E premte, 19.04.2024, 01:01 AM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: At Meshkalla (XVII)

E hene, 17.05.2021, 09:00 PM


Nga Fritz RADOVANI: (Pjesa e XVII)

Ditë e paharrueshme në historinë e qytetit të Rozafës së thinjun. Ashtu ndodhi, si kishte parashikue Padër Mëshkalla. Atë ditë u organizue një mbledhje e organizatës së Frontit të Lagjës “Tre Heronjë”, në Institutin Pedagogjik Shkoder, për “demaskimin” e veprimtarisë fetare të klerikut At Pjetër Mëshkalla. Kishte tri a katër ditë që binte në sy një grup rojesh, që silleshin rreth shtëpisë së Tij. Mbasdite Ai doli nga shtëpia rreth orës 16.45’, me mbërrijtë në mbledhje në orën e caktueme qysh në mëngjez. Dy civilë të Sigurimit e pyesin: “Në mbledhje je nisur?” dhe, Ai i përgjegjet –“Po!”-. Bashkë me disa të tjerë Ai hyni në Institut, ku përgjithësisht të gjithë ishin me ftesa. Në sallë nuk hyhej lirisht, aty zakonisht hynin të zgjedhunit dhe të porositunit që gjithnjë do të flisnin dhe nuk mungonin duertrokitësit e njohun ndër këto mbledhje.

Në fund, kur meshtarëve iu venin hekrat për “krimët” e bame, nuk mungonte edhe ndonjë servil që do t’i pështynte klerikët për veprën e Tyne fisnike. e këta njerëz të dalluem me gisht në Shkodër, nuk kanë mungue që nga viti 1944.

Hymja e Pader Mëshkallës në sallë u kuptue nga heshtja që ra aty, po edhe nga ata që ishin jashtë në rrugë, mbasi në altoparlant u dëgjuen fjalët: “Qetësi, shokë.., qetësi!”.

Foli drejtuesi formal i asaj mbledhje Luigj Shala, sigurisht, i zgjedhun nga Partia, dhe mbas tij vazhduen diskutantët e përzgjedhun në të gjithë Shkodrën, me lexue diskutimet e fyemjet e pregatituna prej disa nga mendjet e “ndrituna” të pseudointelektualëve, që punonin me ditë të tana për këto mbledhje. Mbledhja drejtohej nga një presidium i përbamë nga Luigji, Vat Deda, Arif Gashi dhe Palok Kraja, që mbajti edhe referatin e hymjes. Filluen mbas tij diskutimet e zjarrta kundër Zotit, Fesë, klerit dhe në veçansi kundër jezuitëve, mbasi atij Urdhni i përkiste edhe Pader Mëshkalla. Dufin ma të madh kundër jezuitëve e shfreu Jup Kastrati.

Ky ishte i porsazgjedhuni nga partia“Kryetar i Komisionit të Përzgjedhjes së Leteraturës Fetare (Kishtare)”. Ai foli për rolin reaksionar që kanë luejtë jezuitët në Shqipni tue përfshi këtu krejt klerin katolik, madje edhe ata prej të cilëve kishte vjedhë e përvetësue librat e artikujt që ka kopjue e botue në emnin e vet. Mbas tij e mori fjalën mjeku Ramiz Hafizi, i cili u mundue me i shpjegue disa “pakjartësi” të Biblës, por Pader Mëshkalla i tha: “Shko e lexoi mirë, se nuk janë të shkrueme kërkund tek Bibla këto që thue ti këtu!..”. Foli edhe “shoqja” Angjelina Uli, së cilës në fund të diskutimit i shtërngoi dorën Shefik Osmani. Aty u “duartrokitën” edhe diskutimet e Dedë Kullës, Prenda Dodës, Lazër Sekuj, Mandica Jovani  etj. Nga salla u ndigjue zani i Vasil Kafesë e i Xhemal Dinit, që pyeti At Mëshkallën: “Ti i ke shkrue Kryeministrit për Inkuizicionin, çka ke dashtë me thanë?” - Pader Mëshkalla me qetësinë e Tij, ju përgjegj: “Shif fjalorin se ka shumë kuptime, ti merr cilin të duesh!”... Asht kërkue me folë aty edhe mjeku Kolë Pepa dhe mësuesi Mark Temali, të cilët nuk kanë pranue. Mark Temali, kur asht kërkue me i dorëzue atij diskutimin nga Halit Isufi (që atëherë ishte drejtor i Gjimnazit), ai nuk e ka marrë se: “E kam pasë mësues Pader Mëshkallën e nuk mund të flas kundër Tij, sepse nuk nderoj figurën e mësuesit me folë në këte moshë kundër mësuesit tem”. Për të dy Xhemal Dini, sekretar i Komitetit të Partisë, ka njoftue në Degën e Mbrendshme, “Me pasë në kujdes qendrimin e tyre...”. Xhemal Dini mbajti edhe një referat ato ditë me temë: “Puna e organizatave bazë të Partisë kundër paragjykimeve fetare, si aspekt i luftës së klasave” (Referat i përmbledhur i shokut Xhemal Dini, në gazetën “Jeta e Re”, me 9 gusht 1967), ku shkruen: “Duke përfituar nga dobësitë e punës politike, ideologjike të disa organizatave të partisë, disa klerikë u përpoqën të ngrenë besimtarët kundër zhvillimit të kësaj lëvizjëje me përmbajtje të thellë revolucionare. Kështu p.sh. Dom Mark Hasi e Dom Pjetër Mëshkalla hodhën parulla kundër Partisë e Pushtetit tonë...” (Pa fjalën Dom, nuk i dukej prift Pader Mëshkalla “shokut” Xhemal!!). Për me vertetue akuzën në këto mbledhje u jepej fjala edhe klerikëve, që nesër me thanë: “E dëgjuet se çfarë tha kundër Pushtetit? Ne nuk arrëstojmë njeri pa fakte...

Kryetari i dha të drejtën e fjalës edhe Pader Meshkallës.

Ai doli para auditorit e porsa iu afrue podit të konferencierit, ra një heshtje kur At Meshkalla tha këto fjalë:

“Ah, sa mirë që po më jepet rasa me folë një herë para popullit me altoparlanta!Unë jam Katolik dhe besoj në Zotin! Po më vjen mirë, që po flas prej një vendi ku kam mundësi me iu drejtue popullit tem, që më ka nderue, me ka respektue, me ka ndigjue fjalën teme dhe, më ka pritë e përcjellë në shtëpijat e veta, me dashni të madhe. Qellimi em ka kenë gjithmonë i mirë.., me predikue fjalën e Krishtit dhe dashninë ndërmjet të të gjithë njerëzve, të të gjithë njerëzve pa dallim Feje!.. Këte kam folë në të gjitha shtëpijat ku kam shkue, ndër Katolikë e Muslimanë, mbasi jemi vëllazën dhe besojmë në një ZOT, jemi të një gjaku, sepse, jemi të gjithë Shqiptarë... Ka shumë njerzë që kërkojnë me na shkatrrue, me na përça e nda, me zhdukë traditën, me prishë besimin, me mohue Krijuesin tonë, me rritë një rini servile e hipokrite, që nesër nuk do t’ju durojnë ma as ju, do të ju shporrin qafët, e një ditë ka me ju hangër kryet... Ka këtu në sallë që nuk lanë gja pa shpifë kundër nesh edhe pse me të gjitha forcat kemi punue për Shqipni... Unë e kuptoj mirë që ata sot ashtu do të flasin, mbasi ba mos me folë ashtu si ua kanë dhanë të shkrueme në letër, nesër pushohen nga puna e në darkë nuk kanë shka me u vu fëmijëve para me hangër, sepse, të gjithë njerëzit janë të lidhun për kafshatën e gojës... Kjo asht arësyeja për të cilën i kam shkrue udhëheqësit të Shtetit, kjo më ka detyrue, mbasi Populli Shqiptar asht popull besimtar dhe nuk asht vullneti i tij me prishë atë që ka ndërtue ai vetë me ndërgjegjën e tij... Kurrë nuk asht Populli shkatrrues i Kishës e i Xhamisë, kurrë nuk ka nxjerrë jashtë populli priftin e hoxhën nga katundi... Ju i përgjithësoni veprimet, ju flitni për Inkuizicionin e Shek. XV, por ju harroni se shka jeni tue ba në Shek.XX. Njerëzit i dijnë të gjitha, por nuk guxojnë me folë se nuk ka liri fjale e tashti nuk ka as liri feje e ndërgjegje... Unë po ju them këtu se Populli nuk asht dakord me shka jeni tue ba ju, ai ka besue dhe do të vazhdojë me besue në Zotin edhe pa Kisha e pa Xhamija... Ky veprim që bani ju sot asht vetëm turp para Zotit e para Popullit, asht turpi juej para gjithë vendeve të Europës, mbasi kjo që bani ju sot  këtu bahet në pragun e 500 vjetorit të vdekjës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit! Vetëm këte mendoni, shka ka me thanë Europa për ju! Ajo e njeh Popullin Shqiptar dhe e di se ka 2000 vjet që Populli ka ndjekë e do ta ruej në zemër Fenë e Krishtit!”

Nga vendët e para u çue xhelati i  Sigurimit Xhevdet Miloti dhe i vuni prangat. Para se të hynte Pader Mëshkalla në gjips të Sigurimit, krimineli e shtyni me shqelm...

Melbourne, 27 Prill 2021.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora