E shtune, 20.04.2024, 04:10 PM (GMT+1)

Mendime

Prend Buzhala: Protestë që fyen Kosovën dhe lirinë e popujve

E shtune, 15.05.2021, 08:55 PM


PAK ME PEZËM: PROTESTË QË E FYEN PALESTINËN, KOSOVËN DHE VETË LIRINË E POPUJVE

Nga Prend Buzhala

Kësaj radhe nuk e kam me Palestinën, por me pseudo-protestuesit tanë.

Palestina zyrtare e mohon Kosovën politikisht, sepse politikisht drejtohet nga Beogradi dhe Rusia.

1.

Nuk e kam me popullin palestinez, sepse dikur na patën mësuar se si duhet të solidarizohemi me Palestinën. Atëherë, së paku, ishte një Jaser Arafat që kishte kudo simapti. Dhe kishte simbol të vetin dy gishta lart, si simbol fitoreje e paqeje.

Nuk e kam as me izraelitët, se për ta kam shkruar. Izraeli është fuqi botërore e dijes dhe vatër e trashëgimisë botërore të shumë vlerave. Kosova e ndien veten mirë me vendosjen e këtyre marrëdhënieve. Ka edhe autorë të mëdhenj të letërsisë, ndër ta disa nobelistë. Prej vitit 1966, Izraeli ka nëntë nobelistë nga fusha të ndryshme, kurse prej vitit 1905, hebrenj që jetojnë nëpër vende të ndryshme të botës, janë: 29 hebrenj nobelistë në fushën e kimisë, 44 në fushën e psikologjisë dhe mjekësisë, 45 në fushën e fizikës, 28 në fushën e ekonomisë, dhe shtatë personalitete hebraike fituan Çmimin Nobel për paqe.

Kurse janë 15 shkrimtarë hebrenj që jetojnë nëpër vende të ndryshme të botës dhe që e kanë fituar Çmimin Nobel.

Pra, del një shifër prej 168 nobelistësh!

Pata shkruar: Kosova në Jeruzalem. Edhe Trump mbetet në historinë e Kosovës me dhuratën e madhe historike: me njohjen e Kosovës nga Izraeli.

2.

Ku janë filopalestinezët tanë të sotëm për të protestuar dhe luftuar kundër Serbo-Rusisë për shqiptarët e shtypur të Luginës së Preshevës? Kundër kujt do t'i ngrejnë armët, po qe se duan të shkojnë të luftojnë në Palestinë? Kundër Izraelit, SHBA-së, NATO-s? Apo kundër Serbisë e Rusisë në Preshevë?

Jo, se Rusia ka urdhëruar ndryshe!

Dhe këtë gjë e urdhëron midis Prishtinës sonë!

Po përse këto OJQ të shpifura, nuk kanë reaguar në rastet tjera edhe më të rënda?!

Shoqëri civile!?

Orienti i pranuaka shoqëritë civile si orgnanizime shoqërore dhe organizime të lirisë?! Eh, sa i vrari, sa i burgosuri politik a i përndjekuri është nga këto vende dhe as zëri nuk iu dëgjohet pseudoprotestuesve tanë!

Jo!

Orienti ata i pushkaton dhe i burgos, siç ka burgosur e përndjekur edhe aktiviste me Çmimin Nobel, në vend që të mburren me ta e me to!

Këta nuk i udhëheq zëri i lirisë, por zëri i Rusisë.

Përse nuk reagojnë ndaj Kinës komuniste që bëri gjenocid ndaj ujgurëve myslimanë, apo pro palestinezëve shumëfish e mijëra fish të vrarë në Siri nga rusët e sirianët?!

Jo!

Sepse OJQ-të e tilla përputhen qind për qind me ideologjinë e ndikimit rus!

3.

Është e habitshme se si partitë tona politike, kudo që jetojnë shqiptarët, heshtin kriminalisht, duke u solidarizuar me Hamasin që vret civilë e qytetarë të atdheut të vet! Dhe, për shkak se aspak nuk janë trima luftëtarët e rremë të Hamasit, ata i vënë fëmijët e tyre përpara armëve të kundërshatrit, për ta shpëtuar vetveten: le të vriten sabitë në vend të tyre, sespe ata janë "të dërguarit"... e dikujt tjetër, por jo të  lirisë.

Zëri i kthjellët i arsyes reflekton ndryshe dhe proteston ndryshe:  liria e Kosovës nuk varet nga ajo palestineze, se asnjë palestinez nuk erdhi të luftonte këtu kundër Serbisë. Serbinë "e krishterë" e bombardoi një SHBA e Evropë perpndimore "e krishterë", sepse koncepti i lirisë është në themelet e civilizimit perëndimor!

Palestinezët, nëse duan shtet, sidomos komb e atdhe të vetin, do t'i fitojnë aleatët e botës. Por nëse duan ideologji ruse e ideologji fetare (për ta shpallur veten si qendra e misionit botëror religjioz), mbi ato të atdheut të tyre, atëherë ata janë që e përgjysmojnë dhe e sakatojnë lirinë e vet dhe kombin e vet, duke u bërë vegël e gjeopolitikave të forcave antihistorike dhe anti-liri.

Kjo protestë në Prishtinë është fyerje kundër lirisë së Kosovës dhe fyerje kundër lirisë së Palestinës.

4.

Nëse duam ta palestinizojmë Kosovën, me këso veprimesh, atëherë edhe mund t'ia arrijnë qëllimit. Por historia, si mësuese e jetës, na thotë se kurrë nuk u kthyen në trojet e veta shqiptarët e 714 fshatrave të Toplicës, Vranjës e Leskovcit më 1876 në luftën ruso-turke. As ata që i shpërnguli Serbia më 1930 a 1956.

Rusia nuk ëndërron lirinë tënde, por Ruso-Serbinë mbi lirinë tënde: ajo sot mund të të ofrojë ndonjë dhuratë, si Kalë Troje, por dhuratat e tyre janë si të danajëve që e vranë dhe e shkatërruan përfundimisht e pabesisht Trojën.

Rusisë i mungon koncepti për lirinë e demokracinë e popujve, ashtu si i mungon Serbisë, dhe ashtu si i mungon edhe ndonjë ideologjie fetare në orient (fjalën LIRI e kanë përjashtuar vetë ata e jo Zoti nga librat e tyre të shenjtë, duke e ngritur në Kult Besimi fjalën nënshtrim).

Palestinizimi i Kosovës, si model për anti-liri, jo vetëm që nuk do ta zgjidhë asnjë çështje shqiptare, por do ta fundosë përfundimisht.

Modelet janë të gatshme.

Por është "pak vonë" edhe për Rusinë e pro-ruso-filopalestinezët tanë: në Shqipëri NATO, ushtarët e Kosovës dhe të Shqipërisë, bëjnë ushtrime ushtarake: si të luftosh një agresor!

Pra, jo si t'ia rrëmbesh lirinë Tjetrit, por si t'ia mbrosh lirinë Tjetrit.

(14 maj 2021)



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora