E shtune, 20.04.2024, 04:04 PM (GMT+1)

Kulturë

Anton Nikë Berisha: Poezi e etjes dhe ngushëllimit shpirtëror

E merkure, 12.05.2021, 08:11 PM


POEZI E ETJES DHE E NGUSHËLLIMIT SHPIRTËROR

Sot, më 10 maj, paradite, ndërroi jetë njëri ndër poetët tanë të shquar, Agim Mato nga Saranda.

Shkruan: Anton Nikë Berisha

Agim Mato dëshmoi një aftësi të madhe për të përftuar tekste poetike të pasura e të veçanta, që janë në gjendje të vënë një komunikim të jashtëzakonshëm me lexuesin. Kush e ka lexuar dhe është thelluar në poezinë e tij nuk e ka pasur të vështirë të vërejë, pos të tjerash, dy veçanti të saj: poezia si etje dhe si ngushëllim shpirtëror, të cilat janë njësuar në shprehjen poetike dhe e kanë bërë atë sa poet të mëvetësishëm, po aq të rëndësishëm. Ky vlerësim është, edhe nga studiuesit shqiptarë, edhe studiuesit italianë.

Përmes poezisë e me poezi Mato e përjetoi historinë e Anteut të lashtë (sinonim i qëndresës së jashtëzakonshme), të cilit Nëna tokë (Gjea), sa herë Herkuli e hidhte për tokë, ia kthente forcën. Edhe poeti ynë vuajti dhe e pësoi, këngët (poezitë) heshtën brenda tij, u zvetënuan dhe u tkurrën, po nuk u shuan. Thënë figurativisht, “nëna” poezi kushtëzoi që të mos gjunjëzohet, po duke u mbështetur në pasurimin shpirtëror, në nevojën e komunikimit poetik me veten e me të tjerët, të mbijetojë, ta jetojë jetën.

Qenësia e poezisë së Agim Matos mund të shprehet mirëfilli nëpërmjet këtij mendimi të Edgar Allan Poe-s: “Është pranuar, heshtazi e haptazi, në mënyrë të drejtpërdrejtë e të tërthortë, se objekti përfundimtar i poezisë është e vërteta. Është thënë se çdo poezi duhet të ngulisë në mendje një moral e prej vetë këtij morali të gjykohet dhe vlera poetike e veprës. Kemi qenë veçanërisht ne Amerikanët që e kemi përkrahur këtë ide të lumtur e ne bostonianët, në mënyrë edhe më të veçantë, që e kemi zhvilluar atë tërësisht.

Kemi ngulitur në tru, se të shkruash një poezi thjesht për hir të poezisë e ta njohësh se ky ka qenë dhe qëllimi yt, do të thotë ta tregosh veten tërësisht të mangët nga forca dhe dinjiteti i vërtetë i poetit — por e vërteta e thjeshtë është se, nëse do t’ia lejonim vetes kundrimin në thellësi të shpirtrave, atëherë do të zbulonim menjëherë që nuk ekziston e as që mund të ekzistojë në këtë botë ndonjë vepër më tërësisht dinjitoze — më sublimisht fisnike se ajo poezi e vërtetë — ajo poezi per se — ajo poezi që është veç poezi dhe asgjë më shumë — ajo poezi e shkruar vetëm e vetëm për hir të poezisë […]”.

Lindi më 1947 në Sarandë, ku ka shkuar gjithë jetën e tij Kur ishte 3 vjeç, regjimi komunist arreston të atin së bashku me një grup intelektualësh dhe e dënon me 15 vjet burg, sekuestrim të pasurive, me motivacionin “grup armiqësor i organizuar kundër pushtetit popullor” por në fakt ishte asgjësimi i intelektualëve, që mendohej se do të bëheshin pengesë e atij regjimi. Që atëherë jeta e Agimit dhe e familjes njohu vetëm privacione. U rrit në varfëri, pa të drejtat më elementare. Pas mbarimit të shkollës së mesme nuk ju dha e drejta e studimit për në Universitet. U çua ushtar në një Ndërmarrje Bujqësore Ushtarake dhe me lirimin nga ky shërbim filloi të punonte punëtor për hapjen e themeleve të godinave të reja.

Në moshën 20 vjeçare publikoi vëllimin e parë me poezi të titulluar “Jug”(1969), që u prit me interes nga kritika dhe lexuesit. Kjo i hapi rrugën të fillonte punë në gazetën “Fitorja” të rrethit të Sarandës, por pas një viti e lëvizin që andej për shkak të biografisë. Pas 4 vjetësh publikoi një tjetër libër me titullin “Në pragun e shtëpive tona”(1974), që i kushtoi përfundimisht heqjen e të drejtës së botimit me një qarkore të ministrisë së Kulturës, duke i zbrazur librat nga bibliotekat dhe libraritë e duke i çuar për karton. Në fund të diktaturës botoi librin e tretë “Buka e fjalëve”.

Pa shembjes së regjimit komunist, shiti shtëpinë, bleu makineritë e një shtypshkronje të vogël dhe regjistroi një shtëpi botuese me emrin “Milosao” . Vetëm pas 30 vjetëve, më 2011 filloi të shkruante përsëri dhe botoi njërin pas tjetrit vëllimet: “Jashtë eklipsit”( 2012), “Fundo”2012) dhe “Lundrimet”. Për të gjitha këto libra u shkruan artikuj vlerësues.

Në nëntor të vitit 2014 Presidenti i Republikës i akordoi titullin: “Mjeshtër i madh”.
Më 2016 del nga shtypi vëllimi “Pluhuri i artë i përjetësive” që njohu një numër shkrimesh studimore nga kritikë të Shqipërisë, Kosovës dhe të Maqedonisë.

Për disa vjet u zgjodh kryetar i “Klubit të Krijuesve Jonianë” ku organizoi disa manifestime të gjera poetike të quajtura “Trirema e poezisë Joniane”, derisa hoqi dorë nga drejtimi i këtij grupi.

Agim Mato

MEA CULPA

Kur zbrita sërish pas tridhjetë vjetësh në minierën
e braktisur të poezisë
e po çapitesha në galeritë e lëna përgjysmë,
duke kërkuar arin e fshehur nëpër guva,
veglat e mia të punës
të shpërndara pa kujdes në çaste zemërimi
me perënditë,
ngurova papritur dhe ashtu fluturimthi
bëra të ngjitem lart, ku prej kohësh përgatitesha për
salltanetin e madh të vdekjes.

Vallë sërish do të fillonin vuajtjet netëve të vetmuara,
derisa zjarret e shpirtit do të më kthenin në zhele
këmishat e hekurosura dhe jelekun e çmuar
të dhëndërisë?

Sërish, vallë, do të ulërija nga dhimbjet, kur
si i babëzitur, do të gërmoja motivet
derisa të më zinin nën vete galeritë e tyre të frikshme?

I jepja zemër vetes: kush e çan tani kokën
për profkat poetike?
E ndërsa po mendoja t’ia mbathja
nga kisha ardhur,
më rrethoi befas frushullima mizëri e krahëve të
dëshirave e të ëndrrave të dikurshme,
që përplaseshin tek unë si lakuriqë nate
dhe binin të alivanosura para këmbëve të mia.

Si kishin rrojtur kaq gjatë në këtë harrim të pashpirt?

I prekja një nga një
e ato përmendeshin me klithma duke mbushur me
dritë minerale
tërë atë laborator kujtese,
tërë atë punishte arti që ma mbyllën me forcë,
tërë atë alkimi të shpirtit
që filloi të më shfaqet
si një asteroid verbues. E pashë sërish qartë
vrullin e marrëzive të dikurshme
për të përplasur kokën tek e paarritshmja,
deri sa llamba prej karbiti yjesh në ballin tim
thyhej
duke qëlluar me tërë fuqinë magmën e trashë të kohës.

Po kur ndjeva të ndizen rreth e rrotull
motorët e metaforave,
në djall, thashë, këmishët e hekurosura, oportuniteti
dhe bisedat eklektike mbrëmjeve,
në djall programimi i jetës,
oraret e përpikta për medikamentet dhe filmat.

Sarandë, 2011



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora