E premte, 19.04.2024, 06:33 PM (GMT+1)

Speciale » Namani

Namani & Sallahu: Fortifikimet në anën e majtë të Lumit Llap - gjurmët arkeologjike në fshatin Majac

E shtune, 01.05.2021, 07:00 PM


Fortifikimet në anën e majtë të Lumit Llap, përgjatë aksit rrugor Prishtinë-Besianë-gjurmët arkeologjike në fshatin Majac

Qazim NAMANI,  Dr. Arkeologji/trashëgimi Kulturore

Emin SALLAHU, MA. Trashëgimi Kulturore dhe Menaxhim i Turizmit

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, Prishtinë

Abstrakt

Zhvillimi i jetës urbane në luginën e Lumit Llap, gjatë periudhave të ndryshme historike, pa dyshim se u diktua nga pozita gjeo-strategjike, toka bujqësore dhe pasuritë minerale që i ka kjo zonë e Dardanisë qendrore.

Fortifikimet e ndërtuara në krahun e majtë të rrugës Prishtinë-Besianë, pa dyshim se e krijonin sistemin kontrollues mbrojtës në grykën e poshtme të Lumit Llap, apo grykën malore prej Rrafshit të Llapit e deri në Rrafshin e Kosovës. Këto fortifikime ishin të ngritura në kodrinat më strategjike të kësaj zone, duke filluar që nga Quka në fshatin Barilevë, Kështjella në Lupçin e Poshtëm, Gradishta dhe Kështjella në fshatin Majac, Gradishta dhe Shotori në fshatin Llapashticë dhe Kështjella e Potokut. Të gjitha këto fortifikime kishin pamje dhe komunikim të mirë me kështjellat tjera të afërta në anën e djathtë të Lumit Llap.

Pozita strategjike e këtyre fortifikimeve, pranë rrugës së njohur tregtare Via Naissus-Lissus, e cila e përshkonte luginën e Lumit Llap, mendojmë se këto kështjella të kësaj zone kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin kulturor dhe ekonomik të qyteteve antike. Kjo trevë e pasur me minerale dhe toka pjellore, fitojë rëndësi të veçantë pas pushtimit romak dhe zhvillimit ekonomik të Vendenisit dhe Ulpianës.

Fortifikimet në anën e majtë të Lumit Llap, përgjatë aksit rrugor Prishtinë-Besianë-gjurmët arkeologjike në fshatin Majac

Nga Dr. Qazim Namani & Ma. Emin Sallahu

Kështjellat (Fortifikimet)

Në Kosovë ende nuk është kryer ndonjë studim i detajuar në fushën e fortifikimeve. Për këtë arsye studimet janë të pakta  sidomos për ato fortifikime  në të cilat nuk vazhdoi jeta deri në shekujt XVIII-XIX, periudhë kjo e fuqizimit të pashallëqeve të mëdha shqiptare. Mendojmë se territori i Kosovës së sotme, bazuar edhe në të dhënat e pakta që posedojmë, për nga stili dhe arkitektura e fortifikimeve, nuk qëndron prapa vendeve tjera, por i përket  bashkësisë së thesarit kulturor të Gadishullit Ilirik.

Fortifikimet ndërtoheshin në pika strategjike pranë rrugëve dhe luginave me tokë pjellore e sidomos në trevat e pasura me minerale, siç janë ato të Dardanisë antike.

Fortifikimet më të hershme në trevat ilire, njihen me emrin Gradishtë. Këto fortifikime zakonisht ndërtoheshin në kodrina më të ulëta, dhe përfshirin sipërfaqe deri në 1.5 ha. Në anët e këtyre vendbanimeve ku nuk kishte mbrojtje natyrore, kodrina fortifikohej me ledhe që përbëhej nga përzierja e dheut, zhavorrit dhe gurit me përmasa të vogla. Vendbanimet e tilla të mbrojtura me ledhe rrethuese, të ndërtuara me gurë të thyer dhe përzier me dhe, quheshin “Gradina”, dhe etimologjia e kësaj fjale është me origjina parahistorike.[1]

Vendbanimet e grupit kulturor dardan nga shekulli VIII-IV, p. e. s, janë të tipit kodrinor, të vendosura në kodra të ulëta, apo edhe maja të larta. Emërtimet më të shpeshta që janë hasur në Kosovë, për këto vendbanime janë: Gradinë dhe G(r)adishë. Veçoritë e përbashkëta të tyre janë vendosja në kodra, që i kanë tri anë të thepisura, ndërsa në anën e kundërt, lidhen në trajtë shale me kodrinat më të ulëta.[2]

Këto emërtime në trevat ilirë vinë që nga periudhat e hershme parahistorike, që sipas disa studiuesve e kanë kuptimin e thurjes së vendbanimit me ledhe dheu në formë të gardhit.

Pranë këtyre fortifikimeve në periudhat e mëvonshme historike u ndërtuan Kështjella në kodrina më të larta dhe me sipërfaqe më të madhe.

Gjatë shekujve V-IV para e. re, në fortifikimet që vazhduan të jetojnë nga periudha e parë e hekurit, u zhvillua jeta qytetare.[3] Nga burimet e autorëve antik Tit Livi përmend tri lloje të vendbanimeve të fortifikuara, siç janë: Urbes, Oppida dhe Castella.[4]

Fortifikimet e ndërtuara në krahun e majtë të rrugës Prishtinë-Besianë, pa dyshim se e krijonin sistemin  kontrollues mbrojtës në grykën e poshtme të Lumit Llap, apo grykën malore prej Rrafshit të Llapit e deri në Rrafshin e Kosovës. Këto fortifikime ishin të ngritura në kodrinat më strategjike të kësaj zone, duke filluar që nga Quka në fshatin Barilevë, Kështjella në Lupçin e Poshtëm, Gradishta dhe Kështjella në fshatin Majac, Gradishta dhe Shotori në fshatin Llapashticë dhe Kështjella e Potokut. Të gjitha këto fortifikime kishin pamje dhe komunikim të mirë me kështjellat tjera të afërta në anën e djathtë të Lumit Llap, duke filluar nga quka në fshatin Milec, Trudë, Besi, Tenezhdoll, Rimanishtë, Siqevë, Grashticë, Koliq e tutje, që në tersi e formonin sistemin e fortifikimit në Dardaninë qendrore.

Pozita strategjike e këtyre fortifikimeve, pranë rrugës së njohur tregtare Via Naissus-Lissus, e cila e përshkonte luginën e Lumit Llap, në Dardaninë qendrore, mendojmë se këto kështjella të kësaj zone kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin kulturor dhe ekonomik të qyteteve në këtë trevë.  Kjo trevë e pasur me minerale dhe toka pjellore, fitojë rëndësi të veçantë pas pushtimit romak. Për rëndësinë e kësaj rruge dëshmon edhe zbulimi i gurit milja, buzë Lumit Llap, në fshatin Lupç të Poshtëm, rrëzë kështjellës dardane e antike në Kodrën e Kulinës.[5]

Lumi Llap i rrethuar me toke pjellore, me tarracat avuliale ka lozur rol të rëndësishëm për nismën dhe zhvillimin e jetës.[6]

Në shekullin e VIII para erës sonë, ekzistonte një kulturë me tipare të krijuara, e cila tani më është e sigurt se i përkiste kulturës dardane.[7]

Në këtë epokë dardanët e njohën përpunimin e hekurit që nxirrej ne minierat e vendit. Kjo kulturë e zhvilluar është zbuluar në vendbanimet kodrinore, dhe pika të rëndësishme strategjike, duke e krijuar në këtë mënyrë një sistem vrojtues, mbrojtës dhe sinjalizues të fortifikimeve mes veti.[8]

Zhvillimi i jetës urbane në luginën e Lumit Llap, gjatë periudhave të ndryshme historike, pa dyshim se u diktua nga pozita gjeo-strategjike, toka bujqësore dhe pasuritë minerale që i ka kjo zonë e Dardanisë qendrore. Rritja e aktiviteteve ekonomike në këtë trevë ndikoj dukshëm në zhvillimin urban të dy qyteteve antike Vendenisit dhe Ulpianës, dhe u formua një rrjetë i gjerë rrugor me stacione kontrolli.

Në trevën e Llapit është zbuluar edhe një numër i konsiderueshëm i objekteve të cilat dëshmojnë intensitetin e jetës gjatë periudhës romake, qendër e së cilës në këtë zonë ishte Vendenisi antik.[9]

Zhvillimi ekonomik i kësaj zone që u dëshmua me gjetje të shumta arkeologjike që nga periudha e neolitit në Prishtinë, Dardhishtë, Berrnicë, Barilevë, Sibocë dhe Lupç të Poshtëm, dhe më vonë, zhvillimi ekonomik i Mbretërisë së Dardanisë, po ashtu bazohej në bujqësi, blegtori dhe zejtari. Prodhimet blegtorale, si dhe argjendi e ari dardan, ishin bërë të njohura për shumë qytete bregdetare, te lindjes, Mesdheut dhe Adriatikut, andaj këto prodhime dërgoheshin në këto vende përmes rrugës Nishë-Lezhë.

Gjurmët e kështjellave të identifikuara në këtë zonë, pasqyrojnë një veprimtari ndërtimore të gjerë mbrojtëse në Dardani.

Duke u bazuar në rezultatet  e përnjohjes  me karakter vrojtues dhe identifikues, janë mbledhur mjaftë të dhëna për këtë zonë, por duke u bazuar në rëndësinë ekonomike dhe strategjike, ende ka hapësirë që të identifikohen gjurmë të reja të qytetërimit në këtë trevë.

Identifikimi i kështjellave dhe përshkrimi i tyre, mundëson që të njihemi me sistemin e fortifikimeve të Dardanisë në përgjithësi, andaj duhet të jetë prioritet i studimeve tona në të ardhmen.

Me qenë se hulumtimet arkeologjike dhe etnografike janë të pakta në trevën veri-lindore të Kosovës së sotme, gjurmët kulturore që deri më sot kanë dal në pah, dëshmojnë traditën e zhvillimit kulturor në këto anë, që nga periudhat e hershme parahistorike.  Dëshmitë materiale arkeologjike të zbuluara deri me sot, flasin bindshëm se etnia dardane, ju ka mbijetuar sundimeve të huaja gjatë shekujve, e cila vazhdon të jetoj edhe më tutje në këto anë, si popullatë autoktone në trojet e veta etnike.

Siç e cekëm burimet antike të shkruara për këtë pjesë të Dardanisë janë të pakta, andaj për shumë çështje ne obligohemi të supozojmë  përmes ngritjes së hipotezave, që bazohen në kulturën materiale për ta dëshmuar ruajtjen e vijueshmërisë të popullatës autoktone dardane deri në ditët e sotme në Gadishullin Ilirik.

Mendojmë se në këtë punim kemi kontribuar sado pak që ta plotësojmë boshllëkun për identifikimin e fortifikimeve në këtë zonë.

Quka e Barilevës

Quka e Barilevës është kodrina e fundit e vargmaleve të Albanikut, që bie nga ana e djathtë e Lumit Llap, në Rrafshin e Kosovës.

Duke i pasur për bazë zbulimet arkeologjike në “Arat e Kovaçve”, ku kemi hasur në zhvillim të lartë të kulturës së neolitit, mund të pohojmë se në epokën e bronzit dhe të hekurit, kur edhe filluan të ngritën vendbanime në kodrina, pranë këtij vendbanimi rrafshinor të neolitit është bërë e banueshme edhe kjo kodrinë.

Quka e Barilevës, fotografuar nga ana lindore

Kjo qukë ka një pozitë shumë të rëndësishme strategjike për të vëzhguar lëvizjet nëpër rrugët që vinin prej grykës së Llapit, dhe ato që vinin prej luginës së Lumit Ibër, nëpër Vushtrri dhe shkonin në drejtim të rrafshit të Kosovës. Po ashtu përmes kësaj kodrine dhe kalasë në Lupçin e Poshtëm, gjatë periudhës së antikitetit përcilleshin të gjitha lëvizjet që kalonin nga gryka e Llapit në drejtim të Kalasë së Samadregjës dhe Rrafshit të Kosovës.

Nga ana lindore kjo kodrinë, kishte komunikim të mirë edhe me qukat e afërme në fshatrat Trudë, Milec, Vranidoll dhe Besi.

Kalaja e Lupçit të Poshtëm

Kjo kodrinë fortifikatë, është ngritur në kurorën e maleve, mbi qukën e Barilevës. Nga kjo pikë vrojtuese mundësohej komunikim i mirë me sistemin e fortifikimeve që shkonin në drejtim të Vushtrrisë dhe Trepçës, dhe njëkohësisht me të gjitha fortifikimet e afërta pranë Prishtinës në malësinë e Galabit.

Deri më tani në këtë kala, nuk janë bërë gërmime arkeologjike, por bazuar në shkrimet e arkeologës Edi Shukriut, dhe burimeve tjera në terren, mund të pohojmë se kemi të bëjmë me një vendbanim të periudhës së antikitetit dhe mesjetës. Edi shkriu shkruan se, Vendbanim të fortifikuar me jetë zgjatje deri në mesjetë e ndeshim edhe kalanë që ndodhet në jug-perëndim të Lupçit të Poshtëm.[10]Pranë kësaj kalaje kanë kaluar rrugë të vjetra që nga Vendenisi dhe fortifikimet e kësaj ane shkonin në drejtim të Vushtrrisë.

Kalaja në Lupçin e Poshtëm

Gradina dhe Shotori në fshatin Llapashticë

Në anën perëndimore të fshatit Llapashticë, në njërën nga kodrinat, është ngritur Gradina e këtij fshati. Në këtë lokalitet arkeologjik, deri më tani nuk janë bërë gërmime arkeologjike, por në bazë të pozitës gjeografike, dhe zhvillimit të vendbanimeve të periudhës së hekurit dhe antikitetit për rreth saj, mund të supozojmë se kemi të bëjmë me një vendbanim kodrinor, të ngritur gjatë Mbretërisë së Dardanisë në epokën  e hekurit.

Jo shumë larg prej Gradinës në anën veri-perëndimore, në një kodrinë më të lartë dominuese, është Shotori në fshatin Llapashticë. Edhe ky vendbanim është pikë e rëndësishme arkeologjike e strategjike, që nuk është hulumtuar në aspektin arkeologjik, por të gjitha gjetjet e rastit dhe dëshmitë tjera, mundësojnë të besojmë se kemi të bëjmë, me një kodrinë të fortifikuar gjatë periudhës së antikitetit dhe asaj mesjetare. Me rëndësi është të përmendet edhe Quka e Kodralive, në fshatin Llapashticë, për të cilën mendojmë se ishte pikë vrojtuese, pranë shatorit dhe Gradinës së fshatit.

Për këto fortifikime ka shkruar edhe Edi Shukriu, e cila thotë se sistemit të fortifikatave të zonës së Llapit i kanë takuar edhe qytezat kodrinore në perëndim të fshatit Llapashticë, në perëndim të Lupçit të Epërm dhe Kulina e Tenezhdollit.[11] Në këtë rast kur përmendet qyteza në perëndim të Lupçit të Epërm, mendojmë se kjo duhet të jete Quka e Kodralive.

Foto 1. Shotori, Foto 2. Gradina në fshatin Llapashticë

Nga kjo pikë strategjike, shihet tërë rrafshi i Besianës, dhe ka komunikim me të gjitha fortifikimet në jug-Lindje dhe Veri-lindje të Besianës. Vlen për ta cekur se përveç pamjes dhe komunikimit me fortifikimet për rreth saj, kjo fortifikatë ka komunikim edhe me kalatë e njohura në Malsinë e Galabit si: Qukën në Herticë, Brainë, Shotorin në Kolliq, Kalanë e Kollçakut në Koliq, Kalanë në Balloc, Sukat në Rimanishtë e tj.

Fortifikimet e fshatit Popovë

Në fshatin Popovë, është Kalaja e Potokut të cilës edhe sot i vrehen muret rrethuese në kullës qendrore. Përveç Kalasë, si lokalitete dhe toponime tjera që vlen të përmenden janë: Selishta në anën jug –lindore rrëzë Kalasë në Potok, lokalitet i vjetër arkeologjikë Suka e Kodralive, që mendohet të jetë një pikë vrojtuese e fortifikimeve në rrjedhën e Përroit të Kaçanollit, Guri i Bardhë, Gurina e Kishës, Kodra e Kunovikut, Përroi i Ahishtës, Kodra e Madhe, Gurina e Madhe dhe e Vogël, Rrahi i Mexhës, Ahishta e Pajës, Rrezja e Thanës, Lugu i Kishës në lagjen Maçastena, Kisha nën Kalanë e Potokut, Pusi i Shkumës, Rruga e Kaurrve që kalon pranë Selishtës dhe del në fshatin Vesekoc, komuna e Vushtrrisë etj.

Pozita gjeo-strategjike e shtrirjes së fshatit, në një luginë për gjatë rrjedhës së ujit, me ara dhe livadhe të pëlleshme, dhe me disa mullinj e valavica, dëshmojnë se në Popovë, rrëzë këtyre kodrinave strategjike me mbrojtje të mirë natyrore, kishte kushte shumë të volitshme për lulëzimin e një qytetërimi të lashtë.

Duke u bazuar në konfiguracionin e terrenit, dhe gjurmëve arkeologjike të zbuluara deri më tani, mund të pohojmë se në rrjedhën e përroit, prej fshatit Lupcë të Poshtëm e deri te Kalaja e Potokut në fshatin Popovë, kishte qytetërim të pandërprerë që nga epoka e gurit e deri në ditët e sotme.

Kalaja e Potokut në Popovë

Kalaja e Potokut është ngritur në shkrepat e thepisur të shkëmbinjve, duke u ngjitur nga fshati Popovë, në anën e djathtë të prroit që bie prej fshatit Kaçanoll e derdhet në Lumin Llap.

Qasja më e lehtë në këtë kala është nga ana veri-lindore, ndërsa anët tjera kanë mbrojtje shumë të mirë natyrore. Nga ana perëndimore kishte mbrojtje shumë të mirë natyrore, nga kodrinat e larta të fshatit Vesekoc.

Kjo kala ka pamje shumë të mirë dhe i kontrollonte të gjitha lëvizjet nga ana jugore, lindore dhe veri-lindore. E ngritur në një kodrinë dukshëm më të lartë në veri të kalasë së Majacit, këto dy kala kanë një distancë mes veti, përafërsisht 8 km në vijë ajrore. Po ashtu kalaja e Potokut e cila shtrihet në veri-perëndim të Shatorit në fshatin Llapashticë kanë një distancë përafërsisht prej rreth 5 km. Me pozitën e saj strategjike kjo kala e luante rolin kryesor për komunikim dhe sigurim të popullatës në rast rreziku në atë trevë.

Kalaja në Potok

Kështjella e Potokut, ka dukshmëri të mirë edhe me Kulinën në fshatin Tenezhdoll dhe fortifikimet tjera të largëta në Malësinë e Galabit.

Ky vendbanim i fortifikuar, ka mbrojtje shumë të mirë, nga thyerja e terrenit, me shkrepa gurësh deri te Prroi i Kaçanollit, që e pamundëson ecjen në drejtim të kalasë nga kjo anë, andaj prej këtij përroi ishte e mundshme, dalja deri në kala vetëm nga ana veriore dhe lindore.

Muret ballore të kodrinës në anën perëndimore, duke filluar nga ana jug-lindore në Kerrshin e Sokolit, janë aq të thepisura sa që krijojnë mbrojtje shumë të mirë natyrore. Kjo vijë e përroit, përshkohet me disa ujëvara, me rrjedhje të shpejtë të ujit. Për pjerrtësinë e shpateve të këtij prroi tregojnë edhe emërtimet për to si: Kërrshi i Pelave, Kërrshi i Magarit (Gomarit) dhe Kërrshi i Sokolit. Nga pozicionet tjera, dhe në citadel, vërehet se muret rrethuese të kalasë,  janë të punuar me gurë të pa latuar dhe të lidhur me llaç gëlqereje.

Në përroin e Kaçanollit, pranë Selishtës dhe  Kalasë së Potokut, janë hasur gjurmë të përpunimit të metaleve dhe themelet e një kishe. Themele të një kishe janë hasur edhe në lagjen Segashë pranë një rruge e cila prej Segashe, shkonte në drejtim të Vushtrrisë, që popullata e këtyre fshatrave e quajn “Rruga e Kaurrit”. Sigurisht këtë emër kjo rrugë e kishte marr gjatë sundimit osman, nëpër të cilën më shumë lëvizte popullata dardane e krishterë, që nuk ju nënshtrua pushtimit osman deri në fund të shekullit XIX.

Foto 1 dhe 2, pamja e kalasë nga ana lindore, Foto 3 dhe 4 Themelet e citadelës së kalasë dhe lidhja me llaç gëlqereje, Foto 5 dhe 6, Pamjet nga ana lindore dhe jug-lindore, duke zbritur nga kalaja

Nga ana veriore dhe veri-perëndimore, kjo kala kufizohet me kurorën e maleve dhe kodrinave të fshatit Kaçanoll, Bajgorë, e Vesekocë, ku përmes pikave vrojtuese në këto kodrina komunikonte me fortifikimet në drejtim të Vushtrrisë dhe Trepçës.

Siç shihet nga të dhënat e regjistruara në terren për fortifikime, por edhe nga konfiguracioni i terrenit që po prezantohen në këtë punim, mund të pohojmë se kjo kështjellë, e futur thellë në zonat malore, në mes të Besianës, Trepçës dhe Vushtrrisë, ishte njëra ndër kështjellat, më të mbrojtura në këtë zonë të Dardanisë.

Fshati Majac

Fshati Majac, është një vendbanim në komunën e Besianës, që shtrihet në anën e majtë të rrugës Prishtinë- Besianë, me një distancë rreth 20 km prej Prishtinë, dhe rreth 15 km prej Besianës.

Ky fshat me një pozitë gjeografike shumë të mirë për jetesë shkrihet rrëzë maleve dhe kodrinave të Albanikut (Kopaunikut të sotëm). Nëpër territorin e këtij fshati kalon Përroi i Kaçanollit, i cili buron në kodrinat e larta të fshatit Kaçandoll, dhe  ka gjatësi prej 33 km deri te derdhja në lumin Llap.[12]

Territori i fshatit ka formën e një lugine, që në pjesën perëndimore dhe veriore rrethohet me kurora malesh mjaftë të thepisura, ndërsa gjatë luginës së përroit,  kryesisht është tokë e rrafshët dhe shumë pjellore. Lartësia mbidetare është prej 560 – 850 metra.[13]

Mikro toponimet në fshatin Majac

Toponimet janë pjesë e rëndësishme që tregojnë të kaluarën historike, sociale, gjuhësore, gjeografike, kulturore, të ruajtura që nga periudhat e hershme, e deri në ditët e sotme, për një vendbanim apo trevë të caktuar. Mbledhja e toponimeve ka rëndësi të madhe për studimin e një vendbanimi. Vëmendje të madhe duhet kushtuar sidomos atyre gjeografike, sepse ato janë të dhëna për gjurmët e lashtësisë së qytetërimit të një popullate, në një zonë të caktuar. Toponimet si gjurmë të bartura brez pas brezi te popullata, që ka jetuar në një vendbanim, janë dëshmitë e para për të hulumtuar gjurmët e civilizimit në atë trevë. Ndër toponimet që e dëshmojnë autoktoninë e popullatës shqiptare në trevat dardane, e të cilat i hasim edhe sot janë: Gradishta, Selishta, Kulina, Suka, Quka, Kalaja, Hisari, Gomuri etj. Edhe pse disa nga këto toponime marrin trajta gjuhësore, sipas sistemeve dhe perandorive që sundojnë gjatë në një trevë, prapë se prapë ruajtja e kujtesës së popullatës për to, pa marrë parasysh gjuhën zyrtare që është folur, dëshmojnë për autoktonin e popullatës në një truall. Emërtimet për fortifikime që sot hasen në trevat shqiptare, që quhen kala apo edhe Hisar janë të vonshme, dhe nuk e zbehin mendimin për autoktoninë e popullatës dardane në këto treva. Duke i pasur parasysh këto të dhëna edhe pse në fshatin Majac jetojnë disa lagje me fise të ndryshme, ruajtja e emërtimeve që nga lashtësia për Gradishtë, Gomurë dhe Kala, tregojnë se në atë vendbanim, që nga parahistoria jetoi dhe veproi popullata dardane.

Mikrotoponimet më të rëndësishme të fshatit Majacë janë: Gradishta, Kalaja, Gomuri, Te Kisha, Livadhi i Abazit, Lugu i Musës, Kërshi i Majacit te Lugu i Musës, Shpella te Kërrshi, Kisha te Kërrshi, Roga e Malit, Lugu i Macës, Kulla ( te shtëpia e Fazli Ramës, ose Mustafa i Talit), Klisyra, Gërdeçi, Lugu i Kroit, Lugu i Karazmanit, Lugu i Madh, Lugu i Vogël, Lugu i Kovaçit, Roga e Ali Brahimit, Lugu i Shotave, Lugu i Firit, Lugu i Lamës, Arat e Shkozës, Arat e Murrizit, Qestat, Gropat e Majdenit, Mbi Rrahë, Lugu i Baltave, Lugu i Hysës, Udha e Ustahit, Lugu i Kishës (në kufijte e fshatit Majac dhe Sollobajë), Lugu i Ramë Tahirit, Klisyra e Maxhunit (Lupçi i epërm), Lugu i Livorës ( Lugu i Madhë), Lugu i Varreve, Bregu i Lugut të Shotës, Lugu i Fierit, Lugu i Rragjagjisë, Lugu i Gjavelles (nxirrej gëlqerja), Lugu i  Mahallës,Lugu i Llapashticës ( Nëpër këtë luginë gjatë kohës së sundimit të Mbretërisë Serbo-Kroata-Sllovene, kishte filluar të ndërtohet rruga e cila prej fshatrave të Llapit shkonte në drejtim të Trepçës, andaj edhe sot kjo rrugë quhet Rruga e Banovinës), Kodrina mbi Gërdec, quhet Cikoli, nga kjo kodrinë shihet gati tërë Rrafshi i Kosovës, Gryka e Lezhnices, Te Kreksi i Delis, Te Qarri, Udhet e Kuqe, Te Bukurdolli, Mullini i Lam Binakut, Te Kulla, Lugu i Kronit Gerdeç, Prroni i Gjudes, etj.[14]

Gjurmët arkeologjike në fshatin Majac

Në fshatin Majac  gjatë aktiviteteve bujqësore dhe ndërtimeve të objekteve, janë hasur gjurmë të lashta të qytetërimit. Gjatë punëve te Arat e Rrahit, janë hasur tjegulla dhe tulla të rrënojave të një vendbanimi te vjetër. Rrahinat gjenden në anën e majtë të Kodrës Gërrdeç, ndërsa lugina në mes të Rrahinave dhe Gërdeçit quhet Klisyra. Te çeltaku i Brahimit në Kodrën e Gërdeçit, pikërisht te Kroi i Lugut të Shahës, janë zbuluar tuba të ujësjellësit të vjetër, që qonin ujin në drejtim të Arave të Rrahut. Kodra e Gërdeçit, ku janë zbuluar tubat e ujësjellësit, është përballë Kalasë dhe Gradinës, në anën e majtë të përroit, pranë Mullirit të Lamit.

Në fshatin Majac si vendbanim strategjik, gjatë të gjitha kohërave, ishte edhe Lugu i Karazmanit, nëpër të cilin kalonin ushtritë e ndryshme për të hyrë në këtë fshat tregojnë fshatarët e moshuar.

Në qendër të fshatit Majac, pikërisht në oborrin e Daut Berishës, në vitin 1974,  gjatë hapjes së një pusi për ujë, në thellësi prej rreth 3 m, janë hasur gjurmët e një vendbanimi të vjetër, por që kishte pasur djegie të objekteve të banimit. Në këtë rast se bashku me gjurmët e zjarrit, janë gjetur vegla pune nga metali dhe orendi të objektit të banimit. Po ashtu në këtë lagje gjatë hapjes së një bodrumi të një objekti, në thellësi prej rreth 1,5 m janë zbuluar themelet dhe muret e një objekti, të murosura me gurë të mëdhenj. Struktura e gurëve ishte e ngjashme me gurët që edhe sot dalin te vendi i quajtur Kërrshi i Majacit rrëfejnë banorët e fshatit.

Simbolet e kultit të diellit dhe të plleshmërisë në varrezat e fshatit Majac

Njeriu parahistorik njohu veten e tij, dhe natyrën me fenomenet e saj, nëpërmes krahasimit të çdo objekti, veprimi apo dëgjimi që i shikonte dhe i dëgjonte. Pa këtë analizë të ndryshimeve dhe ngjashmërive të botës për rreth, nuk do të kishte pasur mundësi, të shfaqej tek parardhësit tanë, dukuria e të mënduarit. Kjo gjuhë figurative, është zanafilla e krijimit të simboleve. Njeriu primitiv, mësoi ta dalloj detajin, që jepte qartësisht karakteristikën thelbësore të figurës, dhe njëkohësisht edhe të një ideje, që lidhej me vizatimin e figurës.[15]

Simboli solar i kultit të diellit në formë të diskut është paraqitja më e përhapur te të gjithë popujt e lashtë. Gjetja e këtij simboli edhe në trojet tona, është dëshmi se ky simbol i kultit ishte mjaftë i përhapur te fiset ilire, por edhe në trevat dardane.

Për përhapjen e këtij simboli te ilirët ka shkruar edhe retori grek i shekullit të II, para erës së re, pastaj Maksim Tiri, i cili shkruan se Peonët e adhurojnë diellin, në trajtë të diskut të vogël të përforcuar në një shkop të gjatë.[16]

Dielli si simbol solar, në lashtësi konsiderohej si zot jetëdhënës i dritës, që e shpërndan errësirën dhe i shkrinë ngricat. Ky kult ashtu sikurse edhe hëna, janë mjaft të pranishme te popujt ballkanik.[17]

Në varrezat e fshatit Majac, ekziston një varr i vjetër, që nuk dihet vjetërsia e tij, por banorët e fshatit e quajnë “Varri i Shenjtë”. Në këtë varrë qëndron vertikalisht një obelisk me madhësi prej rreth 2 m mbi sipërfaqe të tokës.

Obelisku- Pamja e obeliskut nga lartë, është në formë katrore, dhe kjo strukturë që gradualisht shndërrohet në formë konike, me katër faqe, për të përfunduar me një majë piramidale. Obeliskët, bëheshin me blloqe guri, të cilët egjiptianët e lashtë i nxirrnin, duke gërmuar dhe i ngrinin në këmbë, përpara varreve dhe tempujve. Disa prej tyre janë goxha të lartë. Më i madhi që ekziston deri sot e kësaj dite, e që gjendet në një shesh të Romës, është 32 metra i lartë dhe peshon rreth 455 tonë. Shumica e obeliskëve janë zbukuruar me hieroglifë. Këto monumente në Egjipt bëheshin për të nderuar perëndinë e diellit (Ranë). Mendohet se për formën e tyre kanë marrë për bazë formën e piramidave. Ata përfaqësojnë rrezet e diellit që vijnë për të ngrohur dhe për ta ndriçuar tokën.[18]

Në vitin 30 p.e.s, Egjipti u bë provincë romake. Perandorë të ndryshëm romakë, dëshironin ta zbukuronin kryeqytetin e tyre me monumente të famshme, kështu që prej Egjipti i çuan në Romë rreth 50 obeliskë. Kjo dukuri u përsërit edhe në shekullin XIX, kur pas pushtimit të Egjiptit, në vitin 1836 ushtria e Napoleon Bonapartës, prej faltores së Luksorit, e mori njërin obelisk të mbuluar me hieroglifë dhe foto shkrime, me peshë prej 250 tonelatash, dhe me gjatësi prej 23 metrash, duke e bartur kaloi detin Mesdhe deri në Havar, qytet në veriperëndim të Francës, pastaj nëpërmjet lumit Sena, lundroi drejt Parisit dhe u vendos në sheshin Konkorde. [19]

Kjo dukuri e bartjes së Obeliskëve, dëshmohet edhe në bazë të  shkrimeve historike, ku thuhet se mbreti i Egjiptit, Mehmet Ali Pasha, në vitin 1829 Francës ia kishte dhuruar dy obeliskët e faltores së Luksorit, të cilët janë ngritur për nder të Ramzesit II-të rreth vitit 1250 para erës sonë, mirëpo njëri prej tyre në vitin 1836 shkoi mu në vendin "Place de la Concorde" të Parisit.

Lavdia e obeliskëve nuk është vetëm te skalitja e saj artistike, por edhe sepse kishin mbijetuar një kohë shumë të gjatë, duke ruajtur me besnikëri artin dhe kulturën e lashtë egjiptiane.[20]

Në botë janë të njohur disa Obeliskë e njëri ndër ta është edhe ai i Sessostrit I, në Eliopoli.[21]

Obelisku më i gjatë që është zbuluar, në njërën prej guroreve më të famshme në Egjipt, është Obeliksi ‘i Papërfunduar’,[22] më i gjatë se çdo obelisk i njohur ndonjëherë në histori. Obelisku i papërfunduar është obelisku më i madh i njohur në lashtësi dhe ndodhet në rajonin verior të guroreve të Egjiptit të lashtë në Aswan (Asuani).[23]

Në kohët bashkëkohore në disa vende të botës janë ngritur edhe Obeliskë modern, e njëri ndër ta është  edhe obelisku modern i ngritur në Uashington, SHBA.[24]

Përveç këtij obelisk në Botë janë të njohur edhe disa Obeliskë si: Obelisku në Sheshin e Shën Pjetrit, Qyteti i Vatikanit, Luxor Obelisk, Paris, Francë – Sheshi Concorde, Obelisku i Buenos Aires, Argjentinë, Obelisku Lateran, Romë, Itali, Gjilpëra e Kleopatrës, Neë York, Shtetet e Bashkuara, Obelisku i Luxor, Luxor, Egjipt, Heliopolis Obelisk, Kajro, Egjipt,  Flaminio Obelisk, Romë, Itali, Obelisku i Aksumit, Etiopi, etj.[25]

Të ndalemi te “Varri i Shenjtë” në fshatin Majac i cili është hasur të jetë shënjuar me një Obelisk. Me qenë se deri me tani, nuk kemi njohur për zbulime të tilla në trevat dardane, është vështirë për të arritur deri te një përfundim i saktë, se ky Obelisk është importuar nga ndonjë vend tjetër, apo është prodhuar në guroret e njohura të këtij fshati.

Duke u bazuar në gjurmët e hershme të qytetërimit, që janë hasur në afërsi, ende pa u bërë gërmime arkeologjike në këtë fshat, mund të pohojmë se Majaci është një vendbanim i hershëm arkeologjik, që ruan thesare shumë të çmuara të kulturës së lashtë dardane. Për të dhënë ndonjë supozim shkencor lidhur me këtë gjetje, mund të flasin ekspertët e kësaj fushe, vetëm pas hulumtimeve arkeologjike në Gradinë dhe Kështjellën e Majacit.

Shtyllat e gurta katërfaqëshe që quhen obeliskë, vijnë duke u ngushtuar lart dhe përfundojnë me një majë në formë piramide. Mendohet se Obelisku më i vjetër në botë, që është ndërtuar në kohët më të vjetra, për tu përdorur si simbol kulti është rreth 4.000-vjeçar,  por  edhe Obelisku më i ri  që është ndërtuar për këtë qëllim ka vjetërsi rreth 2.000-vjeçar. Bazuar nga këto burime historike, se ky obeliskë sado i vogël, që ndodhet në varrezat e fshatit Majac, është më i vjetër se fillet e krishterimit në vendin tonë.

Për Obeliskun në varrezat e fshatit Majac,  mund të themi se nuk është i përmasave të mëdha, nuk ka mbishkrime dhe ndonjë simbol të kultit, ka formën e Obeliskut, vërehen gjurmët e gdhendjes së gurit në katër faqet e tij, dhe në maje përfundon në formë piramidale. Bazuar në përbërjen dhe llojin e gurit të gdhendur, me gurët te kërshi, mendojmë se ku Obelisk është prodhim vendor, dhe na shtynë të mendojmë se fshati Majac është lokalitet shumë i rëndësishëm arkeologjik, që ruan gjurmë të lashta të qytetërimit dardan.

Gurë tjerë, të varrezave me simbole të kultit, që janë hasur në kompleksin e një varreze të vogël familjare në lagjen e Isufëve, në qendër të fshatit, na bëjnë edhe më të bindur, se ky fshat ruan gjurmë shumë të lashta të civilizimit, të cilat argumentojnë zhvillim të lartë ekonomik, social dhe kulturor të popullatës dardane nëpër shekuj.

Është me rëndësi të theksohet se, edhe në këtë kompleks të varrezave është hasur një gurë varri me tre rrathë, që në besimin pagan  e simbolizojnë kultin e diellit.

Tre rrathët koncentrik, me një pikë në mes, padyshim se paraqesin simbol solar të diellit, që lidhet me sjelljen e këtij  planet rreth boshtit të tij.

Për paraqitjen e këtij kulti në trojet dardane ka shkruar edhe arkeologia Edi Shukriu e cila thotë: Dielli si kult solar ishte më i rrallë në epokën e neolitit, ndërsa paraqitjet e këtij kulti në objekte, fillon të dominoj që nga fillimi i epokës së metaleve, e më tej u manifestua veçanërisht në kulturën e Vuçidollit.[26]

Kulti i diellit është hasur të përdoret edhe tek dardanët. Ai është dëshmuar të haset, sidomos në objektet e zbuluara të epokës së hekurit, dhe në arkitekturën e tumave.[27]

Me kultin solar të diellit, lidhen edhe pjesët e skeptrit të zbuluara në tumën II në fshatin Llashticë, pastaj ky kult haset edhe te monumenti i Perëndeshës të zbuluar në fshatin Smirë.[28]Disku solar i diellit haset edhe te monedhat ilire te Peonët, dhe në monedhat e prera në qytetin e Damastionit.[29]

Duke i pasur për bazë këto rezultate të studimeve paraprake, mund të pohojmë se Obelisku dhe guri me tre rrathë koncentrik në varrezat e fshatit Majac, e përforcojnë mendimin se dardanët ishin adhurues të kultit të dellit, krahas popujve tjerë me kulturë të lartë të civilizimit në lashtësi. Këto varreza janë në anën e djathtë të rrugës, rrëzë Kodrës së Gradinës,  rreth 100 m më poshtë se kalaja e Majacit

Një guri tjetër i varrit me simbolin e diellit, me një rreth është zbuluar në varrezat e Lagjes së Dushve, në fshatin Lupç të Epërm. Këto varreza familjare po ashtu janë në anën e majtë të rrugës, rreth 100 m mbi Kalanë e Majacit. Duke u bazuar edhe në këtë guri të varrit me disk solar, mund të pohojmë se këta gurë janë sjellë, nga varrezat e lashta në Gradinë apo Kala. Për gurët e varrezave në Lupç, një banorë i fshatit Majac rrëfen si i kanë treguar të parët e tij, se këta gurë varresh nuk kanë qenë më parë, por janë sjellë gjatë natës, dhe vetëm në mëngjes janë parë në ato varreza. Sabit Dushi (1945), nga fshati Lupçë, tregoi se për lagjen e tyre, ky është një guri i një varri të panjohur. Siç e vërejmë në këtë guri nuk është shkruar, ndonjë emër i banorëve të fshatit që kanë vdekur gjatë shekullit XX, si ka ndodhur në varrezat e afërta në fshatin Majac.

Në shikim të parë, vërehen gjurmë të moçme të shkrimit në këtë guri, andaj mund të pohojmë se këta gurë i përkasin një periudhe shumë të hershme, që janë marrë nga lokalitetet arkeologjike. Sipas Sabit Dushit, është më rëndësi të ceket se rrëzë Kodrës Rrezja, është Lugu i Kishës, ku deri vonë janë vërejtur gjurmët e themeleve të saj.

Në varrezat e fshatit Majac, është hasur edhe një gurë tjetër, me simbolin e plleshmërisë trekëndëshin dhe Pemën e Jetës.

Trekëndshi si simbol i Vulvës- Trekandëshi luan rol të veçantë te besimet magjike te shumë popujë të botës. Ky simbol është i përhapur që nga popujtë e lashte në Lindje të Largët e deri te popujtë evropian. Si simbol ndeshet shumë shpesh edhe në trevat dardane, duke filluar që nga koha e neolitit e deri në ditët e sotme.

Te grekët e vjetër më trekëndësh e shprehnin vulven, por njëkohëshishtë konsiderohej edhe si simbol hyjnor i plleshmërisë. Në simbolikën e krishterë, trekëndëshi  ishte shenjë e preferuar për paraqitjen e syrit të zotit, dhe të shenjtës trini. Në trevat ilire ky simbol paraqitet mjaftë shumë. Megjithat funksioni themelor i këtij simboli është që grafikishtë ta paraqes të skematizuar organin gjenital të femrës shkruan Aleksander Stipçeviqi.[30]

Nëse e analizojmë me kujdesë, gurin e varrit që e ka Vulvën (Trekëndëshin) dhe Pemën e Jetës, shohim se në degët e sipërme të pemës, figuron simboli i kryqit. Kjo na shtynë të mendojmë se këta gurë të varrezave kanë vjetërsi mijëravjeqare.

Siç shihet, në këtë kompleks të ri të varrezave familjare, janë hasur këta dy gurë me simbole të lashta të kultit, por në bazë të shkrimit të emrave të familjarëve, dhe vitit të vdekjes së tyre shihet se këta gurë, në këto varreza janë vendosur që nga mesi i shekullit XX.

Nga përvopja e përnjohjes së terrenit, ne kemi pas rastin që të hasim edhe raste tjera, kur gurë varrësh nga varrezat e moqme, jane sjellur në varreza te reja, dhe janë vendosur në varrezat e familjarve, pa pasur njohuri për simbolet dhe shkrimet e lashta.

Madje në një rast kemi hasur që gurin e varrit të një femre me mbishkrim osman, një qytetar, e kishte sjellur, dhe vendosur te koka e babait të tij, që i kishte vdekur në fund të shekuyllit XX. Duke e pasur parasysh këtë fakt, por edhe ekzistimin e këtyre varrezave, rrëzë Kodrës së Gradinës, ne mendojmë se edhe këta dy gurë në këtë vend, janë sjellur nga lokalitetet arkeologjike Gradina, Kalaja, Gomuri, Livadhi i Abazit, apo ndonjë lokalitet tjetër për rreth.

Foto 1dhe 2, Simbolet e kultit në varrezat e fshatit Majac dhe Foto 3 dhe 4Gurë varri në fshatin Lupç të Epërm

Është me rëndësi të dihet se nga kjo lagje e Majacit, rruga që ndahet për të shkuar në fshatin Lupç të Epërm, rreth 1 km, në anën e djathtë të kësaj rruge është lokaliteti arkeologjikë te Livadhi i Abazit (Leshnica).

Pas pushtimit të Kosovës nga Serbia, në lokalitetin arkeologjik te Livadhi i Abazit ishin sjellur për të jetuar kolon sllavë. Pas vendosjes së kolonëve në këto livadhe, të quajtura më parë Leshnicë, e morën emrin Lezhnica. Një familje kolonësh ishte sjellur edhe në pjesën qëndrore të fshatit, dhe me këtë projekt qëllimi i pushtetit serbë, ishte sllavizimi i vendbanimeve shqiptare.

Është po ashtu më rëndësi të ceket, se ruajtja e gjurmëvë të qytetrimit dhe toponimeve në këto anë, jepin dëshmi të mjaftueshme, për të argumentuar autoktoninë e popullatës arbërore-dardane që me mijëravite jetuan në këto anë. Pas pushtimit të Kosovës nga ushtria serbe 1912, edhe pse disa toponime muarën kuptimin në gjuhët sllave, prap se prap popullata autoktone shqiptare, së bashku me familjet shqiptare, që në këto fshatra pas krizës lindore 1878/79, u vëndosën nga Sanxhaku i Nishit, e ruajtën me gjelozi kulturën materiale dardane, dhe gjhurmët e vendbanimeve të fortifikuara në këtë zonë.

Në popullin tonë ritet që kishin të bënin me kultin e bimësisë, si simbolikë të pjellërisë ishin të shumta dhe kremtoheshin në çdo festë të rëndësishme bujqësore e blektorale të ciklit vjetor.[31]

Kultura është traditë që u zhvillua me shekuj, si praktik jete, si një ushqim social e që e drejton jetën ekonomike të njerzimit. Në shoqërinë tradicionale, të popujve pa shkrim, drejtimin e dijës dhe mënyrës së jetesës, burimeve ekonomike, jetës shpirtrore, krijimtarinë artistike, teknike i ka në zotërin etnokultura.[32]

Kultura popullore përbën një sistem vlerash, të formuara dhe zhvilluara historikisht në lidhje të ngushtë me jetën e një bashkësie etnike.[33]

Me lisin e skalitur në këtë gurë varri në fshatin Majac, kuptojmë motivin e paraqitur që ka lidhje të tërthortë me zhvillimin e familjes apo fisit, gjatë etapave të ndryshme historike. Motivi i skalitjës në gurë të pemës, jo gjithëmon përkon me pemë, por aty paraqitet një shprehje artistike, që nga lashtësia e mori emrin “Pema e Jetës”, duke e kuptuar me këtë një figurë të mbarësisë dhe zhvillimit të një familje apo etnie. Këto shprehje të motiveve të lashta e ruajnë të gjallë simbolikës e mbijetesës së një populli.

Në shumë vizatime të paraqituara në shkembinjë, mure të objekteve të banimit, amuleta dhe gjetjeve tjera arkeologjike, të zbulkuara në trojet dardane haset trekendëshi (Vulva), si simbol i plleshmërisë, andaj kjo dëshmon kulturë të lashtë të zhvillimit në vendin tonë.

Gradina e Majacit

Gradina e Majacit, është ndërtuar në kurrizin e një kodrine të vogël, që ngrihej buzë rrjedhës së prroit që vjen prej fshatit Kaçanoll, dhe kalon nëpër fshatin Majac, pranë Gradinës dhe kalasë e derdhet në Lumin Llap. Banorët e fshatit këtë kodrinë e njohin me emër Gradina. Sipas të gjitha gjasave, në këtë lokalitet ishte ngritur, një vendbanim dardan i fortifikuar, që nga epoka e bronzit, dhe bënë pjesë në grupin e fortifikimeve me ledhe, që në ato kohë ndërtoheshin në trevat ilire. Gradina ishte ndërtuar në anën veriore të fshatit, rrëzë kodrinave të thepisura që ngriheshin në anën veriore, perëndimore dhe jugore. Në anën lindore, kjo kodrinë, kishte pamje të hapur në drejtim të fshatit Majac dhe Lupçit të Poshtëm.

Brenda kësaj zone të fortifikimit edhe sot vërehen strukturat e ndërtimit të ledheve, të cilat ndërtoheshin, duke e rrethuar vendbanimin me gurë të imët, dhe të përziera me dhe. Këto vendbanime ndërtoheshin pranë tokave pjellore, dhe përdoreshin për tu strehuar në raste kur popullatës vendore i kanosej rreziku, nga dyndjet e fiseve tjera.

Foto: Pamje ajrore e Gradinës dhe Kalasë dhe foto e kalasë, prej anës jugore të Gradinës

Kështjella e Majacit

Kështjella e Majacit është ndërtuar në kreshtat shkëmbore në kodrinën e parë që ngrihet në veri të Gradinës, në kufi me fshatin Lupçi i Epërm. Kalanë dhe Gradinën i ndanë vetëm një përrua i vogël. Bazuar në vizitën e parë që e kemi bërë në këtë fortifikim mund të cekim se muret rrethuese janë ndërtuar me gurë të pa përpunuar, e të cilët janë lidhur me llaç gëlqeror. Në këtë kështjellë deri më tani nuk janë kryer gërmime arkeologjike, për të nxjerrë në pah vlerat e saj kulturore dhe historike.

Kjo kala me tri teraca, brenda mureve rrethuese ka një sipërfaqe mjaftë të madhe, dhe muret rrethuese të kalasë bien mjaftë poshtë,  në shpatin e kodrinës në anën jugore e lindore të saj. Kalaja ka një qasje më të lehtë nga ana veri lindore , kurse nga të gjitha anët tjera terreni ka një pjerrtësi mjaftë të madhe. Në hyrje të kalasë kemi vërejtur dy hendeqe të punuara me ledhe dheu para se të shkohet në kullën qendrore. Kjo teknikë e punimit lenë përshtypjen se kemi të bëjmë me një fortifikim urban mjaftë shumë të zhvilluar gjatë kohës së antikitetit. Ana lindore e kalasë kufizohet me Gradinën dhe nga citadela ka pamje shumë të mirë me fortifikimet tjera rreth saj. Në anën veri-lindore të kalasë është Gomuri ( Kodër Varre) që mendohet se janë varrezat e lashta të popullatës që dikur jetuan në Gradinë dhe Kala.

Në citadelën të kalasë vërehen trajta të mureve rrethuese, ndërsa muri i jashtëm rrethues i kalasë, nga ana jug-lindore është zbuluar në vitin 1999, nga banorët e lagjes së sipërme të fshatit të cilët edhe sot jetojnë rrëzë kodrinës së kalasë nga ana jug-lindore. Banorët e kësaj lagjeje, duke e ndërtuar një strehimore për familjet e tyre, gjatë luftës 1998/99, kur Serbia i sulmonte vendbanimet shqiptare, hasën në murin rrethues të kështjellës. Pas marrjes së kësaj informate ne e vizituan këtë vendstrehim dhe aty vërejtëm se kemi të bëjmë m murin rrethues të fortifikimit. Muri kishte një trashësi rreth 2 m, dhe vazhdonte në pjerrtësi të kodrës diku afër 100 m nga muret rrethuese të citadelës. Ne hasëm copëza të qeramikës, dhe murin e punuar me gurë të rëndomtë dhe të lidhur me harason. Nga përshtypjet e para ne mendojmë se kemi të bëjmë me një vendbanim të fortifikuar urban, mjaftë të madh të ndërtuar gjatë sundimit romak.

Kjo kështjellë nga ana lindore ka pamje shumë të mirë me Kalanë e Tenezhdollit, Sukën e Rimanishtës, Shatorin në fshatin Koliq, nga ana veri-lindore ka pamje me shatorin në fshatin Llapashticë, nga ana perëndimore mbi këtë kështjellë është ngritur kështjella tjetër në Potok e cila po ashtu ka një hapësirë mjaftë të madhe brenda mureve të citadelës dhe mendohet se është fortifikata më e madhe dhe më e rëndësishme në atë zonë të trevave dardane. Në anën jugore përmes kodrinave të thepisura dhe kalasë në Lupçin e poshtëm, kalaja e Majacit ka komunikuar mjaftë mirë me Kalanë e Samadregjës, Barilevës dhe fortifikimet tjera që ishin ngritur në zonën e Vushtrrisë dhe Trepçës.

Foto 1. Pamja ajrore e kalasë, Foto 2. Gjurmë të themeleve në citadel, Foto 3. Themelet e mureve rrethuese të zbuluara në vitin 1999 dhe Foto 4. Fotografuar nga ana lindore

Ngritja e kësaj fortifikate në anën veriore nga Kështjella e Tenezhdollit pa dyshim se kishte karakter strategjik mbrojtës të popullatës që banonte në këtë lokalitet andaj është me interes shkencor që në këtë vendbanim të bëhen hulumtime arkeologjike, për ta zbardhur rëndësinë historike e kulturore të fortifikimeve në trevën e Dardanisë.

Në Kështjellën e Tenezhdollit e cila ka një largësi prej rreth 10 km, janë bërë hulumtime, ku janë zbuluar artefakte të hershme historike. Kështjella e Tenezhdollit  është ngritur në kodrinën në anën e djathtë të aksit rrugorë Prishtinë-Besiane dhe të Lumit Llap. Pranë kësaj kështjelle kalonte edhe rruga e vjetër e antikitetit Nish-Lezhë. Kjo Kështjellë ka pozitë të mirë gjeografike dhe lartësinë mbidetare 670 - 685 m,[34]  me shikueshmëri shumë të mirë me Kështjellën e Majacit dhe kështjellat tjera për rreth saj.


[1] Hysen Kacillari, Toponimia e Devollit-Bashkudhëtar i origjinës historisë dhe gjuhës shqipe, Qendra Kombëtare “Rrënjët Tona”, kuvend ndërkombëtar, Vazhdimësia Historiko-Gjuhësore dhe Etnokulturore e shqiptarëve përmes mijëvjeçare, Libri i Referateve 1, Tiranë 2019, fq. 287

[2] Edi Shukriu, Dardania Para Urbane, Pejë, 1996, fq. 30

[3] Gjerak Karaiskaj, “5000 vjet fortifikime në Shqipëri”, Tiranë 1981, fq. 5

[4] Zef Mirëdita, “Studime Dardane”, Prishtinë, 1979, fq. 112

[5] Fatmir Peja, Trashëgimia Etnokulturore dhe historike e Llapit, Prishtinë, 1995, fq, 69

[6] Edi Shukriu, Kultura material e regjionit të Llapit, Gjurmime Albanologjike, Prishtinë, 1990, fq. 8

[7] Po aty, fq. 11

[8] Po aty, fq. 11

[9] Po aty, fq. 14

[10][10] Po aty, fq. 15

[11] Po aty, fq. 11

[14] Burime nga banorët, gjatë vizitës në fshatin Majac, me datën 29. 11. 2009. Persona kontaktues Daut Berisha

   (1943), Brahim Krasniqi dhe Xhafer Isufi

[15] Fatbardha Demi, Selenizmi-Besimi që e sundon Botën, Tiranë, 2016, fq. 31

[16] Aleksandër Stipçeviç, Ilirët Historia Jeta Kultura dhe simbolet e kultit, Prishtinë, 1990, fq. 290

[17] Agim Bido, Arti popullor në veshje e tekstile, Tiranë, 1991, fq. 62

[20] Po aty

[21] Fatbardha Demi, Selenizmi- Besimi që sundon Botën, Tiranë, 2016, fq. 164

[26] Edi Shukriu, Instituti I Historisë, Kosova, Perëndesha dardane-Ikonografia e monumenteve, Simbolet dhe

   funksionet, Prishtinë, 2004, fq. 19, https://www.academia.edu/1787800/Dea_Dardane_-_Ikonografia_dhe_funksionet_2004,

[27] Po aty, fq.20

[28] Po aty, fq.20

[29] Po aty, fq. 20

[30] Aleksandër Stipçeviqi; Ilirët, Historia, Jeta, Kultura, Simbolet e Kultit, Prishtinë, 1990, fq. 366

[31] Mark Tirta, Mitologjia ndër shqiptar, Tiranë, 2004, fq.288

[32] Mark Tirta, Etnologjia Shqiptare, Tiranë, 2003, fq.23

[33] Po aty, fq. 24

[34] Haxhi Mehmetaj, Trashëgimia Etnokulturore dhe historike e Llapit, Prishtinë, 1995, fq. 61



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora