E merkure, 24.04.2024, 01:06 AM (GMT+1)

Kulturë

Frrok Vukaj: Homazh për Gjelosh Ukcamën, në 1-vjetorin e vdekjes

E marte, 04.05.2021, 09:06 PM


Homazh për Gjelosh Ukcamën, në 1-vjetorin e vdekjes

Dhimbje e paharruar...

Nga Frrok Vukaj - Kryetar i Shoqatës Akademia e Shkencave të Edukimit, Tiranë

Për Gjeloshin e Prel’ Qerimit

Na qajnë zemrat prej pikëllimit

Për këtë burrë e atdhetar

Lotët n` faqe s`na janë tharë

Në New York  n`at Metropol

Ky fisnik e ka një vorr

Janë  këto vargjet më të fundit në 1- vjetorin e vdekjes së Gjelosh Ukcamajt.

Siç thuhet me realizëm e me ndjenjë  “lotët në faqe s` na janë tharë” kuptojmë se dhimbja vazhdon të jetë e madhe në rrethin familjar, në farefis e shoqëri. Humbja e tij e parakohshme në maj të vitit 2020 pikëlloi shumë zemra në vendlindjen e tij në Mertur, por edhe në Tropojë, Dukagjin, në shumë qytete të Shqipërisë e në Diasporë, për të cilin, po të ishte në vendlindje, do të bëhej një gjëmë e padëgjuar në 9 bajrakë, si dikur për xhaxhain e tij të famshmin Kolë Qerimin.

Ai ishte shumë punëtor, familjar i përkushtuar, i dashur me gjithkënd dhe gjithnjë i buzëqeshur. Largimi i tij qe një tronditje e madhe; iku nga kjo botë dhe do të kujtohet me dashuri nga familja, farefisi, miqtë dhe gjithkush tjetër që e njohu.

Ish Komandanti i Gardës së Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Halit Gjeçaj, me të cilin Gjeloshi punoi disa vite, do të shkruante:

“ Të njoha vonë i dashuri shok, mik e vëlla Gelosh Ukcama. Por në vitet që kaluam bashkë të njoha shpirtin e zemrën tënde të pastër, madhështinë tënde si shok me vlera, dinjitetin e hijeshinë tënde. Pushofsh në Parajsë. Unë do  të kujtoj gjithmonë me atë buzëqeshjen tënde të bukur e të ëmbël”.

Miku i tij  më i afërt i viteve të rinisë Av.Prel Martini, ish Kryetar i Gjykatës së Apelit të Shqipërisë, do të thurte vargjet..

“O shok i ngushtë, o vëllai im,

Trupi prehet në kontinentin, që s’linde,

kujtimi yt në mua mbet përjetë

kur shpirti fluturoi mes engjëjve të qiellit”

Kushëriri i tij,  Mjeshtri i Madh Ndue Ukcama shkruan:

“Të gjithë ndjejmë një trishtim të madh në shpirt për Gjelosh Prelën, këtë burrë ndër me fisnikët dhe të jashtëzakonshëm që ka nxjerrë fisi i Ukcamajve. Unë, që kalova një pjesë të jetës afër Tij, nuk gjej fjalë sot për të shprehur dhimbjen e madhe. Dritë i pastë shpirti e kurrë mos u harroftë emri e personaliteti i tij. Le të qëndrojmë, se në traditën tonë,  burrat si ai nderohen e nuk vajtohen”.

Mjeku i njohur Prend Gjoka, me origjinë prej të njëjtit fshat shprehet: ” Ishte një ndër miqtë më besnikë që kam pasur, shumë fisnik dhe burrë i vërtetë, me cilësi brilante e trashëgues i vlerave të derës së njohur prej nga vinte. Lajmi ishte tronditës dhe i pabesueshëm; e ndjejmë shumë mungesën e tij. Do të kalojnë shumë vite e shumë e shumë dekada e ai  do të kujtohet me respekt të madh”.

Poeti i njohur Fran Ukcama, për humbjen e kushëririt dhe mikut të tij të ngushtë, e shpreh dhimbjen e pazakontë në një elegji emocionuese e tronditëse.

Lush Pepa, edhe pse disa vite më i vogël, ka kaluar shumë orë e ditë në vite, në shoqërinë e Gjeloshit, për të cilin veçon shumë cilësi e vlera. Edhe unë e kam ndjerë thellë ketë humbje, por tronditem, kur me lot në sy, pothuajse pas një viti thotë  “ Profesor, shkruaj diçka, e meriton. Burra të tillë lindin radhë:  i edukuar, i ditur, i pashëm, familjar i përkushtuar, i traditës e bashkëkohor, atdhetar, komunikues...Vdekja e tij më goditi aq shumë sa mendova se nuk ka rëndësi ma se kë merr ky virus”...

I vëllai Lush Prela, do të shprehej shkurtimisht pranë arkivolit : “Lamtumirë vëlla. Nderove veten, babë e mixhë, familjen tande e trollin ku linde. Shko i lirë e mirupafshim n ‘at botë”!

Nga të pranishmit vinë shumë përgjigje domethënëse   “Ka nderue gjithë Tropojën, asht kanë nderë e vlerë kudo ka punue, në Shqipni e Amerikë”...

Do të donin t`i bënin nderimin e respektin e merituar me qindra e ndoshta me mijëra, por, ndonëse në ato ditë të rënda të Pandemisë Covid-19, komuniteti shqiptaro-amerikan e të tjerë i bënë një përcjellje dinjitare si për një burrë shteti, se figura e tij ka rrezatuar shumë vlera e dobi.

Në formimin e personalitetit të tij kanë ndikuar shumë  edhe traditat pozitive të Malësisë së Gjakovës, familja e tij e shquar për atdhetarizëm, për qëndresë e dinjitet ndaj çdo pushtuesi a sundimtari satrap, për mikpritje, për ruajtjen e lirisë, jo vetëm të trojeve, por edhe të fisit e krahinës.

Stërgjyshi Qerim Ndou, gjyshi e xhaxhai Prelë e Kolë Qerimi, mes legjendës e realitetit ngjanin me Vilhelm Telin e Robin Hudin;  kaçakë disa vite, luftuan hapur padrejtësitë, pa u dorëzuar përballë forcave të shumta gjakatare që kërkonin kokën e tyre.

Është i njohur në të gjithë Tropojën e më gjerë i vëllai Lushi, i cili punoi me këmbëngulje e dinjitet si drejtues pushteti lokal për shumë vite, por edhe në frontet  më problematike në disa ndërmarrje; aty ku dështonin kuadrot njëri pas tjetrit, dërgohej nga Partia -Shtet për të shëruar gjendjen, mbase për ta bërë edhe kurban. Janë të njohura përballjet e ashpra me eprorë burokratë e të paaftë duke mbrojtur veten e kolektivin e dalë faqebardhë.

Me gjithë disa arritje falë zotësisë së tij, por edhe dështimeve, e kuptonte se mekanizmi nuk po funksiononte, ndaj zhgënjehej e vuante. Gjeloshi, e dinte se sistemi ishte i dështuar, ndaj të vëllain e qetësonte e këshillonte me dashuri.

Qysh në hapat e parë, kur erdhi momenti i duhur, patën kurajën të përkrahin Lëvizjen Demokratike të viteve 90; Bardhyli ishte në frontin e parë.

Momentet kryesore të jetës
Gjelosh Prela u lind ne fshatin Btoshë të Nikaj - Merturit në korrik të vitit 1954. Studimet e para i nisi në Nikaj-Mertur, të cilin edhe unë  e kam pas nxënës në dy vitet e fundit të 8-vjecares.

Në vitin 1968 vazhdon studimet në Gjimnazin e qytetit të Bajram Currit, të cilat i mbaroi  shkëlqyeshëm, duke u vlerësuar si një nga gjimnazistet më të mirë.

Në vitin 1972 filloi studimet e larta në  Shkollën e Ministrisë së Brendshme. Aty ai shkëlqeu me rezultate të larta në fushën akademike dhe atë të përgatitjes ushtarake; qe një ndër studentët më të talentuar të asaj Akademie në dekada.

Për këtë arsye, sapo mbaroi studimet e larta, u caktua  oficer pranë Gardës së Republikës dhe gjatë viteve u promovua në funksione të ndryshme të rëndësishme për kohën, që nga Drejtoria e Ruajtjes së Personaliteteve më të larta shtetërore e deri tek ajo e kuadrit.

Në fundin e viteve 80-të, për shkak të temperamentit dhe papajtueshmërisë me padrejtësitë dhe burokracinë e kohës, Gjeloshin e largojnë nga Garda e Republikës (ku ishte kryetar dege) dhe dërgohet si drejtues i një poste kufitare në Kukës, në zonën e Shishtavecit, ku shërbeu disa vite. Ky ishte një paralajmërim serioz jo vetëm për karrierën e tij si ushtarak, por edhe për mundësinë e një ndëshkimi shumë serioz nga regjimi i kohës; ndëshkim që u rezervohej ushtarakëve, që nuk gëzonin besimin e sistemit.

U rikthye në Tirane, kur diktatura po binte.

Me 10 Dhjetor të vitit 1990, në një takim në zyrën e Komandantit të Gardës, Dane Binaj, do të kundërshtonte thirrjet e disa oficerëve për ndërhyrjen e Gardës së Republikës për të shtypur protestën studentore.

Ky qëndrim i prerë, ishte një mbështetje e madhe ndaj lëvizjes studentore dhe zhvillimeve demokratike në Shqipëri.

Kur një grup oficerësh ekstremistë të Gardës kërkonin të ndërhynin me tanke në Qytetin e Studentëve, do të ishte pikërisht Gjelosh Ukcama, i cili ashpërsisht do të kundërshtonte çdo përzierje të Gardës së Republikës apo ndërmarrje e veprime të jashtëligjshme. Ai argumentoi:

Së pari, Qyteti i Studentëve nuk është në juridiksionin e Gardës.

Së dyti, atje janë djemtë, vajzat, nipat e mbesat, vëllezërit dhe kushërinjtë tanë, nuk ka armiq atje. Nëse do të tentohet, unë  së bashku  edhe me oficerë të tjerë  do ta pamundësojmë këtë veprim.

U akuzua se përkrahte nipin e tij (B.Ukcamaj), i cili, sipas tyre, ishte ne mesin e drejtueseve, njëri nga armiqtë e rrezikshëm të sistemit.

Më vonë Bardhyl Ukcamaj, disa vite qe në krye të Forumit Rinor Shqiptar e mori titullin “Pishtar i Demokracisë”, ndër personalitetet e shquara të Nikaj- Merturit (sot punon në New York në një kompani e pozicion të vlerësuar). ( Shih F.Vukaj “Krenari për vendlindjen”, Triptik për Nikaj-Merturin, Tiranë 2006).

Takimi në fjalë mbaroi pa ndonjë vendim, duke u anashkaluar mundësia e ndërhyrje së Gardës apo gjakderdhjes. Ky akt është i njohur dhe i  vlerësuar shumë në atë kohë.

Ngjarjet politike rrjedhin shpejt dhe Gjelosh Ukcama në vitin 1991 do të niste punë në Drejtorinë e Kuadrit të Ministrisë së Brendshme.

Duke parë aftësitë profesionale e seriozitetin në punë, pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike, me urdhër të Bashkim Koplikut, me të cilin ruajti gjithnjë marrëdhënie pune të shkëlqyera, do të emërohej nën/Drejtor i Kuadrit të Ministrisë së Brendshme.

Ai do të kryente një sërë reformash pozitive të rëndësishme për kohën dhe ndryshimet demokratike.

Në vitin 1993,  emërohet Drejtor i Drejtorisë së Ruajtjes së Objekteve të Rëndësisë së Veçantë (D.R.O.V) pranë Gardës së Republikës dhe gradohet Nënkolonel.

Ai ishte dhe mbeti njëri nga kuadrot më të njohur dhe korrekt të strukturave drejtuese të Gardës së Republikës së Shqipërisë.

Gjelosh Ukcama largohet nga Shqipëria në vitin 1996 pasi fiton lotarinë amerikane dhe vendoset në New York së bashku me gruan Prendën, me  fëmijët Elonën, Blerinën e djalin Kristi, një familje model për të cilin investoi shumë edhe kryefamiljari që nuk jeton më.

E shoqja, një zonjë e nderuar, është e bija e të ndjerit Mark Ndoja nga Dukagjini, një punëtori  të palodhur, i ndershëm e i drejtë, i cili përfaqësoi vlerat më pozitive të malësorëve . Për disa vite qe ndër drejtuesit kryesorë të Shkodrës e deri Kryetar i Komitetit Ekzekutiv në Lushnje me arritje të mëdha e shumë respekt nga populli, por kjo ra ndesh me eprorët e tij egoistë, të paaftë e të paditur.

Në SHBA, Gjeloshi ishte një përkrahës i zjarrtë i Kosovës dhe do të merrte pjesë në takime e veprimtari  të shumta, të bënte gjithçka të mundshme për Pavarësinë e lirinë e saj;  pa u kursyer, gjithnjë pranë patriotëve shqiptarë në mërgim.

Ai e nisi karrierën e tij në një moshe krejt djaloshare. Gjatë gjithë veprimtarisë së tij, në poste  të rëndësishme në Tiranë e jashtë saj, para dhe pas rënies së sistemit, Gjelosh Ukcama nuk krijoi asnjë armiqësi, nuk shkeli mbi dinjitetin e askujt dhe nuk la pas asnjë mbresë të keqe.

Përkundrazi, janë të njohura me dhjetëra raste e më shumë, që ka rrezikuar seriozisht karrierën e ndoshta edhe lirinë, në mbrojtje e respektim të personalitetit, të drejtave e lirisë së individit.

Në New York Gjelosh Ukcamaj ndërroi jetë në 27 Maj të vitit 2020 (si shkak i Pandemisë -Covid19) dhe u varros po në New York për t`u kujtuar e mos  harruar ndër breza .

Saint Genis Pouilly, Francë, 16 Prill 2021.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora