Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Dritarja asht e mbyllun edhe sot!

| E hene, 24.05.2021, 09:00 PM |


DRITARJA  ASHT  E  MBYLLUN  EDHE  SOT !

Nga Fritz RADOVANI

Këte artikull modest ia kushtoj “dajës” Pjetër!..

Ishte viti 1946 kur Pjeter Gjini me grupin e vet antikomunist po dënohej në një kinema në Tiranë, në piken e zhegut. Nxehtësia të merrte frymen. Pjetri kerkoi me hapë një dritare nga “Perëndimi”, po prokurori aq desht që me i tregue se: “Dritaret nga Perëndimi janë mbyllur pergjithnjë!..”

Dhe, ashtu ngjau me të vertetë! Edhe sot janë ato dritare të saldueme...

Shoku i fëminisë e ma vonë miku i em shumë i dashtun Luigj Zef Gjeka, ishte bash nipi i Pjetër Gjinit dhe, prej Tij të gjithë na shokët z.Pjetrin e thirrnim “daja” Pjetër! Jo se nuk e përdornim fjalën “zotni”, por dajës i pelqente ma shumë me na njohtë për nipa të vet. Ky kjé që në ditët e para kushti i vumë prej Burrit të ardhun nga burgu i Burrelit. Porsa pat mërrijtë në Shkoder, Luigji na çoj fjalë se “ka ardhë daja Pjetër nga Burreli!”. Nuk vonume me shkue me pi kafen e lirimit nga burgu. Kishim ndigjue shumë nga fragmentet e jetës së Tij, për punësimin në radio “Tirana” para vitit 1944, për “Orën gazmore” që kishte drejtue në atë radio, për humorin e Tij në kafe “Splendit” të vëllazënve Rasku, por nuk dinim asgja se cili ishte Ky Burrë në burgun famkeq të Burrelit.

“Daja lot edhe shah!..”, ishte ndër paraqitjet e para të Luigjit. Shahu ishte një lojë shumë e dashtun për krejtë rrethin tonë shoqnor, se me atë lojë kalonim shumë orë bashkë dhe, me pak biseda të shkurta e të kandshme... Nuk shkoi gjatë dhe daja bleu edhe një fletore kampjonati për shahun. U mundonte që në ata kushte të ngushta jetese të asaj familje aq mikpritëse të të ndjerit Zef Gjeka, me na krijue knaqësi për me evitue qendrimet jashtë apo në kafe, ku rreziku për ne ishte i madh në ato rrethana politike që ndodheshim pothuej të gjithë. Kush ma pak e kush ma shumë, të gjithë ishim buka e një mielli.

Për pak ditë Ai na e kuptoi edhe natyrën tonë, së cilës me shumë marifet daja ju adaptue aq shumë sa, për pak muej Ai ishte “shok” dhe “dajë” me né. Vërtetë që ishim shumë të rinjë, rreth 17 – 18 vjeç, por ishim “paksa” ma të moshuem se vitët që kishim... Koha kishte ba të veten!

“Amanetin e mban edhe toka!”, thohej dikur. Mbas pak kohe nje mik i dajës kishte mërrijtë në Shkoder dhe i kishte sjellë me vedi “kitarronin” e ruejtun në kllef, ashtu si ia kishte lanë amanet daja para arrestimit të vet. Ishte kjo vegel e Tija përsonale që ruente në zgavrren e sajë të gjitha kujtimet e Pjetër Gjinit, që nga rinia e Tij. Ajo ishte kapitali i jetës së Tij...

Mbas pak muejsh, erdhi nata e vitit të ri 1959. Ardhja e dajës atë vit na ftonte me e kalue atë natë tek Luigji. Aty u mblodhëm të gjithë shokët dhe të gjithë familjet që banonin në shtëpinë e Gjon Çobës me qera. I kaluem të tridhetë vetët dhe dhoma kishte vend për me kërcye, me bisedue dhe tepronte edhe një rryp ku, nuk u afronim se rrezikonim shembjen e murit anësor...Kur filloi me dalë drita e datës 1 janar 1959, daja Pjeter na urdhnoi me vue batanija ndër dritare, për me vazhdue mbramjen me bejtat e Tija që nuk shterrnin për asnjë çast.

U ndamë dikur tue i urue njenitjetrit: “U mbajtë mend kjo natë!..”. Ashtu ndodhi. Ajo natë u pësërit edhe vitët tjera, por edhe gjatë vitit për karrnivale e festa tjera të paharrueshme. Duhet thanë një fakt se shpejtë këto mbramje na miqësuen edhe me komshinjtë e asaj shtëpi, sa edhe sot jemi miq me ato familje të nderueme, ku pleqtë ishin në moshat tona sot, por e tham me bindje se, asnjeni nuk kishte as ma të voglen ndrojtje me folë e me bisedue pa as ma të voglen frikë me nè, mbasi shpesh edhe kalohej caku politik... Ishim pothuej, të gjithë me një biografi njeni ma të bukur se tjetri, tue fillue prej organizatorit, dajës Pjetër.

Daja fliste pak për burgun e mnershëm që kishte kalue. Një natë sesi mu dha me e pyet: “A kishte çaste gëzimi për Ju që kalojshi vite e vite në atë vend?...” – Ai mu përgjigjë shumë shpejtë “po!”, por një po të plotë dhe jo me më ba qejfin mue. Filloi e shpjegoi sesi njëditë kishin mbledhë policët 34 vetë nga dhomat e burgut dhe i kishin rrasë në një dhomë të gjithë bashkë. Rrinin vetëm në kambë. Për mue, thonte daja se nuk ishte shumë e vështirë, mbasi unë dhe Baltasar Benussi që ishin të çalaman, kur u lodhnim në një kambë e ndrronim me kambën tjetër... Edhe aty gjeti vendin me qeshë. Një përson flente dy orë përtokë në dysheme çimentoje dhe mbas dy orësh ndrrohej me një përson tjetër të këputun nga gjumi. Në një qoshe kryheshin nevojët përsonale...Enët e ndyta nxireshin jashta dhome vetëm njëherë në 24 orë. Hanim bukë të thatë të racionueme dhe pinim tri herë në ditë një safë ujë të qelbun Burreli...Ky ujë shpesh edhe harxhohej kur ndonjenit i binte të fikët nga mungesa e ajrit ose lodhja e pagjumsisë. Po çasti i gëzimit ku ishte, mund të pyes dikush? Po, në atë dhomë ishin grumbullue të gjithë politikanët e Shqipnisë së para 1944, ambasadorët që kishin shetitë në të gjitha vendët e Botës e avoketnit që ishin të burgosun. Ndër tre muej në atë “dhomë” kam ndigjue barceleta e ngjarje humori nga të gjitha skutat ma të paimagjinueshme të skajeve të gjithë globit,sejcili mund të shpjegonte vetëm ngjarje të gëzueshme, ishte e ndalueme rreptësisht me folë aty për ngjarje të mjerueshme apo të trishtueshme nga ato vende, për mos me ra në pesimizëm...Kjo kohë tre mujore asht kenë koha ma e gjatë e ma e lumtun e gjithë jetës seme, e përfundonte bisedën daja Pjetër... (Vazhdon Pjesa e dytë).

Melbourne, 23 Maji 2021.