është dhënë dhe këto
ditët nga mediat. Mali i futur i tëri në det, që në hartë ngjan si gishti i
madh i dorës, jo rrallë është përdorur si një “depo” natyrore e trafiqeve të
paligjshme.
Por
jemi nisur në kërkim të monumenteve të së bukurës joniane, ndaj nxitojmë.
Befasi pas çdo kilometri. Vunoi, fshati i skalitur në faqen e pjerrët të vargut
malor të Çikës, të shëmbëllehet me një shqiponjë që ka fluturuar nga lartësitë
dhe është ulur aty për të kundruar detin, ullishtet e begata, nën hijet e të
cilave tani “mrizojnë” plot makina-shtëpi të turistëve të huaj. Manastirit të
Shën Theodhorit i vijmë përreth duke i fotografuar muret, pasi është mbyllur
dhe nuk mund ta vizitojmë. Ai ka nisur të ndërtohet në shkullin XIV, në një
kodër të gjelbëruar nga ullinjtë dhe qiparisat dhe, sado e çuditshme të ngjajë,
ka përfunduar pas pesëqind vitesh. Mbas Luftës faltorja e lashtë e Zeusit dhe
Artemisit iu dha ushtrisë shqiptare, që në vitet ’60 e bëri bazë ushtarake për
aleatët sovjetikë, miq-armiqtë tanë të asaj kohe. Aty afër është Kanioni i
Gjipesë, që grish vizitorët e çdo moshe. Më tej shkëlqen Jala, si një
margaritar i rrallë turistik i këtij bregdeti.
Himara
është një tjetër oaz mahnitës i Jonit, këndellur mes detit dhe malit të
Vetetimës. Më 1949, një burrë shtatimët që quhej Mark, kishte marrë rrugën e
largët nga Shëngjergji i Mirditës për të kryer shërbimin ushtarak këtu për tre
vjet, pa qenë as i pari dhe as i vetmi mirditas që kishte shtegtuar në këto
anë, për pak kohë a përgjithmonë. Në shkrimet historike për Himarën thuhet se
kjo zonë ka qenë gjithmonë e banuar nga popullsi autoktone shqiptare, kryesisht
me origjinë nga Labëria, e, duke filluar nga shekulli XV, dhe me gjind të
ardhur nga treva e Mirditës dhe ajo e Krujës. Nuk kemi ndonjë adresë apo të
njohur, ndaj takojmë vetëm njerëz të rastit. Një burrë që shiste një dorë
portokalle dhe disa qese me rigon mbledhur në mal, na thotë se Himari nuk ka
asgjë tjetër, veç detit!... Nuk e kupton
menjëherë, por ai, si për të shmangur keqkuptimin, nxiton të thotë se në këtë
stinë kanë mbaruar prodhimet e priten vetëm të ardhurat nga plazhi. Pyesim për
kalanë në kodër dhe na thonë se bileta kushtonte sa në kalanë e Gjirokastrës
apo të Beratit.
Kudo
që vemi na shoqërojnë kujtimet e njerëzve që kemi njohur nga këto anë, jugorë
të shumtë që kanë shërbyer në rrethet e Veriut para 90-ës, por dhe miq të
mëvonshëm. Në Radhimë kujtohemi për inxhinierin e galerive të bakrit në
Mirditë, Devi Radhima, që u akuzua për sabotim në ekomoni dhe u dënua me shumë
vite burg. Iu nxi jeta pa pasur kurrëfarë faji dhe u shua pa u mplakur buzë
detit të tij. Joni bashkon Vlorën me Sarandën, në më shumë se 80 kilometra
bregdet. Hedh sytë në horizont, mes malit e detit, atje ku duhet të jetë
Fterra, vendi i lindjes së profesor Ismet Elezit. I telefonuam më 5 prill të
këtij viti, në shtëpinë e tij në Tiranë, për t’i uruar 101-vjetorin e lindjes,
sigurisht pa i gjetur fjalët e duhura, pasi si mund t’i gjësh ato për një njeri
që e ka zhvlerësuar urimin tradicional “U bëfsh njëqind vjeç!” Dhe a e dini si
na u përgjigj? “Të gjithë shqiptarët rrofshin më shumë se Ismet Elezi!” Një
tjetër mik i çmuar, kritiku i njohur i dramës dhe teatrit në vitet ’70, Miho
Gjini, sot mbi të 80-at, prej vitesh emigrant në Athinë, kudo që ka qenë, në
Tiranë, në burgun e Spaçit, apo jashtë vendit, muzën e ka marrë gjithnjë nga
vendlindja, Piqerasi, ku kthehet herë pas here. Nuk jemi njohur nga afër me
poetin Lifter Çipa nga Piluri, edhe pse kemi pasur një shtrëngim dore, gjatë
një veprimtarie në Tiranë kushtuar sivllaut të tij Gjok Beci, por ngado Bregut
dëgjohen “bilbilat” e këngëve të tija, dhe tash që ai nuk është më, ashtu siç
“bejka e bardhë” piluriote shtegton si një perlë e visarit polifonik kombëtar.
Dhe mbase nuk mund të ketë një mbyllje më kuptimplote të këtij shkrimi se
kujtimi i pashuar i këtij bardi të shquar të lirikës shqiptare, mbrujtur në
magjen e folkut jonian, nën diellin e Jugut.
Largohmi
nga Himara e Dhërmiu, për t’u kthyer përsëri aty dhe në vende të tjera
bregdetare të Jonit, pa harruar të marrim me vete poezitë e detit të Fatos
Arapit, ku shtjellat e dallgëve i vinin, nga përfytyrimi i hershëm fëminor, “si
kope të çuditshme, të panumërta kuajsh të bardhë”...