E premte, 19.04.2024, 07:31 PM (GMT+1)

Intervista » Entela

Entela Binjaku: Rigerta Loku Tushaj - Dilni e votoni një alternativë të re politike!

E marte, 13.04.2021, 10:02 PM


Rigerta Loku Tushaj:  Dilni e votoni një alternativë të re politike!

Nga Entela Binjaku

Në garën elektorale të këtij viti janë të shumta zonjat që synojnë parlamentin.  Qytetare nga zona të ndryshme të vendit, me formime dhe nivele të ndryshme edukimi, nëna, bashkëshorte, vajza që ende nuk e kanë krijuar familjen e re, nga fshati apo qyteti, nga sipërmarrja apo sektorë publikë, ato janë sot duke punuar në terren për të bindur qytetarët t´i votëbesojnë dhe t´i dërgojnë në sallën emblematike të parlamentit për 2021-2025.

Ato synojnë të çojnë zërin e votuesve pikërisht në atë sallë të sa e sa seancave parlamentare që shpesh shndërrohej në skenën mediatike të teatrit absurd.

Rigerta Loku Tushaj është një prej tyre. Në këto zgjedhje Rigerta garon me nismën "THURJE" në qarkun e Lezhës duke udhëhequr listën e kësaj force politike në këtë zonë.

Lidhur me figurën e saj, nuk janë të paktë qytetarët që e njohin për zgjedhjen e "cuditshme" që ajo kishte bërë kur pas përfundimit të studimeve në universitetin prestigjoz të "La Sapiencës" u kthye në  në Shqipëri dhe zgjodhi të ushtrojë profesionin e fermeres dhe blegtores.

Fjalimi i Rigertës në Parlamentin e Shqipërisë disa vite më parë ishte ndoshta i vetmi që tronditi ligjërimin politik shqiptar të tejlodhur nga fjalimet e tipit të "pubertetit të vonë" ose të ngjashme me hartimet e disave të letërsisë së kohës së gjimnazit në rininën e viteve ´90.

Pasioni, pathosi, emocioni, vërtetësia e fjalëve të saj bënë që edhe sot opinioni ta dallojë këtë grua për forcën e arsyes dhe vendosmërinë për të thënë atë që mendon.

A nuk është kjo ajo që na mësohet dhe edukohemi të jemi  gjithë jetën?!

Kur kanë mbetur pak ditë nga 25 prilli zgjedhor Rigerta Loku Tushaj ndau me ne edhe disa nga pikat më të forta të platformës së saj elektorale dhe mesazhin drejtuar opinionit për të votuar dhe votëbesuar alternativën e re politike. Ndiqni në vijim bashkëbisedimin tonë me kandidaten nr. 1 për qarkun e Lezhës të nismës "THURJE" Rigerta Loku Tushaj.

Nisma "THURJE" në fletën e votimit mban numrin 7.

Znj. Tushaj  si ndjeheni ju  kur ju njohin si "ajo vajza që mbaroi në Romë dhe merret me blegtori"? A e keni pyetur ndonjëherë veten si do të doje të të njihnin?

R. Loku TUSHAJ: "Fermerja që synon parlamentin". Ndjehem mirë dhe aspak keq. Janë përpjekur shpesh t´i japin një kuptim negativ, por fermeri dhe deputeti ose të gjitha profesionet janë të barazvlefshme kur ushtrohen në mënyrë të ndershme dhe me dinjitet.

Blegtoria është një angazhim familjarë dhe jam e bindur që unë do dal në pension si fermere dhe jo si politikane. Sot është koha e politikës. Nuk e kam menduar kurrë se si do të doja të më njihnin, por jam shumë në rregull me mënyrën se si më njohin.

Fjala juaj në Parlamentin e Shqipërisë është ndër më historiket e mbajtura ndonjëherë. Si është pritur ajo fjalë dhe kur ishit në atë sallë a menduat ndonjë cast: "Pse jo edhe unë këtu?"

R. Loku TUSHAJ: Kur kam qënë në atë sallë, kam menduar që do të ishte hera e vetme që do të jem aty. Në tempullin e përfaqësisë dhe pse e zhveshur nga kompetencat e përfaqësisë, e pashë si detyrim moral të çoj fshatin në parlament. Nuk e kam imagjinuar kurrë se sa ndikim do të kishte pasur një e vërtetë e zhveshur. Por sot unë kam marrë guximin të garoj dhe falë kësaj fjale dhe për të vijuar për të përcjellë e orientuar të vërtetat në parlament.

Ju jeni bashkëshorte, nënë, sipërmarrëse, qytetare e angazhuar në jetën e komunitetit. Pse u bëtë pjesë e garës politike kur e dini fare mirë në cfarë gjendje është aktualisht?

R. Loku TUSHAJ: Politika për mua është mision. Nuk i futem politikës për të mbushur barkun, por shpirtin. Bëj pjesë në atë kategori njerëzish që realizimin personal nuk e shkëpus dot nga realizimi publik dhe e mira komunitare. Për ata që më kanë njohur, dua të jem një alternativë ndryshe në fletën e votimit. Nuk mundemi të qëndrojmë pasivë dhe të presim që pas 30 vitesh ata që i shkaktuan problemet, t´i zgjidhin ato!

Cilat janë pikat e tua më të forta në programin elektoral?

R. Loku TUSHAJ: Kemi 33 projekt- ligje të gatshme për t´i kthyer në ligje që japin dinjitet qytetarit. Projekt ligje që ndikojnë në të gjitha sferat e përditshmërisë tonë si: arsimi, shtresat në nevojë, referendumi, vetingu i politikanëve, zhvillimi rural, personat me aftësi ndryshe, arti, etj,etj. Nuk kemi një program qeverisës sepse nuk mund të gënjejmë as votuesit, as veten me një program hipotetik.

Ligje të mirëmenduara dhe konkrete për një rezultat të prekshëm.

Nëse nesër do të jeni në parlament, cilës pjesë të opinionit do t´i drejtoheshit?

R. Loku TUSHAJ: Shqiptarëve që kurrë nuk e panë veten të përfaqësuar. Pavarësisht bindjeve politike, jam e bindur që zhvillimi i vendit nuk ka mendësi politike. Problemet e komunitetit duhet të degjohen e adresohen pavarësisht gjithçkaje.

Cili është mesazhi juaj sot kur kemi edhe 12 ditë nga dita e zgjedhjeve?

R. Loku TUSHAJ: Dil e voto një alternativë të re politike! Mos e pengoni ndryshimin edhe katër vite të tjera. Deputeti është ashtu si mjeku:  një mjek që nuk të bëri derman për 30 vite nuk të shëron më, por të dëmton!



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora