E merkure, 24.04.2024, 06:47 PM (GMT+1)

Editorial

Agron Tufa: Liria dhe vetëprojektimi i lirisë

E marte, 18.05.2021, 08:38 PM


LIRIA DHE VETËPROJEKTIMI I LIRISË

(eskiz)

Nga Agron Tufa

Pyetja “A jemi të lirë?” – është një kërkesë e formuluar paarsyeshëm, me pretendime absurde për të marrë “përgjigje”, sepse as pyetja dhe as përgjigja nuk janë të dhëna njerëzore. Për më tepër është një pretendim i një rendi absurd, i barazvlefshme me pyetjen pa pikë takti e pa pikë etike -  “A ekziston Zoti?”. Të vjen të thuash: “Po si kujtove ti more tyryfil? Kur ekziston ti, pse të mos ekzistojë dhe Zoti?”

Megjithatë, rikthehemi tek pyetja që e dëgjojmë shpesh të shtrohet: “A jemi të lirë?” Pyetja është aq e madhe, sa të zë gojën, të bllokon, sapo merr t’i përgjigjesh - çka do të thotë se dështon qysh në rreshtin e parë. Sepse nuk e dimë ç’është liria që të mundemi, mandej, t’i përgjigjemi. Më së shpeshti nocionin e lirisë e lidhin me raportet e saj përballë së Vërtetës. Por dhe e Vërteta është një nocion po aq abstrakt sa ç‘është Liria. Sepse ne nuk e njohim të Vërtetën, jo vetëm pse ajo nuk është gjithëherë një e dhënë jo e njëjtë dhe jo vetëm pse ajo ka dy anë, por edhe pse në rrethana të ndryshme ajo është relative: ajo që për një rrethanë ka qenë e vërtetë, nuk është më e tillë për një rrethanë tjetër. Gjuha shqipe nuk ka, me sa di unë, një sinonim tjetër ku e vërteta e rëndomtë njerëzore e përditshmërisë të mund të dallohej nga e Vërteta Absolute, ajo që është në instancë të fundit – një dhe e paluajtshme. Ajo që shkapërcën të vërtetat tokësore dhe nuk mund të vihet në dyshim nga askush.

Pra, puna ndërlikohet edhe më fort nëse flasim për të Vërteta të Epërme dhe për të vërteta tokësore: të parat, nëse i ndeshim, janë të papërballueshme dhe na shkatërrojnë, ndërsa të dytat – i manipulojmë në varësi të interesit, frikës apo të kontradiktës së papranueshme për ne. Atëherë pyetja “Ç’është liria”? – shndërrohet pashmangshëm në çështje të qartësisë që kemi ne në raport me të Vërtetën, që vetëm mandej të mund të hetojmë marrëdhëniet e pranueshmërisë/papranueshmërisë karshi saj.

Po nëse qenka kështu, atëherë “papranueshmëria e së vërtetës” a nuk shënon vallë vetvetiu zgjidhjen e “qartësisë” në lidhje me të Vërtetën, përderisa pozicionimi kundra saj është bërë tashmë, duke demonstruar me këtë akt një shkallë të përcaktuar lirie? Më duket se këtu kemi të bëjmë me një nocion tjetër që quhet zgjedhje dhe se për të bërë qartazi zgjedhjen, duhet demonstruar vullnet. Edhe në rastet kur liria jote përdoret kundër të vërtetës, ajo është liri (e demonstruar me zgjedhjen e vullnetshme të pozicionit). I bie që, sipas kësaj formule, liria të zgjidhë çështje të ndërgjegjegjes, si p.sh., “dëshiron të kesh ndërgjegje – kij; nuk dëshiron – mos kij”. Me këtë akt, në të dyja rastet, shprehet vullneti i të qenit i lirë dhe pyetja “a jemi të lirë”, gjen zgjidhje të shumëllojshme subjektive. Kësodore, demonstrimi i vullnetit pro/kundra lirisë kompromentohet me Lirinë si mjet që favorizon varësinë/ndërvarësinë tënde nga veta, persona, rrethana – të gjitha – mbështjella atmosferike e ekuilibrave të ekzistencës: të një pale që e favorizojnë, dhe të tjera që e disfavorizojnë. Dhe njeriu është i lirë të sillet përballë të Vërtetës vetëm në atë mënyrë, që rezultati i pozicionimit mos ta çojë në të kundërt të ekzistencës së vet, përndryshe, nëse nuk do ta bënte këtë, herët a vonë, të gjithë do të konfrontoheshin me të vërtetën dhe se lirinë nuk do të kishte më kush ta përdorte, thjesht, sepse nuk do të mbetej frymë e gjallë njeriu që të fliste për të.

Ka dhe një lloj të veçantë të lirisë, e cila, sado paradoksale, është një koncept i antipodit të saj, i mosshterrimit të limiteve të saj: është liria si mosprojektim dhe mosrealizim i vetvetes. Diçka si bllokimi i shtysës së vetëprojektimit. Kjo e përkundërt është veçse koefiçent i rregullimit të ekuilibrit, pa të cilën çdo liri gllabëron vetveten në turrin e potencialit të saj vetështerrues. Shpesh ka natyra apo temperamente, potenciali i të cilave i tejkalon limitet e vetveteves, duke u shndërruar paralelisht në një lloj  “arkivoli” për personalitetet që e bartin këtë potencial. Një ilustrim të famshëm përbën në këto raste arketipi i natyrave si Ivan Karamazovi i Dostojevskit me tezën e tij “Gjithçka është e lejueshme”, pas së cilës hapet një hon përpirës për bartësin e devizës dhe të tjerët përreth. Rreziku i kthimit të idesë së lirisë në absurd është vënia në jetë e tezës së Karamazovit. Sepse ne e dimë, si konstrukt logjik, pa i hyrë një interpretimi moral, që kjo tezë prodhon jo rregull, jo rend, por shtjella dhe shtëllunga të dendura kaosi. Nëse mbretërimi i kaosit tejkund është shprehja maksimale e lirisë individuale apo kolektive, atëherë dyert janë të hapura për çdo arbitraritet – nga perversionet e gjithëmundshme deri tek krimet më të përbindshme. Duke e refuzuar idenë e lirisë së paskaj, më e drejtë është t’i afrohesh konceptit të lirisë pikërisht si një koncentrim të madh kufizimi dhe vetëpërmbajtjeje, kontrolli dhe zotërimi të vetvetes, ngase vetëm në këtë mënyrë liria do të mund të shndërrohet në një stihi krijuese, në një energji që ndërton, parasheh dhe vetëprojektohet si botë me ligjësi jokontradiktore. Abuzimet e frymëzuara apo të provokuara nga mungesat e lirive dhe shfrimi dehës me idenë e saj, deri dje të tabuizuar, shprehet në shoqëritë post-totalitare, të ngjashme me një strofë të poetit postmodernist rus Dmitrij Prigov:

Na kërcënon liria,

Liria e paanë,

Pa hyrje dhe pa dalje,

Pa nënën, pa babanë...”

D.m.th., liria e privuar prej çdo autoriteti moral, ligjor, shtrëngues e kreativ. Kaosi që dyndet pas saj është tamam “kërcënim”, pikësëpari sepse shkonturon çdo lloj profili individual e, rrjedhimisht, kolektiv. Me terma biblikë, do të kishim një “Sodomë e Gomorrë” shumëplanëshe dhe universale.

Prandaj le ta lëmë pa e hapur çështjen e Lirisë dhe pyetjen “a jemi të lirë?”, sepse edhe nëse mund të kuvendohet në këtë temë, duhet folur për të veçse brenda konstruktit të logjikës së kulluar, jashtë varësisë sonë nga ajo dhe e vërteta. Sepse është një e dhënë e mendjes, e pazbatueshme, prandaj dhe mjet arbitrar shantazhi, manipulimi, apeli për rekrutim etj.

Po nëse ndokush nuk është dakord (çka do të ma kishte qejfi shumë), atëherë le të na flasë vetë: a ndjehet ai i Lirë? Në raport me çka dhe cila është ajo Strehë që na bën të ndjehemi të tillë e të mundemi të reflektojmë masën tonë të vullnetit për t’iu përkushtuar? Vetëmse të na flasë jo për metafizikë të kulluar morali, jashtë zbatueshmërisë së jetës njerëzore, duke i kuptuar qysh më parë dëshirat e kujtdoqoftë për t’u përmbyllur në të ashtuquajturën “jetë e mendjes”... Liria është tendencë, është ide me me mure të pakapërcyeshme për masën tonë të rëndë e banale prej mishi, është projeksion apo horizont joshës nga priremi, nga na e tërheq ana, por, ajme, nuk ia kemi takatin. Andaj ëndërrojmë dhe i përafrohemi, ndonjëherë idealisht, me mendje, por pa e shijuar, sepse nuk arrijmë të banojmë, të shkelim, të mishërohemi në këtë ide abstrakte, të kushtëzuar nga një radhë e pafundme konditash. Liria relative po, është ajo që na bën të ëndërrojmë ngrohtë dhe herë pas herë të ngrefosemi kinse na duket vetja etalon lirie.

2004



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora