E enjte, 28.03.2024, 08:03 PM (GMT)

Mendime

Fahri Dahri: Vështrime ekonomike (1)

E shtune, 29.05.2021, 05:55 PM


VËSHTRIME EKONOMIKE

Nga Fahri Dahri

Pjesa I

a).- Akumulimi fillestar informal, krijoi polarizimin ekonomik, pasurimin e disave dhe mjerimin e shumicës së popullsisë në Shqipëri.

Me dt. 13 maj 2019, “Në kuadër të prioriteteve të tematikave për vitin 2019, Seksioni i Shkencave Natyrore e Teknike të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”, zhvilloi forumin shkencor me temë: “Ndikimi i politikave fiskale në zhvillimin ekonomik e financiar të Shqipërisë”.

Në këtë forum shkencor referuan dhe diskutuan pjesëmarrës të përzgjedhur nga fusha akademike, biznesi dhe palë të intersuara. Nuk do të ndalem në referimet dhe diskutimet e kryera, të cilat ishin të një niveli sa shkencor dhe kohor, por do të parashtroj disa mendime brenda temës së këtij forumi, lidhur me disa fenomene shqetësuese të shoqërisë sonë.

Me kalimin nga sistemi ekonomik “Prona shoqërore mbi mjetet e prodhimit”, në “Prona private mbi mjetet e prodhimit”, jo vetëm shoqëria në tërësi, por dhe vetë institucionet përbërëse të shtetit Shqiptar, hasin në vështirësi të mëdha konceptuale, si rrjedhojë përballemi qartazi me mos funksionimin si duhet të sistemit ekonomik të tregut të lirë, duke e futur aktivitetin ekonomik në një spirale jo të përshtatshme. Është ky mos konceptim që rëndom vazhdon edhe sot, ku gjithçka i kërkohet të plotësohet nga shteti (qeveritë). Këto raste, kur ekonomia përfshihet në qorrsokaqe, duam nuk duam rrugëdalja nuk mund të arrihet pa ndërhyrjen e faktorit shtet.

Ekonomia e tregut të lirë është ekonomi ku ndërvepron ligi i kërkesës dhe ofertës, si e tillë qeveria nuk duhet të ndërhyjë në ekonomi, por në praktikën tonë, për shumllojshmërinë e kushteve, sidomos ndërgjegjësimi dhe koshienca për të zhvilluar një sistem të tillë ekonomie, me “pronarë që rendin mbas sigurimit të shpejtë të pasurimit”, nuk është arritur të gjejë zbatim të plotë, me rezerva mund të shprehemi se kjo ndodh në raste të rralla, mbasi tregjet tek ne nuk mund të lihen pa ndërhyrjen rregulluese të shtetit. Në këtë kuptim përdorimin e termit "ekonomi e tregut të lirë", vazhdojmë ta trajtojmë sipas konceptimit të vjetër, që ndërhyrjen e shtetit e quajmë të mirëqenë dhe parësore.

Sigurisht Shteti, në çdo situatë patjetër ka rol të rëndësishëm, shpesh herë edhe parësor në aktivitetin ekonomik, por detyra themelore e tij, në rastin tonë, në raport me ekonominë, është krijimi, mbarëvajtja dhe kontrolli i funksionimit të rregullt dhe të plotë të platformave ligjore dhe institucionale, me të cilat bëhet i mundur zhvillimi i aktiviteteve ekonomike.

I.-Toka-baza e zhvillimit të jetës

Shtresa, sipërfaqja e sipërme e Planetit të Tokës, është baza mbi të cilën zhvillohet jeta, për gjithë gjallesat, është trup i gjallë, gjithmonë në proces ndryshimi, formimi dhe shkatërrimi. Ajo është përbërësja esenciale, qendrore për të gjitha ekosistemet tokësore. Toka është kapitali bazë, ku ushtrohen veprimtaritë e jetës njerëzore. Të vepruarit me kapitalin në “Tokë” sigurohet mbarëjetesa e gjallesave. Kapitali është vlera materiale në duar të pronarëve-kapitalistëve, të cilët blejnë në treg fuqinë punëtore dhe nëpërmjet kontratave të punës, përcaktohen koha, proceset e punës, pagat dhe shtesat mbi pagat. Kapitalistët me kapitalet e tyre dhe fuqinë punëtore, realizojnë të ardhura. Mbasi zëvendësohen shpenzimet e kryera, të cilat përbëhen nga kapitali i qendrueshëm dhe kapitali i ndryshueshëm, pjesa që mbetet është fitimi.

Fitimet që rezultojnë nga çdo veprimtari prodhimi apo shërbimi, zakonisht krijohen në momentin kur mallrat apo shërbimet dalin në treg dhe shiten. Fitimi - qëllimi kryesor i çdo biznesi - rezulton si diferencë mes kostove (shpenzimeve) dhe të ardhurave të realizuara. Fitimi në vetvete përcaktohet nga dy koncepte të ndryshme: Vlera e shtuar dhe fitimi netto. Vlera e shtuar është shuma e parave të mbetura pasi zbriten kostot direkte (shpenzimet direkte materiale), nga të ardhurat nga shitja. Vlera e shtuar është e barabartë me të ardhurat nga shitja minus shpenzimet direkte. Fitimi bruto përfitohet nga të ardhurat e realizuara nga shitja duke zbritur shpenzimet direkte dhe indirekte; ndërsa fitimi netto është rezultati që merret duke zbritur nga fitimi bruto - tatim fitimin.

Kostot përfshijnë të gjitha shpenzimnet e bëra nga një shoqëri apo firmë me qëllim që të nxirren të ardhura. Shpenzimet ndahen në dy kategori, shpenzime direkte dhe shpenzime indirekte. Kosto direkte, ose shpenzimet direkte janë shpenzimet materiale si dhe shpenzimet e punës direkte. Në kostot indirekte, ose shpenzimet indirekte përfshihet kostoja e materialeve që nuk formojnë produktin përfundimtar, por përdoren gjatë procesit të prodhimit, karburant lubrifikantet, pagat indirekte të punonjësve që kryejnë detyra kontrolluse, si për cilësinë, standartet, punonjësit e transportit etj.

Kapitali themelor për çdo veprimtari përbëhet nga pasuria fillestare, vlera e të cilave shprehet në para. Kapitali themelor i investuar në aktivitete të ndryshme, shoqërohet me kapitalin industrial, pasuria e investuar (mjetet e prodhimit dhe vlerat materiale). Me përfundimin e kapitalit industrial, sigurohet Kapitali monopolist, i cili shpreh vlerat materiale të fituara për marrjen e monopolit në degë apo sisteme të ndryshme ekonomike.

Kapitalistët, biznesmenët, përballen edhe me pasojat e Kapitalit të vdekur, pjesa e pasurisë në materialeve të mbetura stoqe ose me qarkullim të ngadalshëm që nuk futen në proceset e prodhimit. Eksportimi i kapitalit realizohet përmes veçimit, tërheqjes së vlerave materiale nga një model, apo sistem ekonomik në një model tjetër.

Deri këtu u njohëm me:

- akumulimin fillestar që disponon pronari, të cilin e investon në një aktivitet të caktuar;

- kapitalin industrial, pasuria e investuar dhe,

- fuqinë punëtore me kontratë pune.

Elementet materiale përfaqësojnë kapitalin e qendrueshëm dhe fuqia punëtore përbën kapitalin Variabël, të ndryshueshëm (C+V). Të dy së bashku japin kapitalin monopolist, ndryshe quhen vlera materiale të përfituara në fund të procesit. Në një fazë të caktuar të procesit të prodhimit, realizohet shndërrimi në kapital i parave të hedhura.

Nga një vështrim i përgjithshëm, duken si lojë fjalësh kur trajtohet qarkullimi i mallrave, sipas formulës (M-P-M) (mall-para-mall). Në rastin e (M-P-M) kuptohet që shitja e një malli bëhet për të blerë një mall tjetër; ndërsa tek formula e përgjithshme e kapitalit (P-M-P) (para-mall-para), kuptohet që blerja e një malli bëhet me qëllim për tu shitur, po kështu dihet që dalja në treg për të shitur ka si objektiv fitimin.

Vlera e shtuar, e cila fitohet me çmimin e shitjes, quhet “mbivlerë”, e cila e shndërron paranë në kapital. Dallimi mes shtijes së mallit për të blerë një mall tjetër qëndron në atë se, nga qarkullimi i mallrave nuk sigurohet mbivlerë, por vetëm shkëmbim mallrash (jep mall dhe merr mall) prej të cilave nuk krijohet ndonjë përfitim apo rritje çmimi; tek blerja e mallrave për të shitur (shet mall dhe merr para), reralizohet vlera e shtuar nëpërmjet çmimit.

Mbasi u njohëm me dallimin mes dy formulave, konkludohet se me formulën (M-P-M) sigurohet kapitali i qendrueshëm, i cili studiohet dhe përdoret nga kapitalisti (pronari, kompania) pët tu gërshetuar me formulën e dytë (P-M-P), ku në këtë formulë (M)-ja perfaqëson formulën (M-P-M), e cila blihet me para, hidhet në procesin e prodhimit, por do ishte e pa realizuar nëse nuk do i shtohet procesit të prodhimit, fuqia punëtore me të cilën plotësohet cikli i realizimit të produktit të gatshëm për të dalë në treg. Tek (M-P-M) nuk kemi vlerë të shtuar nga këmbimi, pasi vlera e shtuar realizohet tek shitja e mallit, e përfshirë në çmimin e produktit që shitet.

Kështu lind domosdoshmëria e pjesëmarrjes së kapitali kostant C me kapitalin e paqendrueshëm (fuqia punetore) (V). Pronari, kompania apo bisnesmeni, për realizimin e mbivlerës bazohet tek shpenzimet e punës, e cila duke u përdorur në procesin e prodhimit siguron shtesë vlere. Arritja në fazën e përfundimit të kontributit nga mpleksja e elementeve materiale (jo frymorë) me fuqinë punëtore (frymorë), sigurohen të ardhurat. Nga mos shpërndarja e fitimit ndërmjet pjesmarrësave në zhvillimin e aktiviteteve prodhuese ose të shërbimit, kriojhet pabarazia e theksuar mes akumuluesit fillestar me fuqinë punëtore të kualifikuar ose jo.

Me familjarizimin e këtyre marrëdhënieve na jepet mundësia për të qenë të qartë se të ardhurat e akumuluara, mbas zëvendësimit të akumulimit fillestar dhe shpenzimeve tërësore në procesin e prodhimit, që shprehen në normë fitimi, lindin diferencat mes pronarit, kompanive, biznesmenit dhe fuqisë punëtore.

Sipas ligjeve aktuale, zotëruesi i kapitalit përvehtëson fitimin netto në masën 100%. Kjo rishpërndarje krijon disnivelet pasurore mes pronarit dhe fuqisë punëtorëve. Pronari priret drejt rritjes së vazhdueshme të normës së fitimit me të cilën shton pasurinë; ndërsa shpenzimet e punës, fuqia punëtore mbetet po thuaj e pandryshuar.

Statusi ekonomik, mes pronarit dhe punëtorëve apo nëpunësve me mëditje, krijon raporte të zhdrejta. Pronarët rrisin fitimet dhe kapitalet (pasuritë) e tyre në mënyrë progresive; ndërsa punonjësit me mëditje, më e shumta mund të përfitojnë thjeshtë ndonjë rritje të vogël në pagat e punës. Rishpërndarja e padrejtë e të ardhurave krijon polarizim të theksuar ekonomik dhe grumbullim të pasurive në pak duar, të cilët jo gjithmonë pasurinë e grumbulluar e përdorin për të kryer investime të mëtejshme, si rrjedhojë lindin pengesa serioze në zhvillimet ekonomike si brenda dhe jashtë vendit, shtohet papunësia, shtrihet varfëria, një pjesë e parave të siguruara mbeten të pavëna në qarkullim. Për tu kuptuar i drejtohemi disa të dhënave të marrë nga shtypi:

Edhe për të pasurit, pasuria e vërtetë është e paarritshme, askush nuk mendon se e ka arritur pasurinë e menduar. Në referim të shifrave botuar në gazetën “Dita” të datës 5 maj 2018, rezulton se 5% e amerikanëve janë milionerë. Prej këtyre, rreth 95% kanë nga 1 deri në 5 milionë dollarë. Megjithatë këta super miliarderë, mendojnë se nuk e ndjejnë veten të pasur.

Shumë njerëz kujtojnë se nëse përballojnë mbulimin e pjesës së pronave dhe shërbimet, gjithë shpenzimet e domosdoshme, dëshirat për të shijuar një jetë luksi si dhe të mbeten, ose tu teprojnë edhe shumë para gjendje, prej të cilave të sigurojnë për çdo fëmije një shumë parash, përafërsisht 25 milionë dollarë trashëgimi, atëhere me këto arritje sigurohet të qenurit të pasur.

Po kështu, sipas disa analistëve nga “US Trust”, për të qenë i pasur, kanë parashikuar se një çifti do ti duhet të ketë një pasuri prej të paktën 100 deri 190 milionë dollarësh, të siguruojnë një jetë lluksoze dhe të quhen të pasur. Madje “qindëshen” si kufi e quajnë “hundy” (‘hundred’), në të folurit e zakonshme thuhet: “Tani e kapën veten. E bënë një Hundy”. Këto shifra ilustrojnë disi të qenurit të pasur ose “pasanikë”. Të gjithë njerëzit e dinë përdorimin e shprehjes: “I pasuri nuk ngopet kurrë me pasuri”. Këto koncepte, trajtohen nga 5 përqindshi i popullsisë; ndaj të cilëve duhet të vendosen rregulla ligjore për të bërë të mundur ekuilibrin, ose përmirësimin e niveleve të jetesës mes tyre dhe pjesës së madhe të popullsisë.

Ekspert ekonomie Fahri Dahri

29 Maj 2021.-

Vijon:



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora