E enjte, 25.04.2024, 01:51 PM (GMT+1)

Kulturë

Lukë Kaçaj: Letra e fundit ...

E shtune, 29.11.2008, 11:27 AM


Lukë Kaçaj
Lukë KAÇAJ, Lin DELIJA dhe At Zef PLLUMBI sërish bashkë, si në kohët e lumtura të kuvendit “Gjuhadoli”. Ata u rritën dhe e  edukuan si priftërinj françeskan në Shkodër. I`ua zhgulën rrobën fetare në 1946. U persekutuan e u burgosën në fund të  viteve `50. Lirinë e fituan, kur ishin pleq, në vitin 1991. Letra e Lukë Kaçajt është prelud në fundin e jetës së tyre...

 

Zbulimi në Antrodoko

 

Zëri i Basit Lukë KAÇAJ, ngjyra e Piktorit Lin DELIJA dhe fjala e Shkrimtarit At Zef PLLUMBI tani janë përjetësisht bashkë,  si dukur në kohët e lumtura të kuvendit “Gjuhadoli”. Në tetor 2008 Italia i bashkoi tre të vdekurit e mëdhenj të kulturës  Shqiptare. Ata lindën në të njëjtën kohë 1924, 1925, 1926, në të njëjtin ajër të Shqipërisë Veriore, u rritën dhe e edukuan  si priftërinj françeskan në Shkodër. I`ua zhgulën rrobën fetare në 1946. U persekutuan e u burgosën në fund të viteve `50.  Lirinë e fituan, kur ishin pleq, në vitin 1991. Në historinë e kulturës shqiptare do të cilësohen si njerëzit e ditur të  rezistencës dhe të vuajtjes. Letra e Lukë Kaçajt është prelud në fundin e jetës së tyre.

 

Lukë KAÇAJ

 

Letra e fundit ...

 

Nga Suzana Varvarica Kuka

 

''Më vjen keq sepse kam konstatuar që edhe në praninë e qeverisë së tanishme nuk pres asgjë të mirë, sepse është një  rregjim i gjithi neokomunist''

 

Mësojeni kohën të mos hajë bijtë e vet”. Ndërsa jam nde shur për herë të parë me këtë shprehje kam bërë pyetjen se: “Cili a  kush mundet ta mësojë kohën të mos hajë bijtë e vet”? Ende nuk e kam marrë një përgjigje edhe pse kohët e mendimit të lirë  janë shtruar në sofrën shqiptare. Kjo shprehje lundron në ujrat e mendimeve të mia, kur ndeshem me emrat e tre të mëdhenjve  të kulturës sonë. Ata janë basi dhe ish studenti françeskan Luka Kaçaj, i lindur në Bajzë – Aliaj të Malsisë së Madhe, në  1924; piktorin dhe ish studentin françeskan Lin Delija, i lindur në Shkodër, në 1925/ 1926; shkrimtarin dhe fraçeskanin At  Zef Pllumbi, i lindur në Renc të Lezhës në 1925/26. Rënditja e emrave të tyre është zgjedhur e tillë në arsye të ditës së  lindjes dhe në arsye të fakteve që At Zef Pllumbi i ka lënë të treguara e të shkruara. Mbase më këtë shkrim tentoj t‘i jap  përgjigje pyetjes sime. Nuk‘di a do mundem t‘ja dal mbanë. Le ta nisim nga Italia, toka përball detrave Jon dhe Adriatik.  Le të vlerësojmë se çfarë dinë të bëjnë njerëzit e saj. Disa prej të cilëve kanë vendosur t‘i kalcifikojë në traditë  kulturore veprimtaritë dhe tre emra të personaliteteve shqiptare. Udhëtimi im i dijeve në këtë njohje filloi në vitin 2002,  kur u përurua Muzeu “Lin Delija e Carlo Cesi”. Lin Delija, emër shqiptar që arrin të të bëjë krenar, pasi është ndër të  parët personalitete të artit dhe të besimit fetar, që një vend i huaj i kushton vemendje deri në ngritjen e një muzeu. Kjo  do të thotë shumë si në vlerësimin kombëtar ashtu dhe në atë artistik. Më pas deri në ditët tona kanë ndodhur shumë  ngjarje. Në emër të Kaçajt, Delijas dhe Pllumbit, Shoqata Kulturore Italiane “Lin Delija – Carlo Cesi”, me datë 18 Tetor  2008, në Antrodoco organizoi një takim bashkiak, kulturor dhe vlerësues mbi kalvarin e vështirësive të jetës së tyre. Në  këtë takim Luka Kaçaj zuri një vend nderi. Përfaqësia italiane cilësoi se vlerat e artit dhe të besimit të Kaçajt, Delijas  dhe Pllumbit janë të lidhura ngushtësisht me këtë qytet të pastër, plot ajër e ujë në këmbët e malit Giano. Përfaqësuesit  shqiptar deputet dhe bashkiak i‘u dhanë atyre falenderime dhe besimin për një binjakëzim ndërmjet bashkive, Antrodoco e  Rietit dhe Bajzë e Lezhës. Ata ishin tre shqiptarë verior, me tre veprimtari intelektuale në fushat e artit dhe të besimit.  Ata ishin bashkëkohës dhe bashkëstudentë të Kuvendit Françeskan “Gjuhadoli” të Shkodrës. Në mesin e viteve `30 të shekullit  të shkuar mësuan dhe u edukuan me përkatësinë e besimit fetar dhe me njohuri enciklopedike shkencore dhe artistike. Çdo  njëri prej

Portret i Gjergj Fishtës, i cili ndodhet në Amerikë, tablo e Lin Delisë
tyre u rrit si françeskan, por u edukua në talentin e vet. Ishin miq ndërvedi dhe jeta e rëndë e persekutimit, e  burgut dhe e arratisjes i ka lidhur pazgjidhshmërisht edhe pse u ndanë prej njëri-tjetrit dhe u gjendën në rrugë, në vitin  1946, kur besimi komunist filloi të zëvendësonte të gjitha besimet e tjera, kur forcat e tij shkatërruan Kuvendin dhe  shkollën e tyre. Nuk u takuan më pas kësaj ngjarje. Takimi i tyre ndodhi pas viteve `90, por kalvari i jetës plot  shqetësime nuk arriti të tretej edhe në demokraci. Disa nga faktet të informojnë se Lini jetoi mes antrodokanëve italianë.  Ata u kujdesën deri në vdekjen e tij, në vitin 1994. Ata i përballuan varrimin. E kujtojnë sot në çdo përvjetor. I kanë  ngritur një muze në emrin e tij dhe është një muze i mrekullueshëm, i vendosur në mjediset e Muzeo Nell‘ Antico Convento di  Santa Chiara, in Via Roma në Antrodoco. Në fillim të viteve ‘90 erdhi disa herë në Shqipëri dhe në Shkodër kishte planin e  tij për të pikturuar Kishën e Madhe. E prezantoi planin dhe nuk kërkoi asnjë shpërblim. Askush nuk e dëgjoi. Në muzeun e  bibliotekës së Kuvendit të rihapur “Gjuhadoli”, në Shkodër, ekspozohen 34 vepra të tij. Një fakt që At Zef Pllumbi e thotë  me shumë kënaqësi. Në muzetë dhe galeritë laike të Shqipërisë nuk i është ekspozuar asnjë punim edhe pse i ka dërguar  vendit të tij në vitin 2004 një koleksion prej 26 veprash. Në vitin 2006, në emër të tij u deklarua nga Shoqata kulturore  “Lin Delija – Carlo Cesi” se do të dhurohej një pikturë e tij kushtuar portretit të Gjergj Fishtës, e vitit 1979, me  përmasa 152 x 103 cm. Askush nuk e mori përsipër ta materializonte aktin e dhurimit apo të ulej në bisedime edhe pse pala  shqiptare nuk do të kishte asnjë shpenzim. Vepra sot është pronë e një kishe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në takimet  e mia të herë pas herëshme me At Zef Pllumbin mësova mbi lidhjet e të treve. Mësova rreth dijeve dhe rreth respektit që  kishin ndërmjet vedit. Mësova rreth kodit të tyre fetar, rreth kodit të respektit intelektual. Nëse Lin Delija do të  arratisej dhe do të vuante për rreth 8 vite në tokën socialiste të ish Jugosllavisë e më pas do të arratisej përsëri prej  saj drejt Italisë, ku gjeti prehjen e vet artistike, i madhi Luka Kaçaj dhe i dituri At Zef Pllumbi do të jetonin në  Shqipëri. Ata nuk e meduan se toka mëmë mund të kthehej në një ferr të vërtetë për jetën e tyre. Luka Kaçaj ishte i  talentuar, kishte një zë që trondiste këdo që e dëgjonte.

 

Demokracia? Një regjim neokomunist

 

Kam mbetur pa shtëpi, si një nomad

 

Në kuvend, Lini pikturonte dhe Luka këndonte. Ai shquhej për një zë krejt të veçantë dhe të padëgjuar ndonjëherë. Lini e  merrte model Lukën e Luka e merrte si zë të dytë Linin. At Zef Pllumbi kujton se: “Fiziku dhe koka e tij ishin një mrekulli  e Lini dëshironte, që personazhet e shenjtëve t`i ngjanin Lukës. Punonin bashkë, rrokeshin e kapeshin. Luka bënte shaka e  Lini ishte i sertë. E më pas zërat e tyre bëheshin bashkë dhe i gjithë kuvendi oshëtinte prej dy zanave të burrave të rinj,  që i`u këndojshin shtojzovalleve”. Unë, vet, e kujtoj për disa kohë pedagogun dhe baritonin Luka, që kishte të gjitha  cilësitë e një malësori aristokrat verior, ashtu siç shkrimtari kroat dhe miku i shqiptarëve Milan Shuflaj do t‘i  përshkruante në librin “Serbët dhe Shqiptarët”. Mirësinë e të cilit e zbuluan sërbët dhe e vranë në vitin 1931. Luka  studioi operistikë në Konservatorin rus “Çajkovski”. Mori prej andej të gjitha lavdet që mund të ketë marrë çdo këngëtar i  madh i operave klasike. E quajtën mjeshtër, bariton me vlera universale. Këndoi në teatrot operistikë rus. U kthye në atdhe  me një opinion të papërsëritshëm për askënd tjetër. Këndoi në operan shqiptare.

At Zef Pllumi, fotografuar dy vite para se të ndërronte jetë
Disa studentë të kantos patën fatin ta  kishin pedagog. Në vitin 1965 e ftuan të këndonte në Balshoj Teatër dhe shteti shqiptar nuk e lejoi. Edhe sot, të gjithë  ata që kanë qenë të pranishëm e të rrjeshtuar në hyrje të Akademisë së Arteve në Tiranë, në vitit 1974, do ta kujtojnë si  fatin e tyre të keq, memorizimin e arrestimit të gjigandit të zërit. Ai mbante mbi supe pallton e tij dhe duart para të  prangosura si armik i popullit. Cili e di arsyen le ta shkruaj. Mjeshtri i madh, zëri i të cilit mpakte emocionalisht çdo  dëgjues në skenë, nuk mund të ishte aspak armik i popullit. A do mundet ndokush t‘kërkoj falje për të? Ai vuajti mjediset e  burgjeve. Doli prej andej i dërmuar. Të gjithë do të mbajnë mend lotët dhe rrudhjen e portretit të tij, kur po i afrohej  varrit të Anës së tij të bukur dhe besnike. Vdiq në vitin 2001 dhe dëshiroi të varrosej në varrezat e periferisë së  Kurbinit. Luka, nuk e ka portretin në mjediset e Teatrit të Operas dhe Baletit. Luka, nuk ka ende asnjë shenjë memoriale,  që publiku shqiptar të mund ta kujtojë. Lë të kujtojmë se Luka në 18 tetor 2008 u kujtua për zërin e tij, për besimin e tij  në Antrodoco. Zërat e “Scuola Cantorum” kënduan në nder të vlerës së tij muzikore. Duke u kthyer përsëri në Antrodoco kam  arritur të memorizoj prej 10 vitesh, nëpërmes fakteve të shkruara dhe të prekura drejtëpërsëdrejti shumë veprime, që pa  frikë do t‘i quaja veprime të madhërishme të qytetarëve italianë, ndërmjet tyre Armando Nicoletti, këshillues kulturor  pranë Bashkisë së Antrodokos, njohës, koleksionues i veprës së Lin Delisë, mik i Kaçaj dhe i At Zef Pllumbit, iniciator i  veprimtarive kulturore, që lidhen me personalitetet shqiptarë Kaçaj, Delija dhe Pllumbi; Maurizio Faina prej disa herësh  Kryetar i Bashkisë së Antrodocos dhe mbështetës i fuqishëm i faktit dhe i kulturës shqiptare në këtë zonë; Guseppe e Fabio  Grassi, i pari mik i Kaçajt dhe i dyti, Kryetar i Shoqatës Kulturore “Lin Delija e Carlo Cesi”, ish student i tij në  Akademinë e Via Mentucia-s. Këta banorë, të një qyteti të vogël, në periferi të Romës, të cilët nuk mund ta kuptojmë më  jetën e tyre, nëse nuk arrijnë të promovojnë tre figurat tona shqiptare, n‘a japin shëmbullin më të mirë se si duhet të  respektojmë edhe ne personalitetet tona. E thënë kështu, shija është paksa e hidhur, kur mendon se vendi ynë Shqipëria nuk  ka arritur ende të zbulojë plotësisht vlerat e tyre, nuk ka arritur ende t‘ju japë vendin e merituar dhe për këtë flasin  shumë fakte. Në Galerinë Kombëtare të Arteve në vitin 2002 erdhi një ftesë nga Bashika e Qytetit të vogël Antrodoco, të  provincës Rieti, në rajonin e Lazios. Ajo e njoftonte Galerinë të ishte prezente në përurimin e veprimtarive në nder të Lin  Delisë. Një komunikim i tillë nuk u vendos. Më pas erdhi një ftesë e dytë, në vitin 2004, që ftonte Galerinë Kombëtare të  Arteve, në Tiranë, të ishte presente në përurimin e librit të artit kushtuar Lin Delisë, me titull “Lin Delija-  All`incrocio degli Sguardi” të autorëve Roberto Bua, arkitekt dhe ideator i Muzeut “Lin Delija-Carlo Cesi” dhe historianes  së artit Silvia Cuppni, njohëse në thellësi
Lukë Kaçaj dhe Lin Delija dalë në Antrodoko
e veprës së tij. Kjo ftesë vendosi lidhjen e parë, për fat të mirë timin dhe të  Galerisë me Lin Delinë. U prezantua një libër arti model, me një koncept bashkëkohor dhe ku evidentohen dy anë të artit të  Delisë. E para e lidh me thënien e tij: “Mendimi im është arti i shenjtë” dhe ana e dytë i përket të gjithë krijimtarisë, e  cila lidhet me shprehitë ekspresive të temave nga jeta e përditshme. U ktheva nga Antrodoco me vrullin, për të zbuluar  jetën dhe krijimtarinë e Delisë në tokën shqiptare, në Shkodër në kohën e kuvendit dhe arrita të takoj të gjithë njerëzit  që e kishin takuar dhe të afërmit e tij. Nga ky kërkim kam përgatitur një material shumë interesant të jetës së tij të  panjohur dhe kam zbuluar disa cilësi artistike që e pasurojnë mendimin për të. Mendova se do të mundësohej botimi i një  libri, pasi ndërhyri dhe At Zef Pllumbi, që më ka dhënë një intervistë të mrekullueshme. Por kjo nuk ndodhi dhe ende nuk ka  ndodhur. Një libër për Delinë ende nuk duan ta financojnë, edhe pse kam aplikuar. Në vitin 2005, Shoqata në Antrodoco  organizoi një veprimtari shumë të zgjeruar për Lin Delinë, ku integrohen ekspozime të krijimtarive të ish studentëve  shqiptarë të Lin Delisë, që kishin emigruar drejt Italisë, pas viteve `90. Prilli i 2005 i takoi skulptorit shqiptar Genti  Tavanxhi. Nuk është kjo shumë e rëndësishme për këtë shkrim, se sa kopja e një prej letrave të fundit që mund të ketë  dërguar Luke Kaçaj, të cilën ma dha Armando Nikcoletti, të cilin kultura shqiptare duhet ta vlerësojë maksimalisht. Letra i  drejtohet në adresë Armando Nicoletti- t, të cilin e qujnë dishepull i Lin Delisë. Kush e njeh do të thotë se është  plotësisht një përcaktim i drejtë. Ajo është nisur me datë 11. 01. 97 nga Shkodra dhe ka mbritur me 17. 01. 97 në Atrodoco.  Është një letër ambigue. Është një letër ngushëllimi ndër dy krahët. Me mirësjellje ai ngushëllon babin e Giuseppe Grasit  dhe me keqardhje i tregon atyre se ka nevojë të ngushëllohet për jetën e tij të vështirë e që nuk ka më shpresë në  Shqipëri.

 

Teksti i letrës:

“…Ju kërkoj falje që nuk ju kam shkruar prej disa vitesh, por detyrohem t`ju them se në jetën time nuk kam qenë korrekt për  sa i përket korrespondencës. Gjithmonë do të jeni të respektuar dhe të paharruar për mua, Ju Luciana dhe Guseppe Grassi. Ju  nuk keni humbur vetëm burrin dhe babin tuaj, por dhe një njeri të pazëvendësueshëm…duhet të më besoni që dhe unë jam  hidhëruar thellësisht. Në këtë rast të dhimbshëm merrni të gjitha ngushëllimet e mia më të sinqerta… Jam i sigurtë që  dëshironi të dini diçka rreth meje. Kanë kaluar tre vjet që jam kthyer në vendin tim. Ende deri më sot jam duke u endur si  një nomad, për rreth katër qyteteve, ku banojnë miqtë e mi, sepse nuk më kanë dhënë ende shtëpinë time. Nuk e di ende se  kur do të ma japin, që më në fund dhe unë të gjej pak qetësi. Në këtë moshë pothuajse 72 vjeçare është shumë e vështirë të  jetosh në këto kushte. Si pasojë kam qenë shumë i sëmurë dhe sinqerisht ju them se kam menduar që ka ardhur çasti i vdekjes  sime. Është kaq e vërtetë sa kam thërritur priftin të më japë sakrimentet e shenjta. Më vjen keq sepse kam konstatuar që  edhe në praninë e qeverisë së tanishme nuk pres asgjë të mirë, sepse është një rregjim i gjithi neokomunist. Kënaqësia ime  më e madhe në këto tre vitet e fundit ka qenë inagurimi i Kishës së Fretërve Françeskanë, ku kam filluar të këndoj që kur  kam qenë fëmijë dhe që ka qenë transformuar nga komunistët në një kinema. Në koncertin e organizuar, për këtë rast, me datë  28 tetor, kam kënduar romancën e Fieskos nga opera Simone Boçanegra të Guseppe Verdit. Për mua ishte një gëzim i madh, kur  mora letrën prej teje, i dashuri im Armando. Të falënderoj që më kujton. Prej më se 35 vitesh jam duke pritur me ankth  çastin e lehtësimit të dhimbjeve të mia. Nuk e di kurdo të jetë. Me fantazinë time të sëmurë kam konstatuar dhe parë  rrudhat e zemrës time, që janë thelluar shumë.

Me respektin më të madh dhe mirënjohjen e tellë. Luka Kaçaj.''

Nga kjo letër mësojmë se si koha i ka hangër bijtë e saj. Ajo nuk na paralajmëron ende sesi ta mësojmë kohën të mos hajë  bijtë e saj.

Lukë Kaçaj në filmin “Dasma”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora