E premte, 29.03.2024, 01:29 PM (GMT)

Editorial

Mërgim Korça: Refleksion për Ditën e Flamurit

E diele, 30.11.2008, 07:59 PM


Mërgim Korça
Refleksion për Ditën e Flamurit

 

Kumtesa e mbajtur në një komemoracion të organizuar nga Këshilli Drejtues i Kishës shqiptare të Shën Palit, në SHBA

 

Nga Mërgim Korça

 

Nderi që mu bë të jem i ftuar nga ana e Udhëheqësit Shpirtëror të këtij Institucioni, të Përndershmit Dom Anton Kçirës, në emër të Këshillit Drejtues të Kësaj Kishe, që të flas në këtë mbrëmje përkujtimore të ngjarjes më të rëndësishme që ka përjetuar Kombi ynë Shqiptar, padyshim që më emocionon shumë dhe i falënderoj nga zemra! Prandaj pikërisht sonte ku Dom Antoni me kolegët e tij, në frymën e Rilindasve gjatë luftës për pavarësi kombëtare, përzgjodhën që unë toskë edhe i besimit musliman, ta mbaj këtë kumtesë para jush ku dukshëm mbizotëron pjesëmarrja GEGË, lejomëni që edhe unë i njësuar me këtë frymë vëllazërimi kombëtar, t’ju flas në të folmen t’uej se ksisoji edhe un’e ndjej vedin mâ t’afërt me ju e nepërmjet jush edhe me farktuesit gegë të pavarsisë Shqypnisë siç kjene Ded Gjon Luli me shokët e tij luftëtarë q’e ngritne Flamurin e Skenderbeut me 6 Prill 1911 në Deçiq (kur thyene trupat e xhonturqve), tue vazhdue te intelektualt’e mirfilltë Patër Gjergj Fishta, Dom Nikoll Kaçorri e Luigj Gurakuqi me shokë qi kjene farktuesit e 28 Nândorit 1912. Përvjetort’e përkujtimit të Shpalljes Pamvarsisë janë kênë t’shumt’e deri m’sot 95. Prandej përgjatë këtij të 96-ti, me lêjen tuej të nderuem pjesmarrës n’tubim, due me u ndalë mâ shum n’situata e gjithashtu ndryshime situatash q’e përshkuene at periudhë para ngritjes flamurit ku edhe pozicionimet e atdhetarve t’onë sot munden me u dukë të çuditshme.

Ky përvjetuer i 28 Nândorit 2008 âsht’i lidhun ngusht me ndodhínë fatlume të 17 Fruerit të kësaj vjete, ditë në t’cillën u shpall edhe shkëputja e Kosovës prej Serbijet e pra Pamvarsia e Kosovës. Ky, pa as mâ t’voglin dyshim, âsht nji sukses i madh i mbërrijtun mbas Shpalljes Pamvarsisë Shqypnisë. Mirpo na sot, prej naltsive të vjeteve 2000 po t’i hjedhim nji sy rrugës përshkueme prej ditës kur u themelue Lidhja Shqyptare e Prizrênit e deri sot, shum kritika mund t’u drejtojmë atyne q’e udhëhoqne shtetin tonë përgjatë ktyne 96 vjeteve! Krejt’e kuptueshme, tue fillue prej ... pse Ismail Qemali me shokë pranuene me themelue nji shtet të cunguem prej trojesh të tij si edhe popullate safí shqyptare; pse Zogu fillimisht bâni nji politikë pro-serbe e mandej pro-italiane, (s’cillës edhe ia pa sherrin aj vetë); pse mbas ikjes Zogut u bashkëpunue me Italin’edhe me Gjermaninë; lêne mandej diskutimin rreth pozicionimit diktaturës komuniste lidhun me Jugosllavinë Federative e në vazhdim me shtetet e tjera komuniste si B.Sovjetik edhe Kina e Mao Ce Dunit, e mâ s’fundit qindrimi i Shqypnisë Zyrtare sot kryesisht ndaj Greqisë e mandej edhe Serbisë, etj.etj.

Tue i lânë m’njen’ânë tâna tjerat e tue u përqëndrue n’temën tonë t’sodit, pështetë n’fakte e rrethana qi çuen në t’shpallunit e pamvarsisë komtare, due m’i vûe n’dukje n’kët tubim edhe disa hollsína t’cillat koha bân m’i harrue por tue u kthye me mênde tonën në gjysën e dytë të shekullit XIX-të kur u ndie nevoja e themelimit të Lidhjes Prizrênit, (10 Qershuer 1878), kto hollsina përbâjshin nji shumatore elementesh qi nuk muejshin mos me u marrë parasysh prej atdhetarve tonë mâ t’përkushtuem ndaj çashtjes komtare e t’veprojshin edhe t’orientuem synesh.

Në parim piksynimet e tyne kryesore ishin dy: 1- Me muejt’e m’e ruejtë tânsín’e tokave t’popullueme prej shqyptarësh prej coptimit, ku u gërshetojshin interesat ç’prej Rusisë e mandej posht’e mâ poshtë interesat e Bullgarisë, Serbisë, Malit të Zi e doemos m’ânë tjetër edhe të Greqisë. 2 - Tue e ruejtë tânsín’e tokave me muejt’e me përfitue prej rastit e m’e krijue Shtetin Shqyptar të pavarun!

Kjo e përgjithshmja. Vijmë tash te njêna hollsíshë. Nêni i parë i vendimeve të Lidhjes përcaktote kjart’edhe shquem se piksynimi i Lidhjes ishte m’e ruejtë me çdo mjet tânsínë territoriale të vêndit (ku kjo nenkuptote katër Vilajetet e Shkodrës, Kosovës, Manastirit si edhe Janinës - shënim M.K.), tue kundërshtue çdo propozim q’e prekte kët tânsí paraqitë prej cilësdo qeverí, veçse pa kundërshtue shka të thote Porta e Naltë. Shka duhet me nênkuptue ksisoji? Del e kjartë se deri në muejin Qershuer 1878 te Porta e Naltë të tânë atdhetarët shqyptarë shifshin nji garancí prej coptimit n’drejtim të ruejtjes katër vilajeteve t’banueme prej popullsije shqyptare. Por m’ânë tjetër, karakteri komtár i Lidhjes vêhej n’dukje në nênet 4 edhe 10 ku respektivisht cillsohej vullnesa m’i mprojtë jetët, pasunitë si edhe nderin e popullatës jomuslimane! N’vazhdim Lidhja krijoi Komitetet e saja lokale e dokumentat qi u drejtoheshin qeverive të ndryshme të Fuqive të Mëdhá ishin shum mâ të ashpra lidhun me ruejtjen e të drejtave të popullatave shqyptare të krahasueme me dokumentat e drejtueme Portës Naltë. Me pak fjalë drejtuesit e Lidhjes u diftuene shum politikaj të hollë në sjellje e kto doemos pështetë në diplomací të hollë !

Mirpo situatat si edhe konjukturat ndryshojshin jo mâ me muej e me javë por me orë. Me 22 Korrik 1878 ushtria Austro-Hungareze i kje drejtue Bosnjes. Qe pra edhe hollsija e dytë, me ç’rasë nuk duhet harrue se në mbledhjen e Prizrênit kishin marrë pjesë disa krenë të Bosnjes edhe Herzegovinës qi t’a lidhshin luftën e tyne me të shqyptarve. Porta e Naltë, tue u mundue m’i shfrytzue ndjenjat fetare i shtyni shqyptarët muslimanë të vilajeteve të Shkodrës edhe Kosovës me shkue e m’e mprojtë Bosnjen. Impulsi i parë kje m’e zbatue porosinë e me u dalë krah boshnjakëve. Mirpo trûni i mposhti zêmrat, e drejtuesit e Lidhjes, tue e gjykue situatën me gjak të ftoft’e kuptuene se interesi i tyne e dote mos me u hjedhë n’aventura ndjenjash por, të prîmun prej logjikës ftoftë mbështetë n’interesa mâ të ngushta por kombëtare, të ruejshin forcat m’i mprojtë vetëm tokat e tyne! Në muejin Gusht të 1878-s u formuen komisjonet ndërkomtare për m’i përcaktue kufijt’e Turqisë me Sërbinë si edhe me Malin e Zi. Mirëpo shqyptart’e Lidhjes e kishin të dame mênden me qindrue me armë kundër shtrîmjes Malit Zi n’toka tonat. Turqija me at rasë, m’u diftue se u qindrote zotimeve t’marruna karshi Fuqive t’Mëdhá, nisë n’Shqypnin’e Veriut Mehmet Ali Pashën, (q’e kishte përfaqsue Turqinë n’Kongres t’Berlinit). Ky, i shoqnuem prej kompanije ushtarësh turq qi m’e mprojtë atê, me 25 Gusht 1878 mbërrini në Prizrên edhe thirri Komitetin e Lidhjes m’e bindë me iu nenshtrue vendimeve të Kongresit Berlinit. Mirpo shqyptarët as qi deshën me i a dijtë si kshillave e as kërcnimeve të Pashës turk! Kësi shtegu aj vendosi me shkue në Gjakovë ku kish mik Abdullah Pashë Drênin i cilli jo qi ishte n’Kryesin’e Lidhjes Prizrênit por ish edhe njêni prej antarve mâ me peshë të Lidhjes. Këtu tash qet krye edhe hollsija e tretë e cilla kish lidhje me karakterin burrnuer të Shqyptarit. Abdullah Pashë Drêni ish nji atdhetar i përkushtuem e nuk kish se si t’i pranote këshillat e Pashës turk n’dam të interesave shqyptare. Mirpo osmanllija i dite mirë dredhítë e fillë sa shkeli n’Gjakovë, pa fillue bisedime, shkoi e ra mik te konakt’e Pashës Shqyptar.

Kur filluen bisedimet Pasha turk edhe n’Gjakovë gjet po aq kundërshtime sa edhe n’Prizrên e kundërshtimet çuene deri atje sa me 2 Shtatuer nji përfaqsí shqypta-rësh të Komitetit Lidhjes i kërkoi Mehmet Ali Pashës t’u largote prej Gjakovet! Aj nuk pranoi. Asi shtegu ata gjithashtu i kërkuene Abdullah Pashë Drênit ta largote prej konakve të tij Mareshallin turk. Këtu i zoti i shpisë u xûe ngusht: nuk pranoi m’e përzânë mikun si e trajton mjeshtri i Madh Patër Gjergji n’Lahutë t’Malcis te kânga e X-të: Ka shkue lajmi m’derë të begut/ E i ka thânë Abdullah begut:/Ti qi je Abdullah begu,/ Falmeshndet po t’çon halija:/Njat murtat, qi ke te shpija,/ A thue bân n’dorë me na lshue,/Përse e kem’nji gjygj me tê. /Ka qitë begu edhe i ka thânë:/Se âsht murtat, se s’âsht murtat/Ku ta dije kët punë i mjeri,/ Pse vallahi pvetë s’e kam/Ket zanat s’ma ka lânë baba,/Me i pvetë miqt un se shka janë:/Se shka janë e shka nuk janë:/Se kah vin e se kah shkojn:/Shka punojn e sa rrogojn./ Veç, po, ‘i punë baba m’ka msue;/ Miqt për t’gjallë un mos me i lshue.

Si u zhvilluen ndodhítë? Kulla e Abdulla Pashë Drênit u rrethue rândë. Mehmet Ali Pasha s’largohej. Abdullah Pasha nuk e dorzote “mikun”. Dy dit rresht rrethuesit sulmuen ashpër ndërsa t’rrethuemt u mbrojshin gjithashtu rreptë. Me 6 Shtatuer 1878 kulla u muer. Mehmet Ali Pasha me gjith ushtart’e tij gjetne dekën. Por gjithashtu Abdullah Pash Drêni me trimat e tij u vrane. U zgjata pak n’kët hollësí të tretë sepse ndodhíja e Gjakovës xorri në plan të parë fakte qi lane përshtypje të madhe si mbrênda Vilajeteve Shqyptare por edhe gjithashtu edhe jashtë tyne: a- Të huejt e kuptuene se Lidhja e Prizrênit nuk ish krijes’e Turqisë. b- Patriotët Shqyptar’e diftuene se do t’a luftojshin edhe vetë Turqinë, për hírin e tânsísë tokave shqyptare edhe vetqeverimin e tyne. c- Lidhja Shqyptare tue e diftue forcën e saj e trêmbi Malin e Zi. d- Turqija kuptoi se duhej me kên’e matun e s’mori asnji masë ndeshkuese. e- Sjellja e Abdullah Pashë Drêni e çoi nalt opinionin për besën e shqyptarit! Po në Jug si po u zhvillote gjêndja? Komitetet e Lidhjes Shqyptare, në Kallnorin e vjetës 1879, i nisën memorandume t’gjashta Fuqive t’Mëdhá tue theksue se Epiri u banote prej shqyptarësh e se nuk kishin kurrsesi me i a lshue Greqisë trojet e tyne legjitime. Greqija q’e kish Francën përkrahse t’sajën dote sa mâ parë bashkbisedime me Turqinë lidhun me përcaktimin e kufîjve të sajë. Në fakt protokoli i Berlinit lidhun me kufinin Turko-Grek nuk pati vendue asnji kusht por nepte nji porosí qi palët t’u merrshin vesht. Turqija u diftue shum e hollë n’gjykim se tue e dijtë se i tânë Epiri u banote prej shqyptarësh e dite se atje Greqija e kishte pisk punën e kish me hasë n’kundërshtime t’fuqishme prej synesh! Prandej pranoi qi me 5 Fruer 1879 t’u ulshin n’bisedime komisionet turke si edhe greke. Mbledhja mâ e madhe u bâ n’Prevezë. Në komisionin turk bâte pjes’edhe Abedin Bej Dinoja, (safí shqyptar çam), në shpin’e t’cillit u bâne disa mbledhje të komisioneve. Lidhja i njoftoi komisionet se kish me thirrë 30.000 ushtarë m’i përballue grekët n’se dojshin me hye n’Epir. S’meti tjetër veç m’i ndërpré bisedimet! Deri me 23 Gusht heshtje zyrtare veç ... aktivitete diplomatike t’maskueme. At ditë në Stamboll filloi prep mbledhja e komisionit dypalësh. Po Turqija shka kish bâ m’e ruejtë palën shqyptare përkrah vedit? Abedin Pashë Dinoja, (kje êmnue “Pashë” edhe njikohsisht Ministër i Jashtëm i Turqisë). Kundërshtimi i Turqisë me u lëshue grekve Janinën edhe Çamërinë gjeti ksaj here pështetjen e Kryeministrit Anglez Waddington! Ktu tash ndodhena para nji hollsije tjetër t’pabesueshme e qi âsht hollsija e katërt: Otto Von Bismarku propozoi qi Greqisë n’vênd t’Epirit t’i lshohej ishulli i Kretës. Kush e përkrahu? Rusija! Po, vetë Rusija! I vetmi spjegim âsht se ndoshta tue u veprue ksisoji e tue e shtye Greqinë drejt arqipellgut t’ju krijohej sllavëve fushë mâ e lirë veprimi! Në ato kushte mbledhja e Lidhjes e ashtuquejtun e Gjinokastrës e 23 Korrikut 1880, njifet si mâ e rândësishmja bashkuese e Veriut me Jugun edhe e feve pa dallim synesh por vetëm me karakter komtár! Pra kjo mbledhje e sanksjonoi zyrtarisht mêndimin se katër Vilajetet u dojshin bashkue në nji tânsí t’vetme e cilla kish me u quejt Shqypni e me kryegjytet Ohrin! E pra në kto çaste ku dokumentat arkivale nuk mbërrijnë me spjegue gjithçka, vetëm ato hollsina q’i trajtueme mâ nalt ndoshta çojnë drejt spjegimit se si me ndryshimin e pikpamjeve edhe pozicionimeve të Fuqive të Mëdhá, ndryshojshin edhe qindrime atdhetárët t’onë t’përkushtuem ndaj çashtjes komtare! E ksisoji tash, mes intrigash pshtetë n’interesa të Fuqive të Mëdhá, erdh edhe dita kur Turqija nuk i pështeti mâ shqyptarët edhe u dërgue Dervish Pasha i cilli me dhun’edhe gjak i theu me 21 Prill forcat e kryesueme prej Mic Sokolit e Ali Ibrës në Shtimlje. Mandej u shtye drejt Cërnalevës ku kje Sulejman Vokshi e mbas goditjesh të rânda artiljerie e me humbje të mdhá të dyanshme i theu forcat shqyptare. Për Abdyl Frashërin frymzuesin e autonomisë vêndit, u caktue nji shpërblim i madh. E kapne në Elbasan tue kalue Shkuminin. E çuene para Dervish Pashës në Prizrên, i cilli e nisi për në Stamboll ku u dënue me burgim t’përjetshëm. Ky patriot i madh ndërroi jetë në 23 Tetuer të vjetës 1892. E pashë t’arsyeshme m’e bâ kët paraqitje n’kët mënyrë qi ndigjuesit t’cillt n’vija të përgjithëshme faktet historike i njofin, t’u familjarizojshin me qindrimet e Fuqive t’Mëdhá por m’ânë tjetër kur të gjykojnë qindrimet e patriotve t’onë mos të nisen me pikpamjet e sodit por ... të vêhen disi n’pozitat e tyne të atëhershme. Shikjue prej ktij kând-kqyrjet, marr lêjen t’a sintetizoj Lidhjen e Prizrênit jo tue e shikjue se nuk muejti me i a mbërrîe qëllimit saj, por se dy piksynime i bâni realitet: 1- Kombit Shqyptar i a përpunoi mêndimin e “bashkësísë komtare” pa dallime! 2- Europës çashtjen e Kombit Shqyptar i a shtroi si problem për me u zgidhë! Me kët rasë ia vyen m’e shtrue nji prej pikpyetjesh madhore e cilla vetëm me fakte e dokumenta historike kurr nuk mundet me marrë përgjigje: Âsht pranue n’përgjithsí se Austro-Hungaria e ka ndihmue themelimin e Shtetit Shqyptar. Por m’ânë tjetër gjithashtu dihet se kur Abdyl Frashëri u tokue me Otto Von Bismarkun në Vjenë për me i kërkue ndihmë lidhun me tânsín’e territoreve shqyptare të banueme prej shqyptarësh, ky i fundit i kishte thânë se shqyptarët as gjûhë të tyne t’shkrueme nuk kishin! Edhe kjo nji e vërtetë. Por mbas qindrimit zyrtar, kur hîhet e analizohet në kompleks qindrimi i Fuqive t’Mëdhá, del se po ai Bismark propozoi t’i nepej Greqisë Kreta e t’ju lêhej shqyptarve Çamëria. M’ânë tjetër me pohimin e tij se shqyptarët nuk kishin as gjûhë të tyne t’shkrueme, aj i nxiti indirekt atdhetarët me iu qepë alfabetit t’unjisuem të Gjûhës Shqype qi edhe kjo pik’e dobt’e tyne të shmangej. Ksisoji tash gjithsecilli le t’a mêndojnë disi mâ thellë se përparandej e të xjerrin përfundime rreth qindrimesh politikâjsh ndaj çashtjes shqyptare.

Mbas natës gjat’edhe të errët 410 vjeçare prej 1468-ës e deri në 1878-ën, tre vjetët e veprimtarisë Lidhjes Shqyptare të Prizrênit kjene vjetet q’e pregaditne Rilindjen Komtare Shqyptare! Kurse 27 vjetet prej 1881 e deri në 1908, u bâne vjetet përgjatë t’cillve puna madhore edhe shêmbullore e rilindasve t’onë bâni qi të mbërrîhej në Kongres të Manastirit i cilli e unjisoi alfabetin e Gjûhës t’onë t’bukur Shqype e cilla u bâ gjûha e shkrueme e shqyptarve edhe krijoi kushtet pararêndëse për të Shpallunit e Pamvarsisë! Tash pra, kësi shtegu due me prûe para vemêndjes pjestarve të këtij tubimi njênën thânjesh madhore të shtetarit edhe drejtuesit të madh politik Winston Churchill-it i cilli ka pasë pohue: “Me kênë politikan duhet aftësíja m’e parashikue të nesërmen, nji javë prej sodit, shka ka me ndodhë mbas nji mueji edhe mbas nji vjete e n’vazhdim edhe me spjegue pse parashikimi nuk u realizue!”. Kjo maksimë vlen m’i gjykue drejtuesit t’onë qi e pregaditne edhe e themeluene Lidhjen Shqyptare të Prizrênit e n’vazhdim doemos edhe të Rilindasve q’e themeluene Shtetin e Pamvarun Shqyptar, sepse lypet objektivitet i skâjshëm edhe ndershmëri po e ksisojit m’i gjykue qindrimet edhe sjelljet e veprimet e tyne! Vijmë n’muejin Tetuer të vjetës 1912. Kish kalue bash nji vjetë qysh prej 6 Prillit të 1911-ës kur Ded Gjon Luli n’krye të trimave të tij i kish thye ushtritë e xhonturqve e Prêtash Zeka Ulaj e kishte çue flamurin e Skanderbegut në Deçiq! Lufta e popujve ballkanas, mbas traktatit aleancës të nenshkruem me 6 Tetuer 1912 prej serbve, malazezve, bullgarve si edhe grekëve për luftë kundra ushtrive turke, ishte e acarueme n’kulm. Luftimet u bâjshin përgjatë vijës territoriale të vilajeteve shqyptare, pra çdo tërhjekje turke lëshote tokë shqyptare nen kâmbën shkelse sllave ose greke! Tash nuk ishte mâ punë m’u qindrue malazezve, (t’cillve malcorët t’onë ua kishin diftue kufîjt), por forcave qi shqyptarët nuk kishin mundësi m’u bâ ballë! N’kët kohë nji grup intelektualsh kosovarë s’bashkut me Mit’hat Frashërin qi ishte në Manastir, u dorzuene tâna konsullatave nji dokument ku i bâjshin me dijtë Fuqitë e Mëdhá se shqyptarët nuk kishin m’e njoftë asnji shkelje të të drejtave të tyne si komb! Tue i u referue kujtimeve të njênit prej pjesmarrësve të tubimit në Arqipeshkvinë Katolike të vêndit, Mustafa Merlika Krujës, ku u pritne prej patriotit të madh e ndihmës Arqipeshkvit Imzot Nikoll Kaçorrit, Avdi e Refik Bej Toptani, delegacioni kosovar i përbâmë prej Salih Gjukës, Bedri Pejanit e Rexhep Mitrovicës me t’cillët ishte edhe Mit’hat Frashëri, e me ta kjene bashkue edhe Dr.Neki Libohova, Stefan Kaçulini, Mahmud Beshiri edhe Salih Nivitza. Me kët rasë pjesmarrësit, tue i diskutue të tâna mundësitë si me u dalë zot fateve të shqyptarve, Mustafa Kruja kujton veç tjerve, edhe nji ballafaqim mêndimesh e propozimesh qi mendoj se âsht me rândësi të posaçme edhe skâjshëm kuptimplotë me i a bâ të dijtun këtij tubimi. Salih Gjuka kishte thânë: “Nji Shqipni qi ka rruem katër shekuj e gjysë nën nji sundim barbar e qi për kët shkak gjindet sot n’ato kushte shoqnore e ekonomike qi dijmë të tânë, e për mâ tepër rrethuem gjithândej me fqij të panginjëshëm, nuk mundet me u bâmë përnjiherë Shtet mbë vete dhe me jetuem e përparuem pa ndihmën e projën e nji Pushteti të madh e dashamirë”. E pra, nisë prej këtij arsyetim ai, (Salih Gjuka - shënim M.K.), proponon qi Monarkija Austro-Hungareze ta merrte nen projë e ta ndihmonte derisa Shqypnija t’mundej me qindrue n’kâmbë t’vetat! Kurse çohet Dom Nikoll Kaçorri e prémas e kundërshton tue u shprehë, (si e citon Mustafa Kruja - shënim M.K.), “... un jam gadi me pranue për nji Shqypni “autonome” mâ parë projën e Perandorisë Othomane qi padyshim s’do të kishte mâ nji jetë të gjatë e me dekën e saj Shqipnija do t’a kishte të sigurtë pamvarësin’e plotë”! E Mustafa Kruja, me paansín’e tij skâjshëm atdhetáre, nenvizon faktin se si nji shqyptar musliman po dote jo vetëm m’e shkëputë vêndin e vet prej sulltanit kalif, por edhe me e shtîmë nën hijen e perandorit “fort katolik” t’Austro -Hungarisë, kurse prifti katholik mendonte se diametralisht e kundërta ishte mâ fort n’interes të Kombit t’onë. Kjo kish me kênë edhe hollsija e pêstë. Me 14 Tetuer prej mbledhjes zhvillueme në Shkup, Salih Gjuka, Nexhip Draga, Mit’hat Frashëri e të tjerë i njoftojshin Fuqit’e Mëdhá se shqyptarët kishin m’e mprojtë tânsínë territoriale me armë.

Në vijim Ismail Qemali me Luigj Gurakuqin, Pandeli Calen edhe Dom Nikoll Kaçorrin, mbasi morrne kontakt me Koloninë Shqyptare të Bukureshtit ku u vendos me u krijue nji Komitet Drejtues, u nisne për në Trieste ku tre bashkpuntorët e tij kishin m’e pritë sa të kthehej Ismail Qemali prej Vjene. Me t’u kthye në Trieste Ismail Qemali u diftoi se gjysë fjale e kish marrë në Budapest prej ministrit të Jashtëm Berthold e se n’këto tallaze Austro-Hungaria edhe Italia kishin m’e pështetë pamvarsinë kombtare. Ksisoji n’ato çaste fat i madh për kombin t’onë ishte se Ismail Qemalit, qi i ndiqte me kujdes të madh zhvillimet e luftimeve n’mes alencës sllavo-greke edhe ushtrive turke, tue i besue edhe pohimit Bertholdit e ksisoji i u kristalizue në krye ideja me përzgjedhë pamvarsín’e cungueme mâ mirë se sa autonomín’e vilajeteve por nên Turqin! Me 17 Nânduer prej Vjene Ismail Qemali e nisi telegramin tashmâ të famshëm ku shprehej se shpejt kishte me mbërrîe në Durrës e se duhej mbledhë Kuvêndi Komtár! Delegacioni mbërrijti me 21 Nânduer në Durrës. Flota Greke e kishte blokue hymjen në portin e Vlonës! Ismail Qemali me shokë e kuptuene se në Durrës nuk ishte terreni mâ i përshtatshëm m’e shpallë Pamvarsínë se m’njênën anë zona e Durrësit ishte e banueme prej muslimanësh fanatikë; pengesa i xirrshin autoritetet turke e po ashtu edhe dhespoti grek Jakovos shprehej se e njifte vetëm flamurin turk ! Shka mbetej me përzgjedhë? Me rrugë toksore, drejt Vlonës, s’bashku me delegatët e Shqypnisë Mesme si edhe ata pak përfaqësues të Kosovës! Me 26 Nânduer mbërrijtne në Vlonë. Në kujtime të vetat Ismail Qemali shkruen “... një zjarr i shënjtë atdhetaríe kishte pushtuar qytetin e vendlindjes s’ime dhe populli më çdo anë na përshëndeste me entuziazëm e gëzim”. Me 27 mbërrijtne gjith delegatët e territoreve të pashkeluna prej të huejve. Të nesërmen 47 delegatët u mblodhne në 4 mbasdite në çardakun e shpisë Xhemil Beg Vlonës. Kuvêndi e brohoriti Ismail Qemalin si kryetar e ky Kryetar i Parë i Shtetit Shqyptar mbajti fjalimin e tij programatik ku ndër tjera e bâni publike idenë: “... E mbasi nuk mbeti më asnjë shpresë për ta shpëtuar Shqipërinë me armë, e vetmja udhë shpëtimi ishte të shkëputurit e saj nga Turqia! Ky mendim u pa me vënd edhe nga ana e Pushteteve të Mëdhá e sidomos në Vjenë edhe Romë. Vetëm Rusija, mund të mbahet pakëz e ftohët nga shkaku i fqinjëve t’anë sllavë, por as ajo nuk e mohon kombësinë Shqiptare ...”! Me të mbarue fjalën Ismail Qemali, e përcjellun kjo me shuplakë të fuqishme duersh të delegatve, sekretari i Kuvendit Vlonës, Luigj Gurakuqi, lexoi rezolutën që Mustafa Kruja, bashkësekretar me tê na e nep integralisht si vijon: “Në Vlonë më 15/28 të vjeshtës së tretë 1328/1912 pas fjalëve që tha Z.Kryetari Ismail Kemal Beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria me sot të bâhet në vete, e lirë e mosvarme”. Mjes krismash shuplakash e klithmash për Shqypnin’e lirë tânë delegatët vênduene nenshkrimet e tyne tue fillue me Ismail Kemal, Kaçorri (Dom Nikoll), Abdul-Azis Vehbi, J.Karbunara, Vehbi Harçi, Qazim Kokoshi, J.Minga, Rexhep (Mitrovitza) e me radhë të gjith delegatët. Nga Kuvendi doli Qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali si edhe Pleqësia prej 18 vetash. Mbas nenshkrimit të dokumentit në orën 5:30 mbasdite, Flamuri i Shqypnisë, qi ishte flamuri i Skenderbegut të cillin e prûni prej Bukureshtit Spiridon Ilo edhe zonja Marigo Pozio i a pat qindisë thakët, mes rrahjesh t’pafûnd shplakash Ismail Qemali e ngriti edhe e vendosi në njênën prej dritoreve qendrore të ndërtesës! Me kaq mori fund vendosja e gurit të temelit të Shtetit Shqyptar të lir’e të pavarun! A mbaruene me kaq hallet e Kombit Shqyptar? Assesi. Fillë mbas asaj mbledhjes themeluese xûne fill’e u trashne n’vazhdim problemet si edhe hallet e shqyptarve t’cillat edhe sot, mbas 96 vjetesh, vazhdojn’ e janë gjithnji e mâ të mprehta edhe mbas 17 Frorit, ditës Shpalljes Pamvarsisë Kosovës ! Historia përsëritet :

Interesat e t’huejve ndërthuren me hallet t’ona po dashtë Zoti e dora, dorës, politikâjt t’onë të jenë në naltësín’e vlersimit tyne si e ka shprehë Winston Churchill-i!



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora