Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Të gjitha krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës në një thes!

| E marte, 04.05.2021, 08:57 PM |


Blerim Latifi:

Derisa homologët e saj merren me luftën për të siguruar vaksina për qytetarët e tyre, ministrja jonë e punëve të jashtme merret me urrejtjen e saj personale për kundërshtarët e saj politikë. Derisa homologët e saj bëjnë ç'është e mundur për ta mbrojtur vendin e tyre në arenën ndërkombëtare, madje edhe në çështje kur nuk kanë të drejtë, ministrja jonë e punëve të jashtme, pa iu dridhur fare çerpiku, të gjitha krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës i futë në një thes, siç në fakt e do edhe vetë Serbia, e cila ka 20 vjet që lufton për të relativizuar krimet e saj në Kosovë. Vërtet nuk e kuptoj dot se pse ministrja jonë e punëve të jashtme po e bën këtë. A është në pyetje injoranca e saj diplomatike? A është në pyetje pafuqia e saj që ndjenjat e saj personale t'ia nënshtrojë kërkesave të detyrës zyrtare që ka? A kemi kemi të bëjmë me diçka tjetër? Këtë nuk mund ta them me siguri, por me siguri mund ta them se është koha që kryeministri Kurti t'ia japë disa leksione të mira disiplinimi.

_________

Dhjetëra deputetë të Kuvendit të Kosovës e paskan shkruar gabimisht fjalën "shqiptar" në formularin e broshurës parlamentare. Disa e paskan shkruar "shqipëtar", duke e futur gabimisht një ë midis shkronjave p dhe t, e disa e paskan shkruar "shqiptarë", duke mos qenë në gjendje të dallojnë njëjësin nga shumësi. Çfarë mund të pritet nga analfabetë të tillë që as emrin e kombësisë së tyre nuk mund ta shkruajnë pa gabime? Gjeni vetë përgjigjen e saktë! Nuk e keni hiç të vështirë.

_________

Jurgen Habermas, filozofi më i njohur i gjallë në botë, e paska refuzu çmimin më të lartë letrar për vitin 2021 dhënë nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Arsyeja e refuzimit: Institucioni akademik që e jep çmimin është i lidhur ngushtë me regjimin autokratik që sundon Emiratet. Refuzimi i Habermasit shpreh thelbin e pozicionit që duhet të mbaj secili intelektual i vërtetë: nuk mund të jesh intelektual dhe filozof i vërtetë nëse pranon të gradohesh nga regjimet që shtypin të drejtat e liritë njerëzore, lirinë e mendimit e të shprehjes, parasegjithash. Filozofia ose i shërben lirisë ose nuk ka arsye të ekzistojë!