E shtune, 20.04.2024, 09:01 AM (GMT+1)

Kulturë

Tahir Bezhani: Drita Kurti Kamberi - Rrugë e Bardhë

E merkure, 05.05.2021, 05:15 PM


Romani ”Rrugë e bardhë,” përherë troket në kujtesën historike.

ROMANI QE RIKUJTON NJË PJESË TË HISTORISË,OSE KUJTESA QË KRIJON HISTORINE E VUAJTJEVE.

Drita Kurti Kamberi: “ Rrugë e Bardhë,” 2021 roman, botoi “Lenagrafic” Prishtinë.

Nga Tahir Bezhani

Autorja e romanit “Rrugë e bardhë” Drita Kurti-Kamberi, paraqitet për herë të parë publikut me prozën e saj të gjatë, duke shtjelluar ngjarje interesante të përvojës së hidhur personale e kolektive të luftës së fundit në Kosovë.

Subjekti i këtij romani përfshin një gamë të  tërë ngjarjesh  që nga fillim vitet 8o-ta,atëherë edhe kur filloi kalvari i vuajtjeve masive të popullit tonë, nga okupatori shekullor e hegjemonist serbosllav.Njëherit, ishin ato vitet më të arta të historisë sonë ndër shekuj, ku mospajtimi dhe rezistenca ndaj okupatorit sllav ishin veprimet e fundit dhe më të vendosurat në historinë tonë, për të dalë nga kthetrat e një barbari të paskrupullt, siç ishte Serbia dhe regjimi shovinist millosheviçian.

Autorja e romanit “Rrugë e bardhë,” ka ditur të nxjerrë nga shpirti i saj gjithë katrahurat e asaj kohe, gjitha ato veprime të paskrupullta të pushtetarëve, saqë ngjarjet e tilla t’i sjellë  me pamjen e “djeshme,” me gjitha ato peripeci të rënda. Përshkrimet e veprimeve me një  ndjeshmëri të veçantë të bëjnë të mendosh se mos edhe autorja e romanit, ishte pjesë e të gjitha atyre ndodhive historike të asaj kohe. Ndonëse, siç  vërehet edhe në faqet e librit, ka pasur familjarë të kyçur në ato ngjarje për lirinë e Kosovës, nga fillimi e deri në mbarim ,bile duke e pësuar edhe me jetë...

Romani “Rrugë e bardhë,” botuar e përuruar para disa ditësh, bëri  jehonë te lexuesit e mirëfilltë, falë kreativitetit e zotësisë së autores, e cila përmes personazheve në vepër, ka shtjelluar bukur subjektin tematik, duke i falur realitetin objektiv të kohës dhe përjetimeve  të tmerrshme , që rënduan gjatë këtë popull.

Autorja, Drita Kurti-Kamberi, në faqet e kësaj vepre romanore, lexuesit ia prezanton në radhë të parë, rezistencën e vendosur me gjithë sakrificat e mundshme, me qëllimin e vetëm, për t’u liruar njëherë e përgjithmonë nga një barbari okupuese, e cila dominoi mbi vendin tonë shumë kohë si një re e zezë, duke penguar gjithmonë diellin e lirisë në këto hapësira të Kosovës liridashëse. Për këtë qëllim,shumë kohë e shumë herë, ky popull u desh të ballafaqohet me  shumë sakrifica, si burgosjet e gjata e të rënda, maltretimet, vrasjet, padrejtësi të tjera, si shkollimin në gjuhë amnore e administrime  të dhunshme.

Për të arritur qëllimin e shumëpritur e historik, populli kishte vetëm këtë rrugëtim të mundimshme ,të cilin autorja, Drita Kurti-Kamberi, në romanin e saj, përshkruan me epitet  qëndresën në të gjitha etapat  historike, që nga okupimi në vitet e fundit të luftës së Dytë Botërore.

Arsimimi i rinisë dhe popullit, në vitet e 80-ta të shekullit të kaluar, kishte arritur në nivel të konsiderueshëm, me një vetëdije krejt ndryshe sa më parë, ashtu që organizimet e rinisë dhe popullit morën frymëzim pikërisht nga intelektualët e  niveleve të larta, duke u organizuar në forma të ndryshme, për rezistencë ndaj padrejtësive të klikës millosheviçiane. Një nga shkaqet e organizimeve rezistente të kohës ishte realiteti i vrasjeve të djemve shqiptarë nga regjimi, të cilët shërbenin në ushtrinë jugosllave.

Nga ky shembull, tipik, autorja e romanit “Rrugë e bardhë,” sjell faktin tragjik të vrasjes së Vatanit ,personazh i veprës, i cili realisht, ishte një i afërm i autores, pra një përjetim tragjik familjar. Nga ky këndvështrim, kishin ngjarë edhe shumë e shumë vrasjetë tjera, ku detyrimisht, populli refuzoi shërbimin  në çerdhen e asaj ushtrie vrastare.Vrasjen e ushtarit Vatani në momentin e kryerjes së aktit makabër, e kishte përgjuar shoku i tij intim, Mentori, i cili e mbajti si sekret  përderisa e mbaroi edhe vet shërbimin ushtarak.

I kishte përgjuar të gjitha të zezat e asaj dite, të cilat pastaj, shërbimet sekrete ushtarake e shpallen si “vetëvrasje” dhe nuk lejuan që të hapet asnjë diskutim lidhur me rastin. Këso rastesh në shtjellimin e romanit theksojnë mprehtësinë dhe inteligjencën e shqiptarëve se raste të tilla nuk kalonin, siç mendonte regjimi, por ato  ishte  veprimi qëllimshëm kriminal që kryente pushteti i gjithanshëm  i Serbisë. Pos këtij aspekti, autorja Drita Kurti-Kamberi, përmes personazheve në vepër, ngjit në piedestal edhe karakterin si moral kombëtar, besën e trashëguar nëpër breza dhe shumë vlera të tjera ,si homogjenimi i popullit në luftë të përbashkët.

Këtë e bën herë përmes personazheve të ditur publikë, si Anton Çeta, Bardhyl Çaushi, Bajram Kurti etj,herë duke i emëruar  sipas dëshirës e roleve në ngjarje.Të gjitha këto elemente të thurura mjeshtërisht në romanin “Rrugë e bardhë” përbëjnë tharmin e veprës për faktin se përshkrimi është bërë me tërë qenien shpirtërore, sepse të sjell para syve rastet si në shirit filmi.

E për më shumë, përshkrimet e tilla trokasin si porosi e  thellë në ndërgjegjen njerëzore, duke aluduar se ato kohëra të vështira nuk duhet harruar kurrë, as gjeneratat pas nesh.

Një karakteristikë esenciale që këtë vepër e bënë të dëshirueshme për lexuesit,është përshkrimi i rasteve të rezistencës së paparë ndaj armikut,dinjiteti i çelikosur i masës rinore, dhimbja në raste të rënda si vrasjet deri në tragjedi,unifikimi i masës dhe solidariteti në kriza të veçuara.

Bile, do thosha se pa këto elemente romani do vuante nga një anemi për lexuesit. Gjitha këto raste thelbësore autorja,Drita Kurti-Kamberi,i nxjerr nga thellësi e shpirtit duke i përjetuar, ose duke u shpirtëzuar me tërë rrëmujën e ngjarjes së madhe kombëtare deri në fitore.

Romani “Rrugë e bardhë” nga autorja Drita Kurti-Kamberi, përmban një stil të vakët të ndjesive njerëzore ,duke pasë si rrjedhojë porosinë didaktike të veprës, e cila padyshim, do lërë mbresa  tek  lexuesit e rinisë shkollore. Në shumë faqe të kësaj vepre hasim përshkrime të ngjeshura poetike ,të cilat prekin ndjesitë e lexuesit.

Natyrshëm, duke ditur edhe profesionin e autores si pedagoge e njohur, në faqet e librit ndeshemi edhe me shprehje adekuate pedagogjike e psikologjike, të cilat temën e shtjelluar e bëjnë më atraktive, duke përvetësuar terma të reja në përshkrim.

Krejt në fund, shprehi bindjen se romani “Rrugë e bardhë” i autores Drita Kurti- Kamberi, na vjen si një dhuratë e kohës sonë, ku shërbesa e memories historike na kthen  në retrospektivën e ngjarjeve historike të një populli, popullit shqiptar,  i cili vuajti me shekuj për lirinë e vendit dhe trojeve të veta etnike. Si i tillë ,ky libër ka vlerën e pamohueshme si pjesë  e rafteve në bibliotekat tona.

Gjakovë,3 maj,2021



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora