E merkure, 24.04.2024, 07:58 PM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Kaza: Adoleshenca, stina e shpërthimeve (Kreu II)

E hene, 01.12.2008, 01:18 PM


Kreu II

 

TEORI TË EVOLUCIONIT MENDOR DHE TË SJELLJEVE SHOQËRORE

 

Të menduarit abstrak e refleksiv

 

Kalimi nga fëmijëria në adoleshencë shoqërohet me ndryshime të strukturave mendore, të mentalitetit, me lindje mendimesh, idesh, objektivash, interesash, synimesh dhe dëshirash të tjera. Mosha e re, ende pa identitet të formuar, nuk mendon përtej asaj që është veprim i çastit, pavarësisht se është e mbushur nga dëshira për të kërkuar. Studiues të ndryshëm theksojnë se sfera mendore e fëmijëve ndryshon tërësisht nga struktura psikike e të rriturve. Piazhe mbështet teorinë e psikologjisë së zhvillimit mendor. Intelekti, sipas tij, krijon forma përshtatjeje tek fëmijët nëpërmjet asimilimit të skemave mendore. Ai ka bërë përcaktimin e niveleve të zhvillimit mendor, të cilat sipas teorisë së tij janë:

? sensomotor, që karakterizohet nga ndikimi I marrëdhënieve me mjedisin dhe krijimi i përfaqësimeve simbolike;

? konceptual, që përfaqësohet nga pasqyrime të brendshme dhe lojëra simbolike;

? intuitive, që përmbledh operacione mendore, operacione konkrete dhe operacione formale.

Ndërsa Bowlby ka zhvilluar teorinë e atakimit, për të cilën janë të rëndësishme lidhjet e para afektive për formimin e sjelljeve shoqërore. Perceptimi nuk qëndron në përgjigjen ndaj një nxitësi, por është një proces i brendshëm i ndikuar nga vlera, motivime dhe besime personale. Njeriu ka qëllime dhe parapritje në lidhje me realitetin. Me zhvillimin e pandërprerë të shkencave shoqërore, zhvillohen modele përcaktuese, unishkakore, të cilat nxjerrin në pah shkaqet e sjelljes të mbështetura tek mjedisi ose tek faktori biologjik prej nga përcaktohet rryma e sjelljes, bazuar tek modeli nxitjepërgjigje. Zhvillimi mendor është mënyra me të cilën fëmija njeh dhe percepton botën dhe realitetin. Janë veçuar disa reflekse që shmangen me rritjen e fëmijës, si: rrotullimi i kokës, thithja e gishtave, përqafimi virtual etj. Procesin e të folurit, Skinner e trajton si imitim, ndërsa Komski e karakterizonte si proces aktiv dhe kreativ. Zhvillimi i emocioneve bëhet paralel me zhvillimin shoqëror e mendor. Ka një sistem motivimi që e orienton individin dhe ka të bëjë me mjedisin rrethues. Motivimi nis nga një ndryshim i brendshëm i organizmit që mund të jetë i karakterit:

a. biologjik;

b. emotiv;

c. mendor.

Disa nga motivimet parësore janë: të ushqyerit, të pushuarit, seksualiteti. Ndërsa si sistem motivues mund të përmendim kujdesin dhe bashkëveprimin. Zhvillimi shoqëror ndahet në disa faza, ndër të cilat më e ndjeshmja është paraadoleshenca. Ndjeshmërinë e kësaj faze e shton ndjenja e kundërshtimit dhe e konfliktit, që shfaqet sidomos në familje. Kjo është një ndër arsyet kryesore pse fëmija tërhiqet lehtësisht nga grupe të padëshiruara, që në të vërtetë nuk i përkasin atij, por i bëhen pjesë kryesore e veprimtarisë së përditshme, sa mund të shkaktojnë edhe sjellje shoqërisht të rrezikshme. Në adoleshencë individi arrin të mendojë në mënyrë abstrakte. Në përgjithësi, të rinjtë mendojnë e paraqesin jo vetëm botën familjare, shkollore dhe shoqërore, siç është në realitet, por edhe siç mund të jetë, nëse kushtet ndryshojnë. Kjo bën që ata të zgjerojnë mundësitë e të menduarit, të analizojnë e të vlerësojnë botën që i rrethon. Adoleshentët përfytyrojnë hipoteza të ndryshme dhe pasojat që rrjedhin prej tyre. Kjo aftësi ka qenë e pranishme edhe më parë, pra në moshën para adoleshencës, por tani i riu bëhet i vetdijshëm për forcën mendore që zotëron. Vlerësimi dhe mbajtja e qëndrimit për mendimet e tij dhe të tjerëve, për cilësinë e raporteve të ndryshme, përgatit kalimin nga egoizmi fëminor në altruizmin e të rriturve. Rezultatet e mira në mësime ndikojnë në rritjen e besimit, por kapaciteti i të menduarit përtej mundësive reale shton kriticizmin dhe nxit zgjidhje jo të drejta për të ardhmen. Në adoleshencë zhvillohet procesi i individualitetit dhe krijohen projekte duke marrë vendime për veten e tyre. Tani interesat e të rinjve ndryshojnë, ata përpiqen të kuptojnë e të shpjegojnë përsenë, shkaqet e mjaft gjërave etj. Në këtë moment shfaqen ide dhe mendime të pavarura, prandaj lindin edhe përplasje me mendimet e të rriturve. Mënyra e re e të menduarit dhe të arsyetuarit vihet re, në radhë të parë, në lidhje me kushtet dhe jetesën në familje. Për faktorë, të cilët nuk e prekin adoleshentin në çdo hap të jetës së përditshme, mbahet një qëndrim më i tërhequr, por pranohen ashtu siç janë. Fakti se adoleshentët fillojnë të mendojnë ndryshe, bën që të përftohet një sjellje jokoherente për prindërit dhe të rriturit, gjë e cila kritikohet shpesh. Zhvillimi i të menduarit abstrakt përfaqëson një nga karakteristikat më universale të adoleshencës. Studiues të shumtë këtë dukuri e vlerësojnë si një ndryshim të pashmangshëm dhe të detyrueshëm të zhvillimit njerëzor. Mendimi abstrakt dhe të arsyetuarit mund të arrihet vetëm në një mjedis shoqëror, që e nxit dhe e mbështet pandërprerë atë. Zmadhimi i kapacitetit të të menduarit nuk u përket thjesht disa fushave. Interesat për të bërë udhëtime, për të njohur vende të reja, interesat për probleme kulturore apo për probleme të ndryshme që lidhen me botën institucionale, të gjitha këto lidhen edhe me hapësirat kohore. Sjellja aktuale e të rinjve në të tashmen ndikohet jashtëzakonisht nga ajo çka do të ndodhë në të ardhmen, çka ata presin, prandaj manifestohet frika, shpresa etj. Adoleshentët, në një farë mënyre, shpesh herë vënë re sesi në kohën dhe kushtet në të cilat jetojnë, disa nga objektivat, që dëshironin të realizonin, mbesin thjesht ëndrra të paarritshme apo kështjella në ajër. Ky moment përfaqëson shkallën më të lartë të abstraksionit, që ka të bëjë me të ardhmen e tyre. Dallimi ndërmjet ideales dhe reales realizohet kur i korrespondon realiteti objektivit që përcaktojmë. Kjo ndodh tek çdo individ që ka dhe bën projekte. Të rinjtë jetojnë një përvojë të vaçantë, ata kanë një projekt, i cili ndikon gjatë gjithë jetës së tyre. Të rriturit, prindër e mësues, u kërkojne idealen të rinjve dhe, njëkohësisht, shpesh i trajtojnë si ëndërrimtarë, duke i qortuar që të mbajnë këmbët në tokë, gjë e cila krijon një farë paqartësie.

Për zhvillimin normal të adoleshentve ndikojnë një kompleks faktorësh, ndër më mbizotëruesit mund të veçojmë: faktorët kulturorë, shoqërorë e vetjakë, të cilët përthyhen tek njëri-tjetri, si dhe veprojnë e diktojnë reciprokisht, gjë e cila përcaktohet sipas peshës së tyre të rëndesës në nivele të caktuara të zhvillimit të individit. Adoleshentët impenjohen, shqetësohen e interesohen për të ardhmen dhe zhvillimin e tyre, pikërisht për këtë përpiqen të provojnë dhe janë kërkuesit e përhershëm të të menduarin refleksiv e racional. “Mendoj se mendoj”, “Di që një tjetër i rëndësishëm për mua mendon se unë mendoj”, “ Unë jam...”,- janë disa nga përfundimet që përpiqen të argumentojnë adoleshentët. Ky motivim për t’u vetëpyetur vjen si rrjedhojë e një sërë procesesh, të cilat shkojnë nga ato fiziko-biologjike, deri në proceset shoqërore, lidhjet e raportet e caktuara, të mbartura ose të krijuara rishtas. Adoleshentët arrijnë të bëjnë dallime, të kuptojnë dhe të shpjegojnë sjelljet e tyre duke identifikuar sjellje të natyrave të ndryshme në bazë të njerëzve me të cilët kanë bashkëpunuar ose me të cilët ndodhen përballë, por pa u ndikuar vetëm prej tyre. Ata vazhdimisht e krahasojnë veten me bashkëmoshatarët dhe bëhen gjithënjë e më të vetëdijshëm për dallimet që në të vërtetë ekzistojnë. Kjo i bën që gjithmonë të mbajnë qëndrim mbi atë që janë dhe atë që duhet të bëhen. Vendosja e vetes në raport me të tjerët dhe botën që i rrethon, ndonjëherë shkakton një lloj shpërndarjeje, krijon një ndjesi dështimi, e cila, nëse zgjat në kohë, sjell paaftësi zgjedhjeje të mundësive, të cilat krijohen nga frika e dështimit. Adoleshentët mësohen të përballen me vështërsitë dhe kur dalin triumfues, fitojnë besim më të madh te vetja. Arritjet nxisin e shtyjnë përpara, sidomos kur pasqyrohen në vlerësimet e më të rriturve. Ndërsa në fëmijëri kjo aftësi thuajse nuk ekziston, ose është në një nivel të ulët, adoleshenti aftësohet të shpjegojë. Ai u jep një kuptim të caktuar, lidh kohën e tashme me të kaluarën, me atë që ndërton, imagjinon, parashikon dhe shpreson të jetë e ardhmja e tij jo e largët. Të menduart refleksiv u krijojnë mundësi të rinjve të analizojnë idetë abstrakte, të përcaktojnë gabimet dhe mosmarrëveshjet në vlerësimet dhe gjykimet e veta. Zhvillimi i nivelit të inteligjencës zgjeron interesin për problemet që përmbajnë më tepër abstraksion, duke krijuar në shumë raste edhe ide vetjake. Formimi i bazave botëkuptimore shprehet e manifestohet me pikëpamjet më të qarta dhe më përgjithësuese për të ardhmen, fakte këto që flasin për një nivel më të lartë të operacioneve të të menduarit. Adoleshentët përfitojnë nga mundësia e të arsyetuarit. Ata fillojnë të zhvillojnë të menduarit abstrakt duke arritur të përgjithësojnë jetën familjare, shkollore, shoqërore e politike. Jo vetëm siç është, por edhe si duhet të jetë në një moment tjetër, nëse disa situata do të jenë të ndryshme nga ato që janë në kohën e tashme. Kjo sjell zhvillimin e mendimit të pavarur për diçka, e cila, ndonëse nuk shihet e preket në të tashmen, mund të ekzistojë, pra të mendohet e të luftohet për të arritur një botë tjetër më ideale. Natyra e kësaj moshe karakterizohet nga ëndërrime, të cilat shërbejnë si motive të jetës së tyre. Këtu ia vlen të nënvizojmë se ëndërrimet nuk duhet të ndikohen nga iluzionet, që adoleshentët të mos i perceptojnë në mënyrë të gabuar ngjarjet dhe vetëm me qellim për të mbështetur bindjet e tyre, apo të kërkojnë arsye të paqëna për të shpjeguar paqëndrushmërinë e gjendjes së tyre shpirtërore.

 

A matet inteligjenca?

 

Ka studiues që mendojnë se egziston një inteligjencë e përgjithshme që përfshin arsyetimin, shkathtësinë e të folurit, aftësinë për të kryer detyrat e ngarkuara etj. Aktualisht, verifikimi i inteligjencës bëhet duke vlerësuar aftësitë e të folurit, shkathtësitë e të parit, orientimin hapësinor dhe aftësinë manipuluse. Pasuria gjenetike ka një rëndësi të pakundërshtueshme për të përcaktuar bazat e zhvillimit të personalitetit, por është e nevojshme që kjo të realizohet në shoqëri dhe në një mjedis të përshtatshëm për zhvillimin normal të inteligjencës. Nga studimi i fëmijëve dhe të rinjve binjakë është vënë re se pasuria gjenetike luan rol në masën 50% në të gjithë formimin e tyre. Duhet theksuar këtu se faktorët shoqërorë kanë përparësi mbizotëruese para se fëmijët të shkojnë në shkollë. Kjo tregon rolin e rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm të familjes në formimin intelektual të adoleshentëve. Jo rrallë në literaturën shkencore kanë tërhequr vëmendjen edhe faktorë të tjerë. Kështu, në kohën e sotme po bëhet një debat i ashpër rreth çështjes së ndikimit të racës në zhvillimin e intelektit të individit. Por, sado që të mënjanohen paragjykimet, përsëri ndjehet prania e ndikimit të tyre. Në ShBA rezultatet e testeve të iteligjencës flasin për superioritetin e të bardhëve, por nuk vërtetohet se ky fakt është për shkak të racës, por rrjedhojë e ndikimit të ndryshimeve të theksuara të gjendjes shoqërore ku ndodhen përfaqësues të tyre të ndryshëm. Testet e ndryshme japin të dhëna edhe për inteligjencën verbale, joverbale dhe vlerën e saj të përgjithshme. Ato kanë rëndësi dhe anë pozitive, por nuk duhet të absolutizohen, sepse kanë edhe kufizime, të cilat rrjedhin kryesisht nga cilësia e analizës së tyre. Për të patur informacion të saktë për këto probleme, duhet të merren në vlerësim faktorë të ndryshëm intelektualë, pa i veçuar artificialisht ata. Vetëm mbi bazën e njohjes së inteligjencës së përgjithme mund të shpjegojmë 2/3 e ndryshimeve dhe të suksesit të të rinjve. Në këtë moshë lidhjet shpirtërore prind-mësues-adoleshent kanë një rol të ndjeshëm në arritjen e rezultateve të kënaqshme në edukim. Sistemimi e vetëdija kanë epërsi kundrejt këmbënguljes dhe pavetëdijes edhe në rastet kur niveli i inteligjencës është i njëjtë. Kjo gjë vertetohet me shkallën e përvojës, nivelin e shprehive dhe rezultatet në mësime. Në këtë vështrim edhe prapambetja mendore mund të klasifikohet si zhvillim intelektual i vonuar, por kjo ka mjaft rëndësi të njihet e të përcaktohet që në moshë të hershme të fëmijëve. Në këtë kategori të rinjsh nuk përfshihen kontigjentet të cilat lindin si pasojë e dëmtimeve ose të rënies së strukturave nervore. Në jetën e përditshme, prapambetja mendore mund të jetë e lehtë, relative ose e rëndë. Karakteristikat e këtyre grupeve janë të shumta, por ndër më të thjeshtat, të cilat duhet t’i dallojmë të gjithë, mund të përmendim: mungesa e interesit, paaftësia në të menduarit abstrakt, artikulimi i dobët, reagimi i ngadalshëm ndaj ngacmuesve, ruajtja e gjendjes emocionale për një kohë të gjatë, mungesa e aftësisë për përshtatshmëri në rrethana të ndryshme, mungesa e bashkërendimit të veprimit të sistemit muskulor etj. Për grupe me probleme më të thella të prapambetjes mendore, çrregullimi i reagimeve psikoemocionale është më i rëndë.

 

A lidhet disleksia me inteligjencën?

 

Jo vetëm nga prapambetje në mësime, por edhe për shkaqe psikofizike ka mjaft fëmijë që manifestojnë vështirësi dhe çrregullime në të shprehur.Vështirësitë e tyre për të lexuar, për të shkruar dhe pjesërisht edhe në të folur, janë këto dukuri që lidhen me shprehitë artikuluese dhe në të shprehurit e mendimit për disa kategori nxënësish, të cilat paraqesin probleme të natyrës dislektike. Shfaqje të para që manifestohen nga kategori të tilla fëmijësh, janë ngatërrimi i orientimit majtas-djathtas, veshja mbrapsht e rrobave dhe këpucëve, paaftësi në shqiptimin e tingujve etj. Prindërit dhe mësuesit në këto raste është mirë të jenë të vëmendshëm dhe të bindur se këto dukuri nuk lidhen me mungesën e inteligjencës së fëmijës. Nëse do të arrinin në një përfundim të tillë jo të saktë, do të ishte një veprim sa i gabuar aq edhe i dëmshëm. Për të gjithë duhet të jetë e qartë se disleksia nuk është pasojë e inteligjencës së ulët. Në historinë e njerëzimit janë përmendur shumë personalitete të famshme me shfaqje dislektike. Ajnshtajni ka filluar të lexojë në moshën 9-vjeçare, Leonardo da Vinçi ka shfaqur disleksinë e tij në të shkruar, Tomas Edison, mjeshtri i madh i zbulimeve të shumta, i aparateve fotografike, mikrofonave, telefonave etj., nuk i mësoi kurrë shkronjat e alfabetit dhe tabelat e matematikës, ndërsa mësoi të shkruante shumë vonë dhe shumë e shumë të tjerë. Përkundrazi njerëzit me inteligjencë të ulët nuk janë dislektikë. Për të dalluar një dislektik nga një person me inteligjencë të ulët bëhen testime të veçanta. Në mungesë të përcaktimeve me përgjegjësi shpesh fëmijët dislektikë kanë përfunduar në grupin e fëmijëve handikapë dhe janë trajtuar si të tillë.

 

Cili është ndikimi i kushteve shoqërore?

 

Kontigjente dislektikësh ndeshën kryesisht në zonat urbane, me kushte të vështira jetese, në familje me prindër të dhunshën, në fëmijët e familjeve të emigrantëve që nuk zotërojnë mirë gjuhën e vendit ku jetojnë, tek fëmijët me shëndet të dobët, tek fëmijët me mungesa në të ushqyer, tek fëmijët e familjeve që nuk u kanë nxitur në fëmijërinë e hershme dëshirën për të mësuar, në familje të prirura drejt analfabetizmit etj. Një mangësi e tillë ka lidhje të drejtpërdrejtë me veprimtarinë e trurit. Në raste të veçanta mund të kenë ndikuar sëmundje të ndryshme, të cilat kanë sjellë çrregullime në funksionimin normal të trurit, veçanërisht në aparatin e të folurit, në sistemin viziv dhe levizor. Për të parandaluar një dukuri të tillë, është mirë që këto elemente të kapen që në moshat më të vogla, kur fëmija ende nuk ka hyrë në shkollë dhe ka dhënë raste sjelljeje që duhet të shqetësojnë prindërit, të tilla si:

?Qendron mënjanë dhe tregon mungesë dëshire për të qendruar me fëmijët e tjerë;

?Nuk merr mbi vete përgjegjësi sado të vogla;

? Nuk tregohet kureshtar për të njohur ngjarje e dukuri;

?Ka vështërsi në ritregimin e gjërave;

?Tregon fare pak interes për të mësuar;

?I përdor lodrat pa ndonjë qëllim të caktuar;

? I kryhen veprimet e ndryshme pa asnjë rend;

? Nuk paraqet interes t’u përgjigjet pyetjeve që i bëhen etj.

Përgjithësisht, kur fillojnë të shkojnë në shkollë, këta fëmijë lihen mënjanë, nuk përgjigjen e nuk shkruajnë si të tjerët, nuk nxiten, nuk aktivizohen. Në këtë kohë fillojnë të shprehen dukshëm shqetësimet e prindërve, por tashmë është mjaft vonë. Dalëngadalë vërehet se këta fëmijë kanë vështirësi në të mësuarit e matematikës, nuk dallojnë dot kuptimet e fjalëve: ndryshim, qarkim, minus, plus; nuk dallojnë dot shenjat <, >, +, =, nuk përcaktojnë drejt format, shkruajnë gabim numrat e ngjashëm etj. Ata shfaqin vështërsi edhe në orientimin e përcaktimin për format, ngjyrat, drejtimet; nuk i kuptojnë shpesh konceptet abstrakte; kanë vështirësi për të emërtuar sendet dhe njerëzit. Gjithashtu, ata lexojnë shumë ngadalë dhe shpesh hezitojnë për të lexuar; vendosin theksin gabim në fjalë të ndryshme; lexojnë duke i përsëritur nga dy ose më shumë herë fjalët që i kanë lexuar; shtojnë ose heqin vend e pa vend fjalë në një tekst; jo rrallë ata u shtojnë ose u heqin fjalëve parashtesa ose prapashtesa; nuk respektojnë shenjat e pikësimit; krijojnë paqartësi në leximin dhe kuptimin e përmbajtjes. Gjithashtu, ata kanë shkrim të keq, bëjnë gabime të shumta kur shkruajnë; nuk i dallojnë dhe si pasojë nuk i shkruajnë të gjitha shkronjat, kur fjalën e kanë dëgjuar në largësi etj. Për nxënës të tillë nuk duhet humbur kohë. Që ata të fillojnë të punojnë si të tjerët dhe madje ta kërkojnë suksesin, rolin kryesor e kanë mësuesi dhe prindi. Ata në bashkëpunim të ngushtë, duhet të rritin përpjekjet për motivimin e tyre. Vetë nxënësit duhet të mbështeten me mënyra dhe forma pune për të bërë që të kuptojnë se mund t’i kapërcejnë vështirësitë, të ndjejnë se mësuesit dhe prindërit i kanë në krah të tyre. Pavarësisht reagimit të çastit, i cili shpesh është negativ, asnjëherë nuk duhet rreshtur në përdorimin e formave të larmishme që ndihmojnë për mënjanimin e çrregullimeve nëpërmjet një komunikimi të ngrohtë e dashamirës.

 

Nga pjekuria biologjike në pjekurinë

Shoqërore

 

Procesi i shndërrimit fizik të adoleshentëve shoqërohet me modifikimin e marrëdhënieve me prindërit dhe bashkëmoshatarët. Ata nëpërmjet autoerotizmit, njohin veten e tyre, përvojat e munguara dhe të gjykuara negativisht në kohë të mëparshme. Thuhet shpesh se kjo dukuri sjell verbim, shurdhim, paralizim dhe demoralizim. Disa studiues shprehin shqetësimin e tyre se autoerotizmi mund të bëhet formë kënaqësie dhe mund ta largojë adoleshentin nga dëshira për t’u vendosur në marrëdhënie me seksin tjetër. Një dukuri e tillë mund ta çojë atë në vetizolim. Nevoja e adoleshentit për t’u rritur, e bën atë të pushtetshëm dhe e vendos në lidhje të ngushta sentimentale që vlerësohen si rrugë e mënyra për të shuar ndjenjat afektive ose për të shuar pulsionet. Në kohën e sotme adoleshentët kanë një vizion stereotip për seksualitetin. Djemtë kërkojnë lidhje që t’u sjellin kënaqësi imediate, ndërsa vajzat një raport të qëndrueshëm dhe romantik. Në fakt, zgjedhja që secili bën, varet shumë nga perspektivat të cilat afron mjedisi dhe nga presioni i bashkëmoshatarëve. Ka adoleshentë që gëzojnë më pak hapësira lirie, veçanërisht vajzat për motive fetare ose etike janë shumë të kontrolluara. Adoleshentët marrin mesazhe kontraditore për seksin nga televizioni, publiciteti, shtypi dhe bashkëmoshatarët, të cilët shpesh nxisin veprime të lira, ndërsa edukatorët dhe prindërit kërkojnë të jenë të kujdesshëm. Adoleshenti mund të ketë arritur pjekurinë biologjike, por jo pjekurinë shoqërore për një veprimtari të tillë. Ai megjithëse ka nevojë të shprehë seksualitetin e tij, nuk mund ta bëjë. Sipas disa statistikash, raportet e para seksuale u përkasin moshave 15-16 vjeç. Ndonëse vetë të rinjtë shprehen se do të ishte më mirë që një veprimtari e tillë të fillohet më vonë, mbase pas moshës 18 vjeç. Mundësia për të zgjedhur në mënyrë të vetëdijshme një partner ka disa përparësi, si: bën që të kesh me kë të shkëmbesh mendimet, të kesh mbështetje efektive, të vendosësh një baraspeshë të drejtë ndërmjet dashurisë dhe seksualitetit. Një adoleshent nuk mund të bëjë vetë zgjedhje të lirë dhe të vetëdijshme, sepse kontrollohet rreptësisht nga familja. Ai mund të parapëlqejë që të jetë edhe agresiv për të kapërcyer pengesat ose mund të bëhet apatik dhe i paaftë për të marrë nisiativën. Por, liria e plotë mund të çojë adoleshentin në vlerësimin e partnerit seksual si një gjë të nevojave të çastit, sa për ta përdorur dhe për ta hedhur, pra pa vlerë, që mund të sigurohet madje edhe në mënyrë të dhunshme.

 

Misteri i dëshirës

 

Psikoanalisti italian Fornari ka dhënë mendime për raportin ndërmjet seksualitetit dhe kulturës. Ai i trajton si të pandara aspektet natyror dhe kulturor. Pa këtë lidhje, nuk mund të flasim për seksualitet njerëzor, i cili është i karakterizuar nga dëshira që lind vetëm tek njeriu. Efekti i skenave erotike, që transmeton media televezive, është i ndjeshëm. Shfaqje të tilla provokojnë zbulimin e parakohshëm të mistereve të seksit dhe kjo rrezikon shuarjen e kuriozitetit. Nga një pikë shikimi, mbulimi i organeve gjenitale me anë të rrobave mund të merret si pengesë ndaj seksualitetit. Por, njëkohësisht, një veprim i tillë mund të jape edhe efektin e kundërt, pra të nxisë forcimin e dëshirës. Ka mjaft studiues që e konsiderojnë të rëndësishme pengesën në shtimin e kësaj dëshire. Po çfarë e përcakton tek njeriu eksitimin seksual: natyra apo kultura? Fornari kësaj pyetjeje i përgjigjet në këtë mënyrë: Fakti që dallon seksualitetin e kafshëve nga ai i njerëzve është i përcaktuar nga pamja e jashtme (ritmi ciklik). Tek kafshët eksitimi seksual ndjek një ritëm ciklik. Tek njeriu ky ritëm është zhdukur dhe është zëvendësuar nga një eksitim i qendrueshëm dhe i vazhdueshëm. Kjo shpjegohet me faktin se me zhvillimin e turpit dhe me përdorimin e veshjes, njeriu ka arritur të kontrollojë veprimtarinë seksuale: duke u veshur, e frenon dhe në rastin e kundërt e nxit. Kështu mund të realizohet një kontroll kulturor i eksitimit. Situata misterioze tek njeriu bëhet tërheqëse për faktin se sekreti shton dëshirën. Veshja dhe zhveshja nuk mjaftojnë për të shpjeguar kalimin nga veprimtaria ciklike në stabilitet të erotizmit tek njeriu. Seksualiteti njerëzor një ka origjinë. Fëmija i përjashtuar nga dhoma e prindërve, shërben si bazë e dëshirës së përhershme njerëzore, si tension i vazhdueshëm drejt sekretit, që ushqen gatishmërinë e vazhdueshme për t’u eksituar. Dëshira e pjesëmarrjes e prodhuar nga përjashtimi, përqendrohet në pavetëdijen njerëzore e bëhet një strukturë e qëndrueshme. Njohja e këtij fakti ka shumë rëndësi edhe për qëndrueshmërinë e dëshirës së të rriturit. Prandaj me të drejtë konsiderohet i domosdoshëm edukimin seksual jo vetëm për adoleshentët, por edhe për të rriturit. Idetë e deformuara për seksualitetin, të cilat fëmija i merr që në fëmijërinë e parë, modifikohen me vështirësi. Fëmija në këtë kohë, duke mos kuptuar aktin seksual për të cilin dëgjon ose mund të shohë, krijon përshtypjen e një dhune të babait kundër nënës. Eksitimi seksual shoqëron perceptimin e çdo gjëje që ka të bëjë me seksin. Tek vajzat një perceptim i paqartë i aktit seksual mund të shkaktojë ndjenjën e frikës ndaj një akti të tillë. Kështu ato mund të bëhen depresive. Kur të rriten, nuk do ta kenë të lehtë të lëshohen ndaj burrit në aktin seksual. Është kjo arsyeja që jo rrallë vajza të tilla u ngjasojnë bashkëshortëve si imorale. Edukimit seksual ia shton vështirësitë edhe topografia anatomike, pasi mund të themi se organet seksuale janë të lidhura me funksione të tjera. Kështu, krijohet përshtypja tek fëmijët sikur kemi të bëjmë me ndonjë gjë të pistë, prandaj në fëmijërinë e parë ata habiten si të mëdhenjtë bëjnë gjëra të tilla. Anët teknike të instruktimit seksual nuk mund të ndahen nga anët etike. Nevojitet të dilet nga tentimi egoist i veprimtarisë seksuale, për t’u bërë i ndërgjegjshëm për tjetrin e për të plotësuar nevojat e tij, por kurrë të mos trajtohet personi si objekt ose instrument për realizimin e kënaqësisë. Duhet të synohet drejt një harmonie ndërmjet elementeve trupore dhe shpirtërore. Ka mendime se informacioni seksual dhe liria në realizimin e akteve erotike nuk janë domosdoshmërisht pozitive. Në vendet skandinave një revolucion i shpejtë seksual ka favorizuar ushtrimin erotik, por jo aktet e dashurisë. Problemi qëndron në faktin se dihet shumë rreth jetës seksuale, por është mjaft e vështirë që t’u shpjegohen ato fëmijëve dhe adoleshentëve. Prandaj mësuesi gjendet përherë përballë një kurioziteti të jashtëzakonshëmtë të rinjve. Pasuria ekzistenciale e adoleshentëve do të integrohet e do të pasurohet gjithnjë e më tepër në shkollë me njohjen e veprave artistike të njerëzimit. Vetëm kështu mund të bashkohet seksualiteti me dashurinë dhe bukurinë. Përvojat e adoleshentëve janë intensive, në të cilat seksualiteti dhe poezia, seksualiteti dhe lumturia, seksualiteti dhe dëshprimi janë të lidhura ngushtë. Në bazë të çdo vepre arti ka thuajse një histori dashurie plot konflikte, shpresa e deluzione. Në to përshkruhet me ndjenja jo vetëm intensiteti i pasionit, por dhe tensioni, zhgënjimet e konfliktet në dashuri dhe në shoqëri, gjëra që prekin nga afër të gjithë të rinjtë. Në këtë rrugë ata jo vetëm emocionohen, por përfitojnë përvoja, të cilat do t’i ndihmojnë në jetën e tyre emocionale. Njerëzit kanë nevojë të domosdoshme të ndryshojnë veten para se të fillojnë misionin për të ndryshuar botën.

 

Personaliteti formohet shkallë-shkallë

 

Tiparet e personalitetit dhe sjellja shoqërore shkojnë paralel me mendimin për qëndrimet dhe sjelljet. Veprimi i njeriut ndikohet nga motivimet dhe prirjet e tij të brendshme, pa hedhur poshtë e pa mohuar vlerën e faktorëve kulturorë dhe shoqërorë. Qëndrimet e brendshme parashikojnë në mënyrë të përsosur një veprim të veçantë dhe sjelljen e individit në situata të çfarëdoshme. Përshtatshmëria dhe bindja janë dukuri universale, por dallojnë nga ndikimi i kulturës. Shoqëria dhe familja janë përgjegjëse për edukimin e fëmijëve të tyre. Ato nderohen ose turpërohen nga prodhimi që nxjerrin në dritë. Tiparet e personalitetit përmbajnë aspekte të cilat e bëjnë individin njëlloj si të tjerët, të ngjashëm me ta ose një person të vetëm, të papërsëritshëm. Prandaj personaliteti vlerësohet si mënyra e të qenurit, mënyra e të njohurit, e të vepruarit, të cilat garantojnë qëndrueshmëri, vazhdimsi, koherencë në marrëdhëniet ndërmjet individit dhe botës përreth tij. Bashkësia e këtyre karakteristikave që mishërohen tek një i individ, megjithë ndryshimet, na lejon që të jemi vetvetja, që të kemi të njëjtën prirje për të vepruar, pavarësisht nga ndryshimi i situatave. Po trajtoj një shembull. Kam njohur fëmijë të ndryshëm, që secili prej tyre gëzohej kur shokët e tij merrnin nota më të ulta se ai, edhe kur ata nuk arrin rezultate të mira. Por kur rritet, një tip i tillë ka vështirësi e dobësi në formim. Ai nuk do t’i ndajë meritat dhe arritjet me të tjerët. Persona të tillë ndjehen të lumtur kur i gëzojnë të vetëm sukseset. Dihet se personaliteti formohet dalëngadalë gjatë zhvillimit për tërë jetën. Ai është rrjedhojë e ndeshjes së predispozitave tona me realiten që na rrethon. Njëkohësisht, edhe trashëgimia dhe mjedisi bashkëveprojnë që nga lindja dhe përcaktojnë atë që do të jemi. Ndërsa inteligjenca e pajisur me aftësi pasqyrimi ndihmon në mënyrë aktive për të ardhmen e njeriut, duke seleksionuar dhe duke e shndërruar mjedisin. Duke u kthyer tek shembulli i personit egoist, nuk është e thënë që ai të mbetet i tillë tërë jetën. Disa rrethana mund të çojnë në modifikimin e sjelljeve të tij. P.sh., një fatkeqësi, e cila mund t’i ndodhë, bën që të tjerët të modifikojnë bindjet e tyre e si rrjedhojë edhe ai mund të ndryshojë sjellje. Të rinjtë manifestojnë paqëndrushmëri personaliteti. Synimet, prirjet dhe tiparet e kundërta luftojnë e bashkëjetojnë me njëra-tjetrën. Ata në disa raste e vlerësojnë veten si qendra e gjithësisë, futen në marrëdhënie pasionante, por edhe i ndërpresin ato menjëherë, papritmas, ashtu siç i filluan. Shpesh ata përfshihen nga entusiazmi pa asnjë përmasë në shoqëri, shkollë e familje dhe shpejt mund të bien në vetmi e mbyllje. Binden e nënshtrohen ndaj drejtuesve, por rebelohen dhe nuk pranojnë asnjë pushtet mbi vete, duke manifestuar kokëfortësi të pashembullt e sjellje brutale, megjithëse janë jashtzakonisht të ndjeshëm. Ata shpesh mbizotërohen nga ndjenja idealiste, por ndodh që njëkohësisht menjëherë të tregohen egoistë e të dhënë materialisht. Dalëngadalë kur te ata fillon pjekja dhe përqendrimi, bëhet shkëputja nga ndjenja e dyzimit, e cila është më tepër remenishencë e paraadoleshencës. Pra adoleshentët dalin vrullshëm nga korrnizat që përshkruam më lart, dhe përpiqen në mënyra të ndryshme të kapercejnë periudhën kalimtare për t’u bashkuar me të rriturit. Për këtë arsye ata shpesh tundohen nga një ngacmim emocional, i cili shoqërohet me ndrojtje, frikë e padurim. Tek adoleshentët rritet e forcohet synimi për të ardhmen, duke krijuar një perfytyrim jetësor larg ëndrrave të fillimit të kësaj moshe. Është koha kur i shërbehet qëllimit për të mësuar, për të realizuar gjëra me vlerë, duke menduar seriozisht për perspektivën e jetës. Gjithnjë e më shumë ata largohen nga fantazia e moshës, vetëpërmbahen e vetëkufizohen duke u ndërgjegjësuar çdo ditë e më tepër për të ardhmen që i pret. Në këtë kohë të rinjtë e përjetojnë veten herë si fëmijë, herë si tepër të rritur, sikur i kanë provuar të gjitha. Kështu kuptohet se dalëngadalë bëhet kalimi sipas radhës i të tanishmes dhe së ardhmes, duke rritur pikësynimin për këtë të fundit, jo pse ndjehet keq aktualisht, por se në të ardhmen do të jetë edhe më mirë. Kuptimi dhe vlerësimi për perspektivën rrit besimin në vetvete, por nxit e motivon edhe për një dinamikë të re zhvillimi. Mosha e parapubertetit apo mosha e re shkollore, që përbën një nivel të rëndësishëm zhvillimi, lidhet kryesisht me edukimin e dashurisë për punën. Fëmijët ndjejnë domosdoshmërinë e përvetësimit të njohurive. Në këtë proces të formimit të tyre, ata janë të ndjeshëm ndaj vlerësimeve të të tjerëve. Tek ta fillon të shfaqet ndjenja e të qenit kompetent. Nëse rezultatet e punës mësimore janë të ulta, fëmija fillon të përjetojë ndjenjën e paaftësisë, të inferioritetit, të injorancës dhe ndjenjën e të mos ndjerit mirë në mes të moshatarëve. Kështu, në të kundërtën e të ndjerit kompetent, fillon të shfaqet ndjenja e të qenit i pavlefshëm. Në procesin e të mësuarit në këtë etapë fillon të shfaqet identifikimi profesional ose lidhja e fëmijve me profesione të ndryshme. Mosha e mesme e adoleshencës apo rinia e hershme, siç quhet ndryshe, përbën fazën kyç të formimit të personalitetit. Në këtë kohë ata përjetojnë fundin e fëmijërisë së tyre. Ky është fund i një rruge të gjatë jetësore dhe shënon formimin e identitetit. Në këtë identitet përmblidhen e shndërrohen identifikimet e mëparshme dhe shtohen tipare të reja të moshës. Fusha e marrëdhënieve shoqërore del se është zgjeruar së tepërmi. Ky identitet i plotësuar i personalitetit u jep mundësi të rinjve të zgjidhin detyrën më të rëndësishme në përcaktimin drejt të rrugës së jetës. Në të kundërt, nëse të rinjtë nuk e konceptojnë veten në mjedisin shoqëror, shfaqet tipari i identitetit difuz, tipar ky që shfaqet me ekzistencën e një dëshire të të rinjve për të mos u futur në jetën e të rriturve. Duke u ndjerë të shqetësuar në bashkëpunimin me të rriturit, ata në raste të tilla, priren drejt një vetëmbylljeje të vazhdueshme. Jeta na bën të besojmë se çdo element i personalitetit ka polin pozitiv dhe polin negativ, që mund të përkojnë me persona të hapur dhe të mbyllur. Në jetën e përditshme vlerësohen dhe kërkohen personat që vendosin raporte me të tjerët, flasin lirshëm në publik, mbrojnë idetë e tyre dhe kanë aftësi bashkëpunimi e pune në grupe. Por suksesi në jetë nuk varet shumë nga karakteri. Sepse praktika na jep shembuj të shumtë e të ndryshëm: një person rigoroz mund të ketë sukses në punë dhe shkencë, ndërsa një person sentimental dhe konfuz mund të bëhet artist etj. Raste të tilla ndeshen rëndom në jetë. Prandaj do mbajtur parasysh se gjykimet e bazuara mbi vlerat jo rrallë janë të fshehura në gjuhën e psikologjisë shoqërore, si dhe është me vlerë të kërkohet të bëhet një interpretim i drejtë, përpara se të bëhet etiketimi i një veprimtarie njerëzore. Në të kundërt, jemi të pambrojtur ndaj përcaktimeve të gabuara.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora