E enjte, 25.04.2024, 09:26 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Bedri Islami: “Përjetësia e dyfishtë“, Fehmiu dhe Xheva - një jetë e jashtëzakonshme (V)

E hene, 01.12.2008, 02:25 PM


"Dasmën do ta bëjmë me flamur dhe flamurin nuk e japim". Fehmi Lladrovci, 2 shtator 1990, Shkabaj

 

Kishte ndodhë në ato ditë që disa dasma ishin prishë. Rrugës për në Pejë, dasmorëve u kishte dalë përpara policia serbe, u  kishte marrë flamurin dhe i kishin futë ta shkelnin atë. Disa e kishin bërë, të tjerët, që nuk kishin pranuar, ishin  rrahur. Çfarë do të bëhej në këtë dasmë? Nuk kishte asnjë dilemë.

 

Tregimin e dasmës me flamur e kam dëgjuar të njëjtë deri në imtësi, nga shumë shokë të Fehmiut. E kam dëgjuar nga Nuhi  Ahmeti, Ramadan Avdiu, Abdulla Dërguti, Idriz Hyseni, Fatmir Istogu, nga baca Tush, nga shumë prej atyre që kanë qenë në  këtë dasmë. Unë do të sjell vetëm njërin prej tyre:

 

Rrëfimi i njërit prej pjesëtarëve të shtëpisë Lladrovci:

 

"Vendosëm me shkue në dasëm me flamur kombëtar, flamurin e shtetit amë, sepse Azemi Vllasi e kishte ndërruar flamurin në  vitin 1987, i kishte vënë yllin e Serbisë. U vendos familjarisht. Feha foli me dasmorët: "Ne do të shkojmë në dasëm me  Flamur Kombëtar. Askush të mos e ketë ndryshe në mendje. Nuk do të shkojmë me flamur të ndryshuar, do të shkojmë me flamur  kombëtar dhe flamurin do e mbrojmë. Nuk do e japim për të gjallë. Do të shkojmë të armatosur, kush është i gatshëm le të  vijë, kush është me dy mendje të mos vijë. Sepse sot do të japim edhe jetën e flamurin nuk e japim.

 

Shumica ishin të një mendjeje. Meqenëse kishte të paarmatosur, nga disa u tha se nuk kemi armë, por Feha i qetësoi se e  rregullojmë atë punë. Adem Jashari, si shok i Ramizit dhe i organizuar, ka qenë i ftuar në dasmë, mirëpo kishte pasë një  dasmë në lagjen e tij dhe nuk kishte ardhë. Biseduam me Fehmiun dhe ramë dakord që të shkohej dhe të bisedohej me Adem  Jasharin. Pse pikërisht tek Ademi? Sepse ishte shok i vendosur, kishte armë, ishte i besueshëm, e donte flamurin dhe nuk  kishte burrë t’ia hiqte.

 

Ramizi, së bashku me Fatmir Istogun, shkuan tek Ademi dhe biseduan me të. Ademi tha se "Jam i gatshëm, edhe pse kam dasmë  në familje, do t’i lë të gjitha e do të vij me ju. Veç prisni pesë minuta, sa t'i marr armët dhe municionin". Ishte e diel  paradite.

 

Ademi mori armët. Kishte një automatik, revole pesëmbëdhjetëshe, bomba dhe municion. Bashkë me të ka ardhë dhe Jakup Nura.  Më përpara, Ramizi dhe Fatmiri ishin ndalë tek Jakup Nura në Prellovc. Jakupi ishte po ashtu dakord, ka marrë automatikun  dhe revolen. Jakupi ishte i organizuar në LPK. Kur Ramizi kishte njohur Adem Jasharin, në vitin 1987, Jakupi ishte i  organizuar.

 

Adem Jashari, Jakup Nura dhe shokët e tjerë erdhën në shtëpi. Jemi nisur për dasmë, morëm armët tona dhe të lagjes dhe disa  që i kishte sjellë Shaban Zymberi, mik i yni dhe shok i organizuar në LPK, njeri shumë besnik dhe i devotshëm, dhe filluam  me i shpërnda në fushë, haptas për çdo makinë. Makinat ishin rreshtue dhe bëhej ndarja e armëve. Nuk thoshte kush se nuk e  dua, se ai që nuk e kishte dashur, nuk futej në makinë; dikujt revole, dikujt pushkë, dikujt bomba. Dhëndrri rrinte në  shtëpi, sepse nuk e morëm, ishte mendimi se po krisi, mund të sulmohej shtëpia, Ramizit i lamë një pushkë snajperkë. Prej  familjes shkoi Feha, Meti, baba, Ymeri, Sabiti, të gjithë të armatosur.

 

Kur janë nisë prej shtëpisë, si zakon, kanë qitë me armë. Kur kanë shkuar tek miqtë në Polluzhë, rrugës, nën një lis, ka  qenë një pizgauer dhe një autoblindë. Nuk kanë tentuar me i ndalë, është pa flamuri, ka qenë edhe një polic shqiptar me ta,  njëfarë Arsimi i Prekazit. Duke u treguar flamurin, u ka thënë diçka policëve serbë. Dasmorët kanë pritë fillimin e  zjarrit. Kanë menduar se do t’i ndalojnë për t’ua hequr flamurin. Nuk ka ndodhë. Ka mundësi që të kenë pasë informacione se  njerëzit janë të armatosur.

 

Pas postbllokut të rojeve, as 500 metra, ishte shtëpia e miqve. Aty kanë qitë pushkë, kanë bisedue me miqtë dhe u ka thënë  Feha, se ne kemi vendosë me e mbrojtë flamurin, dhe në rast se na del dikush prej policisë, kemi vendosur të luftojmë.  Miqtë kanë thënë se gjaku dhe flamuri është i përbashkët dhe se do të luftojmë bashkë me ju.

 

Miqtë kanë marrë armët e veta dhe janë nisë me një makinë. U kanë prirë dasmorëve, për të qenë edhe ata gati për luftë. Kur  është bërë "për hajr", para se me u nisë, kanë qëllue ndoshta të gjithë. Si duket nga krismat e armëve aq të shumta,  postblloku kishte ikë dhe nuk dukej.

 

Miqtë janë Rrahman Istogu; vëllai i tij, Ismet Istogu ka qenë i organizuar në LPK.

 

Miqtë i kanë përcjellë deri në hyrje të fshatit.

 

Kur kanë ardhë krushqët në shtëpi, meqë ishim të njohur, Adem Jashari i ka thënë "mixha Tush, a ban nja dy a tri herë me ja  krisë". Baci Tush i ka thënë po, atëherë i ka shprazë dy karikatorë deri në fund, nuk i ka mjaftuar vetëm një. E ka vazhdue  Jakup Nura. Pastaj edhe të tjerët, gjithë vendi është mbushë me krisma. Luftë thue, jo se po martohet një djalë. Është  ngritë katundi në këmbë, kanë menduar se policia u ra Lladrovcëve dhe kanë ardhur burrat me luftue. I kanë pa njerëzit të  qeshur dhe të qetë... dasma kishte filluar.

 

Nuhi Ahmeti:

 

"Në makinën time ka qenë një moment më i veçantë. Është futur aty Adem Jashari, Abdulla Dërguti dhe Jakup Nura. Jakupi  ishte para, Adem Jashari dhe Abdullahu ishin prapa. Kur hinë, e dinim se do të ishin të armatosur. Kishte dy automatikë,  një çantë plot me fishekë, kur i kemi vue prapa, është ulë pak makina. Makina jonë ka qenë e fundit, si në përcjellje të  dasmorëve. Është vendosë të mos dorëzohet flamuri. Thuajse të gjithë kemi qenë të armatosur. Krisën automatikët në dasmë,  miqtë u përgjegjën pushkë për pushkë.

 

Kur u kthyem, kanë marrë armët, municionin, duke e heqë i kanë rënë disa fishekë. Nuk i pashë. Kryem dasmën. Një pjesë e  municionit mbeti tek unë. Kur u kthyem me Dulin (Abdulla Dërguti), nuk e dinim se çfarë kishim. Kur mbërritëm, më mori  Fehmiu në telefon dhe më pyeti si shkuat. Mirë, i them. A kishit problem, pyeti përsëri. Jo, i thashë. A keni pa prapa se  çfarë ka mbetë? Shkova dhe i gjeta. Nuk e kam ditë, deri sa është vrarë Adem Jashari, se e kam pasur në makinë. Kur shkuam  ta shihnim, pasi u kthye Fehmiu, në Abri, me Idriz Hysenin, Shaban Shalën, Hafir Shalën dhe Hilmi Reçicën, tue bisedue ra  fjala tek familja e Ademit. Më tha se ti e ke njohur, se ka qenë në makinën tënde tek dasma e Ramizit. Atëherë më janë  kujtuar fishekët...".

 

"Askush nuk më ndalon dot të flas për UÇK-në". Fehmi Lladrovci, 3 mars 1998, Mynih

 

Le të sjell një shembull nga vitet e mëvonshme. Në fillimin e marsit të vitit 1998, ka qenë dita e tretë e muajit, Lëvizja  Popullore e Kosovës në qytetin e Mynihut, ku asaj kohe dalloheshin shumë aktivistë si Selim Krasniqi, Afrim Emini, Sadete  Zhitia (Emini), Menderez Zogu, Qemal Idrizi, Besnik Mehaj, i cili ishte i vëllai i Naser Idrizit, por kishte gjithashtu  edhe një traditë të hershme familjare atdhetare, Remzi Shala, Vesel Qerkini, Abdyl Hima, Gani Lipe, kishin organizuar një  tubim me bashkëatdhetarët dhe ishim ftuar, së bashku me Fehmiun, për të marrë pjesë. Nga Kosova kishin ardhur lajmet e para  të disa vrasjeve dhe nuk ishte gjendje e qetë.

 

Sapo hyra në sallë, disa minuta më herët, Afrim Emini më tha se aty ishin edhe dy përfaqësues të shtetit gjerman, të  organeve të specializuara të tij, të cilët kërkonin që para se të fillonte tubimi, të bisedonin me ata që do të flisnin.  Shkova. Fehmiu nuk kishte ardhur akoma. Në një tavolinë, në qoshe, rrinin dy nëpunësit dhe përkthyesit e tyre. Biseda ishte  e shkurtër. Sipas informatave që kishin marrë, kishin drojen se pas tubimit ne do të dilnim nëpër rrugët e qytetit, dhe  ashtu si kurdët, do të fillonim thyerjen e dyqaneve, djegiet, ndoshta edhe të makinave e të tjerë. Iu përgjigja shkurt se  kjo as që ishte menduar dhe se nuk kishte ndodhur ndonjëherë, ndaj informatat ishin të gabuara dhe qëllimkëqija. Duam të  besojmë, tha njëri prej tyre, por kërkojmë që në këtë tubim të mos flitet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Një ditë më  parë, një zyrtar i lartë amerikan kishte bërë një përcaktim të shpejtuar dhe thellësisht të gabuar për UÇK-në dhe si duket,  jehona e këtij përcaktimi, kishte shkuar edhe tek organet gjermane. I thashë edhe një herë se ishin informuar gabim dhe se  për kërkesën e tyre do të bënim kujdes, por ishte e pamundur të mos flitej për diçka që ekziston. Sidoqoftë, shtova, UÇK-ja  nuk është cilësuar as ekstremiste dhe as terroriste, prandan nuk mendoj se biseda për të do të nxisë njerëzit. Sidoqoftë,  thënë të drejtën, isha disi i drojtur, në mos për tjetër, por tubimi mund të ndërpritej dhe jehona e kësaj ndërprerjeje do  të merrej nga bashkëatdhetarët si shenjë e dëbimit nga shteti gjerman, ndërsa nga udbashët shqipfolës do të ishte një ditë  feste. Nuk kam dashur kurrë t'i jap "kënaqësi" të tilla, por e mblodha mendjen të isha i kujdesshëm. Salla ishte e mbushur  si asnjëherë. Pak minuta më vonë erdhi Fehmiu dhe i thashë për njerëzit e shërbimeve të posaçme gjermane që janë në sallë  dhe për kërkesën e tyre.

 

Fehmi Lladrovci ishte i pari njeri që më ka thirrur "bacë" dhe ende nuk e di përse. Sidoqoftë më ka pëlqyer kur më ka  thirrur kështu. Më ndërpreu butësisht:

 

"Bacë, ky është problemi më i vogël. Për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës do të flasim sa të mundemi. Flakë do ta bëjmë. Mos  u mërzit".

 

Pastaj shkoi tek dy njerëzit e ardhur nga informacione të rreme dhe diçka foli me ta. E pashë se ishte shumë më shkurt se  biseda ime dhe se të dy të ardhurit u tendosën. Unë fola fillimisht në tubim dhe duhet të them se isha i kujdesshëm. Thënë  të drejtën, ende kisha droje, sepse ndërprerja e tubimit nga autoritetet gjermane, nëse do të ndodhte kështu, ishte shenjë  jo e mirë dhe dikush mund të revoltohej, megjithëse Fehmiu më kishte qetësuar me fjalët e tij. Pas meje foli Fehmiu dhe e  bëri flakë mbledhjen. Nga fjala e parë deri tek e fundit ishte në mbështetje dhe në përkrahje të UÇK-së. "Kush është burrë  dhe që e don Kosovën, sot ka ardhë koha me i diftue të dyja; edhe burrërinë, edhe sa bën ai për Kosovën".

 

Por nuk bëri asnjë thirrje për rebelim, asnjë thirrje për dalje në rrugë apo përmbysje, ishte një fjalë e mençur, pasi  shumë kujdesshëm dhe ndoshta qëllimisht, falenderoi shtetin gjerman dhe parashikoi se një ditë ky shtet që kishte vuajtur  nga fashizmi dhe nazizmi, më shumë se sa shtetet që kishte pushtuar në Luftën e Dytë Botërore, do të jetë i pari që do të  na ndihmojë, se prania e dy përfaqësuesve të shtetit gjerman është shenjë besimi e mbështetjeje e jo shenjë dhune, se duhet  t'i falenderojmë që ky shtet po mban në tokën e tij ndoshta gjysmë milioni shqiptarë, por tashti është koha t'i themi "ju  faleminderit" dhe të kthehemi të luftojmë për vendin tonë, sepse Kosova ka tashmë zot, ka ushtrinë e vet, se kur burrat e  Kosovës luftojnë, nuk na shkon ta çojmë jetën nëpër heimet (strehimoret) gjermane, duke pritur si lëmoshë ndihmën sociale.  Pastaj tha se shqiptar i mirë është ai që dëshmohet i tillë edhe në jetën e përditshme, që e njeh ligjin e shtetit ku jeton  dhe nuk ia nxin, por ia zbardh faqen vendit të tij. Dy përkthyesit i ndiqja tek bënin punën e tyre, por ndiqja gjithashtu  se si po hapeshin fytyrat e vërejtura të nëpunësve të ardhur. Kur ai përfundoi, siç ishte e zakonshme atëherë e do të  vazhdonte edhe më tej, njerëzit kërkuan të bëheshin pyetje.

 

Fehmiu ishte i prerë:

 

- Tash ka ikur koha e pyetjeve dhe e përgjigjeve. Tash ka ardhur koha e burrave. Kush është burrë dhe i thotë vetes se ka  gjak shqiptari, edhe pyetjen, edhe përgjigjen, e bën në Kosovë.

 

Të pasnesermen është nisur për në Kosovë. Atë ditë nuk qëndrova gjatë me Fehmiun. Duhej të nisesha për në Shtutgart dhe  udhëtova me Selim Krasniqin. Kur po ndaheshim, Fehmiu kishte qëndruar në një tavolinë në fund të sallës me disa  bashkatdhetarë dhe po flisnin gjallërisht. I rashë në sup dhe i thashë se po shkoj. "Ndoshta takohemi shpejt", i thashë.  Pak ditë më parë kishim qenë në një takim të përbashkët me Paskal Milon, Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë,  pikërisht aty në Mynih, dhe meqënëse kishin filluar tubimet e pothuajse çdo fundjave me bashkatdhetarët, mendova se do të  takohemi përsëri. Fehmiu u ngrit, diçka u tha shokëve që qëndronin me të dhe erdhi me mua deri tek porta e jashtme. Doli  pak, më dha dorën, tjetrën e vendosi në supin tim dhe si asnjëherë tjetër, më tha:

 

"Atëherë, mirupafshim bacë. Nesër ose pasnesër unë ndoshta nuk jam më këtu. Mos më thuaj gjë dhe mos më pyet për asgjë. Ti  e di se ku mund të shkoj, do të vijë edhe Xheva. Tani nuk ka mbetë gjë tjetër veç kthimit. Dëgjohemi". Ishte takimi i  fundit me të dhe shpeshherë më duket se e ndjej në sup dorën e tij dhe atë fjalën e fundit "dëgjohemi"...

 

Pastaj më tha diçka mes asaj që ishte lamtumirë ose mirupafshim, e dija se tash nuk kishte më kthim për të. Tek dera, disa  metra më tej, prisnin dy nëpunësit e shtetit gjerman. "Nuk e kemi ditur kështu", - tha njëri prej tyre. "Kemi pasur  informacion krejt tjetër dhe këtë e kemi pasur nga shqiptarët, nga bashkëvendasit tuaj". Më tregoi një letër, ku mbi ftesën  tonë për tubim ishin shkruar edhe fjalë të tjera. "Po ta dinim kështu, nuk do të kishim ardhur. Fjalët që tha vendasi juaj,  ai i gjati (megjithëse ia dinin mirë emrin, nuk ia thanë) do të kishim dashur t'i dëgjonin të gjithë bashkatdhetarët tuaj".

 

Disa muaj më pas kur, mjerisht, do të organizohej Tubimi i parë Përkujtimor për rënien e Fehmiut dhe të Xhevës, i cili pa  dyshim ka qenë njëri ndër më të jashtëzakonshmit, me cilësinë e atëhershme të drejtuesit të Lëvizjes Popullore të Kosovës,  mbajta fjalën e rastit. Kur po dilja nga salla, pikërisht ky nëpunës gjerman, i pranishëm, më ndaloi dhe më tha në gjuhën e  tij: "Më vjen keq, vërtet më vjen keq. Ishte i jashtëzakonshëm".

 

Por Fehmiu u bë në radhë të parë i jashtëzakonshëm për bashkadhetarët e tij. Edhe ata që nuk i donin idetë e tij, dashje pa  dashje, e kishin respektin ndaj tij. Ai të imponohej natyrshëm, edhe pse nuk e doje nganjëherë një imponim të tillë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora