E marte, 23.04.2024, 08:50 AM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Vargjet e bardha të një dashurie të ngrohtë jugu

E merkure, 14.04.2021, 07:54 PM


Vargjet e bardha të një dashurie të ngrohtë jugu

Shënime mbi librin e ri poetik “Dashuri Jugu” të Fatmir Terziut

Nga Timo Mërkuri

Jemi njohur me poezinë e Fatmir Terziut nëpërmjet publikimeve të tij, kryesisht te portali “Fjalaelirë”  aqë të shpeshta, sa që po të rastisë  ndonjë ditë pa një poezi të tijën, ndjejmë një si mungesë brenda vetes. Si shumë miq edhe unë mendoja se kjo “ndjenjë mungese”  e kishte burimin pikërisht te ambientimi me ritmin e publikimeve të poezive të tij që i ngjante “rënies së pikave të shiut”. Por u desh të lexoja pikërisht një poezi të tij me titull “Retë mbi Himarë” në vëllimin  e tij të ri poetik “Dashuri Jugu” që të konstatoja se tjetër është arsyejae ndjesisë  së mungesës .

I-Është pikërisht lirizmi i tij poetik, arsyeja që na e bën të kërkueshme dhe të pëlqyeshme poezinë e tij, një lirizëm tipik që formaton stilin e tij poetik. Është pikërisht ky lirizimë që na krijon një ndjesi hapësire, përkundër disa tipe vargjesh që “zvarriten” nëpër portale. Vargjet e tij të lira, që krijojnë “dritare” të gjëra shikimi nëpërr ‘to  në diferencën e gjatësisë mes tyre, drita dhe ajri që depërtojnë nëpër këto “dritare”  ta ëmbëlsojnë  poezinë dhe e dritësojnë leximin, duke të treguar njëkohësisht se ky lirizëm është elementi më i dukshëm i stilit të tij poetik. Në poezitë e tij edhe kur flitet për mot të vrenjtur, mbi vargje ndrin një dritë që dhe kur nuk duket, ndjehet:

Edhe nëse bie shi,

retë mbajnë peng vetveten mbi Himarë

dhe një tufë pulëbardhash,

si një ogur i mbarë,

mbeten mysafirë në sytë e mi,

ndërsa shkruaj vargjet e bardha

për këtë poezi.

“Retë mbi Himarë” fq 49-50

Ose kur shkruan te poezia “Guri i Qafës së Muzinës” (fq 51):

...Ai tregon përrallat e shiut

nën çatinë e vjetër të shtëpisë...nuk ndjen kurfarë  “lagështie ajrore” nëpër vargje e jo më të ndjesh pikat e shiut të të “lagin”.

II-Vargu i tij poetik ka një ritëm të brendshëm të lehtë, që i ngjan  ecjes së vajzave të

dashuruara si në majë të gishtave, si duke “fluturuar” mbi gurë e lule. Nuk ka  “pesha të rënda” metaforike sepse nuk mban “çanta zbori”. Më së shumti, zhurma e ritmit të poezisë së Fatmir Terziut është si një e qeshur të rinjsh të zhurmshëm apo si thirrjet drejtuar njeri-tjetrit:

Dil o Yll i mëngjesit dil,

si atëherë mbi Eksamil!

Ksamil fq 43

III-Në poezitë e këtij vëllimi të Fatmir Terziut, shumë tema poezish janë nga viset e mia joniane  ku poeti ka qënë vizitor i shpeshtë, kryesisht nëpër aktivitetet tona poetike. Ka ardhur si poet, ka vrojtuar njerëzit dhe natyrën si poet dhe ka marë gjithçka që marin poetët. Kjo të krijon përshtypjen se është arsyeja që në poezitë e tij ka shumë kaltërsi, qoftë kaltërsi e një qielli të pastër, qoftë kaltërsi  e Jonit:

...u pikturua

Dea e madhërishme në qiell

dhe në atë mëngjes shumëngjyrësh

vargjet e mia fjetën në një shtrat

me mjaltin e dashurisë.

“Liqeni i Butrintit” fq 39 ndërsa te poezia “Qeparo” fq 37 ku shkruan:

...Ndërsa dëgjova rrëfimin e Dukeshës Camilla

fjalët e saj të bukura u pagëzuan nga kopshtet,

me një aromë të lashtë lirie,

duke mbjellë historinë e Bregut me lule

për vargjet e kësaj poezie...

IV- Tipike e stilit poetik të Fatmir Terziut është ngrohtësia shpirtërore që vargjet mbartin në vetvete e përçojnë te lexuesi. Gjatë leximit kupton dhe ndjen se poeti e ka kaltërsinë e natyrës dhe çiltërsinë e shpirtit  pjesë të artit të tij poetik. Këto përbëjnë atë dhimshuri dhe  ngrohtësi njerëzore që i bën të dashura për lexuesin vargjet e tij. Ai shkruan me dashuri për njerëzit, ai jep dashurinë e tij në poezi si dhe në jetë, sepse duke dhënë dashuri njeriu ndjehet mirë, poeti ndjehet i plotë. Duke dhënë dashuri bëhesh pjesë e vetë dashurisë.

Para një nëne të moshuar

përkulem,

i jap një lule të freskët me duar

Ajo: pëshpërit me vete,

një fjalë të huaj,

„Efkharistó polý“

Unë: e mbaj fort në sy.

një njeri që nuk ka dashuri të vërtetë

nuk mund të dhuroj një lule vëllazërimi,

në jetë.

Ka lule në shpirt, pa shpirt s'ka dashuri!

S'ka poezi.

“Në Finiq” fq 40.

E lexova këtë poezi dhe u krenova me mikun tim Fatmir Terziu, ndërsa u ndjeva ngushtë që shumë bashkë krijues nga viset e mia nuk kanë mundur të shohin bukurinë njerëzore te një plakë minoritare e rrudhur nga hallet e jetës, veshur me roba të zeza, por me sy që përcillnin dritën e një zemre të bardhë. Fatmir Terziu ariti ta shohë këtë dritë shpirti në sytë e saj, mori nga ajo dritë dritësimin, ashtu siç marim në kishë dritën e Pashkës së Madhe për ta shpurë në shtëpitë tona, për ta dritësuar jetën tonë. Fatmir Terziu e mori këtë dritë për të dritësuar poezinë e tij. Prandaj gjithmon sheh vetëm më të bukurën dhe më të mirën te ditët dhe te njerëzit, prandaj dhe në vargjet e tij është një bukuri njerëzore që të zbukuron ditët me leximin e tyre dhe vetë vargjet të duket se janë si vajza bukuroshe që bëjnë sfilata në konkursin Mis Albania:

...Valët e kristalta dallgëzohen

përmes zmaltit që melos syrin e lagur.

Bukenvilet shpotisin mes vetes

shpërndajnë majanë e bojës

ndërsa pëshpëritjet e kohës,

mbledhin rima,

vargje të bardha si stërkala.

Çdo poezi ka sfilatën e saj.

“Qafa e Gjashtës” fq 38

Është pikërisht kjo ndjenjë që  që krijon vargje të rubinta:  “Zëri është si një vajzë e lindur nga valët e tretura” , “Zëri është e gjitha. Bukuritë/të gjitha hijeshojnë kopshtin e bekuar/ me lulet e tyre shumë ngjyrëshe të dashurisë”   “Gumenicë” fq 44

V- Le t’i rikthehemi poezisë “Shi në Llogara” (fq 35-36) te disa vargje që të mbeten në mëndje:

Dhe ti zbret. Dhe zbret

.......................................

ndërsa mendimet prekin atë që lënë pas sytë...

për të kuptuar arsyen pse Fatmir Terziu pas një periudhe prej disa vitesh na sjell një cikël të

bukur jonian. Realisht Fatmir Terziu ka qënë i lidhur me Jugun qysh në rininë e herëshme të tij, por kontaktet i shtoi dhe shpeshtoi me ekrijuesit e Klubit “Krijuesit e Artit Jonian” të Sarandës, duke u bërë pjesë aktive e Manifestimeve tona poetike të përvitëshme. Realisht Fatmir Terziu gjithnjë ka shkruar për Sarandën, por mua më tërhoqi vëmëndjen për arsye se ka disa vjet që për arsye objektive ka munguar pranë nesh. Këtë mungesë ai e plotësoi bukur e mirë me ciklin poetik që përbën pjesën më të madhe të poezive të këtij libri. Këtu më lindi pyetja se “takimin” me objektin poetik Fatmir Terziu e ka patur para disa vjetësh ndërkohë që poezinë e krijon kohët e fundit. Kjo do të thotë se ai ka medituar gjatë mbi objektet,  vizionet, ngjarjet, njerëzit për të zbërthyer te ato pikërisht esencialen, tipiken e tyre për ta vendosur në poezi. Ai ka “pastruar” “hedhurinat e kohës” për të gjetur më të bukurën e qytetit, historinë e ngurtësuar në rrënojat  arkeologjike, si te poezia “Nën themelet e një hoteli në Sarandë”:

U flas syve.

Gjuha flet me heshtjen e tyre

.........................................

Në themelet e një hoteli.

heshtja qëndron te burimi,

përsëri ngërç në rrënjët tona.

Në themelet e një hoteli,

nën beton,

shfletoj mes heshtjes historinë e dhimbshme

të racës sonë.

Është e dhimbëshme të pohojmë dhe pranojmë se historia e qytetit tim e ngurtësuar në vlera arkeologjike  ndodhet nën betonet e hoteleve dhe pallateve të tij. Një ose dy raste ka konstatuar rastësisht poeti dhe më pas u ka rënë “kambanave” poetike, për të dëgjuar ata që kanë veshë.

Citimi i poezive të Fatmir Terziut bëhet një dëshirë e papërmbajtëshme, ca më tepër kur gjej në mes të tyre emrat e kolegëve të mi, të cilët  më duken më të ndritshëm, më të mirë, më të bukur, madje me një brerore poezie mbi krye.

Të mos e fsheh, është ndër librat poetikë që të mbush me dritë e ngrohtësi kur e lexon.

Sarandë, Prill 2021



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora