E premte, 19.04.2024, 08:42 PM (GMT+1)

Mendime

Eduard Frrokaj: Udhëtim në tortën e së keqes...

E diele, 30.11.2008, 01:17 PM


Udhëtim në tortën e së keqes...

 

Nga Eduard Frrokaj

 

Asgjë e re në udhëtimin tonë nëpër tortën e së keqes. Edhe pse duket se u bë kiameti, asgjë e re… Kosova që moti me të përfunduar lufta është shpallur zonë eksprimentale në mes të propozimeve , rezolutave, trazirave, vrasjeve, kthimit në status quo,pavarësisë së mbikqyrur, regresit ekonomik, mungesës së energjisë (jo vetëm si dritë në shtëpi), pa asnjë zhvillim ekonomik dhe si për të mos u kënaqur kurrë me rezultatet e stagnimit duheshin edhe këto gjashtë pika të shkruara me shije nën dritën e “mrekullisë së Beogradit” të vendoseshin në tortën e së keqes. Beogradi e ka humbur Kosovën hap pas hapi sikur c’do shtet që i humb kolonitë e pushtuara me gjak dhe hekur gjithandej nëpër histori. Në fundin e historisë pesëshekullore të pushtimit otoman ushtarë me kuaj të mbretërisë së athershme serbe zbritën si pushtues në Kosovën e banuar historikisht me shumicë shqiptare dhe me religjion që i takonte historisë kristiane (ky nuk është trajtim i njëanshëm i historisë, siç mund të thonë në Beograd, por është dokumentuar nga historianë seriozë, gjithandej). Përveç vrasjeve dhe masakrave në atë që Kadare e portretizon si nata shekullore e Kosovës, këta ushtarë të mbretërisë po e sillnin edhe mitin me vete për utopinë e “Kosovës serbe”, një mit që nacionalistët e të gjitha ngjyrave në Serbi e bartën figurativisht si stafetën e Titos tek njëri-tjetri. Kleri nacionalist ortodoks serb është në vazhdimësi pjesëmarrës në mashtrimin historik. Duke e gjetur një fakt të kryer kalimin e pjesës më të madhe të shqiptarëve në religjionin islam gjatë pushtimit turk pretenduan për një të “vërtetë” historike të traditës religjioze që sipas variantit të tyre të shpjegimit mund t’i shitej më lehtë Europës kristiane, që në fakt është mashtrim i dokumentuar se kryqi historik në Kosovë është i Serbisë. Ky është njëri nga eksperimentet me lojën e fakteve që me metoda më të sofistikuara tentohet të keqpërdoret edhe sot nga ana e shtetit serb. Një fakt që edhe në bazë të dokumenteve historike të bazuar edhe në traditën e kishës katolike shqiptare është mashtrim sui generis që nga i ashtuqujturi kodi i Dushanit e këndej.Është thënë disa herë se në Ballkan konsumohet shumë histori që është orientimisht konstatim i saktë por në emër të historisë a nuk po tenton Serbia që për derën e pasme të shkatërroj pavarësinë e Kosovës. Nuk po i përmend këto fakte për të vërtetuar këtë tezë se “ballkanasit konsumojnë shumë histori” por për të vërtetuar se nganjëherë edhe përdorimi i shtrembër i politikës ditore pretendohet se mund të ketë efekte…

 

Kujtesë historike për vijën e kuqe të Boris Tadiçit

 

Nën rrobat e demokracive të deklaruar nuk mund ta fshehin mitin e bazuar në planet e Millosheviqit që në kompjuter të harruar e bartin me copy paste nga ajo epokë e errësirës e vrasjes masive të kombeve përreth Serbisë. Një mik nga Akademia e Shkencave të Serbisë, i babait të kryetarit Tadiq -Luba Tadiqit, ideologu nacionalist serb Dobrica Qosiq e kishte lutur Millosheviqin në kulmin e fuqisë gjenocidale që të ndajë Kosovën në mënyrë që të mos e humb në tërësi sipas propozimit të tij. Tanimë kur gjenocidi ka ndodhur në pranverën e vitit 1999 e njëjta logjikë funksionon në laboratorin eksperimental të kryetarit serb Boris Tadiqit i cili planin gjashtëpikësh që pretendon, funksionalizon dhe defakto ndan Kosovën e quan hiq më pak se vijë të kuqe, në rastin më të keq kjo është vijë konflikti që nuk e dëshirojnë shqiptarët dhe të cilën me ç’do kusht maksimalisht duhet larguar si tezë dhe mundësi. Me planin 6-pikësh është e qartë se nuk po cenohet vetëm pavarësia e Kosovës përtej lumit Ibër, por de fakto po krijohen disa minishtete brenda shtetit që më pas pas disa viteve të shitet si një ndarje historike dhe kompromis në mes të shqiptarëve dhe serbëve. Kështu parathonë të gjithë tingujt e kësaj këmbane 6-pikëshe, sinqerisht do të isha i lumtur apo do të ishim shumë të lumtur si komb sikur të ishte ndryshe. Pa u tharë mirë ngjyra e lapsit faktet do të doja të më demantonin…Sa bukur do të ishte…Të gjitha zhvillimet historike dhe aktuale janë kundër këtij plani, sa për kujtesë presidenti Xhorxh Bush në atë që njihet si “kërcënimi i kërshëndellave” i vitit 1992 paralajmëronte Serbinë që të mos kalojë vijën e kuqe e të provojë luftën e gjenocidin edhe në Kosovë, faktet e mëpasme treguan se Serbia në Kosovë kishte humbur të drejtën historike, morale, juridike dhe të drejtën për të vendosur vija të kuqe në hartën e Kosovës, por në të kundërt të erës gjithmonë një derë në rrugën e kaosit u la hapur, Enklavat, mosintegrimi, betonimi kundër c’do përpjekjeje shtetërore të Kosovës, lobimi i fuqishëm kundër pavarësisë së Kosovës në lëvizjen e të painkuadruarve dhe shtetet arabe, si pasojë dërgimi i çështjes në gjykatën e drejtësisë në Hagë ishin rrugë e hapur për formulimin e 6-pikëshit të cilat gradualisht krijuan dhe forcuan letrën e fundit në xhepin e politikës beogradase - ndarjen e Kosovës. Duke pasur parasysh këto fakte të gjitha shpjegimet e tjera duken trillime për konsum të përditshëm…

 

Loja e vjetër

 

Që nga paslufta është tentuar në mënyrë konstante që me paralelizëm etnik të ndahet Kosova. Në fakt siç u potencua edhe më parë, zëra nga Akademia serbe e Shkencave e formulonin ndarjen si mundësi të zgjidhjes së konfliktit të Kosovës. Kjo është lojë e vjetër andaj në kontekst integrimi dhe decentralizimi ishin vetëm projekte në mënyrë që serbët të blenin kohë për ndarje,por është pyetje dhe dilemë a mundet që kafeneja “Dolce vita” dhe ura mbi Ibër në veri të Mitrovicës si simbolikë e përdorimit politik në duart e politikanëve të Beogradit të projektojë vizionin e Kosovës, duke u bazuar në mashtrimin si projekt-ndarjen e Kosovës në vija etnike. Në tërë këtë histori kemi edhe ne përgjegjësinë tonë në tortën e së keqes.Thjesht ne nuk kemi arritur të stabilizojmë pas luftës asnjë sektor publik, nuk kemi rrymë, ekonomi, me një privatizim ekonomik të çuditshëm nga bosët e kamufluar, pa punë dhe siguri për bukën e përditshme në të ardhmen afatgjate. Dhe ky është problemi kryesor në sfond, akoma më i madh për shqiptarët si shumicë se sa për serbët si pakicë, përkundrazi serbët kanë pasur në vazhdimësi diskriminim pozitiv në përpjekje për të dëshmuar kohezionin e integrimit.Përjashto sigurinë në vitet e para të paskonfliktit që në një vend të traumatizuar nuk ishte në nivel të kënaqshëm për asnjë njeri. Madje edhe shqiptarët u bënë viktima të shpeshta të konflikteve të mëhershme më njëri tjetrin dhe paragjykimeve që sjell çdo konflikt, ndërsa serbët në vend që të integrohen në vazhdimësi morën instruksione nga Beogradi dhe u bën të manipulueshëm në kalkulime politike për ndarjen e Kosovës në lumin Ibër, një fakt që edhe më parë duke përdorur pakicën serbe Millosheviqi në emër të një “të drejte historike të epokës mesjetare” krijoi kulturën mashtruese të frikës për të drejtat e serbëve që më pas të kryejë gjenocid në pranverën e përgjakshme të vitit 1999. Jemi sot në dy kohë të ndryshme por elementet e kulturës së frikës për përdorim politik të pakicës serbe ekzistojnë ende.

 

Ali Kadriu, 28 nëntori dhe flamujt…

 

Për paradoks tërë historinë e 6-pikëshit e s’qaron Ali Kadriu ky burrë fatkeq që nuk e lejojnë të ndërtojnë shtëpinë e tij ndërsa gati sa nuk po i këndojmë këngë me çifteli tërë Kosova për ta kaluar më pas në mitin e shqiptarit të pathyeshëm. Është një traditë që për çdo 28 nëntor të ngrihet flamuri por edhe gjatë çdo ndërtimi të shtëpive si shenjë e një jete të re përsëri ngrihet flamuri. Ali Kadriu do të dëshironte padyshim që të ngrinte flamurin e Ismail Qemalit që udhëtoi për në Vlorë në kulmin e shtëpisë së tij që u bë ikonë e fundit në politikën e trazuar ballkanike, por po me dëshirë do të vendoste flamurin e shtetit të ri të Kosovës pasi “Edhe ai ka shtet”, ndërsa realisht pakëz më poshtë shtëpisë së tij gjithandej shtrihen flamujt e Serbisë brenda territorit të Kosovës. Vendosja e Euleksit dhe e 6 pikave të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së është dikund në mes të tërë këtij kaosi dhe mjegulle flamujsh e toke pa zot. Një pledoaje për kaosin e ri. Sikur nipi i Ali Kadriut të kishte mundësi të shkonte ç’do mëngjes në punën në ndërmarrjen ekonomike të garantuar nga misoni i kaluar sigurisht se Ali Kadriu do ta pinte cigaren më qetë në kaosin e flamujve në shtëpinë e tij në mes të tri historive. Në të kundërt në tymin e cigares së tij kaosi po afron në veri. Ali Kadriu nuk e di a është kaos i përkohshëm siç po thuhet apo i përhershëm siç po dyshohet, ai e di se kurrë nuk u qetësua shpirti i tij në mes të luftës, politikës, trazirave, bashkimeve dhe ndarjeve. Ai e di se kësaj pune nuk i vjen era mirë pranë shtëpisë së tij në mes të historisë së tre flamujve antagonistë dhe natyrisht dëshiron të jetë i gabuar…Ashtu qoftë…Por a mund të jetë i gabuar dyshimi i Ali Kadriut si metaforë e kësaj historie, kush e ka këtë përgjigje?



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora