E premte, 19.04.2024, 10:09 PM (GMT+1)

Mendime

Nikë Gashaj: Shteti qytetar apo nacional

E hene, 03.05.2021, 05:55 PM


SHTETI QYTETAR, APO NACIONAL

Nga Nikë Gashaj

Në shtetet bashkëkohore, qytetaria është forcë kryesore e unitetit, por dhe kombësia  është e pranishme në të gjitha vendet multietnike, mandje edhe në demokracitë e zhvilluara. Bëhet fjalë për lidhjen e ngushtë midis strukturës qytetare dhe të asaj kombëtare të shoqërisë.

Prandaj, nëse ka orvajtje për të hequr elementin etnokulturor nga koncepti i shtetit, për të krijuar  shtetin e pastër qytetar(civil), ajo është iluzion. Meqenëse, me shlyerjen e ndonjë fenomeni nga fusha e teorisë, normave juridike dhe nga politika, nuk do të thotë se ai nuk egziston ose është zhdukur nga realiteti dhe jeta. Sepse,   trashëgimtari i identikimit të kombit dhe shtetit është më së shpeshti kombi shumicë, i cili mund të synoj drejt unitarizmit kombëtar me një parashenjë qytetare.

Në Francë, për shembull, zyrtarisht nuk egziston dallim midis “shumicës” dhe “pakicës”, por me çfarë kostoje? Minioritetet janë të rrezikuara ndaj një procesi “demokratik” të asimilimit në një  komb shumicë, i cili, për të lehtësuar atë humbje “bujarisht” heq dorë nga identiteti i tij në favor të një identiteti të përbashkët qytetar-civil. Qendrimi është se të gjithë qytetarët janë shtetas të Francës, prandaj nuk ka nevojë  për kodifikim  të drejtave të veçanta për pakica kombëtare. Mirëpo, duke pasur parasysh praninë multimilionëshe të popullsisë afrikane në Francë, vërtet kujdesi për “pastërtinë” e shtetit civil nga parimi kombëtar, nuk paraqet  progres demokratik të shoqërisë. Në anën tjetër, realiteti është i tillë, se një francez do të thotë për veten e tij se ai është një qytetar i shtetit francez, por si francez, në kuptimin kombëtar. Në të njëjtën kohë, një algjerian që jeton në Francë do të thotë për veten e tij se ai është një shtetas francez, por si  algjerian, dhe jo si francez.

Megjithëse, Franca nuk e njeh zyrtarisht kategorinë e pakicave kombëtare, dihet përgjithësisht se ajo ka probleme etnike në territorin e saj, gjë që ilustrim më së miri rasti i Korsikës. Në kuadër të sistemi juridik francez është bë një përjashtim, respektivisht është pranuar se një pjesë e territorit dhe e popullësisë e cila atje jeton të ketë një trajtim të veçantë, për shkak të karakteristikave të tyre historike dhe gjeografike, gjuhësore dhe kulturore. Andaj, në  vitin 1991, zyrtarisht u krijua statusi special për Korsikën (“kolektivi territorial i Korsikës”). Rendi ligjor francez kërkonte të vendoste një lloj ekuilibri, dmth. të mos shkelë parimin e barazisë, por gjithashtu të njohë diversitetin duke ia mundësuar Korsikës që të qeverisë në mënyrë efikase në territorin e saj. Barazimi i shtetit dhe kombit në disa shoqëri lindore dhe jugolindore mori një drejtim kah dominimi i kombit shumicë. Parimi qytetar( civil) është  keqpërdorur, ashtu që të drejtat civile dhe politike janë kryesisht “dekorim” i sistemit.

Demokracia liberale është larg nga ajo që shteti nacional, është i mbrapsur në histori. Nëse do të ishte e vërtet që shteti qytetar(civil) është i mundur vetëm si shtet postnacional, atëherë në Europë sipas këtij kriteri nuk do të kishte shtete qytetare(civile) ! Sepse me pak përjashtime, të gjitha shtetet moderne janë kombëtarisht të përbëra dhe të ndërlikuara.

Në botën moderne, nuk ka vetëm shtete nacionale apo vetëm shtete qytetare(civile). Në esencë, të gjitha ato janë shtete nacionale në kuptimin politik, por jo dhe në puptimin etnik, ndonëse  në nivele të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë civile. Prandaj, nuk ka as një dilemë-shtet qytetar(civil) apo shtet nacional. Dilema e vërtet mund të jetë, vetëm – shtet demokratik ose jodemokratik.

E ardhmja dhe demokracia e qendrueshme e një shteti shumëkombësh reflektohet në faktin se elementet konstitucionale shtetërore janë të  ndara në të gjitha bashkësitë etnonacionale në mënyrë të barabartë, në të cilën kombi shumicë ose kombi numerikisht më i madh nuk gëzon ndonjë status të privilegjuar, përveç ndoshta që shteti mban emrin e tij. Por në atë situatë, pasi që shumica etnike mund të anoj kah disa privilegje, është e domosdoshme mbrojtja ligjore e të drejtave individuale dhe kolektive të pakicave etnonacionale.

Në çdo rast, zgjidhjet, veçanarisht në rajonin tonë, nuk mund të kërkohen as në parimin e liberalizmit klasik “një shet-një komb” ose në utopin e modeleve postnacionale të bashkësisë njerëzore. Ajo është si do të thoshte Dominik Shnaper, një farë lloji të “utopisë kreative”. Andaj,  mud të konstatohet, se është më afër realitetit, koncepti i shtetit demokratik i cili është në të njëjtën kohë bashkësi e qytetarëve dhe bashkësi kolektive kombëtare, si një formë e ekulibrit historik të  parimit qytetar dhe kombëtar.

Shoqëria mund të jetë liberale dhe e drejtë, nëse e respekton diversitetin. Prova e vërtet e demokracisë nuk qëndron vetëm në lidhje me individin, por edhe me pakicat kombëtare. Prandaj, në shtetet shumëkombëshe egziston gjithëmon një problem aktual në marrëdhëniet midis shumicës dhe pakicës. Toville, ka theksuar se parimi i shumicës së demokracisë shkelë të drejtat e pakivave kombëtare dhe zakonisht shpien drejt “tiranisë së shumicës”. Karl Poper,duke u mbështetur në Greqinë e Lashtë dhe në disa përvoja të kohëve të fundit, konstaton se parimi i demokracisë nuk do të thotë, se shumica është gjithmonë në të drejtë. Shumica mund të bëj gabime të mëdha. Nuk duhet harruar që ardhja e Hitlerit në pushtet ishte legjitime dhe se autorizimet e tija diktatoriale i fitoj nga shumica parlamentare. Në Austri, mbi 90 përqind të votuesëve i dhanë mbështetjen e tyre Hitlerit në momentin vendimtar. Prandaj, përfundon Poper, parimi i legjimitetit nuk është i mjaftueshëm.

Në këtë drejtim,  pyetja kryesore është se si të zbatohet demokracia dhe të shmanget majorizimi i shumicës mbi pakicën, në veçanti, në bashkësitë shumëkombëshe? Sepse, nëse parimi i vendimmarrjes së shumicës zbatohet, pa asnjë kufizim, në mjedise multinacionale, ai mund të sjellë pasoja jodemokratike. Gjegjësisht, ai mund të shërbej si një mjet i kombit shumicë për të imponuar interesat e tij të ngushta kombëtare si interesa të përgjithshme të shtetit. Kështu, në një mjedis heterogjen, parimi i shumicës, nga mjeti i qeverisjes demokratike mund të shëndërrohet në një instrument të sundimit reaksionar, hegjemonik dhe të dhunshëm.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora