E enjte, 18.04.2024, 07:47 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Sami Repishti: Nën hijen e Rozafës (XIII)

E shtune, 29.11.2008, 11:33 AM


SAMI REPISHTI
Nën hijen e Rozafës
Narrativë e jetueme

 

XIII

 

20 nandor 1947. Grupi jonë kishte njizetedy të burgosun, të lidhun me zinxhirë dy nga dy, e të rrethuem nga dy rreshta partizanësh të armatosun. Dy të parët ishin klerikë: nji frat françeskan e nji imam. Të tjerët ishin katundarë, tregtarë, dy studentë e nji ipeshkev shqiptar katolik. Porsa dolëm jashtë derës së Sigurimit, që gjindej në rrugën kryesore, nji turmë histerike filloi thirrjet: “Trathëtarë! Trathëtarë! Plumbin ballit! Plumbin ballit!” Asnjeni prej nuk foli, as që u trondit nga kjo çoroditje qytetare. Në mesin e mijëra personave qe mbushnin trotuaret e rrugës që çonte në sallën e gjyqit, shumica ishin të heshtun.

Karvani jonë ecte ngadalë e dinjitoz, sikur të mos ishte i ndërgjegjshëm për aktin komik të gjykimit, të cilit po i nënshtrohej pa kondita. Përkundrazi, na dukej sikur merrshim fuqi nga shikimet plot dhimbje, heshtjen respektuese, e gjestet e mshehta të inkurajimit. Gjithçka tek këto shikues të frikësuem, tregonte admirimin e brendshëm të masës, që nuk gjente guximin me folë.

Nga vuejtja e gjatë e përshtypja e fortë që më bani turma mbas nji izolimi afër katërmbëdhjetë mujor, nuk isha në gjendje më njohë njeri. Të gjithë më dukeshin fytyra të panjohuna në këtë skenë, sa të dhimbshme, aq edhe të urrejtshme. Zanet e çjerruna të elementit komunist e ndjekësve të tyne, mbulojshin çdo zhurmë tjetër rreth e përqark. Natyra e tyne e mbrapshtë, i jepte edhe ma shumë dinjitet kortezhit të viktimave, që ecte me hap të rregullt drejt Gjykatores, ku do të vendosej “vdekja” e tyne me pushkatim...!

Para meje, i lidhun shtrëngueshëm me zinxhirë, si të tjerët, ecte nji plak i plagosun në kambë. Mosha e kalueme, vuejtjet e burgut e dhimbja e plagës i krijojshin vështirësi të mëdha. Sa herë që shikojsha në profil këtë fytyrë të rrudhun nga mosha e puna e randë, e buzën që ai kafshonte me dhambë që të mos lëshonte as fshamje, as ankesë, vrejsha ballin e tij, të mbuluem pjesërisht me nji shami ngjyrë të zezë, pika djersë në këtë ditë nandori. Vetëm ai grusht eshtnash të thatë e dinte dhimbjen, që e përshkonte! Kryenalt, shenjt pafajnie, për ma shumë se shtatëdhjetë vjet në nji vend që vetëm kërkoi e mori nga ai, ky malësor i heshtun dukej plotësisht i vendosun, mos me u dhanë kënaqësi shikuesve, atyne fytyrave të zgërdhime, qoftë edhe me nxjerrjen e nji zani të vetëm, që do të tradhëtonte dobësinë trupore të viktimës.

Rreth e rrotull meje pashë fytyra, e përsëri fytyra: të panjohuna, të errëta, misterioze, të pashprehje, fytyra që pyesin, fytyra të çorodituna nga fryma e urrejtjes, fytyra... Ishte nji mostër e vogël e botës shqiptarë të asaj kohe: guxim, indiferencë, frikë, shpresë, urrejtje e persekutim...! Kjo turmë të shtypunish, që shikonte viktimat e luftës për lirinë e tyne, e që nuk gjente guximin me shprehë solidaritetin me ata që sakrifikoheshin, më vente në nji dilemë. Si t’a gjykoj këtë masë të paralizueme vllaznish e motrash të mia? Mëshirë apo dënim? Kisha frikë, se nga kjo gjendje pa lëvizje, pa jetë, vetëm vdekja mund të vijë, vdekja e nji shoqnie...! Shoqnimi i të burgosunve me roje të armatosuna, e parakalimi i tyne para masave që kërkojshin vdekjen tonë me nji përsëritje refreni, e tërbimit, të qenve që u tregohet copa e mishit e u mohohet, njëkohësisht. Vetëm pamja e figurave të shëmtueme që thrritshin “hakmarrje, hakmarrje”, me za e gjeste histerike, mjaftonte me coptue zemrën e cilitdo, që mendonte e ndiente për nji tjetër qenie njerëzore. Nuk më besohej se vllaznit e motrat e vendit tim, ishin aq të etshëm për gjakun tonë. Atë ditë pashë me sytë e mij! Çfarë rreziku shkaktonte studenti njizetë e dy vjeçar, që kërkonte vetëm të drejtën me jetue i lirë?

*

Salla e kinemasë së qytetit, ishte kthye në sallë gjyqi. Njizet e dy karrika ishin rreshtue në vendin ku zakonisht rrinte orkestra. U ulëm simbas urdhnit të rojeve, tue pritë në heshtje ardhjen e trupit gjykues. Larg nga trupi, ishin tryezat e avokatëve, që nuk lejoheshin me marrë kontakt me “klientët”. Rreth e rrotull grupit qëndrojshin me armë në dorë rojet e kuqe. Nji polic kontrollonte mikrofonët. Të tjerë shkojshin e vijshin, sikur ishin të zanë me punë të randësishme. Salla ishte e mbushun plot me aktivistë, të zgjedhun me kujdes nga “pushteti popullor”. Ata përfaqësojshin “popullin”, në emën të të cilit, nji Gjykatore Ushtarake Speciale e “popullit”, gjykonte aktet tona kriminale kundër “popullit”. Ende pa hy në sallë, ndigjova nji kor zanesh të çjerrun, që përsëriste parrullat pro-qeveritare, kangë partizane, e herë mbas here, sikur të ishte nji orkestër e drejtueme nga konduktori, shpërthente me thirrje: “Poshtë trathëtarët! Kriminelët në litar!”. Rojet shikojshin e buzëqeshnin me kënaqësinë e idiotit, që i pëlqen zhurma rreth e rrotull vehtes. Në pozitën e vet, roja e kuqe e armatosun qëndronte në kambë, simbol i forcës brute që ushtrohej pa mëshirë e pa ligj kundër nesh, e buzëqeshte. Shikoj turmën e çmendun nga urrejtja, e të dehun nga fryma historike, që bashkimi i zaneve të qindra idiotëve prodhonte në sallë, dhe nga era e gjakut tonë që kërkojshin. Njoha disa nga ata ma të zashmit. Ishin familjarë të dëshmorëve të ramë gjatë luftës. Nuk ishte hera e parë, sepse të njëjtat fytyra delshin në skenë, çdo herë që manifestohej në qytet, ose në “gjyqet e popullit”. Ishte e zakonshme që turma të këtilla të zhurmshme të ndjekshin rreshtat e të burgosunve, e sidomos kur në mesin e grupeve kishte klerikë katolikë, objekti ma nevralgjik i propagandës komuniste në Shqipni. Fyemje, shamje, pështyma e përpjekje me i rrahë gjatë rrugës, ishin ba të zakonshme, gjithherë me urdhën të “autoritetit”. I ulun në mes dy katundarësh, bujq nga Postrriba, kisha nji ndjenjë të çuditshme. Si ishte e mundun, që urrejtja të mbushte zemrat e nanave, e familjarëve të “dëshmorëve”, deri në atë pikë, sa me kërkue gjakun e të panjohunve me shue dhimbjen e humbjes së tyne? Si ishte e mundun, që nana e “dëshmorit”, ish shoku i im i rinisë, e për të cilin unë kisha derdhë lotë dy vjet ma parë kur mbeti i vramë, sot çirret para meje tue përsëritë: “Vdekje trathëtarëve!”, e tue me shikue drejt në sy, mue, shokun e djalit të vramë? Kjo çoroditje shpirtnore, që kultivonte me kujdes propaganda komuniste në Shqipni më trishtonte, sepse nuk premtonte asgja të mirë. E unë gjindesha në qendër të stuhisë! Me hymjen e trupit gjykues – tre gjykatës dhe nji prokuror publik – hyni edhe grupi i katër avokatëve, që do të mbrojshin njizetedy të akuzuem. Disa nga grupi jonë, katundarë e dy klerikët, nuk ishin avokatë mbrojtës. U ngritëm në kambë, e u ulëm përsëri me urdhën. Në fillim, prokurori lexoi nji aktakuzë të përgjithshme, ku përfshiheshin akuzat ma absurde e të përbashkëta për grupin tonë, thellësisht heterogjen. Simbas prokurorit, grupi jonë, që nuk njihte njeni-tjetrin, kishte konspirue me rrëzue “pushtetin popullor”, me ndihmën e “reaksionit ndërkombëtar anglo-amerikan” dhe se kjo veprimtari ishte zbulue me kohë nga “vigjilenca revolucionare e Partisë dhe popullit”. Gjuha e prokurorit, që na cilësonte të gjithëve si individë të poshtër, pa karakter, në shërbim të të huejit dhe trathëtarë të atdheut, nuk ishte e re. E kisha ndigjue sa herë ma parë në emisionet radiofonike të qytetit e kryeqytetit, gjatë nji rreshti të gjatë procesesh gjyqësore të zhvillueme sidomos në Shkodër, kundër “reaksionarëve” e “klerit katolik”. Por të ndigjojsha fjalimet e pafund të prokurorit që përsëritën, e subjekti i sulmit isha unë, me shpatën e Demokleut mbi kokë, ishte nji përvojë tmerruese, jo vetëm për rrjedhimet katastrofale që mund të ndiqshin, por edhe për tronditjen e bindjeve të mia politike, të rrugës sime të zgjedhun me ndërgjegje, e vendosmënisë sime me vazhdue. Të shqiptueme me solemnitetin që krijohet zakonisht në sallat e gjyqit, fjalët e prokurorit, megjithë përmbajtjen e tonin e tyre propagandistik, bajshin efektin e vet. Koncepti im për sistemin gjyqësor, si mbrojtës i të drejtave qytetare, ishte akoma i fortë, por skenari që përjetojsha atë ditë e dërrmoi ate plotësisht. Dy shokët e mij përreth, nuk kuptojshin gja nga frazeologjia e përdorun, e kërkojshin shpjegime që u mundova me përmbledhë, tue dhanë thelbin e aktakuzës me pak fjalë. Ata ulën kokën. Njeni lutej në heshtje, krejtësisht i shkëputun nga ajo që ngjiste në sallë. Tjetri, shikonte prokurorin e përpiqej me kuptue diçka. Të burgosunit e tjerë, ndigjojshin në heshtje aktakuzën e përgjithshme. Çdoherë që prokurori ngrente zanin, si me urdhën, salla shpërthente me thirrje: “Poshtë trathëtarët! Plumbin ballit!”. Ishte nji komedi makabre, që zgjati ma shumë se nji orë, me përsëritje e ripërsëritje të së njajtës temë...” Fjala e prokurorit u prit me duartrokitje frenetike e të gjata e me kërkesën e dënimit tonë me vdekje. Turma ishte ngritë në kambë, e me nji ovacion përshëndeste prokurorin, që buzëqeshte me nji kënaqësi të veçantë. Kur thirrjet pushuen, rojet na nxorrën nga salla. Autoritetet, të shqetësueme nga heshtja e shumicës së madhe të popullit gjatë kalimit tonë në rrugët kryesore, na vunë në nji kamion ushtarak të mbyllun, larg syve të masës, që priste jashtë. Kjo mënyrë transportimi, u mbajt deri në fund të gjykimit. Ishte prova e dështimit të propagandës qeveritare në popull.

Të nesërmen, përsëri me urdhën nga Kryetari i Gjyqit, filloi pyetja e secilit nga ne me rradhë. Shumë nga të akuzuemit, nuk kuptojshin aktakuzën, e nuk përgjigjeshin. “Kjo do të thotë se e pranon”, përfundonte kryetari. Të tjerë përgjigjeshin, se nuk e kuptojshin. Kryetari zemërohej e me nji ton tallës përgjigjej: “Natyrisht, tani nuk kupton gjë...Po ama, krimin e bërë, aq e kuptove apo jo?” Disa herë shkëmbimi merrte ngjyra komike, sikur dialogu të ishte ne dy gjuhë të hueja. “I akuzuemi”, akuzohej përsëri për kokëfortësi e refuzim me pranue fajin ose me kërkue falje, ndërsa viktima kthehej në vend pa dijtë se çka bahej në kurriz të tij. Mbi procesin gjyqësor, mbretnonte absurditeti! Akuza kundër meje, u ba me leximin e pjesës së parë të procesit të firmuem në hetuesi. Paragrafe të plota lexoheshin nga kryetari dhe ndiqte pyetja, “e pranon”? Çdo here qe bana përpjekje për sqarim, sepse aktakuza nuk reflektonte deklaratat e mia, kryetari ndërhynte me nji ton kërcënues: “I pandehur, e pranon apo jo?” U gjeta në nji situatë jashtzakonisht të vështirë! Pohimi më randonte me veprimtari të pakryeme, ndërsa mohimi ishte nënshtrimi torturës mbas kthimit në qeli. Këtë e kishin ba të qartë oficerët në zyrat e hetuesisë, dhe në qeli para daljes në gjyq. Nji “po”, ose nji “jo” të preme, ashtu si e kërkonte kryetari ishte nji grackë për të akuzuemin, megjithëse unë isha plotësisht i bindun se dënimet nuk jepeshin nga Gjykata por nga Komiteti i Partisë së Qytetit. Gjykata, ishte nji fasadë “legale” e aktit ilegal të Partisë. Por tortura, ishte diçka tjetër. Me u kthye në qeli e me iu nënshtrue torturës së pamëshirshme për orë të gjata, ishte frika e madhe që më mbulonte si rroba e vdekjes. Djersë të ftohta më mbuluen trupin. Në këtë gjendje tensioni te papershkrueshëm, fillova të them, “Nuk më kujtohet, zoti kryetar!” Atëherë, ngrihej prokurori e sulmonte me nji frazeologji, që provonte se nuk e kishte të qartë përmbajtjen e procesit tim. Ai më akuzonte për vepra jashtë “procesit” tim. Kjo më lejoi disa herë të sqarohem, ose të them drejtpërdrejti: “Nuk ashtë në procesin tim, zoti kryetar!” Prokurori zemërohej, shfletonte procesin, nervozohej e përgjigjej: “Sidoqoftë, ti je fajtor për veprimtari kriminale...Ti nuk do t’i shpëtosh drejtësisë...!” I shqetësuem nga konfuzioni i krijuem, kryetari e ndërpreu, e më pyeti: - E pranon procesin që ke firmuar?” - Po!”, përgjegja, i vendosun mos me kalue edhe nji sesion tjetër torturë në Sigurim. - Ulu!”, urdhnoi. Avokati më hodhi nji shikim, e nuk e hapi gojën fare. Skenari ma i dhimbshëm, u përjetue me aktakuzën e Ipeshkvit të Zadrimës. Krejtësisht i pafajshëm, kleriku i naltë u përgjegj me guxim, e mohoi çdo akuzë që iu drejtue, atij ose Kishës katolike. Në nji moment ballafaqimi të ashpër, kur kryetari e pyeti me përbuzje: - Cili je ti që flet kështu?”, prelati katolik u përgjegj me za të plotë: “Jam Ipeshkev i Kishës Katolike Apostolike Romane Shqiptare”. Salla ra në heshtje të plotë për disa sekonda. Kryetari u gjet i papërgatitun, e prokurori me nji za të fuqishëm ia ktheu: “Ti je nji tradhëtar! Ja cili je ti, nji armik i betuar i popullit!” Ipeshkvi nuk u përgjegj. Fjalët e prokurorit u ndoqën me thirrje të çmenduna të shikuesve në sallë: “Poshtë trathëtarët! Poshtë trathëtarët!” E mandej, si me nji urdhën, turma filloi të këndojë kangë partizane. Në sallë u ba nji rrëmujë e madhe. Para mikrofonit, ipeshkvi i patundun, shikonte trupin gjykues që lejonte nji manifestim publik në sallë, e heshte. Prokurori, qëndronte në kambë, e shijonte plotësisht këtë manifestim “spontan” popullor. Rojet tona qeshnin. Na ishim ngri në karriket tona nga qëndrimi burrnor i ipeshkvit, nga manifestimi skandaloz i gjykatës e kthimi i procesit gjyqësor në nji komedi politike, me gjithë elementin tragjik, që e përshkonte atë anembanë. Mbas “pretencës” së prokurorit ku “u vërtetua katërcipërisht” veprimtaria anmiqsore e të gjithë të akuzuemeve, u paraqitën “avokatët”, të cilët njeni mbas tjetrit, kërkuen mëshirë për klientët e tyne, pa u konsultue me asnjenin nga ne, e pa shtue asgja më shumë. Kjo sjellje meskine më dukej ma shumë si nji marrëveshje e heshtun e përfundueme në mes të gjykatësit e avokatëve mbrojtës, mizerabel në detyrën e tyne nga frika e për hir të sigurimit të nji cope bukë pa nder. Gjykatësit ishin kambëngulës mos me lejue asnji alibi për avokatin, ose çfardo arsyetimi gjyqsor, teknik ose thelbësor, që mund të provonte të kundërtën e akuzës së prokurorit. Por avokati ishte i lirë me përgatitë nji mbrojtje tue i ba thirrje “klemencës” e “humanizmit” të trupit gjykues që të kishte mëshirë për nji të ri, nji të vorfën analfabet, ose nji fshatar që nuk njihte veçse punën bujqësore, ose nji malsor që nuk kishte pa kurrë qytetin me sy.... Vendimi i Gjykatës ishte ma i ashpër se pritej. Nandë të akuzueme, tue përfshi edhe ipeshkvin, u dënuen me vdekje. Të tjerët morën dënime nga 15 vjet, ashtu si unë, deri në burgim te perjetshem. Rezistenca kundër komunizmit fitoi ato ditë nji dimension të ri. Përvoja e “gjykimit” më jepte landë plotësuese për formimin tim politik të matejshëm, mburojë ma të fortë në luftën kundër çoroditjes së propagandës komuniste në vendin tonë. Kjo përvojë çelnikosi vullnetin tim me luftue çdo lloj diktature, e kryesisht diktaturën e kuqe staliniste!

*

Me këthimin në burgun e Sigurimit, të dënuemët me vdekje u ndanë nga na. Të mbyllun në qeli të veçanta, ata pritshin ditën e ekzekutimit. Në mbramjen e asaj dite fatale, lampa elektrike në qelitë tona nuk u shue. Rojet kalojshin para dyerve, hapshin dritoret e vogla e bajshin të njajtën pyetje bajate: “E mo, sa vite të dhanë?” Nga neveritja, nuk tregova të vërtetën. E përgjegja e tyne ishte po aq bajate: “E mo, i shpëtove plumbit? Mos u anko!” sikur dënimi me pesëmbëdhjetë vjet të gjata në burg ishte asgja ma shumë se nji shëtitje në lulishten popullore. Mbas gjithë kësaj vuejtje vinte edhe tallja...! Në heshtjen e qelisë, mendimi më shkonte te shokët e grupit që u dënuen me vdekje, nji dënim që asnjeni nuk e meritonte. Që nga ipeshkvi viktimë e paragjykimeve anti-katolike deri te malësorët e akuzueme për pjesmarrje në Lëvizjen e Postribës, asnjeni nuk ishte fajtor i nji krimi që meritonte dënimin me vdekje. Vete fakti se nandë prej tyne u dënuen me pushkatim tregonte thellësinë e pakonceptueshme të urrejtjes së “pushtetit” për “armiqtë”, e monstruozitetin e padrejtësisë që zbatohej kundër tyne. Të mbyllun në qelitë e Sigurimit, nandë viktimat e reja të diktaturës së kuqe do të kalojshin ditët pa dritë e netët e errëta vetëm, pa kontakte me familje, pa ushqim e pa gjumë nga ankthi i pritjes së mëngjezit vdeksor e daljes para skuadrës së kuqe të ekzekutimit. Trajtimi i tyne gjatë këtyne ditëve ishte shtazarak, e tregimet e të tjerëve paraqitshin sjelljet e rojeve e oficerëve si ata të gardianëve në cirkuset e Romës antike: i nxirrnin të dënuemit, i shajshin, i rrahshin keq, provokojshin përgjegjet e tyne që, në mentalitetin e Sigurimit, ishte justifikim për tortura të reja. Për kokëfortët, Sigurimi kishte “zbulue” thyemjen e kockave te kambëve para ekzekutimit me qëllim që të pamundësohej arratisja e tyne... Atë natë, nuk mbylla sy nga tronditja e pranisë së vdekjes që hidhte vallen makabre në nandë qeli rreth meje...” Të nesërmen, të dënuemët me vjete të gjata burgimi u transferuen në burgun e përgjithshëm të Shkodrës!

*

28 Nandor 1947. Në orët e para të mëngjezit, mbledhim leckat e përgatitemi për transferim në burgun e madh. Të lidhun dy nga dy me zinxhirë në njenën dorë, me dorën tjetër mbajshim mbi kurriz rrobet qe na sherbejshin si shtrat fjetje. Binte nji shi i imte, i vazhdueshem, i mërzitshëm, siç është zakonisht shiu në Shkodër. Nga oborri i Sigurimit, të rrethueme nga nji skuadër rojesh të kuqe, në vargje të gjatë, njeni mbas tjetrit, dolëm nga dera kryesore e u drejtuem kah burgu i madh. Ishte dita e flamurit! Në ndërtesat qeveritare e dyqanet e tregut shiheshin flamujt kuq e zi me yllin partizan. Të lagun nga shiu, asnji nuk valonte. Ishin të varun, e nga cepat e fundit kullojshin pika uji që më dukeshin pika loti të derdhun nga simboli i shenjtë para tragjedisë sonë kombëtare. Edhe natyra qante bashkë me njeriun në këtë ditë flamuri të ftohtë, të lagët, të mjerë, që nuk shihte festim. Në të dy anët e rrugës, udhëtarët ishin të paktë, sikur bota të ishte lodhë nga pamjet e dhimbshme të këtyne ditëve. Ata që shiheshin, shikojshin kolonën tonë që ecte nën shi, të rrethueme, të kërrusun nën peshën e leckave, e heshtënin. Asnji za, asnji gjesht. Por, unë shihsha në këtë heshtje nji nga format ma të respektueshme të mirënjohjes për vuejtjet tona, shprehjen e mëshirës nga ata që i mundonte frika, solidaritetin vëllazënor të atyne që nuk kishin guximin me u revoltue haptas. Ndoshta, mendojsha në këtë moment, unë, viktima e terorrit të kuq, përfaqësojsha për këto qenie të frikësueme anën heroike të rezistencës kundër diktaturës kuqe. Ky mendim më ngriti, më gjallnoi, e më dha kurajon e duhun me mbajtë kokën nalt gjatë këtij marshi të forcuem. Në mbrendinë time, fillova të besoj se lutjet e heshtuna të kalimtarëve të paktë më ndiqshin hap mbas hapi, deri sa kaluem prakun e burgut të madh, e u bashkuem me masën e gjanë e fatkeqe të kësaj ndërtese të vjetër, të ndytë, të akullt që për ma shumë se nji shekull kishte ndrydhë mendjet e dërrmue trupat e lodhun të mijëra të burgosunëve. I burgosuni që mbahej lidhun për dorën time u trondit shumë kur pau vehten në oborrin e burgut që do të ishte banesa e tij për shumë vjet të gjata. E shikova me dhimbje e u përpoqa me e qetësue. Ai uli kokën, e tue fshi pikat e shiut nga fëtyra, e ndoshta edhe lotët, u përgjegj: “Ti je i ri, lum djali! Nuk e din çka don të thotë me qenë prind me gruen pa ndihmë, e fëmijët që rriten jetim...e unë këtu jetoj me konop në qafë!” Mandej, u mendue pak, e me nji gjysëm zani, tue me shikue drejt në fëtyrë, shtoi: “Për ne, lum djali, s’ka mbetë tjetër veçse me vdekë!”

*

Mbas nji kontrolli të imtë të trupit e rrobeve, u ba regjistrimi formal në zyrë prej nji drejtori me sjellje bishe. Të burgosunit e rij u shpërndanë nëpër dhomat e burgut të mbushuna plot e përplot. Pritja e ngrohtë që gjetëm ishte e pabesueshme. Të njohun e të panjohun çdo njeni përpiqej me na dhanë zemër, me ndihmue, me lehtësue përshtypjen e keqe e të randë të ditës parë në burg.. U mallëngjeva nga nji ndryshim kaq i madh i rrethanave. Ma në fund, nuk isha vetëm. Katërmbëdhjetë muej në qeli, ma së shumti i izoluem e vazhdimisht i torturuem, kishin ba efektin e tyne. Nuk gjejsha fjale me thanë. Gjatë kësaj periudhe vuejtjesh thuejse kisha harrue ngrohtësinë e atyne që më dojshin. Për fatin tonë, drejtoria e burgut lejonte çdo të ardhuni me u pastrue në banjo, nji qeli çimentoje me tuba uji të ngrohtë. Pastrimi i trupit për të parën herë mbas nji kohe kaq të gjatë, më dha nji kënaqësi që nuk e spjegojsha, e pata përshtypjen që po hyjsha përsëri në jetën normale. Ujë! Banjë! Pastrim! A ka mundësi? Rrobet e fjetjes e leckat ishin të mbushuna me morra. Nuk lejuen me i prue në dhomë. Të lidhun së bashku duheshin nxjerrë përjashta për pastrim nga familja. Gjatë natës së parë fjeta në korridor i veshun me rrobe të huazueme nga nji shok. Bante të ftohtë. Dritorja, për arsye sigurie, nuk kishte xhama. Era e nji shi i imtë hyjshin mbrendë. Herë mbas here, ngritsha kokën me pa oborrin e burgut por me kujdes të mos shihte roja. Me duer e kambë pa pranga për herë të parë mbas kaq kohë, lëvizësha kambët, kryqëzojsha krahët e më dukej e çuditshme që isha i palidhun. I lirë në rrethana të këtilla, edhe nji kënaqsi kaq fillestare merrte përpjestime të jashtëzakonshme. Nga dhoma pranë, ndigjojsha gërrhimat e të burgosunëve të fjetun. Megjithëse i këputun për gjumë, të ftohtit e korridorit nuk më lente me mbyllë sytë. Isha mbështetë për mur, në nji qoshe sa ma larg dritores e fërfëllimës së erës, e përpiqesha me u qetësue. Duhet të ketë qenë mbas mesnate kur ndigjova kambët e rojeve në oborr, hapjen e derës së nji qelie, e disa zane të mbytuna që nuk i kuptova. U afrova pranë dritores. Nga qelia doli nji burrë në moshë të re i lidhun me hekura e litar, e i mbajtun nga të dy krahët prej rojeve të kuqe. Në dritën e llampës elektrike pashë fëtyrën e tij, e njoha frikën që shprehej në të. Viktima shikoi rreth e rrotull e më zbuloi në dritore. Menjiherë, shprehja e tij ndryshoi, sikur kuptoi se nji vëlla në vuejtje ishte aty, bashkë me të, e dëshmitar. Ishte nji skenë joreale! Ata që besojnë në Krijuesin, do të kishin pa praninë e Tij në buzëqeshjen e asaj viktime. Sa shumë peshon prania e nji qenie njerëzore në momente vendimtare të jetës sonë kur gjindemi vetëm, vetëm para vdekjes. Solidariteti i të mjerëvet ashtë nji dhuratë e paçmueshme, ashtë prania hyjnore në jetën e qenieve tokësore që vuejnë! Si të kishte qenë frymëzue nga diçka qiellore, viktima lëkundi me fuqi trupin e ngarkuem me hekura e litar, e thirri me të gjithë fuqinë që kishte: “Lamtumirë vëllazën! Poshtë Enver Hoxha!” sikur donte me mbajtë kontaktin e fundit me botën që lente përfundimisht, e me vëllaznit në vuejtje. Diçka tjetër deshti me thanë por nuk e lejuene. Nji breshni shkopijsh e shkelmash e heshti në vend. Ndigjova vetëm gjamet e zanin e tij të mbytun, që shuhej dalë nga dalë sa herë që i bijshin me drue. Ma shumë se dhjetë oficerë e roje të kuqe qëndrojshin rreth e përqark tij, seicili prej tyne tue u përpjekë me i ra me drue të paktën nji herë, derisa viktima u shtri për tokë e zani ti nuk u ndigjue ma. Atëherë, nji lum shamjesh të ndyta e nji valë gazi histerik ndoqën vdekjen e dhuneshme të viktimës së re. U tërhoqa menjiherë nga frika e rojes e tmerrit që dëshmova, e në qoshen e ftohtë të korridorit që më ngrinte gjakun atë natë fatkeqe, i pafuqishëm e zemër-plasun, derdha lotë të ngrohtë që u rrokullisën mbi faqet e akullta. Nga poshtë vinte fëshfërima që bante trupi jetëshuem që rojet e kuqe tërhiqshin zvarrë mbi çimenton e oborrit. Mbi burgun ra përsëri qetësia e natës që thelloi edhe ma shumë ankthin e vdekjes në atë shpellë mjerimi.

*

Jeta në dhomën Nr.7 ku me vendosën u ba monotone që në ditët e para. Mbas shkëmbimit të përvojave tona, vendin e zuni përsëritja e tregimeve të së kaluemes, ose e bisedimeve pa kuptim. Mjaft nga të burgosunit kishin nji të kalueme politike të errët, ose të dyshimtë. Ish bashkëpunëtorët e okupatorit shikojshin me cinizëm thjeshtësinë e idealizmin e të rijve të porsadalun nga banket e shkollave. Të tjerë ishin të lidhun ngushtë me rregjimet e së kaluemes dhe urojshin këthimin e tyne pa asnji ndryshim. Andrra të këtilla, sado të largëta, i mbajshin gjallë e me shpresë. Ishte nji botë që po vdiste çdo ditë e ma shumë, pa të tashme e natyrisht pa të ardhme, nji jetë mjerane, pa asnji aktivitet. Kjo masë njerëzish që na me përbuzje i quejshim “tekahyte” shpaloste nji mungesë të plotë ankthi për ditët që kalojshin pa kuptim e pa qëllim, vuente nga nji konceptim negativ i kohës, dhe nga pranimi pa pyetje i fatalitetit. Gjatë natës, ndigjojsha gërrhimat e shokëve të dhomës që flejshin, të vendosun në katër rreshta të ngushtë, gjumin e randë të plogështisë si pa gja të keqe. Zhurma e tyne monotone, e mërzitshme si vete jeta në këto vorre të hapuna, pasqyronte jetën e pakuptim ku ishim dënue me jetue, e të natës që pritej me gëzimin e ikjes së ditës pa asnji ngjarje. Atëherë, i zgjuem nga ankthi i territ të natës u bajsha nervoz, u revoltojsha e mallkojsha fatin e ata që flejshin gjumin e randë. Sa i vogël ashtë njeriu që nuk ashtë i ndërgjegjshëm për fatin e vet, për shtypjen dërrmuese të fatit, për kufizimet që fati imponon, e për fundin e paevitueshëm, shkatërrimin e plotë, pa kushte e pamëshirë të jetës. Isha i ri...! Përtej kësaj dukunie shpesh herë neveritëse, në praninë e pleqve që vuejshin, të smurëve pa shërim, e pashkolluemeve që më ngritshin nervat me gjeste e shprehje pa asnji kuptim, përveç efektit tyne provokues, gjejsha shpesh herë tek ajo turmë nji diçka që kalonte kufijt e landës që shihet e preket, përtej gjallnisë që shuhet me kohën, përtej lëkurës së rrudhun e kurrizit të dalun, përtej plagëve e dergjes në shtrat, nji diçka që nëpërmjet landës opake të trupit dritëzonte me nji rrezatim që më prekte në zemër, si gëzim, kënaqësi, paqe, frymëzim e virtyt. Kishte diçka që shpalosej, pavarësisht nga selia ku qëndronte, diçka jo-landore, harmonioze, drite-dhanëse. Pamje sublime që je ti, o qenia njerëzore, që pasunove vehten me dhantinë e mbinatyrëshme të dashunisë, e mirëkuptimit për të tjerët që vuejnë e vdesin si ti!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora