E enjte, 28.03.2024, 04:05 PM (GMT)

Faleminderit

Vilhelme Vrana Haxhiraj: Nermin Vlora Falaski, “Ndriçuese e Qytetërimeve të Vdekura”

E diele, 18.04.2021, 05:43 PM


Nermin Vlora Falaski, “Ndriçuese e Qytetërimeve të Vdekura”

“S’është kombi që nderon njerëzit e shquar, po janë ‘ATA’që ia rrisin vlerat dhe nderojnë KOMBIN!” Vivra

Dy fjalë nderimi në 100 vjetorin e lindjes së gjuhëtares, shkencëtares, studjueses, Elitës së Mohuar, Nermin Vlora Falaski!

Fragment nga libri im studimor, “Elitat e Mohuara..., Krenari Kombëtare”

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

Të nderuar bashkëqytetar të Vlorës! Të nderuara Zonja, anëtarë apo simpatizantë të PD!

Ndihem e nderuar dhe e privilegjuar që sot gjatë fushatës elektorale të PD, në qytetin e Vlorës, me iniciues Drejtuesin Politik të Qarkut Vlorë dhe kandidat për deputet, djalin e Vlorës, Dr.Bujar Leskaj, më jepet rasti të flas për një Personalitet Kombëtar e Nd/kombëtar. Ju Faleminderit z. Bujar që më dhatë mundësinë për të shpalosur vlerat e një shkencëtareje, një Elite kombëtare, znj. Nermin Vlora Falaski.

Unë, pa e tepëruar dhe me të drejtë them:
   “Elitat janë krenari e mbarë kombit! Lum shtetet që kanë ditur t’i vlerësojnë se, kanë pasuruar ndërgjegjen kombëtare dhe kanë madhuar emrin e atdheut të tyre.

Eh Bota e kulturuar...! Bota, edhe kur nuk i ka heronjtë, i krijon, kurse ne i kemi dhe i varrosim. Kultura botërore i vlerëson pa ditur se kujt kombësie dhe race i përkasin, çfarë gjuhe flasin dhe i ngre në piedestal, duke i vënë në Panteonin e Kombit, sepse ata janë produkt i kohës që vepruan, pra të së shkuarës, janë ecuri e të sotmes dhe përparësi zhvillimi për të nesërmen. Ata janë Elita që udhëheq njerëzimin në rrugën e vërtetë të mirësisë e të drejtësisë, të jetës së bukur, përmes zhvillimeve të reja shkencore, punës, vullnetit dhe me besimin te Zoti!” Vivra

Libri “Elitat e Mohuara, Krenari Kombëtare”, është një kapitull tejet i veçantë i historisë sonë kombëtare, të cunguar, të mohuar dhe të tjetërsuar. Me një shtrirje të personaliteteve të shquar si në kohë dhe hapësirë, ky studim është kapitull i krenarisë shqiptare të gjymtuar, i inteligjencës së mohuar dhe të lënë në harresë të qëllimshme, vetëm për bindjet politike, egoizmin apo smirën e theksuar. Është jeta dhe vepra e të gjithë atyre atdhetarëve, të cilët me intelekt e vetmohim i shërbyen kombit, por fatkeqësisht i masakruan pa mëshirë nën dhunën apo trysninë e politikës demoniane.

Kalojnë dekada e shekuj dhe ngjarjet vjetërohen, moshohet kombi, rrudhet koha, plaken e ndryshken mendjet e freskëta dhe vlerat harrohen. Ndaj duhet të vlerësojmë kohën dhe ngjarjet e saj. Nuk duhet harruar se pa të shkuarën, kurrë nuk mund ketë të nesërme. Ajo që i lidh të tri kohët është e sotmja, e cila na sjellë në kujtesë përvojën e së shkuarës dhe hap rrugën e së ardhmes. Syrit vrojtues nuk i shpëton gjë, ndaj me dhimbje të shprehur në lotë të hidhur mbijetese, sheh një lloj shpërfilljeje barbare, ose më mirë një qëndrim cinik e vrastar ndaj tyre. Diçka e tillë ka ndodhur si mungesë vlerësimi për arsye politike, për kundërshti ideore, apo mos vallë i ka dënuar koha e vrazhdët tek e cila ndikoi komunizmi i huajtur nga sllavët e Moskës dhe Beogradit?!

Në këtë libër flitet për të vërtetat për njerëzit e vlerave kombëtare, të atyre që janë mohuar apo lënë në harresë me qëllim nga politikat e mbrapshta dhe politikanët e paaftë, që trurin e tyre të mykur e ushqyen me demagogjinë famëkeqe dhe kanceroze të marksizëm -leninizmit. Unë kam përzgjedhur 90 Personalitete nga fusha të ndryshme. Kanë ngelur plot emra të tjerë, por ndoshta dikush tjetër do t’i plotësojë në të ardhmen.Mes këtyre njerëzve mendjendritur është dhe Nermin Vlora Falaski, të cilën po e kujtojmë sot në 100 vjetorin e lindjes së saj.

Në portretin e kësaj zonje, njërës nga Elitat e Mohuara, të përfshira në studimin tim, gjejmë shkencëtaren, gjuhëtaren e nderuar, studiuesen e mirëfilltë,  dhe ndriçuesen e qytetërimeve të vdekura, që janë të veçantat e personalitetit    Nermin Vlora Falaskit...

Nermin Vlora, stërmbesa e Ismail Qemal Bej Vlorës( vajza e vajzës) lindi më 18 prill 1921 në Tiranë. Arsimin fillor e kreu në shkollën “Motrat Qiriazi”.      Më pas kreu Institutin Femëror”Nëna Mbretërshë.” Ishte 5 vjeç e gjysëm kur mësoi gjuhën greke. Në moshën  17 vjeçe njohu oficerin italian Renzo Falaschi, i cili u bë bashkëshorti i saj. Para ardhjes se komunistëve në pushtet, me bashkëshortin ajo u larguan në Itali. Qysh në bangat e shkollës së mesme, Nermini nisi të shkruante e të përkthente poezi nga gjuha frënge dhe italiane për radio-Tiranën. Në Itali studjoi shkencat juridike,gjë që e pajisi me dije të gjera. Ishte e shkathët, elegante, shumë e bukur, e me intelekt të lindur, e cila përvetësoi disa gjuhë të huaja dhe fliste në tetë(8) gjuhë. Pasuria e madhe gjuhësore, ndikoi në formimin intelektual e individual të saj, gjë që e ndihmoi vajzën e re njëzetëvjeçare të studionte mbi çështjet gjuhësore, lashtësinë e gjuhës shqipe dhe gjuhën  etruske. Gjatë hulumtimeve, Nermini  bëri deshifrime e përkthime të gjuhës etruske duke i shpjeguar nëpërmjet idiomave të gjuhës shqipe. Qysh në rini pohonte më se e bindur se, gjuha etruske (një gjuhë e harruar) mund të deshifrohej vetëm nëpërmjet gjuhës shqipe.

Kjo temë ishte e rrahur nga shumë studiues, gjuhëtarë dhe albanologë të kësaj fushe, ku një pjesë pajtohej me znj. Nermin. Kurse disa dhanë bindjet e tyre pa anuar nga ajo, por dhe as kundër saj.  Grupi i tretë e hodhi poshtë tezën e parashtruar nga ajo, siç ishte, “deshifrimi i gjuhës etruske, vetëm përmes gjuhës shqipe”. Puna dhe vullneti për të qenë “Dikushi”,dhe për të bërë gjën’e duhur që i mungonte Historiografisë Shqiptare, interesimi i saj për lashtësinë e gjuhësisë në tërësi,  gjuhës shqipe në veçanti si dhe lidhjet apo vartësinë mes tyre, bëri që ajo t’i zgjerojë njohuritë në këtë fushë me mjaft sukses.

Ishte shqiptare, por e kishte të ndaluar të hynte në Shqipëri dhe të paraqiste arritjet e saj shkencore. Pas rënies së murit të Berlinit, u duk sikur u përmbys sistemi komunist edhe në vendin tonë. Nermini u lejua të vizitonte vendlindjen e stërgjyshëve të saj.  Me znj. Nermin u njoha kur erdhi në vitin 1992 në Vlorë. Unë dhe bashkëshorti im, Fitim Haxhiraj, anëtarë të Sh.A “I.Qemali” e kemi shoqëruar gjatë vizitave në Muzeun Etnografik, në muzeun e Pavarësisë, në Kaninë, në Podin e Monumentit të Pavarësisë, homazhe te varri I.Qemalit, takime që janë të dokumentuara me foto.

Në Pallatin “Labëria” më 18 prill 1993, për nder të saj dha një pritje Kryetari i Bashkisë, i ndjeri Elham Sharra. Ishte një festë shumë e bukur me praninë e shumë familjeve fisnike të Vlorës, aktorët e teatrit “Petro Marko”, miq e dashamirës të çiftit Falaski. Në takim, Nermini u shpreh:“Ndjehem krenare që jam prodhim shqiptar! U shpreh mirënjohjen mësuesve të mi që më kalitën fizikisht dhe shpirtërisht për të mposhtur vështirësitë e jetës. Unë si shqiptare, kam përçuar zërin e Shqipërisë nëpër botë...”

Gjatë bisedave me të, në vitin 1992, znj.Nermin, më pohoi: “ Synimet e mia në fushën e krijimtarisë dhe sidomos në fushën e studimit të gjuhëve të vjetra, nga viti në vit rriteshin. Por ajo që më ndihmoi jashtëzakonisht ka qenë koha kur Renzo (bashkëshorti im), u emërua nga qeveria italiane, Konsull i Italisë në Kolumbi. Nga që e dua librin, shkoja në bibliotekën shumë të pasur të kryeqytetit të saj, Bogot?. , ku m’u çelën portat e kërkimeve dhe hulumtimeve”. Gjatë jetës aktive, Nermini u dallua në lëmin e letërsisë, gjuhësisë, historisë, arkeologjisë dhe antropologjisë. Duke u bazuar në studimin e këtyre shkencave, ajo botoi “Rëndësia e figurës së gruas në Iliri dhe Profili i grave shqiptare në histori”. Shkruan në shqip dhe italisht dhe ndërkohë përkthen nga italishtja librin“Ismail Bej Vlora”, kurse nga anglishtja përkthen “Ismail Qemali-Kujtime”. Ndër veprat e saj, duhen përmendur: “Zotëruesi i kohës”-1967 ; “Nga gjysëmhëna tek hëna”-1973;“Momente kolumbiane”-1979; “E nesërmja e Kohës-1971;“Kina”-1972; “Konsiderime mbi civilizimin Çibça”1979-;“Pellazgët, Ilirët, Etruskët, Shqiptarët”-1984; ”Lashtësia e gjuhës shqipe”-1991;  Etruskishtja gjuhë e gjallë”-1989 etj. Mjafton të shohim titujt, shumica e tyre janë studime historiko-shkencore dhe albanologjike. Për këtë Nermin Vlora Falaskit, i është dhënë emërtimi : ”Ndriçuese e qytetërimeve të vdekura”. Ndër studimet e saj, përmend, “Pellazgët, Ilirët, Etruskët, Shqiptarët”, ku me të drejtë  Nermini pyet:

Cila mund të ishte kjo gjuhë barbare që edhe në kohën e Herodotit flitej në qytetet dhe ishujt e ndryshëm të botës së vjetër? Për çudi edhe sot e kësaj dite në Greqi flitet gjuha  arvanitase (shqipe-arbërishte), siç flasin dhe arbëreshët e Italisë. Cila mund të ishte gjuha e përdorur në luftën e Trojës, ku ndërluftuesit merreshin vesh me të njëjtën gjuhë ? Kështu që lufta e Trojës nuk mund të quhet luftë e“Grekëve”(helenëve) kundër Trojanëve, por një luftë mes popujve vëllezër pellazgjikë, luftë për supremaci tokësore dhe pushtet.”

Ja ç’thotë Nermini më tej: “Çdo komb ka historinë e tij, edhe kombi ynë shqiptar ka histori të lavdishme. Në të kaluarën tonë kemi qenë një etnitet i madh. Kujtoni pellazgo- ilirët, por kemi ardhur vazhdimisht duke u tkurrur. Vetvetja dhe të huajt na kanë copëtuar, na kanë zvogëluar, na janë rrënuar themelet e historisë ngaqë nuk e kemi shkruar historinë në gjuhën tonë nga rrënja pellazge dhe ilire. Rrënja e gjuhës botërore pellazgjishtja. Kjo ishte, natyrisht, gjuha hyjnore e profetëve, të cilën e kemi quajtur “gjuha nënë”. Më saktë, kjo gjuhë ishte Pellazgishtja-ilirishtja-shqipja e moçme. Ndaj Herodoti shkruante : “Etruskët flisnin gjuhën e një populli të lashtë , që jetonte në krahinat e Mesdheut, para ardhjes së grekëve”

Nermini këmbëngul: “Trakasit, frigasit, karientët, etruskët, epirotasit, ilirët, italiotët dhe shqiptarët e sotëm në përgjithësi konsiderohen se janë degë kryesore të pellazgëve

Autorja duke cituar përfundon: “shqipja që flitet në Shqipëri ishte gjuhë e përbashkët e pellazgëve, ilirëve dhe etruskëve të lashtë, prandaj nëpërmjet saj mund të rindërtohet dhe historia e tyre.”

Nermin Vlora Falaski vdiq më 28.11.2004, duke lënë pas vehtes një pasuri shkencore, letrare dhe historiko-albanologjike, me vlera të mëdha në kolanën e kulturës shqiptare.

Në Vitin 1992, LDG.Vlorë e zgjodhi Znj.Nermin Vlora Falaski, Kryetare Nderi. Po kështu edhe Sh.A,K,. “I.Qemali” e shpalli “Kryetare Nderi”. Ndërsa Biblioteka e Univ: I.Qemali mban emrin e shkencëtares N.V.Falaski. Një rrugë e Vlorës, gjithashtu mban emrin e saj të Nderuar. Gra të shquara, Shqipërisë nuk i kanë munguar, që bashkë me Nermin Vlorën nderojnë veten dhe Kombin...Nderim dhe mirënjohje për shkencëtaren, Nermin Vlora Falaski!

28 Nëntor 1992,  Monumenti i Pavarësisë, Fitim Haxhiraj, Nermin Vlora, Vilhelme Vrana, Renzo Falaski

Pallati i Kulturës, !8 prill 1993, Nermin V Falaski, Kryetar i Bashkisë Elham Sharra, Vilhelme Vrana dhe qytetar të Vlorës

Univ.”I.Qemali”,17-18 maj 2001, Konferenca ,”Vlora në rrjedhën e viteve”R.Falaski, N.Vlora  &V.Vrana



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora