Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lutfi Alia: Pasardhësit e Vrana Kontit në Itali

| E diele, 11.04.2021, 06:35 PM |


PASARDHËSIT E VRANA KONTIT NË ITALI

Nga Lutfi ALIA - Siena, Itali

Dinastia e Kastriotëve ka dhënë kontribute të shquara jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por dhe të Italisë e më gjërë në vendet e tjera europiane. Në Itali, pasardhësit e dinastisë Kastrioti, janë me prejardhje nga dy degë, e para nga pjestarët e familjes të Gjergj Kastriotit me Andronika Ariantiti Komnena Kastrioti dhe djalin Gjon Kastrioti, ndersa linja e dytë janë pasardhësit e Vrana Konti - Kont Urani, kushëriri i Gjergj Kastriotit. Pasardhësit e Vrana Kontit kanë mbiemër të përbërë Granai i familjes të Kont Uranit dhe Kastrioti qe shppreh qartë se ishin kushërinj të njejtës dinasti. Në Itali pjestarët e kësaj familje përdorin dhe mbiemerin Branai, nga emri i djalit të madh të Kont Uranit, Brana i italianizuar në Bernardo, i përdorur si mbiemër i dytë si rezulton në dokumentat dhe kronikat e kohës, i prezantuar Bernard Granai Kastrioti dhe Bernard Branai Kastrioti. Mbiemërin Granai Kastrioti e mbajtën fëmijët, nipat, biznipat dhe stërnipat e Vrana Kontit.

Pas vdekjes të Gjergj Kastriotit, Brana (Bernardi) dhe gruaja e tij Maria Zardari (e bija e Pal Zardari dhe Teodora Muzaka dhe kushërira e dytë e Andronika Kastrioti), erdhën në Itali, së bashku me Andronika Kastriotin dhe të birin Gjoni II Kastrioti. [1, 2]

Mbreti Ferrante I, aleati dhe miku i ngushtë i Gjergj Kastriotit, i ftoi dhe e sistemoi të dy familjet në mjediset e oborrit aragonez. Raportet e miqësisë me familjen mbretërore u forcuan më shumë pas shtatorit 1477, me martesën e mbretit Ferrante me Xhiovana III e Spanjës. Mbretëresha krijoi lidhje miqësore të forta dhe konfidenciale me Andronika Kastriotin, të cilën e kishte damën e parë të shoqërimit dhe këshilltare. Besimi dhe respekti për princeshën Andronika, mbretëresha Xhiovana III e shprehu duke i besuar kujdesin dhe edukimin e të bijës Xhiovana IV. Në vitin 1496, kur u rindërtua apartamenti i Xhiovana III në Kastell Nuovo, "madama" Andronika kishte apartamentin e saj në katin e dytë mbi atë të mbretëreshës. [2, 3, 4, 5] Se bashku me Andonikën, në grupin e damave shoqeruese ishte dhe Maria Zardari, gruaja e Bernard Granai Kastrioti, të cilën e thërrisnin  dhe "madama Porfida - kuqaloshja". Mbretëresha Xhiovana III dhe e bija Xhiovana IV, preferonin me kortezi shoqërinë galante të Andronikës dhe Maries. [2, 3]

Familja Bernard Granai Kastrioti, u mirëprit dhe kishte një pozicion të privilegjuar në rrethin e personelit të mbretereshës Xhiovana III e Napolit, bashkëshortja e mbretit Ferrante I. [2] Sipas Gjon Muzakës, ky trajtim i familjes Granai – Kastrioti, i dedikohet ndikimit të Andronika Kastriotit , e cila gëzonte respekte dhe nderim të veçantë nga familja mbretërore e Napolit. Sipas Gjon Muzakës, Andronika kishte organizuar martesën dhe dasmën e Brana Granai Kastriotit me kushërirën e saj Maria Zardari. Keto lidhjet fisnore të dyfishta, ndikuan që të udhëtonin në të njejtën anije për në Bari - Itali. [2, 5]

Së bashku me Kontin Bernard Granai Kastrioti, erdhën ne Itali dhe dy vellezerit. Vëllai i dytë Giovanni - Gjoni shërbeu komandant i reparteve stradiote të mbretërisë së Napolit. Ne vitin 1480, Gjoni mbeti i vrarë në betejën e Otrantos kundër hordhive turke. Vëllai i vogel Stanisha, ishte i martuar me Despina, e bija e Mojsi Golemit dhe Zanfina Muzaka dhe shërbeu në oborrin e mbretit Ferrante I. [4]

Konti Bernard Granai Kastrioti mori pjesë në çlirimin e Otrantos, përkrah Xhiulio Antonio Akuaviva, madje në gusht të vitit 1481, mbreti Ferrante I i Napolit, e dërgoi në Vlorë për të biseduar me gjeneralin turk Gedik Ahmet Pasha për të nënshkruar traktatin e paqes me Perandorinë Osmane, por bisedimet përfunduan pa sukses. [2,4,6] Bernard Granai Kastrioti, në vitet 1485 – 1486 u pozicionua në mbrojtje të dinastisë aragoneze, gjatë komplotit të dytë të baronëve.

Familja e Bernardit jetonte në mjediset e oborrit mbretëror. Ne vitin 1468, ne Napoli lindi djali i parë Giovanni - Gjon Granai Kastrioti, nipi i Vrana Kontit. [2]   Fëmijet, Gjoni, Alfonsi, Ferdinandi dhe motrat  Isabella, Xhiovana e Kamilla, u shkolluan në Napoli. Djalin e madh Gjonin e orientuan në karrierën ekleziastike. [2] Kardinali dhe historiani Paolo Xhiovio i kishte njohur dhe kishte krijuar raporte miqësie me pjestarët e familjes të Kastriotëve dhe me familjen Vrana - Granai, si i përshkruan në veprën: “Dialogo sugli uomini e le donne illustri del nostro tempo”, ku rrëfen admirim për Marien, dama shoqëruese e mbretëreshës së Napolit Xhiovana III Aragona, përshkruan krenarinë e të bukurave Jovana dhe Isabella Kastrioti, ashtu si përshkruan karizmën dhe trimëritë e fisnikëve Alfonso dhe Ferrante Kastrioti, djemtë e dukës Gjoni II Kastrioti. [3] Si kuptohet Paolo Xhiovio e njihte mirë prejardhjen e te dy  familjes andaj pa rezerva përdor mbiemërin Kastrioti, për vajzat e Bernardit dhe Maries.

Gjoni frekuentoi shkollimin ekleziastik dhe në moshën 18 vjeç, me propozimin e admirueses së tij,

mbretëreshës Xhiovana III, zonja e Mazara del Vallo në Siçili, Papa Inoçenti III, me bulën e 15 marsit 1486, e emëroi At Gjon Granai Kastrioti, Ipeshkëvi i Mazara del Vallo. Gjatë mbretërimit të Ferrante I i Napolit, At Gjon Granai Kastrioti shërbeu kryekapelani i kapelës mbretërore, madje e kishin ngarkuar të ushtronte dhe kompetenca juridike. Emërimi ipeshkev i Mazara del Vallo, ishte vleresim dhe nderim për meritat e familjes të Vrana Kontit, por At Gjon Granai Kastrioti, nuk ishte i prirur për karrierën ekleziastike, andaj shkonte shumë rrallë në Dioqezë, madje funksionet dhe detyrat ipeshkëvale ia delegonte klerikëve të tjerëve. Si kuptohet Gjoni i ri nuk kishte dëshirë, të vazhdonte karrierën ekleziastike, andaj në vitin 1503 dha dorëheqien dhe vazhdoi karrieren ushtarake me detyrën e Gran Capitano. [2, 4]

Ne vitin 1496 mbreti Fredrerik I i Napolit, me një letër dërguar princeshës Andronika Kastrioti dhe kontit Bernard Granai Kastrioti, i falenderoi për kontributin, që kishin dhënë duke e bindur mbretëreshën vejushe Xhiovana III, nëna e Frederikut, të abandononte postin, ta linte Napolin e të kthehej në Valencia-Spanjë.[4] Per meritat në shërbim të mbretërisë aragoneze, mbreti Frederiku I i Napolit i akordoi Bernard Kastriot Granai, titullin e fisnikërisë Baron i parë i Galatone dhe Konti parë i Kopertino, ku përfshiheshin trojet e Leverano dhe Veglie, terrene që i ishin konfiskuar baronit komplotist Pirro del Balzo. [4]

Më 1 prill 1498, mbreti Frederiku I, i dha feudin e Gagliano në pronësi të Andronikës dhe djalit  Gjoni II Kastrioti. [1, 2]

Më 7 shtator 1499, nëna mbretëreshë Xhiovana III e la Napolin dhe shkoi në Spanjë, pranë të vëllait Ferdinando, e shoqëruar nga Andronika Kastrioti dhe Maria Zardari, ndërsa e bija Xhiovana IV qëndroi në Napoli nën kujdesin e Bernard Kastrioti Granai, “burri i denjë – homo degno”, si e quan amabasadori i Venedikut Françesko Morosini, në relacionin dërguar Doxhës më janar 1501. [4, 5, 7] Një vit me pas Xhiovana IV, e shoqëruar nga Bernard Granai Kastrioti, shkoi në Spanjë pranë nënës. Ambasadori anglez Thomas Bradley, pas vizitës dy mbretëreshave në rezidencën Reyalls në Valencia, në relacionin dërguar në Londër më 23 qershorit 1505, përshkruan privilegjet që gëzonin princesha Andronika Kastrioti, e cila qëndronte krah mbretëreshës dhe duka Beranard Granai Kastrioti, të cilit më 4 prill 1505 iu akordua titulli duka i Ferrandina. Bradlley e përshkruan Bernardin “un anziano duca, con la barba lunga – një dukë i moshuar me mjekër të gjate” [8], i cili e asistonte gjatë audiencave duke qëndruar në krah të djathte të nënës-mbretëreshë e krah tij gruaja Maria me fëmijët. Në relacionin  tij, ambasadori Bradlley tregon se në krahun e majtë të nënës –mbretëreshë, si gjithmonë ndodhej dama shoqëruese dhe këshilltaria Andronika Arianiti Kastrioti. Duka Bernard Kastrioti Granai, çdo ditë ishte i pranishem ne pritjet e mbretereshes, me funksionet e keshilltarit dhe kamerlengo (administratori). [4] Djali i madh Gjon Granai Kastrioti nuk kishte shkuar në Valencia, sepse atë kohe ndodhej në Palermo, ku mbretëria e Napolit ishte impenjuar në luften e spanjollëve kundër francezëve dhe Gjoni ishte emëruar Gran Kapitano i forcave ushtarake te mbreterise se Napolit. [4]

Humanisti Antonio Galateo rrëfen për rolin e Gjon Granai Kastrioti në fitoret kundër francezeve, si i përshkruan në letrën dërguar vellezërve Alfonso dhe Xhiovani dhe djalit Pirro Granai Katrioti. Pasi mori Taranton, forcat mbretërore të komanduara nga Gjon Granai Kastrioti marshuan drejt Gallipolit dhe pse shumica e këshilloi të mos shkonte, sepse rrezikohej të binte në duart e francezëve. Çlirimi i Gallipolit dhe i rrethinave sheënoi një faqe të lavdishme në histrorinë salentine, fitore me protagonist Gjon Granai Kastrioti, i cili ndërhyri në momentin më kritik dhe arrijti të çliroi të gjithë Salenton. Pas sfidës të Barletës dhe me fitoren në betejën e Cerinjola më 28 prill 1503, ku mbeti i vrarë komandanti i ushtrisë franceze Luigji Armanjak, duka i Nemours, forcat mbretërore te komanduara nga Gjon Granai Kastrioti, çliriuan Galatone, ku u shpartalluan forcat e komanduara nga konti Del Balzo di Nardo dhe Parabita. [4, 9, 11, 12, 13]

Ne vitin 1505 Gran Capitano Gjon Granai Kastrioti ishte "luogotenenti i përgjithshëm i të përndriturave nënës mbretëreshë Xhiovana III dhe e të bijës Xhiovana IV. [4, 8]

Në vitin 1508 vdiq i ati Bernard Granai Kastrioti dhe Gjon Kastrioti Granai trashëgoi titujt e fisnikërisë të atit, kështu u bë duka i dytë i Kopertno, baroni i dytë i Galatone (1508), duka i dytë i Ferrandina (1505) dhe mëkëmbës i mbretëreshës në Pulia dhe Basilikata. [1, 2]  Në Galatone, Gjon Granai Kastrioti, ndërtoi për urdhërin domenikan, kishën e Shen Sebastiani dhe Shen Roko, ndërsa manastirin e Shen Maria di Kasole në Kopertino , ia dhuroi urdhërit françeskan, që në këto zona ishte tepër akktiv kundër ritit bizantin, [4. 9, 10]

Ne vitin 1510, nëna mbretëreshe Xhiovana III vizitoi Mesagne, e shoqëruar nga guvernatori Gjon Granai Kastrioti dhe i vëllai Alfonso Granai Kastrioti. [1, 9, 11, 13]

Gjon Kastrioti Granai u martua me nje grua fisnike të familjes Mele. Nga kjo lidhje martesore lindi djali i vetëm Pirro. Gjon Granai Kastrioti vdiq më 2 gusht 1514 në Mesagne, por kronistë të tjerë thone se në fakt mbeti i vrarë gjatë një dueli në vitin 1516 në Mesagna. [14]

Pas vdekjes të Gjonit, i biri Pirro Granai Kastrioti u rrit nga xhaxhai Alfonsi. Pirro studioi letërsi latine dhe greke, por u shqua dhe si udhëheqës ushtarak. Pirro trashegoi nga i ati titullin baron i Parabita dhe governator i Trojeve të Otrantos. [2, 4, 12]

Dy djemt e tjere te Bernard Granai Kastrioti janë Ferrante dhe Alfonso.

Ferrante Granai Kastriota, governatori i'Abruco, markez i qytetit Sant’Angelo dhe kont i Spoltoreu, u shqua në karrierën ushtarake. Në vitet 1524 dhe 1525 ishte kapiteni i përgjithshëm i kavalerisë së lehtë dhe komandant i pararojës të ushtrisë perandorake. Konti Ferrante Granai Kastrioti, mori pjesë dhe doli fitimtar në beteja të shumta, por mbeti i vrarë nga francezet në betejën e Pavia në vitin 1525. [4, 9, 11]

Djali i tretë, Alfonso Kastrioti Granai, fillimisht shërbeu komandant i repartit të stratiotëve të mbretërisë

së Napolit. Më 23 shtator 1512, mbreti i akordoi titullin konti i Atripalda; më 1515 markezi 1° i Atripalda, guvernator i Trojeve të Barit dhe i Otrantos dhe governator në Kapitanata dhe në Kalabri.  [2, 4, 13, 14]

Mbretëresha Isabella, gruaja e mbretit Ferdinandi I Aragon, i dhuroi Alfonsos kështjellën e Kopertino, e cila nuk ishte në gjendje të mirë, andaj ngarkoi arbëreshin Evangjelista Menga, konstruktor i shquar i strukturave ushtarake, i cili e rikonstruktoi këtë fortesë të rëndësishme. Pas vdekjes të birit Antonio Granai Kastrioti në vitin 1549, kështjella iu rikthye në pronësi familjes mbretërore. [14]

Pas vdekjes të dy vellezërve Gjonit dhe Ferrante, Alfonso mori drejtimin e dukatit, duke i bashkuar të gjitha feudet e familjes Granai - Kastrioti. Për të shmangur ndarjet e pronave, Alfonso organizoi martesa të fëmijëve të tij me nipat dhe mbesat. Djalin Antonio, konte i Kopertino e martoi me mbesën Marie, e cila ishte trashëgimtare e feudeve të xhaxhait Gjonit; djalin tjetër Xhiovani e martoi me mbesën Xhiovana, trashegimtare e feudeve të Ferrante. Mbesën Hipolita, vajzën e Ferrante e martoi me kontin Becci. Vajzat e veta i martoi me familjet më të rëndesishme napolitane.

Alfonso Granai Kastrioti në shtator 1518 u martua me dukeshën Kamilla Gonzaga e Mantova, martesë e pasqyruar ne lapiden qe ndodhet ne porten e keshtjelles te Kopertino: "D. Alphonsus  Castriota Atripaldae dux praefectusque Caesaris illustrium D. Antonini Granai Castriotae et Mariae Castriotae coniugum ducum Ferrandinae et comitum Cupertini pater patruus et socer..." Në këtë mbishkriim shprehet qartë se Don Alfonso ishte xhaxhai dhe vjehrri i Marie Granai Kastrioti. [2, 4, 6, 14]

Më 13 korrik 1528, në kështjellën e Gallipolit, Alfonso Granai Kastrioti, markezi i Atripalda dhe nipi i tij Pirro Granai Kastrioti, në betejën e Pergolaçi, përjetuan thyerjen e ushtrisë franceze në Keshtjellën Parabita, kësisoj Alfonso mori hakun e të vellait Ferrante, i cili ishte vrarë nga francezët ne betejen e Pavia më 1525. Antonio de Ferraris (Galateo) e përshkruan figurën e Alfonso Granai Kastriotit “burre mitik dhe me sjellje galante”, në epistolarin"Ad Pyrrum Castriotam". Per aftesite dhe talentin ne impenjimet politike, ne vitin 1532, mbreti e emeroi Alfonso Granai Kastrioti këshilltar mbretëror, pranë zëvendës mbrettit Pietro di Toledo. [14]

Në vitet 1525 dhe 1535, Pirro i biri i Gjonit, së bashku me xhaxhanë Alfonsin dhe kushërirën Maria, në

kishën Shen Sebastiani e Shen Roko, i dedikuan Gjon Granai Kastriotit, një bazoriliev me korteo triumfues për fitoren kundër francezeve, një ceremoni solemne e frymëzuar nga Triumfi i Çezarit i A. Mantegna.

Alfonsi vdiq ne vitin 1544, ndersa Pirro me 1561.

Djali i madh i Alfonso, markezi Antonio nuk kishte fëmijë. Në vitin 1569, pas një vizite në Gjermani, u ndal në Venecia, ku u prit me nderime dhe respekte, madje e ftuan në një festë në Murano, ku gjatë një grindje me një fisnik venecian, u plagos rëndë në kokë dhe vdiq. Pirro kishte tre djemë Giovanni Fabio, Alfonso dhe Gaspare. Për tre vajzat e Bernardit dhe Maries, ka pak informacione.

Isabella Granai Kastrioti vdiq në vitin 1545 në kështjellën e Mignano Monte Lungo.

Johanna (Xhiovana) ishte nga më të preferuarat ne shoqerinë e nënës mbretëreshë Xhiovana III, andaj më 9 janar 1515, i dhuroi Johannes feudin e Kastellaneta dhe me dekretin e 11 janarit 1517, i akordoi titullin dukesha. Johana Kastrioti Granai vdiq në vitin 1519.

Kamilla Kastrioti Granai, ishte e martuar me Ferdinando Giambatista Karaçiolo. Vdiq në vitin 1557.

Trashegimtarët e këtyre brezave të hershëm të familjes Granai – Kastrioti jetojnë kryesisht në provincën e Leçes dhe të Kampanja, por dhe shumë janë të shperndarë dhe në treva të tjerë të Italisë.

Literatura

1. Zacchino Vittorio. Primordio Luigi Galatone da Malacarne a oggi (1407-2007)  Edit Santoro Galatina  (Lecce) 2006.

2. Giovannni Musachi: La storia e l‘eredità da generazione a generazione della famiglia dei Muzaka. Napoli, 1510.

3. Paolo Giovio. Dialogo sugli uomini e le donne illustri del nostro tempo. Vol. 1. Ribotim 2016

4. Paolo Petta, Despoti d'Epiro e principi di macedonia, Lecce, Argo, 2000, p. 61- 67

5. Biografia Andronica Arianiti Commeno, su castriotascanderbeg.it. URL consultato il 15 settembre 2019.

6. Salvatore Panareo, Trattative coi turchi durante la guerra d'Otranto (1480-81), Bari, S.E.T, 1931, p. 177.

7. Marino Sanuto, I Diarii, Tomo III, Venezia, Marco Visentini, 1880, p. 301.

8. James Gairdner, Historia Regis Henrici Septimi, a Bernardo Andrea Tholosate Conscripta: Necnon Alia Quaedam ad Eundem Regem Spectantia, London, Longman, Brown, Green, Longmans, and Roberts, 1858, p. 223.

9. Filangieri R. Castel Nuovo Reggia angioina e aragonese di Napoli. Napoli, 1934

10. Vittorio Zacchino. Francesco Bellotto scultore di Nardò e il cinquecentesco corteo trionfale della chiesa di S. Sebastiano a Galatone. Fondazione Terra di Otranto. 20. 12. 2012.

11. Papas Francesco Chetta-Schirò, I Castriota Principi D'Albania nell'Ordine Sovrano Militare di Malta, Malta, Valletta, 1929, p. 38.

12. Erasmo Ricca. La Nobiltà del Regno delle due Sicilie, vol. 1, Napoli, Agostino de Pasquale, 1859, p 64.

13. Giovanni Antonio Summonte, Historia della cittá e regno di Napoli , Tomo V, Napoli, R. Gessari, 1749, pp. 102.

14. Floristán, J. M. Sociedad, economía y religión en las comunidades griega y albanesa de Nápoles y Sicilia: nuevos documentos inéditos in: Erytheia, Revista de Estudios Bizantinos y Neogriegos, vol. 37, 2013, p. 133.

15. Giancarlo Vallone.  Pirro Granai Castriota educato a Copertino. Intervento di (IL BARDO ANNO I ,

Nr. 1, Settembre 1991.

16. Tommaso Indelli. Gli Aragonesi nel Mezzogiorno d’Italia. Università degli Studi di Salerno. 20. 07. 2016

17. Gennaro Bacile di Castiglione. Il castello di Copertino. Rivista: Napoli Nobilissimo. Vol XIII. 1904, f 68