E premte, 19.04.2024, 02:23 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Fritz Radovani: Një monument nën dhé (XVI)

E hene, 01.12.2008, 01:29 PM


Fritz Radovani de Angeliis

Një monument nën dhé

 

AT ÇIPRIAN NIKA O.F.M.

GUARDIAN I FRANÇESKANËVE TË SHKODRËS

 

“Vuejtja, o bir, e ban ma fisnike fitoren!”

 

Ka lé në Shosh të Shkodrës, më 19 korrik 1900. Prindët e tij ishin Mëhill e Prenda Nika, të cilët e lanë jetim qyshë të vogël, 5 vjeç. Prifti i Shoshit e solli Dedën e vogël në Kuvendin e Françeskanëve të Shkodrës, ku, përfundoi edhe shkollën e mesme. U dallue si nxanës dhe, tue pasë thirrjen shpirtnore për meshtar, vendosi me iu kushtue urdhnit të Sh’Françeskut. Përfundoi studimet e Larta Teologjike në Austri, dhe më 26 korrik 1924, shugurohet meshtar në Romë, tue marrë emnin Çiprian, në Urdhnin e Fretënve të Vogjël, (O.F.M.). Vjen në Shkodër me një pregatitje të mirë kulturore. Ishte ndër ma të ditunit në fushën teologjike dhe filozofike. Emnohet profesor në Gjimnazin e Fretënve. Ka pasion muzikën. Nën drejtimin e At Martin Gjokës, merr pjesë në orkestrën frymore të Françeskanëve, që përbahej prej rreth 40 vetësh. Ishte ndër flautistët ma të mirë, që cilëson mjeshtri At Gjoka. Njihet edhe me vegla tjera frymore të bandës muzikore. Zotnonte mirë disa gjuhë, spikati në gjermanisht, frengjisht dhe greqishten e vjetër. Ishte bashkëpuntor i revistave “Hylli i Dritës” dhe “Leka”, ku, ka shkrue artikuj me vlerë në fushën filozofike. Njihet si Provinçiali ma i ri në moshë, në vitin 1938 drejton Provinçën e Shqipnisë. Një figurë e kompletueme në të gjitha pikëpamjet, françeskan në veshje dhe në dukje të virtyteve të tij, i qeshun, i dashtun, i qetë, i ambël dhe joshës në biseda. Fizionomia e tij, pasqyronte modelin shpirtnuer të Fratit t’Asizit. Në kohën e Opozitës kundër Mbretit Zog, asht i pandame nga fretnit tjerë, merr pjesë me malësorët e krahinës së tij, në Shosh. Për fat të keq, në vitin 1939, u ndodh në postin e Provinçialit dhe u detyrue me pranue okupacionin fashist. Asht anti-italian dhe nuk afrohet fare me ndjesitë proitaliane të disa klerikëve, si At Bernardin Palaj, At Rrok Gurashi etj.

Pak kujt aso kohe i shkonte mendja tek një okupacion i mundëshëm i Italisë, mbasi ardhja e saj mendohej se sillte një dëshirë të madhe të shqiptarëve për bashkimin e Kosovës, me tokën nanë. Shumë atdhetarë, tue fillue nga Mustafa Kruja e deri tek Don Lazër Shantoja, kishin qëndrue me vite të tana në mërgim tue punue për një Shqipni Etnike, gja të cilën e shohin se mund të realizohej nga ardhja e Italisë apo e Gjermanisë, së njoftun antisllave. Pavarësisht nga koha e shkurtë, por një gja e tillë u realizue. Hapja e 120 shkollave shqipe nga Mustafa Kruja dhe Ernest Koliqi, me mësues shqiptarë në tokat e Shqipnisë jashtë kufijve të sotëm, çka përfshinë në Veri dhe Kosovën, na pëlqen ose jo, në fund të fundit duhet pranue, se po mos të ishin hapë ato shkolla në vitin 1941, sot asnjë nga shqiptarët e atyne krahinave nuk do të dinte me shkrue e lexue në gjuhën amtare shqipe.

Në vitin 1943, At Çipriani, ishte me u zgjedhë prap Provinçial, por, asht At Mati Prennushi, që mendon se At Çipriani nuk duhet sakrifikue tue u vue si Provinçial, mbasi Shqipnia ishte në pragun e okupacionit tjetër, këtë herë nga komunist dhe keta do ta pushkatonin të parin. At Matia merr postin e Provinçialit vetë, me mendimin se regjimi komunist nuk ka me kenë i gjatë dhe, pranon ma parë vetsakrifikimin se humbjen e At Çiprianit, i cili asht mjaft ma i ri edhe në moshë. Në se, Anglo-Amerikanët, do të ndryshonin politikën e tyne me Shqipninë, tue mos e lanë në mëshirën e Jugosllavisë, atëherë pushteti nuk mbetej vetëm në dorë të komunistëve. Gjithë shpresa ishte se me hymjen e grupeve të tjera në qeveri, komunistët do të spostoheshin dhe do të krijoheshin rrethana të tjera politike. Koha e ardhëshme mbas luftës mendohej se do të ishte ma favorizuese për të gjitha çështjet kombëtare. Mundësia e një zbarkimi Anglo- Amerikan në Ballkan ishte e mundëshme dhe e pritëshme nga pjesa ma e madhe e antifashistëve shqiptarë, që nuk i donin komunistët. Kjo dëshirë jo e parealizueshme ishte edhe e klerit shqiptar, e, kryesisht atij françeskan. Madje, koha ka me nxjerrë fakte, që At Anton Harapi dhe Regjenca, në muejt e fundit kanë punue për një qëllim të tillë, pavarësisht se përpjekja i shkoi kot nga lidhjet e mëshefta të Rusveltit me Stalinin, të njoftuna zyrtarisht në Jalta. Askujt nuk mund t’i shkonte mendja se koha e mbas luftës do të sjellin shkatrrimin e plotë të krejt përpjekjeve të një shekulli të të gjithë shqiptarëve.

Me shkuemjen e At Anton Harapit, si Regjent, në Tiranë, Provinçial u zgjodh At Matia dhe At Çiprian Nika, mbeti Guardian i Françeskanëve të Shkodrës. At Pal Dodaj ishte sekretar i Provinçës, një françeskan me vlerë në shumë fusha. Ishte historian i njoftun dhe si i tillë edhe një ndër politikanët e rafinuem që ka pasë kleri, prandej asht kudo.

At Pal Dodaj deklaron: “Në 1924 jam kenë me Opozitën. Në vitin 1922, kam tentue me bashkue Zogun me Luigj Gurakuqin, mbasi tue u bashkue trimnia e Zogut me urtësinë e Gurakuqit, do t’i vinte nji hov Shqipnisë. Zogu e pranoi, Luigji, jo! E, mbet.”(Dosja 1248).

Ardhja e Gjermanisë në Shqipni asht quejt kalimtare, mbasi tue fillue nga qeverisja dhe krejt organizimi i shtetit ishin në dorën e shqiptarëve. Lufta që ata kanë ba kundër komunistëve dhe italianëve, i ka dhanë mundësinë e një simpatie të gjithë atdhetarëve, por ç’e do, ishte koha kur ata i kishte marrë tatpjeta, dhe nuk la mundësinë e një organizimi të mirë të forcave përparimtare në dobi të vendit, ku tashma mbretnonte kausi dhe rrumbuja. Secili veç mendonte me ikë. Forcat gjermane të vendosuna në Shkodër, kanë hy edhe në kuvendin e fretënve vetëm për fjetje. Dy herë At Çipriani e At Matia, kërkojnë nga Komanda Gjermane lirimin e kuvendit, tue e konsiderue një shkelje, herën e parë u lirue, por mbas dy javësh kanë hy prap dhe nuk kanë dalë ma, deri me datën 29 nandor 1944, që janë largue përfundimisht nga Shqipnia.

Kjo kohë asht edhe periudha ma fatkeqe për At Çiprianin, mbasi gjermanët kur u larguan kanë lanë disa armë në oborr, të cilat atë ditë, pra, më 29 nandor, At Çipriani, i nxjerr nga oborri perpara dhe i çon tek stallat e derrave mbrapa në shi e në diell, si të ishte koha. Kur fillon me u ndigjue rreziku i mbajtjes së armëve, mbas Lëvizjes së Veriut dhe të Koplikut, më 14-15 janar 1945, At Matia, urdhnon që të treten armët jashta kuvendit të Fretënve, edhe pse janë të ndryshkuna dhe të prishuna jashtë përdorimi. At Çipriani, tue pasë frikë se hedhja në rrugë do të ngarkojë qytetarët përreth kuvendit me përgjegjësi, mbasi mund të kontrollohen shtëpijat e tyne dhe vështirë se mund të kishte një shtëpi pa dy armë, e shkaktari do të ishte At Çipriani, ky, vendosë groposjen e këtyne armëve në një ambjent larg kuvendit, në kantinën e venës, ku, hapë tokën e dyshemes së shtrueme me çimento dhe derdhë prap beton sipër, tue i çimentue edhe armët, me anën e një ushtari italian i mbetun rob, që shërbente në shtëpinë e tij.

At Filip Mazrreku, mbante dy revolverë të vëllazënve të tij, si kujtim, mbasi të dy ishin vra nga komunistët. Për këtë ai njofton At Çiprianin, i cili ia merr të dy dhe i tretë në gropën e zezë, bashkë me një tjetër të At Zef Mesit që kishte vdekë, pikërisht, ato ditë kur partizanët kontrollonin krejt qytetin shtëpi për shtëpi. Një armë, tip alltije të gjetun nga At Gjeçovi, bashkë me një armë ma të gjatë, edhe kjo me vlera vjetërsije dhurue nga Lef Nosi, e rujtun në muzeun e Fretënve, mëshefet nga At Çipriani, nën dyshemen e dhomës së tij, me anën e kuzhinjerit Martin Tarri, me qëllim që të mos i grabitet nga komunistët, ashtu si pat ndodhë në kontrollin e parë te kuvendit nga Sheuqet Peçi.

Pak ditë para 29 nandorit 1944, dy persona i sjellin At Pal Dodës një arkë të vogël me disa dokumenta të shkruem turqisht. At Pali, njofton At Çiprianin dhe At Matinë, për këta dokumenta të mbylluna në arkë, që ua kishte dërgue Gjoni i Markagjonit, para se të arratisej nga Shqipnia. Kur puna e kontrolleve shpeshtohet, At Matia, urdhnon që të digjen bashkë me disa dokumenta të lanuna nga Papalilo në një zarf, edhe ky i arratisun ndër ato ditë. Bashkë me disa shkrime të At Bernardin Palaj, të At Fishtës, dokumenta të Gjeçovit, dokumenta muzeale me vlerë historike si, dhe disa pare të vjetra të kohës ilire, edhe këto të gjetuna nga gërmimet e Gjeçovit. At Pal Dodaj me dijeni të At Çiprianit, (simbas dëshmisë së bame në hetuesi, Dosja 1248, Arkivi i M.Mbrendshme Tiranë), i hap në disa skuta e qoshe me mendimin se kanë me u dashtë për shpjegime historike ma vonë. Për vendet ku ishin futë ishte në dijeni At Donat Kurti, At Frano Kiri dhe fra Zef Pëllumbi, xhakue, përveç dy të parëve, mbasi u kishte ndihmue me i vue ndër ato vende. At Pal Dodaj mendon me u ndrrue vend, këtë ia thotë edhe At Çiprianit, mbasi: “xhakojt Ndoc Vasili, Zef Pëllumbi dhe Luk Kaçaj janë mërzitë e nuk bajnë ma për këtë punë “, por nuk i premton koha me i heq, mbasi me datën 15 nandor 1946, kur Kuvendi kthehet në burg, të gjithë janë të arrestuem. Luk Kaçaj, nuk përmendet ma, mbasi siduket, nuk asht implikue në ndonjë ngjarje, gja të cilën e ka tregue edhe jeta e tij, sepse, kur ishte me tregue vedin para një gjyqi fals në Tiranë, ai shprehi mirënjohje ndaj mësuesve të vet françeskanë, gja të cilën e ka ba pak kush. Fretnit e arrestuem, kur shohin materialet historike të hapuna mjedis të Kuvendit, asht i pari, At Donat Kurti, Drejtor’i Gjimnazit Françeskan, qe u thotë: “... një arkë me libra e dorshkrime i kam mëshef në një odë, e cila asht nalt pa shkallë, dhe po të mos të të çojë kush nuk e gjenë dot”. (po aty, Dosja 1248).

Ndonse në grupimet që ban Sigurimi, At Çipriani nuk asht në dosjen e Imzot Frano Gjinit, në filmin jugosllav “Dosja 1302/II-A”, aty asht edhe At Çiprian Nika, At Pal Dodaj, At Donat Kurti, At Aleks Baqli dhe At Frano Kiri. Qëndrimi burrnor dhe i patundun në hetuesi keta freten i ban të pavdekshëm.

At Çiprian Nika asht përballë një kafshës së tërbueme që thirret kapiten i I-rë, Nësti Kopali. (edhe materiali i tij hetimor mban datën 22 nandor 1946, pra, një vit mbas arrestimit!?...).

Ky frat u masakrue si të gjithë tjerët, por, nuk duhet lanë pa u shkrue se, kur, komunistët kishin të dhana për vlerat e ndonjë kleriku, atëherë, nuk kënaqeshin vetëm me pushkatimin e tij, por e torturonin aq sa njerëzit që kishin bashkjetue me te, kur ia sillnin në qeli, e pyesnin: “Kush je ti?”, këtë fat të zi pat edhe At Çiprian Nika.

Në proces-verbalin me nr. aktesh: 558, dhe nr. vendimi 224, Prokuroria Ushtarake e Shkodrës, me akt-akuzën nr. 581, me datën 26 dhetor 1947, sjellë për gjykim në një dhomë të kuvendit: At Çiprian Nikën, nga Shkodra dhe At Pal Dodën, nga Janjeva e Jugosllavisë, për fajin se: “... gjatë gjithë jetës së tyre pranë Klerit Katolik kanë zhvilluar aktivitet të rrezikshëm anti-popullor... duke qenë elementa me pozitë dhe udhëheqës të Klerit Katolik në Shqipni... me anën e këtyre lidhjeve të kombinuara me Demokristjanen kanë menduar për një kryengritje të armatosur kundër Pushtetit... Me qëllim që të furnizojnë kriminelat e arratisur për të goditur Pushtetin kanë fshehur në Seminar dhe në Kishë armë të ndryshme lufte, revolvera, pjesë ndrrimi mitralozi dhe shumë arka me municion lufte. Faje këto të parashikuara prej neneve 2, 3 (pika 1, 2, 4, 7, 8, 14) të ligjes Nr. 372. Këto akte mbasi u rregjistruan ne Nr. 558 te Rregj.Them. Për ditë gjyqi u caktua data 26 dhetor 1947, ditë e premte, ora 3 mbas dreke.

Shkodër, 26 dhetor 1947

Sekretari: Sh. Dautaj d.v.

Kryetari: M. Bllaci d.v. (firmat).

 

Ditën e premte, datë 26 dhetor 1947, ora 3 mbas dreke u formua trupi gjykues si vijon:

Kryetar: Kap. I-re Misto Bllaçi,

Antarë: Toger Bastri Beqiri, dhe N/Toger Anastas Koroveshi.

 

Duke qenë gati Prokurori Ushtarak Kap. Namik Qemali, dhe Sekretari Tish Tukja:

U pyet i pandehuri At Çiprian Nika dhe tha: ... Jam dërgue nga Provinçiali me krye studimet e Larta, dhe jo nga kush tjetër... kam pasë shok At Frano Kirin... Austria e mori në dore çështjen e Klerit Katolik që të mos merrej nëpër kambë... interresat e tyne nuk i dij. Me Sheuqet Verlacin kam pasë lidhje zyrtare ... Nuk e dij a kje ma e mirë koha e regjimit të Zogut a sot ... Mue nuk mu ndalue me marrë frymë, por mu ndaluen burimet e jetesës, p.sh. tokat e kuvendeve na i mori Pushteti i sotëm dhe shkollat i mbylli. Tokat i mori qeveria dhe nuk dij kujt ia dha... Enciklika e Papës flet për komunizmin në Rusi dhe Meksikë, në Rusi kishte Fé dhe besim, dhe nuk mundet me kenë që të gjithë janë komunista ateista. Edhe na Françeskanët jemi komunista. Na kemi jetue me pak ndryshim nga fshatarët, atje ku shërbenim. .... me Enciklikë doli në shesh doktrina komuniste, që asht kundër doktrinës së Krishtenë... këtë e kam pa ndër disa revista që keni botue ju, si dhe në radio “Shkodra”, që asht vue në tallje Kristjanizmi... Kishat nuk janë prishë akoma, por janë mbyllë shkollat e shoqnitë fetare, ku asht edukue rinija me parimet e fesë, dhe jo me politikë... Lufta për zhdukjen e komunizmit mue më pëlqeu, por mund të zhdukej edhe me paqe. Lufta kundër okupatorit na shkatrroi ma shume ne, u dogjën fshatra e lagje qytetesh dhe u vranë shumë njerëz, kjo nuk më pëlqej, mbasi mund të bahej me kombinacione politike. Rrënimet i kjava me lot gjaku.... Padër Antoni u dënue, por nuk dij se pse u tha, se punoi kundër popullit... Unë kam kenë profesor dhe nuk dij se asht predikue për fashizmin, as prej meje as prej shokve... Nuk kemi punue për ardhjen e fashizmit në Shqipni... Na i kemi marrë ndihmat se nuk kishim me se të jetonim dhe të mbanim shkollat.... Në kohën e okupatorit kam shkue në Kosovë me fratel Gjonin, tek At Bernard Llupi, me marrë ushqime për xhakoj, ndërsa në Logutenencë shkonte At Rrok Gurashi, ai asht dhelpën e madhe... shumë gjana që i bante ky, i nxirte në skenë me anë të At Palajt... Demokristjanen nuk e kam formue unë, mbasi nuk jam marrë me politikë, atë e ndigjova në radio kur u ba gjyqi, por as nuk e mora vesht kush e kishte krijue. Kur u ba çlirimi i Shqipnisë nuk e dij... se nuk më erdhi mirë që u ba nga partizanët, kur u çlirue nga okupatorët italian e prita mirë. Nuk më ka pëlqye Partia, më pëlqenin Nacional-Çlirimtarët, Balli dhe Legaliteti... sistemi i qeverimit asht kundër parimeve të mija... Më ka pëlqye që të drejtonin në Pushtet klasat që kanë studjue, mbasi fshatarët shumica janë pa shkollë... Në Tiranë ishte Imzot Gjini, për me shkue në qeveri, por nuk dij se ka shkue ndër legata të hueja... Padër Mati Prennushi në atë kohë ishte Provinçial, por ky nuk më spjegoi se çka kanë shtrue kur kanë shkue në Tiranë... Nuk dij gja për Demokristjanen, kur asht ba sulmi prej Postribes nuk kishe dijeni dhe as nuk kam bashkëpunue me njeri... Nuk kam mësheh asnjë armë në kuvend... Në Elterët e shenjtë nuk dij se u gjet gja, tash kujtohem se u gjetën do libra, por nuk dij se u gjetën armë... Nuk kam sabotue zgjedhjet e 2 dhetorit... Për votime kam shkue në Troshan. Në votime nuk dola fare. Këto nuk ishin të lira, se nuk doli asnjë parti opozitare. Na kujtuem se nuk kishte arkë boshe, se, po ta kishe dijtë se ka, do të kishe shkue për ta hjedhë votën kundër. Të gjithë bashkë me At Mati Prennushin, s’kena dalë fare ndër votime... Nuk kam pasë lidhje me të arratisun... At Antonit i kam çue dy herë ushqime me një grue, se mi kërkoi si shok, dhe nuk e njof si trathtar... përhapjen e komunizmit në Shqipni e konsideroj ateiste, prandej jam kenë dhe jam kundër tij. Si konseguencë fatale kam konsiderue mohimin e egzistencës së Zotit. Nga ky kam mendue dhe mendoj, se mohohen të gjithë ligjet morale, si ndera, dashtnija, drejtësia etj. dhe si përfundim kam nxjerrë me vehten time, se me përhapjen e komunizmit ateist do të shkatrrohet shoqnia njerzore... Direktivat janë dhanë me anë të librave të teologjisë dhe filozofisë... Qëndrimi i ynë kundrejt komunizmit ateist asht qenë armiqësor... Unë kam dishrue që në luftën e gjermanëve me Bashkimin Sovjetik, të fitonin forcat gjermane, dhe nuk dishroja që ushtria e kuqe të përhapej në Prendim, mbasi me përhapjen e komunizmit rus ndihet edhe rreziku serb. Fitoria e Gjermanisë ishte në favor të Shqipnisë... Xhakonin Ndoc Vasili e qita jashtë, pse nuk kishte sjellje të mira, nuk e qita pse ishte lidhë me qeveri, se nuk kishëm frikë nga ky se merresh vesht me qeveri, por, ky merresh vesht vetëm me të huej, pse, edhe shqiptarët kishin gjithfarë ngjyrash që nuk na pëlqenin né... Dëshira e eme dhe e shokëve të mij ka kenë me e shue farën e komunizmit në Shqipni.” (Dosja 1248).

Në dosje asht edhe mbrojtja e avokat Dr. Emid Tedeschinit, që ban mbas dhanjes së pretencës së prokurorit, ndër të paktat raste që kam mujt me pa. Dokumentet e At Pal Dodës, vendimet e Tiranës, dhe fjalën e fundit te At Çiprianit, para pushkatimit, nuk kam pasë mundësi me i pa.

Avokat Dr. E. Tedeschini shkruen: “I pandehuni Patër Çiprian Nika, mbi pyetjet e Jueja ka shfaqë haptazi se shka ka mendue, shka ka dishrue dhe shka ka veprue.

Mendimet e tija, ai i ka shfaqë sinçerisht dhe ky sinçeritet rreth idenave të tija më duket nji provë e fortë me i besue edhe deponimeve të tija, që i referohen veprave. Këtu, zotni Gjyqtar, nga pikëpamja ligjore na intereson vetëm vepra konkrete dhe, jo, idenat abstrakte që ai ka. Këto idena na interesojnë vetëm e vetëm për me zbulue shkakun e veprave.

Deponimet e tija para gjyqit janë përgjithësisht konform me proçes-verbalin hetimor, kështu, që, për dhanjen e gjykimit mund të mbështetemi vetëm mbi atë proçes dhe mbi ato deponime dhe, mbi mënyrën e shfaqjes së tyne para gjyqit...”(Dosja 1248, po aty).

Fjala e fundit në gjyq ishte: “Lutem, të merrni parasyshë mbrojtjen e avokatit që më ka caktue gjykata”.

Me datën 28 dhetor 1947, Trupi Gjykues dha vendimin:

1. At Çiprian Nika nga Shkodra, me vdekje me pushkatim.

2. At Pal Dodaj nga Janjeva, Jugosllavi, me privim lirije për jetë.

Sekretari: T. Tukja, Antarë. B. Beqiri, A. Koroveshi dhe Kryetari Misto Bllaci, d.v. (Firmat)

 

AT ÇIPRIAN NIKA u pushkatue më 11 mars 1948, në orën 5 të mëngjezit, në Zallin e Kirit, në Shkodër, bashkë me vëllaznit e shokët e gjithë jetës...

 

AT DONAT KURTI O.F.M.

 

 

Ka lé në Shkodër më 3 shtator 1903. Në vitin 1937 nga Universiteti “San’Antonio” i Romës, i jepet titulli “Doktor i Shkencave”. Asht i njoftun ndër françeskanët ma të ditun dhe rreshtohet ndër shkenctarët që kanë dalë prej asaj vatre të pashterreshme të kulturës sone shqiptare. Themelet e vueme prej At Gjeçovit u ngritën nalt nga At Donat Kurti, At Bernardin Palaj, At Benedikt Dema etj. me veprat e mëdha që i lanë trashigim Atdheut, tue i përjetësue ato, në “Visaret e Kombit”.

Prof. Dr. Norbert Jokli e cilëson At Donat Kurtin: “Një ndër prozatorët ma të mëdhaj shqiptarë”.

Në vitin 1946, At Donat Kurti asht drejtor i Gjimnazit të Fretënve “Illyricum” të Shkodrës. Asht drejtor i atij Gjimnazi, që asht cilësue vatra prej ku, përhapeshin shkëndijat e atij atdhetarizmi dhe, të asaj kulture shqiptare, mbi të cilat u ndërtue përjetësisht binomi “Fé e Atdhé”.

Prof. Simon Pepa, shkruen: “Dhe tani, në 55 vjetorin e botimit të “Iliadës” shqiptare të gjithë ata që e mblodhën dhe e botuan nuk janë më. Edhe Kuvendi Françeskan ku punuan, është këthyer në gërmadhë.”(Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare. 1944-1990. fq. 30).

Asht pragu i ngjarjeve të zeza që dukej se po vinin. At Donati, shkon në Tiranë, aty nga gjysma e tetorit të vitit 1946, për me takue Nako Spiron, me bisedue në lidhje me problemet financiare të shkollës. Jo vetëm që nuk takohet me té, por, edhe mërrinë me kuptue se jo vetëm shkollës, por edhe mësuesve po u vinte fundi. Me të ardhun në Shkodër, At Donati, kryen aktin burrnor, tue thye vulën e ftohët të shkollës, për mos me u ra në dorë komunistëve, kështu, që, i pret mundësinë me falsifikue dokumenta të atij Gjimnazi. Dhe, nuk asht larg 11 nandori 1946, kur, merr fund shkolla, kuvendi, muzeu, fretnit dhe Kisha, vendi ku Sigurimi komunist fute armët dhe, akuzon Fretnit për këtë akt të ultë që u krye në Kishën Katolike Shqiptare, në të gdhimë të datës 17 nandor 1946, nga vetë ata. Me datën 12 nandor, asht ndër të parët që arrestohet At Donat Kurti, me akuzën e formimit të Partisë Demokristjane, të futjes së armëve në Kishë, edukator i rinisë me frymën fashiste, një ndër bashkëpuntorët e “Hyllit te Dritës”, që ka lavdëruar fashizmin etj. Akuzat e rreshtojnë ndër ata klerikë që nuk pritej prej askujt shpëtimi i kokës së tij. Ai ishte i sëmurë me një ulçëra kronike, nga e cila ka vuejt gjithë jetën. Ndoshta, gjendja shëndetësore e randë në birucat e Sigurimit, u ka krijue përshtypjen xhelatëve se “nuk e ka të gjatë”, prandej, po e lamë të vdesin ndër burgjet e mnershme që ka vuejt dënimin e përjetëshëm, mbas pretencës së prokurorit që kërkoi pushkatimin e tij.

Hetohet nga kriminelët Nesti Kopali, Zoi Shkurti, Qako Prokopi, Hysni Ndoja etj. Qëndron kokfortë, ashtusi kishte edhe natyrën e tij para armiqve, nuk thehet as nga frika, as nga torturat, por asht ballhapët dhe trim para të gjithë presioneve. Asht i vetëdijshëm se e pret plumbi.

At Donat Kurti deklaron para Trupit Gjykues, i përbamë nga: Kryetar, Misto Bllaci, antarë, P. Alizoti, A. Koroveshi dhe prokuror, Namik Qemali: “Nuk kam punue për fashizmin asnjëherë... tek Hausdingu kemi shkue me At Mati Prennushin për me kërkue lirimin e kuvendit që na kishte zanë ushtria gjermane... herët tjera At Matia ka shkue vetëm tek gjermanët, mbasi dinte vetë gjermanishten e merresh vesht direkt.... Me zbritjen e partizanëve në Shkodër, kemi mbajtë qëndrim të ftoftë për 4-5 muej, mbas vendosjes së Pushtetit, unë për vehten teme e kam kuptue se ky Pushtet ishte komunist dhe, se, po bahej rrezik për Fenë... Monsinjor Gjini, me t’u emnuem Delegat vitin e kaluem, i ka drejtue një memorandum delegatit françeskan, ku kërkohej të respektohen të drejtat e katolikëve nga qeveria, mbasi ato të drejta që i takojnë po shkeleshin çdo ditë... Për armët në Kishë nuk dij gja... Me rastin e 2 dhetorit 1945, unë kam dalë për votime, por, votën e kam hjellë në arkën boshe. Natyrisht, këtë e kam ba si kundërshtar i rregjimit komunist... një mikroskop, një aparat fotografik, 20 filma, një makinë shkrimi, një gramafon, dhe një arkë me libra e dorëshkrime i kam mëshef në një odë, e cila asht nalt pa shkallë, dhe, po të mos të të çojë kush, nuk e gjenë dot... Për né, e quej ma të rrezikëshëm qenjen e këtij Pushteti këtu, se sa okupacionin italian e gjerman... Letrën e Padër Gjon Shllakut me pseudonim “Forca Atomike”, e kam ruejt për dokument, mbasi ajo tregon qëndrimin e Padër Gjon Shllakut, në burg.... Nuk e ndiej vedin fajtor...”(Dosja 1303, Arkivi M.M.Tiranë)

Kështu edhe At Donati, me këtë grup, ku, bante pjesë Don Anton Muzaj, Don Mark Hasi, Viktor Kujxhija, etj. ku, spikatë qëndrimi i Anës Daja dhe Liza Palit para prokurorit katil Aranit Çela, një ditë para gjyqit, e vazhdon skenarin e filmit jugosllav “Dosja 1302/2-A”, dhe kjo asht e kuptueshme edhe nga vazhdimi i numrit “Dosja 1303 At Donat Kurti...”.

Ai edhe pse ishte në burg, vazhdoi punën shkencore, nga e cila e ndau vetëm vdekja. Atje ai njihej me të burgosun të krahinave të ndryshme të Shqipnisë, dhe mblidhte fraza gjuhësore që përdornin ndër ato krahina. I shkruante ndër fletore dhe pregatiste “Fjalorin Frazeologjik të Gjuhës Shqipe”. Ky fjalor kishte 45000 (katërdhet e pesëmijë) fraza. Asht kenë i shkruem në dy kopje me dorë, një për Universitetin, dhe një do ta merrte me vedi kur të lirohej. Kjo punë nuk ishte ilegale, mbasi dihej edhe nga komanda e burgut të Burrelit. Ditën që asht lirue, komandanti i burgut ia ka mbajtë në zyrën e tij edhe kopjen që kishte të veten At Donati, tue i thanë: “Me që janë shumë fletore dhe nuk i lexojmë dot tani, këto do ti merrni pasi të kontrollohen nga ana e jonë. Do të ua dërgojmë në Degën e Punëve të Mbrendshme të Shkodrës, nuk ua humbim, por, është një formalitet që do të bëhet, mbasi kështu kemi urdhër nga lart.” Këto fjalë mi ka tregue vetë At Donati, kur ishte për drekë në shtëpinë tonë, më 13 qershor 1964, ditën e Shna Ndout, bashkë me Don Mark Hasin, Prof. Gaspër Ugashin, Prof. Petro Fundon etj. Atë ditë ai erdhi ma vonë se të tjerët. Kur hyni mbrend na kërkoi të falun për vonesën. Mbasi u ul në krye të vendit në sofër, tregoi sesi, e kishte pritë tek dera e Kuvendit Jup Kastrati, të cilin deri atë ditë nuk e njihte fare, as për fëtyrë... Ndërsa, Dh. Shuteriqi, Sh. Demiraj etj. që kanë pasë në dorë fjalorin e tij, nuk dij në se e kanë takue ndonjëherë, mbasi për vite të tana ata kanë vjelë frutin e punës së tij.

At Donati, ishte njoftue nga një fratel i kuvendit se pritej nga Jupi dhe, i kishte nxjerrë fjalë se nuk mund të takohemi, se, sot jam i zanë, por, Jupi, kishte vazhdue me qëndrue, tue zanë rrugën e kalimit. Jupi, aty, i dinte mirë skutat, mbasi gati ka kenë ba edhe ky “fratel” dikur. At Donati, për mos me na lanë me pritë né në sofër, kishte dalë dhe, ka gjetë Jupin aty. Jupi, me servilizmin e tij karakteristik, me kokë të përulun, dhe tue fërkue duert me zgërdhimjen e tij hipokrite, i kishte dalë pak përpara At Donatit, tue i tregue emnin. Me që, At Donati ishte tue dalë e nuk kishte mundësi me e pritë, Jupi i kishte kërkue një takim në një ditë tjetër, kur të kishte kohë të lirë ky. At Donati, me natyrën e tij autoritare, si para një nxanësi rrugaç, i kishte përgjigjë: “Sot ke ardhë dhe të fola, për mue këtu mos u duk ma, mbasi nuk due me të takue. E dij mirë kush jé, ke marrë çka ke marrë nga At Justin Rrota, ajo asht kenë puna e tij. Tek unë nuk merr gja, prandej, mos u duk ma në këtë Kuvend, se ia ke pa hajrin boll këtij vendi!” dhe, kishte kalue pa i dhanë edhe dorën... Nuk dij në se Jupi e ka shkrue këtë takim në kujtimet e tija!... Por, unë atë ditë kam pij me gëzim të madh, kur ndigjova nga goja e At Donatit, përgjigjen që i kishte dhanë kusarit të Fretënve.

At Donat Kurti bani ma shumë se 17 vjet burg dhe u kthye në vendlindje, tue u mbledhë në sofrën e të vobegtëve të Asizit, që kishin mbetë në Kuvendin e Arrës së Madhe. Aty nuk shkoi gjatë, mbasi 1967-ta e shkatrroi edhe “këtë qendër me themel”, por, këtë herë jo nga ruset, po me porosi nga kinezët.

Populli i Shkodrës, nuk e pau asnjëherë që nga viti 1946 tue thanë meshë, ose me ndigjue fjalën e tij në ndonjë predikatore, mbasi ai nuk ishte dakord asnjëherë me Statutin e Kishës së vitit 1951. Këtë Statut ai e kishte kundërshtue që në Burrel, por, edhe mbasi doli nga burgu, ai nuk u pajtue me qëndrimin e klerit “të lirë” në atë kohë. At Donati, nuk ishte i vetëm në këtë qëndrim, me té ishte At Meshkalla, At Gjolaj, Don Mazrreku, Don Pashko Muzhani etj. Mos aktivizimi legal i tyne ishte fatkeqësi kryesisht per edukimin e rinise.

 

Koha bani të veten.

At Donat Kurti, njëditë u gjet në një barakë me llamarina, pa kurrgja mbas shpirtit, vetëm me pak libra, mbasi pjesën ma të madhe i kishte të mëshefun, si shumë shokë të tij, me një dyshek për vedi e një për motrën, murgeshën e nderueme .... të spitalit të Tiranës, e cila nuk e la vetëm deri atëditë, më 10 nandor 1983, që u bashkue me shokët e vet, eshtnat e të cilëve i kishte nën brinjë.

At Donat Kurti O.F.M. ruejti me dinjitet deri në vdekje të gjitha cilësitë që i përkisnin Urdhnit të tij, tue jetue fukara, tue vuajt me fukara, tue punue me edukue fukaratë dhe tue vdekë si fukara, i nderuem prej fukarave të mbarë Shqipnisë, të cilëve, në këtë jetë të mjerueme, u la trashigim një thesar shumë të çmueshëm, nga mendja e Tij te ndritun: “VISARET E KOMBIT”.

 

Fund



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora