Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Pranvera

| E hene, 12.04.2021, 12:42 PM |


Pranvera

Nga Edison Ypi

Pranvera konservative po përforcon dyshimet e frikëshme sipas të cilave nëse konservativët e së shkuarës sonë kanë qënë sadopak të ngjajshëm me konservativët e sotëm, kurvi paska qënë zgjedhja më e mirë.

Pranvera psikiatrike ka shtuar dukshëm numurin e shqiptarëve delirantë të çartallosur pa asnjë lidhje me realitetin. Të mendosh se të tillët po të mos jenë delirantë nuk mund të jenë gjë tjetër veçse copa mishi, nis e shkul leshrat nga tmerri.

Pranvera historike po hedh dritë mbi sjelljen e çuditëshme të heronjve tanë historikë, të cilët, të përndjekur nga greku, serbi, jo rrallë edhe shqiptari, kurrë nuk vijnë, kurrë nuk përballen, vetëm ikin, vetëm largohen, vetëm fshihen dhe vetëm mburren.

Pranvera kulturore artistike, me llapaqena materialistë qurravitës që kërkojnë ndihmë nga shteti, e ka shpallur me kohë falimentin.

Pranvera muzikore, më mirë të mos kishte ardhur. Është e tëra një vorrezë për shurdha.

Pranvera sentimentale është çfaqur përmes një risie linguistike; Femrat kanë nisur t'i cilësojnë meshkujt "kurva".

Pranvera mediatike po vazhdon të ketë për protagonistë po ata budallenj e budallaqe që i thonë të ftuarit; "Më kënaqe me përgjigjen tënde", pra sikur i ftuari nuk ka ardhur të informojë publikun, por të zbavisi budallain.

Pranvera dermatologjike po çfaqet me krruajtje të forta deri në gjakosje të brimës së fundshpinës.

Pranvera elektorale ka ardhur me premtime për lindjen e bebeve të cilat kur të rriten nuk do kenë nevojë të zënë punë me dorë, vetëm do hanë e do pinë, do vishen e do mbathen.

Pranvera stomatologjike do ta përhapi edhe më tepër modën e dhëmbëve të mëdha sa të kalit, të bardhë si allçi, gjeometri të përsosur si të bërë me kompjuter.

Pranvera filozofike e sivjetme do mbajë një kongres me pjesëmarrjen e budallenjve nga të gjitha trevat për zgjidhjen e enigmës; Shqipëtari udhëhiqet nga instinkti i kopesë, skllavit, strucit, veshgjatit, gjarpërit, skiles, kunadhes, pulës, apo lepurit ?

Pranvera politike do përforcojë trendin e kahershëm të politikës shqiptare, e cila nuk përbëhet nga njerëz që e meritojnë, por nga llumra me iniciativë të ekzagjeruar që mbushin boshllëqet e atyre që përgatitjen e duhur e kanë, por ngaqë nuk preferojnë të ndoten, pjesëmarrjen e refuzojnë.

Pranvera reumatike po bën sa mundet për ndarjen e kockave nga muskujt në pritje që pas pak të gjitha kockat të thahen, dhe të gjitha muskujt të kalben.

Pranvera farmaceutike, po bën çmos ti bindi shqiptarët se të gjitha ilaçet për kurimin e sëmundjeve i kanë brenda vetes. Është këshillë e mirë. Halli se shqiptarët nuk e besojnë.

Pranvera virtuale, do vazhdojë ti largojë njerëzit nga njëri-tjetri, derisa i vetmi mik inorganik prej të cilit një mikeshë albuminoidale do pranojë të depërtohet, do mbetet celulari.

Pranvera gastronomike me mishra dhe duhma rakie do kapi rekordin shtazarak para të cilit kazanat e përvjellur të magjistricave do duken gosti mbretërore.

Pranvera nekrofilike po vjen me sugjerimin shpëtimtar; "Vdis para se të kuptosh sa budalla je".

Nëse pranvera e aromës së Blirit, cicërrimave të zogjve, gurgullimit të krojeve, kaltërisë së qiejve, do mungojë vetëm këtë vit apo përgjithmonë, kjo varet nga rezultati i zgjedhjeve parlamentare.