E premte, 19.04.2024, 06:46 AM (GMT+1)

Kulturë

Shpendi Topollaj: Suksesi i pritshëm i “Darkës së Gabuar” të Kadaresë

E diele, 30.11.2008, 01:00 PM


Suksesi i pritshëm i “Darkës së Gabuar” të Kadaresë

 

Rreth romanit “Darka e gabuar” të Ismail Kadaresë

 

Nga Shpendi Topollaj

 

Në kohën që i gjithë populli ynë kremton 100-vjetorin e alfabetit shqip, shkrimtari i shquar Ismail Kadare, na bën me librin e tij të porsabotuar “Darka e gabuar” një dhuratë shumë të çmuar. Shqiptarët, natyrisht, që ndihen krenarë kur shohin se përpjekjet e pareshtura të burrave të mëdhenj të Rilindjes tonë, për të ruajtur e zhvilluar gjuhën e vjetër dhe aq të bukur shqipe, nuk shkuan kot. Shkrimtarët e poetët tanë, jo vetëm që në këtë periudhë, ndikuan në formimin e fuqizimin e ndërgjegjes tonë kombëtare e qytetare, por dhe i treguan botës vlerat e larta morale dhe shpirtërore të shqiptarëve. Nëpërmjet krijimtarisë së tyre letrare, ata bënë të qartë për këdo, se ne jemi të denjë për t`u respektuar njësoj si popujt e tjerë. Atdheu në jetë të jetëve, do t`u jetë mirënjohës atyre bijve dhe bijave që me penën e tyre, por edhe me zemrën e ndezur flakë nga dashuria për të, na dhanë vepra të pavdekshme.

Dhe midis këtyre njerëzve që kanë lënë dhe po lënë gjurmë të pashlyeshme në përparimin e kulturës tonë, një vend të veçantë zë padyshim Ismail Kadareja. Madje nuk do ta tepronim aspak po të shtonim se ai një vend të veçantë zë edhe në tërë letërsinë botërore. Jo më kot kritikë letrarë dhe personalitete ndërkombëtare me shumë emër dhe të paanshëm, e kanë vlerësuar atë me entuziazëm të jashtëzakonshëm. Kështu Alain Bosquet e ka quajtur ... “padyshim shkrimtari më i shumanshëm i kohës tonë”, Bruce Bawer e ka konsideruar ... “Një nga romancierët më të shquar të kohës sonë”, Guillaume Allary ka thënë për të ... “më i madhi shkrimtar i gjallë i kohës”, Shusha Gyppu e ka krahasuar me Gogolin, me Kafkën, me Orwellin, për të shkuar tek vlerësimi i “Magazine litterature” që shkruan (për të mos thënë se ulëret) “Ka ardhur koha që Kadareja të marrë çmimin që meriton... Jepjani Kadaresë çmimin Nobel!”

Me këtë thirrje të sinqertë, patjetër që bashkohet edhe zëri ynë. Se për të qënë plotësisht objektiv, duhet pranuar se po lexojmë disa nobelistë këto vitet e fundit, patjetër shkrimtarë shumë të mirë, por larg, shumë larg Kadaresë tonë. Këtë që po them, e vërteton në mënyrë të padiskutueshme edhe romani i sapobotuar nga “Onufri”, “Darka e gabuar”. Kur disa dekada më parë u botua “Kronikë në gur” jo vetëm u mrekullova, por dhe thashë me vete se për Gjirokastrën, pra për shtëpitë që duket se qëndrojnë njera mbi tjetrën, për ata sokakët me kalldrëm të saj, për plakat që edhe pse i kishte harruar vdekja, përsëri shihnin filxhanët e kafesë, për ata burra të mençur, por edhe për ata të marrë që çuditërisht dukeshin po aq të mençur, për çamarrokët që luanin qysh atëhere duke folur “kundra”, për pushtime të pafund e kundëvënie etj. etj. ndodhira mbresëlënëse, janë thënë të tëra. Prandaj, u habita kur pashë se edhe ngjarjet pas asaj darke të harruar, për të mos thënë të mallkuar, zhvilloheshin po në këtë qytet. Por Gjirokastra, paska qënë një minierë, ku thesaret e fshehur në vetvete, nuk paskan të mbaruar. Dhe kuptohet që thesari më i madh është vetë biri i saj, Ismail Kadareja. Në njëfarë kuptimi, “Darka e gabuar” s`është tjetër veçse vazhdimi i “Kronikës në gur”. Se pak a shumë është po ajo atmosferë, ai mentalitet, ajo psikologji, herë - herë dhe po ato personazhe. Gati-gati, në këtë vazhdimësi, jemi para një dilogjie. Ngjarjet vërtiten rreth fatit të dy doktorëve që rastësisht kënë të njëjtin mbiemër dhe për t`i dalluar i thërrasin; Gurametua i madh dhe Gurametua i vogël. Të dy janë kirurgë, por kanë studiuar respektivisht në Gjermani dhe në Itali, dy vende që njeri pas tjetrit e pushtuan Shqipërinë. Prishja e këtyre dy aleateve, pas kapitullimit të ushtrisë italiane, duket se do të ndiqte edhe rrugët e Gurametove, që në të vërtetë ishin të interesuar vetëm të bënin sa më mirë punën e tyre, në shërbim të të sëmurëve. Mirëpo kjo nuk u vërtetua, siç nuk u vërtetua edhe parashikimi i thashethemexhinjve, që këtij qyteti nuk i kanë munguar kurrë, për shemërimin e tyre. Rrugët e tyre në fillim ngjanin me dy paralele që nuk do të takoheshin asnjëherë, por ja që paradoksi i një pushkatimi absurd, i bashkoi. Në fakt ishte paradoksi i kohës që erdhi, pas mbarimit të luftës së dytë botërore, paradoks që në penën e Kadaresë merr përmasat e një grotesku që i përdorur dikur nga Rableja (“Gargantua e Pantagryel”) dhe Shçedrini (“Historia e një qyteti”) i ka dhënë aq forcë “Kronikës në gur”.

Në ndërthurjen e këtyre ngjarjeve, në alternimin e reales me fantazinë, në përshkrimin e personazheve në raport me kohën, në ballafaqimin e shpresës me zhgënjimin, në shfaqjen e urrejtjes, në miratimin servil ndaj demagogjisë komuniste, në nënshtrimin e të gjithë kampit socialist ndaj tekave dhe etjes për pushtet e lavdi të “babait të popujve” Stalinit, në organizimin e kobave nga më të pabesueshmet të atyre që krenoheshin se ishin nxënës të Xherxhinskit (të cilët edhe palltot i mbanin të gjata si ai), duhet vetëm mendja gjeniale e Kadaresë për të na dhënë një kryevepër si kjo e cila duhet pranuar se qëndron shumë më lart nga çdo pikëpamje, se të gjitha botimet e tij artistike të viteve të demokracisë, që realisht janë mirëpritur edhe jashtë vendit. Po ashtu futja e ninullës së djalit të vogël i cili lë nga frika ftesën e darkës mbi një varr dhe ardhja e të vdekurit për darkë, e lidhur kjo më pas me fjalët e Vehip Qorrit, është një skenë shekspiriane. Mospajtimi i zonjave me administratën e re, reagimi përçmues i tyre, duke mos denjuar as të dalin nga shtëpia, sepse të kujton antipatinë e bijave të mbretit të Orkomenit, në Beoti të cilat nga që nuk pranonin perëndinë Dioniz në vendin e tyre, ky i shndërroi në lakuriqë, duke i detyruar të fshiheshin në gërmadha dhe guva të errëta, për të mos parë dritën që thuhej. Ka qenë fat për gjithë letërsinë shqipe që shkrimtari ynë më i talentuar, nuk i ka besuar kurrë ideologjisë komuniste, ashtu sikurse dhe kjo e fundit, për asnjë çast nuk i ka zënë besë atij. Jeta dhe vepra e tij, për këdo që do të kuptojë, flet fare qartë për këtë. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe me një mendje kaq të ndritur. Në tërë historinë botërore, vështirë që të gjendet një i barabartë me të që me bindje të ketë mbështetur diktaturën. Për këtë Kadareja ka merita të pallogaritshme. Por njëkohësisht nuk duhet nënvleftësuar edhe fakti se porsa komunizmit po i merreshin këmbët, ai shpejtoi për t`i dhënë atij të shtyrën. Ismail Kadareja, mbajti pa asnjë hezitim anën e të vuajturve. Të atyre që u persekutuan, u pushkatuan, u burgosën, u internuan dhe u përçmuan për “arsye” biografie. Ai iu gjend atyre në krah, kur ata kishin më shumë se kurrë nevojë për fjalën e tij të mençur e të guximshme. E dëshmon këtë fare mirë e gjithë krijimtaria e tij e këtyre njëzet viteve të fundit. Kadareja duke qenë plotësisht properëndimor, synon t`i thotë Pperëndimit se i tërë populli ynë është me ta. Vendosja e komunizmit qe një aksident tragjik, për të cilin nuk duhet fajësuar populli. Një aksident që na ndëshkoi rëndë. Bota demokratike duhet t`i vlerësojë vuajtjet, sakrificat dhe privacionet tona. Në këtë linjë është shkruar “Darka e gabuar”, ku askush nuk deshi t`ia dijë se gjatë asaj darke që shtroi për atë që doktor Gurametua i madh e quante shok shkolle, pra për kolonelin Fritz von Sshwabe, ai arriti të shpëtojë jetët e aq e aq burrave pengje që prisnin të pushkatoheshin për goditjen që i qe bërë pararojës së ushtrisë gjermane. Doktor Gurametua nuk qe Atenatori mitologjik. Ai nuk qe as centauri Foli, tek i cili u prit për darkë me gjithë të mirat Herakliu gjatë rrugës për në Epir dhe që e pagoi shtrenjtë hapjen e shakullit me verë, me jetën e shokve të tij. Asnjë dëm nuk solli darka e Gurametos së shkretë që më pas të lidhur për dore me të njëjtën prangë me Gurameton e vogël, u përplasën tek Guva e Shanishasë në kalanë - burg të Gjirokastrës, gjersa dy hetuesit e pashpirt Shaqo Mezini dhe Arian Ciu u morën jetën. Edhe pse ashtu si tek “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” Kadareja në ekspozicion të drejtë na përgatit për rrjedhën e ngjarjeve, përsëri ardhja e hetuesit të Stasit gjerman apo atij rus, janë befasira mjaft të këndëshme. Futja e çifutit Jakoel dhe synimi për të zbuluar komplotin e madh “Xhons” nga ana e gjithë zbulimeve të kampit socialist, komplot i cili kërkonte të zgjidhte enigmën e bluzave të bardha, janë gjetje që e ndërkombtarizojnë këtë roman. Gjuha e përdorur pa gorgorizëm, pra pa kujdes të tepruar në të shprehur, për të krijuar tingëllim artificial, por eufonia e njohur e Kadaresë e ëmbëlsojnë akoma më shumë këtë libër. Fjala e këtij autori dhe gjuha e personazheve këtu shkrihen në një të vetme. Oh sa bukur! kur sheh të tillë gjuhë të kulluar shqipe. Njihet tani teknika e trillimit që përdor një shkrimtar në veprat e tij. A ka rëndësi të pyesim se për kë bëhet fjalë kur përmendet Gurametua i madh fjala vjen? Këtu Kadareja nuk po bën histori. Atë e vlerëson, e nderon apo stigmatizon tjetër kush. Këtu jemi në letërsi dhe sajesat janë plotësisht të përligjura. E them këtë pasi më bën përshtypje zelli i ndonjë gazetari për të gjurmuar nipër e mbesa apo bashkëkohës të cilët thonë të shqetësuar se Ismaili na ka përmendur pa të drejtë gjyshin. E thonë këtë duke pohuar se nuk e kanë lexuar akoma librin. E para, le ta lexojnë dhe do të shohin se në qoftë ai gjyshi i tyre, ai mbetet njeri i respektuar. E dyta, njerëzit janë akoma gjallë dhe për atë gjysh flasin me fjalët më të mira. E treta, ne nuk kemi përse t`i kërkojmë shpjegime shkrimtarit për trillet e tij në funksion të veprës, pasi kështu i takon shumë vetave të gjejnë diçka nga vetja apo nga stërgjyshët e tyre. Kadareja shkruan siç e ndjen ai; ai del në krah të atyre që duhet t`u dalim të gjithë ne. Dhe këtë e bën jo për ndonjë interes. Ai nuk pret favore nga të përndjekurit. Ca më shumë se edhe tani në demokraci, ata vazhdojnë të përndiqen në një fare mënyre. Ai nga ana tjetër nuk ka nevojë për lavdi, pasi me të gati të krijohet përshtypja se është velur dhe e ka arritur lavdinë si asnjë shqiptar tjetër. As ofiqe nuk pret, pasi kjo nuk është në pajtim as me moshën e tij dhe as me natyrën e tij. Por ai e ka të pashterrshme dashurinë për Shqipërinë. Na vjen keq të kujtojmë se atë edhe e kanë mërzitur. E kanë ngacmuar disa që më shumë i kanë bërë dëm vetes së tyre. E kanë shqetësuar me lloj lloj sajesash, mësë shumti fare banale dhe aspak etike. Aq sa ne kemi të drejtë të pyesim si romakët e vjetër: “Ut quid perditio? që do të thotë “Për ç`qëllim ky teprim?” Por atij asnjëherë nuk iu lëkund bindja se ka detyrim të pafund ndaj popullit e vendit të tij. Ndaj dhe shpesh ka sakrifikuar nga krijimtaria e tij e mirfilltë artistike dhe është marrë me publiçistikë, e cila duhet pranuar se ka qënë brillante dhe në kohën kur çështja jonë kombëtare ishte në udhëkryq. Mendja e këtij gjigandi, mund të trajtojë tema nga më të pabesueshmet me të njejtin sukses. Ai mund të shkruajë pa asnjë pengim për indigjenët, për eskimezët e deri për alienët. Por mendja e tij ka vendosur të merret dhe t`i shërbejë vetëm popullit shqiptar, vetëm të ardhmes europiane të tij.

E në pastë vend për vrejtje Labor limae i Kadaresë, në këtë libër ka një dhe vetëm një lapsus calami; fjala murtajë, me të cilën ishin ngarkuar mushkat, duhet shkruar mortajë.

Kadare edhe njëherë të faleminderit. Ti më bën të ndihem akoma më shumë krenar që jam shqiptar. Për mua ti e ke fituar me kohë Nobelin. Në sajë tënde atë e ka fituar e gjithë Shqipëria.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora