E merkure, 24.04.2024, 12:22 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Besnik Bakiu: Pse vazhdon të heshtet për Gjeneral Telinin

E hene, 24.11.2008, 01:52 PM


Gjeneral Telini
Pse vazhdon të heshtet për Gjeneral Telinin

 

Shkruan Besnik BAKIU

 

Plot 85 vjet më parë më 27 gusht 1923 u vra në krye të detyrës për zbatimin e vendimit të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, Gjeneral Enriko Telini dhe bashkëpuntorë të tij.

Figura dhe vepra e Gjeneral Telinit është vendosur në shumë enciklopedi të botës (në atë shqiptare jo), është ruajtur në memorjen historike të popullit shqiptar dhe ishte skalitur me mjeshtëri nga skulptori i madh Odhise Paskali në shtatoren e vendosur te sheshi ku sot është Akademia e Shkencave.

Personalisht kjo figurë më doli e plotë para disa vitesh, duke kërkuar materiale për një studim që po përgatisja, kur më ra në dorë një punim botuar në revistën “Studime albanologjike” për çështjet e kufijve jugorë të Shqiperisë në vitin 1922-1923. Aty hasa për herë të parë edhe emrin e Gjeneral Enriko Telinit, Kryetarit të komisionit të caktimit të kufijve shqiptarë. E ndjeva veten “fajtor”, për heshtjen që kishte shoqëruar këtë figurë dhe hulumtova rreth kontributit të tij. Kështu u përpoqa (aq sa mundja) ta rinxirrja në pah këtë personalitet, por pa arritur ndonjë gjë të madhe.

Në këtë përvjetor prisja që nga strukturat e shtetit tim të bëhej një përkujtim simbolik, por edhe këtë rradhë asgjë (mos po kërkoj shumë, kur mjeranët harruan të përkujtonin Nënë Terezën dhe Migjenin ?!!)

Në këto vite postdiktature, janë dhënë dekorata e qytetari nderi për shumë të huaj, që kanë kontribuar për vendin tonë (bile edhe grada shkencore Profesor Doktor!!!), por si kudo ka një hierarki (kontributesh, gradash, sakrificash e personaliteti) dhe Gjeneral Telini është hierarku i huaj, jo vetëm më gradën më të lartë, por edhe me një kontribut të jashtëzakonshëm, që e pagoi me gjakun e vet ndershmërinë dhe përkushtimin për ndjenjën e detyrës.

Historia është histori, e vërteta e vërtete, detyra e jonë është ta dëshmojmë ndershmërisht, ta vlerësojmë e përkujtojmë siç ka ndodhur.

 

Shtet pa kufij…

 

Caktimi i kufijve të Shqipërisë u bë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Me 22 mars 1913 u vendosën përfundimisht kufijtë veriorë dhe në qershor-gusht 1913 u morën vendimet për kufijtë jugorë.

Konferenca e Ambasadorëve krijoi dy komisione ndërkombëtare; njërin për kufijtë me Malin e Zi e Serbinë dhe tjetrin për kufirin me Greqinë. Gjatë punës në terren komisionet, sidomos ai i jugut, hasën në vështirsi të mëdha deri në paralizimin e punës. Për këtë ju propozua Fuqive të Mëdha një vijë e re kufiri, e cila u vendos në Firence, ku Komisioni hartoi më 17 dhjetor 1913, protokollin mbi kufijtë jugorë e juglindorë të Shqipërisë, të cilët, me disa ndryshime të vogla, janë po ato që ekzistojnë edhe sot. Populli akuzoi “ Shqipërinë e vogëluat, e bëtë siç deshët vetë”.

Ishte kjo padrejtësi historike ndaj një prej popujve më të vjetër të Evropës, që do të sillte ndeshje, gjak, mërira, dhunë dhe lot deri në fillimin e shekullit të XXI. (E drejta vonon, por s’mungon)

Shqiptarët, të drobitur nga luftrat dhe të tradhëtuar, vendosën t’i zgjidhin vetë problemet, duke vënë para faktit të kryer Fuqitë e Mëdha. Lufta e Vlorës, Kongresi i Lushnjes etj, sollën pranimin e Shqiperise më 17 dhjetor 1920 në Lidhjen e Kombeve.

 

Komisioni i caktimit të kufijve

 

Në këto kushte më në fund, Konferenca e Ambasadorëve në Paris më 9 nëntor 1921 vendosi që kufijtë shqiptaro-grekë të mbeteshin po ato të caktuara nga Protokolli i Firences, kurse për kufijtë verilindore bëri përsëri ndryshime në favor të Jugosllavisë. Për caktimin e këtyre kufijve konkretisht në vend, u la të formohej një komision, me përfaqësues të Anglisë, Francës, Italisë dhe Japonisë, i cili u krijua më 8 janar 1922.

Në të të merrnin pjesë përfaqësuesi i Italise Gjeneral Enriko Telini, i Anglisë kolonel Gilles, i Francës kolonel Ordion, dhe kapiten De Limperani që ishte sekretar i përgjithshëm i komisionit. Japonia nuk dërgoi delegatin e saj.

Kryetar i komisionit u caktua Gjeneral Enriko Telini dhe jo rastësisht.

Gjeneral Telini (Enrico Tellini) kishte lindur më 25 gusht 1871 në Kastelnuovo të Garfanjanës. Ai kishte marrë pjesë në luftën italo-turke dhe në Luftën e Parë Botërore. Për zotësinë e disiplinën e lartë arriti të marrë gradën e gjeneralit të brigadës pas shërbimit si kolonel i Shtatmadhorisë.

Pranë komisionit do të punonte dhe një komitet tekniko-gjeografik. Shtetet e interesuara për kufijtë Shqipëria, Greqia dhe Jugosllavia do të kishin përfaqësuesit e tyre pranë komisionit. Përfaqësues i Shqipërisë në fillim u caktua Bajram Fevziu, i cili me pas u zëvendësua nga Dhimiter Berati, sekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Komisioni erdhi në Shqipëri në mars 1922 dhe filloi punimet në zonën kufitare nga mali Gramoz deri në pikën e kufirit greko-shqiptaro-jugosllav, për të vazhduar pastaj për më në jug.

Komisioni hasi pengesa të mëdha nga delegacioni grek. Në një raport të gjeneral Telini thuhet se ”Ky delegacion, nuk më jep besim për një bashkëpunim të sinqertë. Delegacioni kërkon me të gjitha mjetet dhe pretekstet për t’u larguar….Autoritetet dhe trupat greke nxjerrin pengesa nga më të ndryshmet”. Në nëntor, për shkak te këtyre pengesave dhe dimrit që po afronte, Konferenca e Ambasadorëve vendosi që punimet e caktimit të kufijve të rifillonin më 1 maj 1923.

Gjeneral Telini, gjatë punës së tij, u përpoq të ishte i paanshëm në marrjen e vendimeve; sipas rastit, ai nuk kurseu as shqiptarët, as grekët, as jugosllavët. Në raportin e fundit drejtuar Konferencës së Ambasadorëve, më 26 gusht 1923, pikërisht një ditë para vrasjes, gjeneral Telini shprehet se “… vendimet e komisionit janë të paanshme” dhe ai “po kryen detyrën e tij duke u bazuar në ndërgjegjen e vet e drejtësinë”.

Gjatë qëndrimit në zonat shqiptare, gjeneral Telini u prit si mik dhe u respektua për punën që po bënte. Shpesh i shoqëruar nga delegati shqiptar dhe nga anëtarë të tjerë të komisionit, ai bëri vizita në fshatrat shqiptare. Banorët sa herë që e takonin në rrugët e Korçës, në koncertet e Bandës Kombëtare “Vatra” apo në kinema Modern, ku shetiste lirisht, e përshëndesnin me gëzim e dashuri të dukshme.

Krejt e kundërta ndodhte në shtetin fqinj, ku ndaj punës së komisionit kishte një qëndrim agresiv e sabotues. Sipas një raporti të Konsullatës italiane në Janinë, gjatë një diskutimi në një moment rrëmbimi, perfaqësuesi grek kishte thënë për gjeneral Telinin “duhet vrarë”. Këtë frazë ky kolonel e ka përsëritur edhe në një lokal publik.

 

Vrasja në Janinë

 

Më 27 gusht 1923 komisioni i kufirit do të shkonte nga Janina në Kakavijë, ku do të përfundonte vendosjen e disa gurëve kufitarë atje. Herët në mengjes, u nisën nga Janina automobilat e delegatëve shqiptarë, grekë e italianë. Automobili i përfaqësuesve grekë pësoi një defekt. Automobili i italianëve parakaloi atë grek, duke ndjekur automobilin shqiptar. Gjeneral Telini ishte 30 minuta larg përfaqësisë shqiptare. Pasi kaloi automobili i komisionit shqiptar, në afërsi te Janinës, në vëndin e quajtur Zepe (54-55 km larg Janines), 4 km larg Delviqanit dhe 10 km larg kufirit shqiptar, midis Delviqanit dhe Arnishtes, gjaksorët bllokuan rrugën me drurë të mëdhenj. Vendi i zgjedhur ishte shumë i përshtatshem për pusi, në bërrylin e një kthese. Kur arriti automobili i gjeneralit, shoferi Renixho Farneti dhe përkthyesi shqiptar Thanas Kraveri (Leskoviku), zbritën për të larguar drurët nga rruga, por u qëlluan prej personave që kishin zënë pusi dhe mbetën të vdekur që të dy. U vra dhe doktori Luixhi Korti që ndodhej brenda në makinë.

Adjutanti Mario Bonaçini sapo doli prej automobilit, u plagos rëndë e mbeti nën të. Gjenerali u hodh nga makina dhe pasi u largua rreth 20 m mbeti i vrarë me revolver në dorë.

Nga ora 0845 deri në ora 10 misioni shqiptar e priti më kot atë italian. Disa herë ai kerkoi të kthehej të shikonte se ç’kishte ndodhur, por nuk u lejua. Vetëm në ora 17.00 iu dorëzua një telegram me anën e të cilit lajmërohej se misioni italian nuk mund të vazhdonte në drejtimin e caktuar, sepse ishin parë banditë rreth e rrotull. Delegati shqiptar, i mbeshtetur nga dr. Xhioti (i Institutit Gjeografik italian), kërkoi sërish që të shkonte në ndihmë të gjeneral Telinit, por përsëri nuk u lejua një gjë e tille. Vetëm në orën 18.00 iu dha leja. Rrugës morën vesh që vrasja kishte ndodhur në ora 09.00 të mëngjesit. Trupat ishin transportuar në Janinë e në vendin e ngjarjes kishin mbetur vetëm disa gjurmë gjaku.

Për nder të tyre në Janinë u dha një meshë dhe trupat e italianëve të vrarë, me nderimet e duhura u nisen në Prevezë, në kishën katolike. Edhe këtu u dha një meshë. Në ora 12.30 të datës 19 shtator 1923, trupat e tyre u nisën në mënyrë ceremoniale për në Taranto të Italisë me avulloren San Marko. Ceremonia zyrtare u bë në kishën Santi Apostuli në Romë, ku morën pjesë Duka i Aostes, Duka i Gjenoves, Konti i Torinos, Princi i Udines, Musolini me ministrat, të gjithë ambasadorët dhe përfaqësues të tjerë të huaj. Pastaj trupat u derguan secili për në vendin e lindjes. Gjeneral Telini u varros në Firence.

Me 8 shtator 1923 Konferenca e Ambasadorëve vendosi të dërgojë në Janinë një komision special hetimi, i cili nuk mundi të japë një mendim përfundimtar të saktë rreth përgjegjësive që çuan në atentatin e 27 gushtit.

Vrasja e komisionit italian shkaktoi krizë në marrëdheniet italo-greke. Qeveria italiane bëri përgjegjëse palen greke dhe kërkoi dëmshpërblim për këtë vrasje. Kjo krizë solli edhe pushtimin e përkoheshëm të Korfuzit nga ana e italianëve.

Kush ishe vrasesi i misionit Italian? Komisioni i hetimit nuk dha perfundime. Por një gjë ishte e sigurtë, krimi u krye për motive politike. Autorë të tij ishin ato forca, të cilave u prishte punë korrektesia dhe paanësia e gjeneral Telinit dhe delegacionit italian.

 

Mirënjohja shqiptare

 

Kjo vrasje shkaktoi një reagim të fortë në Shqipëri. Opinioni publik shqiptar i konsideroi viktimat “theror për të drejtat ndërkombetare”. Parlamenti shqiptar në shenjë zie nderpreu punimet e tij për 24 orë. Autoritetet më të larta shqiptare i derguan telegrame ngushellimi personaliteteve italiane dhe familjeve të viktimave. Telegrame dërguan dhe bashkitë dhe populli i te gjitha qyteteve shqiptare. Në Korçë, në kishën e Shën Gjergjit, u bë nje përshpirtje për gjeneralin e shokët e tij, ku merrnin pjesë autoritetet më të larta të qytetit. Populli i Vlorës ditën e 3 shtatorit, kur do të përkujtonte me festime 3 vjetorin e çlirimit të qytetit nga forcat italiane, vendosi të shfaqe hidherimin e tij për vrasjen ç’njerezore me anë manifestimesh. Manifestuesit që arrinin në 3-4 mijë vetë u drejtuan në konsullatën italiane ku i shprehën ngushëllimet konsullit italian. Që andej vajtën në kishën katolike ku u bë një përshpirtje. Po ashtu në Tiranë, në kishën katolike, në atë ortodokse dhe në xhami u kryen gjithashtu shërbesa fetare për shpirtin e të ndjerëve të komisionit Italian

Gazeta e Korçës, më 1 shtator 1923, e vlerëson kështu gjeneral Telinin: “Emri i tij do të mbetet i paharruar për popullin shqiptar. Historia e rilindjes tonë kombëtare, emrin e këtij gjenerali të nderuar, së bashku me atë të kolonel Tomson, do t’a përmëndë me një nderim të math, për shërbimet q’i solli Kombit tonë të shumëvuajtur”

Gazeta Vatra Shqiptare do të shkruante: “Gjeneral Telini për ne përfaqëson, njëkohësisht idenë e drejtësisë dhe atë të mbrojtjes të interesave tona. Të dy këto ide i ngjajnë fort njëra tjetrës. Ideja e dytë ndjek pas iden’ e parë si hija e saj. Shqiptari që e ka të thellë kuptimin e drejtësisë e të miqësisë, është e pamundur të mos ishte frymëzuar me një mirnjohje të thellë për gjneralin italian”.

Për të nderuar dhe përjetësuar kujtimin gjeneral Telinit, 18 vjet pas vrasjes, u vendos në një nga sheshet qëndrore të Tiranës shtatorja e tij, vepër e Odise Paskalit.

Sipas kritikës së kohës në këtë monument “Odise Paskali këtë ndjenjë mirënjohje, si artist i hollë, ka ditur t’a shprehë fare mirë, ai ka ditur të bëhët interpreti i mbaruar i mirënjohjes që ka në zemër shqiptari për gjeneral Telinin. Në punimin e veprës, Odise Paskali është pushtuar prej një sentimentalizmi të gjallë dhe ka dëshiruar e menduar që ta shfaqë ndjenjën e tij duke simbolizuar e konceptuar Gjeneral Telinin, këtë dëshmor, ashtu siç ka qënë ai në realitet: një simbol për neve. Gjeneral Telini i ngjan tepër një gjenerali të Romës së vjetër”.

“U krye më së fundi kjo detyrë. Dhe u krye lumtërisht në një mënyrë që na nderon, pse monumenti është i denjë për heron, të cilit do ti përjetësoj kujtimin”.

Në përfundim desha t’ju ribej apel instancave kompetente shtetërore (Presidentit të Republikës, Ministrit të Punëve të Jashtme, Ministrit të Brendshëm) dhe atyre akademike, për të filluar procedurat mbi rivlerësimin e merituar dhe të vonuar të figurës dhe veprës së gjeneral Enriko Telinit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Të bëjmë minimumin e asaj që bënë paraardhësit tanë për figurën dhe veprën e tij.



(Vota: 4 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora