E shtune, 25.09.2021, 08:38 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Fritz Radovani: Një monument nën dhé (XV)

E shtune, 29.11.2008, 11:29 AM


Fritz Radovani de Angeliis

Një monument nën dhé

 

DON KOLEC PRENNUSHI

 

 "il futuro Cardinale d'Albania!"

At Zef Valentini S.J.

 

Don Kolec Prennushi ka lé në Shkodër me 1 janar 1902, prej prindve Pjetër e Nine Prennushi. Pjetri njihëj në Shkodër me emnin Tukja i Kol Ded Prennushit, rrobaqepës i njohtun për kostumin kombëtar shqiptar të burrave. Don Koleci kishte edhe dy axha, Dedën, tregëtar i vogël dhe At Matinë, Provinçialin e Françeskanëve të Shqipnisë, që u pushkatue prej komunistëve me 11 mars 1948. Edhe axha i babës së Don Kolecit asht kenë prift, Don Mati Prennushi, i njoftun si atdhetar. Kishte kushrinjë At Karlo Prennushin, françeskan që vdiq shumë i ri dhe Imzot Vinçenc Prennushin, Argjipeshkvi i Durrësit, që vdiq në burgun e Durrësit në vitin 1949 kur Don Koleci ndodhej në hetuesinë e Seksionit të Mbrendshëm të Shkodrës, pra, edhe ky, i arrestuem prej komunistëve. Ninja, nana e Don Kolecit, ishte vajza e pestë e Ndoc Daisë i cili u pat helmatisë nga turqit për vëprimtarinë e tij atdhetare. Banonte në Ballabane dhe rrugica Daiej, mban emnin nga shtëpia e tij e ndodhun aty (sot shtëpia e Tom Shkrelit). Don Koleci asht prifti i fundit i familjës qytetare shkodrane Prennushi, në shekullin XX.

Don Koleci kreu shkollën e mesme në Jezuitët e Shkodrës dhe vazhdoi studimët e larta teologjike në Linc të Austrisë, bashkë me shokun dhe mikun e gjithë jetës së tij, At Pjetër Meshkallën S.J., i cili iu kushtue Shoqnisë Jezu.

Don Koleci u shugurue meshtar në Shkodër me 25 qershor 1925, me një ceremoni të madhe, mbasi ishte edhe prania e At Matisë, si, edhe e At Vinçencit, të dy françeskan të njohtun. U emnue famullitar në Dajç të Bregut të Bunës, ma vonë në Barbullush, ku u pat njohtë me Don Ndre Mjedjen që ishte atëherë famullitar në Kukël. Prej Barbullushit shkoi në Mal të Kolajve dhe prap me kërkesën e fshatarëve u këthye në Dajç të Bregut të Bunës, ku mbylli jetën e tij në moshën 48 vjeçare, ditën e diele, me 2 korrik 1950, në pragun e 25 vjetorit të meshtarisë.

Don Koleci ishte natyrë e qetë, i mbyllun dhe shumë studioz. Madje, kështu ishte kenë shënue edhe në karakteristikën e sjellun nga profesorët e Universitetit Teologjik të Lincit, gja të cilën e tregonte At Meshkalla, që e kishte lexue mbas gati 40 vjetësh në Argjipeshkvinë e Shkodrës, me lejën e Imzot Ernesto Çobës. Don Koleci njihte mirë disa gjuhë të hueja. Përveç, gjuhëve që zakonisht njohin meshtarët, latinisht, italisht dhe greqishtën e vjetër, ai zotnonte gjermanishtën, frengjishtën, spanjishtën, ebraishtën dhe jo mirë anglishtën. Ai nuk kishte vështirësi me mësue gjuhët e hueja mbasi, përveç prirjes ai dinte përmendësh Ungjillin. Me anën e tij ai mësoi disa nga gjuhët e sipërpërmenduna. Këto gjuhë i përdori në disa përkthime që bani në gjuhën shqipe, të cilën e njohti mirë dhe la gjurmë edhe si letrar. Ka pasë fillue punën me një Fjalorth, ku vërehët edhe ndër shënime anësore përputhja e fjalës shqip me fjalën gjermanisht, frengjisht etj. Përkthimi ma me vlerë i tij asht kenë "Kanuni i Lekë Dukagjinit", përmbledhja e At Gjeçovit, në gjuhën gjermane. Kjo vepër asht zhdukë në vitin 1949-50. Edhe sot nuk dihët fati i saj ashtusi fati i shumë punimëve të tjera.

Ka ba edhe përkthime të tjera si: "Vizari Shpirtnuer" pjesa e Meshës, librin "Juan Mizeria", "Si mbaroi dashunia", "Shna Rroku prej Montpellier" etj. ku, spikatë mënyra me të cilën Don Koleci e ban librin aq të dashtun për lexuesin shqiptar sa, shumë vetë i kujtonin si vepra origjinale të tij dhe jo përkthime, ndonse, në faqën e parë ishte emni i autorit të veprës.

Libri "Dishmori i Golgotës", përfundoi në Sigurimin e Shtetit kur u arrestue në vitin 1948. Për këte libër do të shkruej në një kapitull të veçantë që do të lexoni ma poshtë.

Me 14 shtator 1931 botoi librin "Rrimë shtremtë e flasim ndrejtë". Libri, që në parathanje ka pikëpamjet filozofike të Don Kolecit, i cili shkruan: "Me fitimin e lirisë e të pavarsisë s'onë kombtare asht mbyllë nji kaptinë e mjerueshme e njiherit e lumnueshme në histori shqiptare.

Shqiptari i ka ulë armët e bartuna për sa kavaljete aq me nderë e ndjekë në qetinë e pagjës udhët e naltsimit shpirtnuer. Për ditë ma tepër vjen tue e kuptue gjejën e kohës së tashme; ai e ndien se botën në dit' t'ona e sundon fjala, idea, përparimi, armë ma të fuqishme se të çeliktat, qi kalojnë ngadhnjyeshëm mbi popuj tue mkamë e tue rroposë frone."

"E kështu shofim na në ditët t'ona kah shpërthen si duhi revolucioni. Prej kumonarëve, kishave, universitetëve njitet tymi i zi e përhapët mbi qytetet e trondituna prej dëgame. Votra kulture mivjeçare rrokullisën e bijnë nën majin e liberal-radikalit qi, mbi gërmadhat e parimëve të moçme kremton triumfin e ides së lirisë. Gjaku i pafaj i atyne qi guxojnë t'ushqejnë tjera ide shkon rrkajë nëpër rruga të qytetit. E në ket gjak ai njynë dorën e vet trueshkyese e shkruen mbi flamur të ri: Liberté, égalité, fraternité.

O kulturë fetare, o bolshevizëm."

"..I ngrati afetar , të fortat budalleqe do të besojë për mos me besue të vërtetat e fesë." (fq.40)

"Prangat e përjashtme, robnia e jashtme, s'asht kurgja me verigat që lidhin vullnetin".

Parullën: "Liberté (point) Egalité (point) Fraternité (point)", Don Kolec Prennushi, e përkthen në gjuhën shqipe: "Liri (aspak) Barazim (aspak) Vllaznim (aspak)"

Dhe vazhdon në fq.4: "Pse ju do të veni oroe qi Shqipnisë i ra me u zgjue prej letargisë qindvjeçare e me rilé në të njimdhetën orë, kur popujt e prendimit të plakun e të shkrimë prej nji kulture mishit, me nji fatalizëm të verbtë rrajnë gjithnji kah gryka e vorrit. Arrijtë në kulmin e zhvillimit shpirtnuer e teknik janë short me u rrokullisë tëposhtë në thelli. Vetë me duer të veta i kanë vue kazmën kulturës mivjeçare me e dërmue deri në temel".

"Me kenë socialist don me thanë me kenë njiheri antikrisht; ngadhnjimi i mbramë nuk asht i mundun pa rroposjën e krishtënimit. Kështu thote Losinsky në 1902 e bolshevikët e soçëm (socialista radikal), janë tue i vërtetue me fakte dita me ditë." (fq.22).

"Me kenë "antinacional" asht nji mkat: me kenë "internacional" d.m.th. me i mbajtë të gjitha kombët baras asht nji padrejtësi" (fq.27).....

Në librin "Zoti asht" lexojmë një dialog aktual me ateistet dhe, pikërisht, këtu, asht vlera e këtyne librave: aktualiteti, edhe pse librat janë shkrue 70 e sa vjet ma parë.

Në librin "Për Krishtin o kundra Krishtit", i shkruem në vitin 1938, që në parathanje lexojmë: "Kush rreshtohët për Krishtin e kush rreshtohët kundra Krishtit. Rreth vehtjës së Tij asht ndezë lufta ma e madhe e shpirtënve. Lufta qi racionalizmi nisi mbi katedra, ra mandej në rruga në rreshta të popullit e u ba komunizëm, bolshevizëm gjithrrënues. Sulmi i tij nuk qëllon vetëm hyjninë e Krishtit e hyjnueshmëninë e Kishës, por, edhe kullat mprojtëse të tyne: Doktrinën e revelacionit o të zbulimit; të mshehtësive, të mrekullive të dokumentëve të krishtënimit".

"Por, armët kundra vërsuljeve të anmiqve, sidomos në këte kohë kur mortaja e komunizmit ka prâ atmosferën e përgjithshme i duhët popullit me i pasë për dorësh e kundra të zakonshmëve, e kundra atyne ma të hollave qi kanë hijen e ditunisë, të cillat edhe në mos paçin mërrijtë ndër né, do të vijnë, si meturina rrënojash qi hjedh dallka e detit në bregore tona."

Parathanja mbyllët me këto fjalë:

"Zoti i së vërtetës i bekoftë gjith ata qi rreshtohën për Krishtin, por, edhe ata qi janë kundra Krishtit u dënjoftë i Lumi me i bekue, pse, na luftojmë gabimët e tyne, por shpirtënt e pavdekshëm të tyne ia porosisim mshirës së pakufi të Shelbuesit hyjnuer." (24 qershor 1938)

Don Koleci, ka edhe shumë artikuj të një rendësie të veçantë në revistat: "Leka", "Kumbona e së Diellës", "Hylli i Dritës", "Cirka", "Zani i Shna Ndout", "Lajmtari i Zemrës së Krishtit", etj. ku, shpesh , përdor edhe pseudonimin Mujs Polemi.

Don Kolec Prennushi ka hy në antologjinë e shkrimtarëve shqiptarë(1941) si letrar me prozën "Të vershuemit"(fq.221), dhe si të tillë Prof. Ernest Koliqi, e cilëson rreth vitit 1960, në Radio "Vatikani" me këto fjalë: "....Don Kolec Prennushi pat një jetë të shkurtë, por, ajo, që ndërpreu krijimtarinë e tij letrare në kulmin e saj kje mortaja komuniste, që pushtoi Shqipninë...

Me 1944 erdhi ajo kohë ku nuk bahëj ma fjalë për një letërsi të mirëfilltë...." (Citue nga Prof. Gasper Ugashi).

Don Koleci me guxim shkruan për Fishtën: "Poemi epik "Lahuta e Malcis" asht nji vade mecum i çdo atdhetari", ndërsa, për At Anton Harapin shkruan: "....Mendje dialektike qi shkruen kryeartikuj ndër të cilët disa janë kryevepra. Dieja e thellë, arsyetimi i lidhun, analizimi i holl, stili i peshuem dallojnë gjith shkrimët e tija. Mund të jetë i thatë, i ftoftë, por, ai asht i drejt e i pafajshëm." ("Hylli i Drites", 1936, fq.583. marrë nga Klajd Kapinova "Me Kryq e Pendë" fq.65.).

Kardinal Mikel Koliqi në vitin 1992, më thonte: "Don Koleci ishte nji bashkpuntor i emi, ishim edhe moshatarë. Ai kishte nji gjuhë të pastër dhe të pasun. Edhe sot njifët stili i veçantë i shkrimëve të tija. Shpresohej shumë prej tij si letrar, mbasi ka shkrue pak proza por janë të bukra. Vdiq i ri si shumë tëtjerë, edhe ate e mori vala komuniste."

Ai njihëj ndër pesë predikatarët ma në za të klerit, përkrah Imzot Thaçit, Anton Harapit, Lazër Shantojës dhe Ndre Zadejës. Forca e mendimit dhe elokuenca e të folunit e bane të dashtun dhe të paharrueshëm në popullin e vëndlindjes së tij. Imzot Thaçi, me humor thonte: "Ai duhët me ndejë atje në katund, me ardhë edhe ai në Shkodër, ku me predikue na të tjerët?"

Don Koleci njihej si konferencier, kryesisht për problemët filozofike dhe teologjike. Deri në vitin 1938 ai shkonte në Vienë dhe predikonte natën e Krishtlindjeve në një Kethedrale të rëndësishme ku, atë natë ishin të mbledhuna vajzat që pregatitëshin për murgesha të reja. Ai u fliste për guximin dhe sakrificën. Aq mirë e fliste gjuhën gjermane, sa kam ndigjue unë, thonte At Meshkalla, tue pyet vienezët: "Në cilën kishë të Vjenës asht ky prift, se do të kishe shkue përditë me e ndigjue tue predikue?" (Dëshmi e At Meshkallës në vitin 1964).

Kur jezuitët e Shkodrës banin ushtrimet e shpirtit, tregonte At Meshkalla, ishte Don Koleci i vetmi prift katolik shqiptar që ftohej për me folë për tema të veçanta në Kuvendin e Jezuitve, mbasi ata jo vetëm e respektonin por, edhe e donin shumë për vetë seriozitetin e tij. At Zef Valentini S.J. ndër ma të njohtunit dhe të ditunit jezuitë që ka kalue vite të tana në Shqipni dhe ka shkrue shumë për shqiptarë e, që, disa vepra të njohtuna i ka botue edhe mbas 1944 në Itali, e vlerësonte Don Kolecin me këto fjalë: "Don Nicola Prennushi, il futuro Cardinale d'Albania". Kjo thanje dëshmohët edhe sot nga ish-studenti i asaj kohë në Gjimnazin e Jezuitëve, Z.Gjovalin Shuk Prendi.

Z.Gjovalini, më tregonte njëherë: "Jeziuitët kishin një derë hymje në Kuvend të mbyllun për të gjithë, me përjashtim të jezuitëve. Dera ishte pak e ultë dhe e vogël. Kur vinte Don Koleci, ai futëj nga ajo derë tue ulë kryet, mbasi ishte i gjatë dhe i pashëm e na binte në sy menjëherë. Patëm pyet një jezuit: -Pse Don Koleci lejohët me hy nga ajo derë tue mos kenë jezuit?- Ai u përgjigj: - Don Koleci asht i vetmi prift shqiptar që ka të drejtë me hy kah don ai e, ku të duen në këte Kuvend.".

Z. Nush Tukja, kur ishte i burgosun në burgun e Burrelit, tregonte se, njëditë rreth vitit 1948, kur pothuej po zhdukëj kleri katolik kishte pyetë me keqardhje At Frano Kirin: "Po ju qesin fare Padër, a ka mbetë kush bre burrë gjallë veç jush që jeni këtu në burg?". At Frano Kiri i ishte përgjigjë: "Po, po, ka mbetë ma i riu e ma i dituni, Don Kolec Prennushi. Sa të kemi atë kemi boll!". At Frano Kiri kur fliste për të, thonte: "Ishte shpnesa e fundit e jona!".

Fshatarët e vëndeve ku ka shërbye edhe sot e kujtojnë me respekt veprën e tij baritore. Z.Lekë Harapi nga Dajçi, në librin e tij "50 vjet kujtime" shkruan: "Bisedat e tija ishin një mësim i çmueshëm për mue, pse gjithmonë tregonte diçka tjetër aqsa kisha krijue përshtypjën se ishte si një bibliotekë që ecë me dy kambë."

Sot, mbas 50 vjetësh që ai ka vdekë besimtaret që e njohtën, e kujtojnë për përvujtninë e tij dhe moralin e palëkundun, gja, që, vërteton atë që At Gjergj Fishta, kishte parashikue dhe i kishte shpreh nanës së Don Kolecit në vitin 1916, kur, ajo kundërshtonte vëndimin që ky kishte marrë me u ba prift. At Fishta i tha: "Zoti ta ruejt Kolecin, ai do të bahët nji prift i mbrekullueshëm, se ia kishte shndritë Zoti deri edhe ftyrën, kur e kishte thirrë për meshtar!". Mbas fjalëve të At Fishtës, çdo gja u mbyll dhe as nuk u bisedue ma nga nana e tij për atë çeshtje. Ndonjëherë me të qeshun ajo i thonte At Matisë: "Ma mbylle gojën me Padër Gjergjin!.... Hallallë të kjoftë!".

Ndue Prendushi ishte mësues në Samrishë në vitin 1948. Ky djalë i ri vendos me u arratisë në Jugosllavi, mbasi ishin prishë mardhanjet shtetnore. Tregonte në vitin 1993, sesi kishte ardhë në qelën e Don Kolecit dhe i kishte tregue se due me ikë në Jugosllavi. I kishte kërkue me u rrëfye mbasi frigohej se mund të vritej tue kalue kufinin me not në lumin Buna. Don Koleci i kishte thanë atij: "Unë nuk ta këshilloj me rrezikue jetën por mbasi ty të asht mbushë mendja top, unë po të rrëfej, po të kungoj dhe po të bekoj, të kjofte rruga e mbarë." Më shoqnoi deri tek dera e Kishës dhe aty u ndalue dhe më tha: "Tashti, shko dhe kalo pa frikë!". Në fund të bisedës, shtonte Ndou: "Unë i besoj mbrekullisë së tij, mbasi ai ishte i sigurt se, mue nuk më ndodhë gja e keqe, përderisa më tha, kalo pa frikë!". Ai edhe sot tregonte sesi i lutët Don Kolecit, kur bie ngusht për ndonjë problem.

Prej thonjëve të komunistëve nuk kishte si me shpëtue as Don Koleci, këte edhe ai e dinte mirë. Kur fshatari besnik i tij Lac Gjushi, nga Dajçi, që e mbylli jetën "kulak" dhe burgjësh, vetëm se ishte mik i priftit dhe nuk pranoi me dëshmue në hetuesi kundër tij, i pat propozue Don Kolecit, tue i sigurue me e nxjerrë jashtë Shqipnie bashkë me far'e fis, për me i shpëtue arrestimit, Don Koleci i tha: "Jo, kjo punë nuk bahët prej meje, se jam betue nji ditë mbi Elterë kur jam shugurue meshtar se, po kje nevoja edhe unë do të derdhi gjakun tem si Mesuesi em Jezu Krishti, në krye të popullit tem, në tokën teme shqiptare." Ai nuk u arratis. Para tij u arrestuan dy vëllaznit Paulini dhe Mikeli, të cilet u dënuen me mjaft vite burg e internim, ndërsa axha i tij At Matia, mbas dy vjetësh hetuesi, pa dalë në gjyq u pushkatue me 11 mars 1948, vetëm se ishte atdhetar dhe Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë. Kjo ishte mortaja bolshevike që përlau edhe familjën Prennushi, si shumë familje shkodranë vetëm se këta klerikë ishin atdhetarë të flakte dhe punonin për një shtet demokratik të përparuem.

Natën e Shën'Kollit, me 5 dhetor 1948, rreth orës 22.00, kur Don Koleci ishte në sofër me nanën dhe motrat e tija, me kafshatë buke në gojë, forcat e Sigurimit komunist me njëfarë vagabondi e rrugaçi Ahmet Suji, që ishte edhe shoferi i Sigurimit, mbasi kishin rrethue qelën, kur u diktuan se lehte qeni pa pushim, hyjnë dhe i venë prangat tue e akuzue: "Ka propaganduar në favor të Italisë fashiste për pushtimin e Shqipërisë. Ka propaganduar kundër Pushtetit Popullor. Ka strehuar kriminelë të arratisur. Duhët dënuar për vëprimtari armiqësore." (Dosja D.K.Prennushi nr.1072, 1989,1143, 2452, 3359/1, Arkivi i Ministrisë P. Mbrendshme, Tiranë, 1998).

Nuk duhët harrue se ishte koha kur diktatori solli në krye të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme kriminelin Mehmet Shehu dhe në qytetin e Shkodrës, vazhdonte kasaphanën terroristi i pashoq, furrtari Zoji Themeli, që tashti kur dëgjon se çfarë po bëjnë serbët në Kosovë, "i rrënqethën misht" po, kur e mësonin serbët atë në Shkodër se shka me ba me atdhetarët shkodranë e klerin, a rrënqethëj?!

Për 11 muej pra, edhe Don Koleci, do të provonte torturat ma çnjerëzore, lidhjët në vargoj, shenjat e të cilëve i mori me vete ndër vorre, korrentet elektrike që i shkatërruen zemrën dhe, njëdite në fund të tetorit 1949, pra gati mbas një viti, kur vërejtën se jeta e tij kishte marrë fund, poashtu si e kushrinit të tij, Imzot Vinçencit, në qelitë e Durrësit, këte e "liruan" me vdekë në shtëpi për mos me shtue numurin e klerikëve të mbetun në tortura. Kur doli nga hetuesia nuk fliste se kishte humb zanin prej vetmisë, të cilën e cilësonte si martirizimin ma të madh dhe ma të mnershëm të shpirtit, që ia kalon dhimbjeve të trupit. Ai doli pikërisht kur shteti po i shpallte luftë klerit katolik për jetë a vdekje, tue mendue se: Don Koleci, Don Dedë Malaj, At Marin Sirdani, Don Ejëll Kovaçi, At Konrrad Gjolaj, Don Zef Gila, Don Mark Shllaku etj. të friguem nga vuejtjet dhe torturat e Sigurimit që u ishin ba mbi trupat e tyne, do të ndikonin në miratimin e Statutit të Kishës Katolike me heshtje dhe pa asnjë kundërshtim. Ndodhi e kundërta. Këta, jo vetëm nuk e pranuan as si projekt, por e kundërshtuan me forcë, deri në vetflijim. Don Deda dhe Don Ejëlli, vetëm pse nuk vune firmat e tyne, në vitin 1958-59 u pushkatuan, të tjerët që kundërshtuan kaluan jetën në burgje e kampe të shfarosjes. Ndërsa, Don Koleci vdiq kur po zhvillohëshin ato mbledhje.

Don Koleci mori pjesë vetëm ne dy mbledhjët e para, ku, ndër tjera ka thanë edhe këto fjalë: "Këta do të na kercnojnë se do të mbyllin kishat tona, në kjoftëse na nuk miratojmë këte projekt- statut, kështu si asht këtu. Ky projekt-statut nuk duhët miratue prej nesh se, edhe mbas miratimit të tij këta kanë me i mbyllë kishat prapseprap. Jam i sigurt se do të na thonë se do t'ju vrasim por, asht ma mirë me ba çka kanë ndër mend sot se ma vonë. Lé të na vrasin ma mirë sot me faqe të bardhë, sësa me firmue këte dhe, nesër prap kanë me na mbytë por, na do të vdesim me faqe të zezë. E, na, nuk duhët me harrue se me këta na jemi hupë se hupë. Komunistët kështu kanë ba ku e kanë marrë pushtetin, në Rusi, në Spanjë e kudo. Na nuk jemi të parët që nuk po i njofim se kush janë....Këta janë gjithkund njisoj...!" (Nga At K.Gjolaj në librin "Çinarët", fq.125). Kjo dëshmi përputhet edhe me tregimin e Dr. Avokat Emid Tedeschinit, i cili ka marrë pjesë në të dy mbledhjet e para për problemët juridike. Ndërsa, Prof. Gaspër Ugashi e dinte zhvillimin e ngjarjëve të atyne ditëve nga vetë goja e Don Kolecit.

Pak ditë para vdekjës Don Koleci, i kishte thanë gjatë një vizite mjekësore Dr. Karagjozit kur po bisedonin gjermanisht i shtrimë në shtratin e vdekjës: "...Ma forco mirë zemrën se disa herë kam mbetë pa ndjenja në hetuesi, kur me banin elektroshok, se më dukët jam prap për atë rrugë..." Sidukët, shtonte doktori, e kishte kuptue mirë se me të vërtetë donin me e arrëstue, mbasi gjatë kohës që unë e mjekoja interesohëshin njerëz të Sigurimit për shëndetin e tij. Kur vdiq ka pasë prej atyre që me kanë thënë: "Na shpëtoi për pak!" (Dëshmi e Prof. Gaspër Ugashit, e thanun nga vetë mjeku).

Në shënimet autobiografike që At Pjetër Meshkalla S.J. i ka lanë Zef Mirditës (Bukës) në vitët e fundit të jetës së tij aty nga 1987, shënon: "Dhimbja ma e madhe që kam ndie në zemër kur isha në burgun e Burrelit, asht kenë ajo e vitit 1950, kur mora vesht vdekjën e shokut dhe mikut tem të vetëm të të gjithë jetës, Don Kolec Prennushit."

At Meshkalla vlerësonte qëndrimin burrnor të Don Kolecit në lidhje me Statutin, mbasi edhe pse ishte kenë në burg aso kohe, ishte i mirinformuem dhe shtonte: "Don Koleci ishte i mirë, i dashtun, i qetë e jo si unë. Ai ishte aq i dijtun, sa vdekja e parakohëshme nuk e la Shqipninë me marrë vesht se ke ka humbë ajo, Kisha dhe Kleri me vdekjën e tij. Don Koleci, fatkeqësisht, nuk ka lanë shok". Sigurisht, kjo tregon mendimin e At Meshkallës, por edhe modestinë e tij.

Ditën e dielë, me 2 korrik 1950, aty nga ora 11.00 para dreke në prani të mjekut me të cilin po bisedonte, Dr.Karagjozit, i ka ra një të fikët, kur e motra Viktoria, po i jepte një kafe mjekut. Ka ardhë pak në vedi dhe ka nxjerrë vetëm dy fjalë: "Vidë Don Erneston!"....Me shpejtësi e ka sjellë atë Prof. Gasper Ugashi, që për fat ndodhej aty. Don Ernesto Çoba ka hy në dhomë dhe mbas pak minutash ka thirrë njerëzit e shtëpisë....Don Koleci ishte në agoni të plotë. Don Ernesto ka tregue, se, kur ka hy në dhomë Don Koleci ka folë këto fjalë: "Don Ernesto, më jep të zgjidhun, se janë tue më pritë një tubë engjuj, mbasi më asht hapë qielli e më dukët se po shkoj tek Jezu Krishti,....nuk muejta me folë deri tashti asnjë fjalë....mi thuej Vidës e motrave... të ma kenë kujdes nanën!....". Don Ernesto e ka kungue, ai asht kapërdi me zori, ka buzëqesh dhe ka ra në agoni. Mbas pak kohe, rreth orës 14.00 mjeku ka vërtetue vdekjën e tij.

Funerali asht kenë familjar. Kanë marrë pjesë me qindra vetë nga fshatrat e famullisë së tij e përreth, deri në Velipojë. Përveç, kumbonëve që fshatarët u kanë ra në njëanë në shenjë zije, nuk asht ba vëprim tjetër nga frika. Në Kishën Kathedrale të Shkodrës kur i asht ba bekimi i trupit të vdekun, asht vëndosë në fund të Kishës, tek Elteri i Zojës me shtatë hanxharë dhe ka kenë prezent edhe Imzot Bernardin Shllaku, kur Don Ernesto Çoba ka ba bekimin. Mjaft klerikë nuk kanë marrë pjesë nga frika. Nga Kathedralia asht nxjerrë nën drejtimin e Don Ernestos, dhe asht bajtë në dorë prej fshatarëve të fshatrave të famullisë së tij. Asht varrosë në Rëmaji, në vorrin e Dr. Emid Tedeschinit, i cili e ka kërkue këte deshirë nga vetë nana e Don Kolecit, derisa ti jepët mundësia me ba një vorr për té. Kjo mundesi u plotësue vetëm tashti.

Tashti Don Koleci, asht i varrosun me Don Matinë (i vdekun në 1904), ndër vorret e familjës Prennushi. Në pllakën e vorrit asht edhe emni i At Matisë, mbasi eshtnat janë të humbuna në Zallin e Kirit.

Të gjithë bashkë presin ringjalljën.

Sot, na vetëm mund të thomi, se, DON KOLEC PRENNUSHI, ishte një prej perlave të asaj kolane, që Krishti la pasues në Klerin Katolik Shqiptar.

Ne 90 vjetorin e lindjës, me 1 janar 1992

 

NJË GUR

 

Një gur shumë i çmueshëm

Në thëmelet e Kishës Katolike Shqiptare

Gur shumë i fortë, i pathyeshëm

Ashtu si karakteri i Tij

Gur me vlerë të madhe

Një burrë me kulturë të gjanë

Gur që provohet me zjarr, po nuk thehët

Ashtu si u provue edhe

Ai në Sigurimin komunist

Gur shumë i pastër

Pasqyrë e Shpirtit të Tij

Gur shumë i bukur

Burrë shumë i pashëm

Ka tone e rrëzatime që nuk harrohën

Ashtu si kishte portretin eTij

Shpirtnor e fizik për ata qe e njohtën

Ka prej këtyne gurëve edhe me ngjyrë të zezë

Ashtu, Ai kishte vetëm petkun

Asht gur që tërheq vëmendjen e të gjithëve

Ashtu ishte edhe forca e fjalës së Tij

Gur që përdorët si objekt zbukurimi

Ashtu si vëpronte edhefjala e Tij në çdo zemër Shqiptare.

Ka edhe me ngjyra që thirrën të ambla

Vetëm ashtu, ishte çdo këshillë e fjalë e Tij

I qëndrueshëm edhe ndaj kohës

Ai nuk vjetrohët asnjëherë para syve të askujt

Gur, që edhe kur humbë, nuk i ndryshon asnjë veti që kishte

Vdekja për Até ishte vetëm buzëqeshje!

Besoj, se, ju kujtohët ?!

Ky gur asht BRILANTI!

E,.... ky.....BRILANT, asht DON KOLEC PRENNUSHI

 

LIBRI I FUNDIT

 

 

"Pa dyshim, priftënt katolikë do të mësojnë si mësojnë, por jo, se i shtërngon parja, por e vërteta. E, ata kanë mësue gjithmonë edhe kur në vend të parëve u epej burgu e konopi."

Don Kolec Prennushi

 

Ndoshta nuk kam kenë asnjëherë fëmijë. Kështu më dukët mue!

Prej nandorit të zi të vitit 1944, e deri në vitin 1949 kam jetue tek daja, té Don Kolec Prennushi, në Dajç të Bregut të Bunës, ku kam vazhdue edhe shkollën fillore. Gjyshja dhe tezja Rozë kujdesëshin shumë për mue mbasi ishe edhe jetim pa babë. Daja Don Kolec, merrëj shumë me edukimin tem, jo pse nuk kishte çka me ba, por përpiqej që ajo kohë të mos më kalonte kot. Unë sot e kuptoj, se atij dhe vetëm atij, i përket krejt formimi i em shpirtnuer dhe antikomunist. Më pat çue tek një murgeshë Motër Luigja, e cila më mësoi me shkrue bukur. Kur hyna në klasën e parë në gjysmën e vitit, nga fillimi vitit 1946, na u ndërpre mësimi disa ditë mbasi pritëj me ardhë një mësuese tjetër, sëpse mësuesja e parë zonjusha Viktore Kuka ishte arrestue. Ne na njoftuan se ajo ishte kundër Pushtetit Popullor. Ka kenë dënue me disa vite burg. Unë e kam takue vetëm mbas 48 vjetësh në 1994, në Shkodër, dhe më ka tregue kujtimet e saj në burgun e Kuvendit të Fretënve. Aty, kishte kalue disa javë në një birucë me At Mati Prennushin. Tashti ajo asht me familjën e saj në Korçë.

Fliste me adhurim për ato pak muej që ka njohtë Don Kolecin kur ishte mësuese në Dajç. Në hetuesi tregonte se asht pyetë shumë për té. Sigurisht, kjo nuk ka folë gja, mbasi koha ka tregue gjithçka.

Don Koleci kohën ma të madhe e kalonte në një dhomë pritjeje të qelës, mbasi aty kishte edhe bibliotekën e tij. Biblioteka zënte dy faqe muri pa shtue gja, aty mund të ishin mbi 2500 libra. Kishte libra në disa lloje gjuhësh, ma shumë gjermanisht, italisht, frengjisht. Një seri të tanë fjalorë të disa gjuhëve, shumë libra filozofie e teologjie, historie dhe përmbledhje histori arti të paisuna me ilustrime të bukra me ngjyra. Këto të fundit mi epte me i pa, pra kur ishe 6 vjeç ai ka fillue me më edukue me bukurinë e kryeveprave botnore të artit. Koleksionët e revistave "Leka", "Hylli i Dritës", etj. i mbante në sakristinë e kishës. Kisha ishte mesatare nga madhësia dhe në tavanin e saj, kujtoj një ushtar rob, italian, që pat punue një afresk "Të Shelbuemin", mbasi ai i përkiste edhe festës së katundit që kremtohej shumë. Ishte edhe një armonio e vogël që në kohë të meshës një murgeshë i binte dhe drejtonte një kor të vogël me vajzat e shkollës.

Aty nga viti 1948, Don Koleci mbante mbi skritore një libër spanjisht, me kopertinë me ngjyrë të mbyllët, me shkronja të bardha shkruhej: "DISHMORI I GOLGOTËS". Afër atij libri ishte një blok, ku Don Koleci shkruante vazhdimisht. Njëditë më tha: "Unë do të lexoj diçka që kam përkthye prej këtij libri, ti më ndigjo me kujdes, kur të mërzitesh më thuej, dajë, boll!". Ai lexoi, dhe në njësoj kohe, vështroi kah unë dhe pau se unë nuk ishe mërzitë, atëherë më tha ai mue: "Tash, boll! shko me lujtë me shokë". Sidukët, tash e mendoj me vedi, ai kërkonte me kontrollue me anën teme interesin e lexuesit të nesërm të atij libri. Kujtoj pak gjana. Libri përshkruente në fillim rrugën e Golgotës, bukurinë natyrore, kopështijet e ullinjëve etj. Ma vonë pat hy në kapitullin ku fillonte ngjarja e vuajtjëve të Krishtit... dhe më 5 dhetor 1948, Don Koleci filloi ai vetë ate për çka po shkruante Golgotën. U arrestue.

U kontrollue qela, kisha, mullart e sanës, grazhdi i lopës, koteci i pulave...

Mbas tri ditësh, prap kontroll, edhe njëherë tue fillue nga leshi i dyshekve, kornizat e figurëve e të fotografive e deri tek brandavekët e gjyshës, çdo skutë. Dy përsona shfletonin librat, disa të tjerë kishin nxjerrë koleksionet e revistave në oborr para kishës dhe mbasi nuk kishin gjetë asgja i vunë flakën. Fshatarët as nuk shiheshin aty pari, u kishte hy mnera, veç mbasi ikën ata, thonin, se jemi zhdukë, se kur asht arrestue edhe Don Koleci që nuk trazon njeri, komunistët kapin këdo që u shkon mendja, këta dalshin farët, u raftë lija, se na ngrinë gjakun !

Ky ankth nuk ishte punë orësh por i përditëshëm e me muej të tanë. Nuk merrej vesht asnjë fjalë, as pse, as si veç, ço sofratasa tek dera me ngopë zagart e Sigurimit dhe merr një palë të tjerë të palamë. Shif ato fëtyra xhullinjshë me vërejtjë, me mujtë me kuptue diçka, por kurrgja! "Na! merri!" dhe hidhëshin plaçkat si të ishin plaçka lëbrozësh " Ikë! lëro rrugë!" dhe vazhdonte karvani i pafund i njerëzve pa pikë shprese ... se, a do të vijë njëditë me i pa me sy ata njerëz që kalbëshin ndër ato qeli... Ndoshta, kurrë!

Aty nga shtatori 1949, flitëj se do të lirohen të burgosun me rastin e 28 e 29 nandorit, gjoja për festa, po kush besonte? Në komunizëm gjithçka asht e papritun. Njerëzit dijnë dhe mund të tregojnë vetëm për të kaluemen por, për të ardhmën, vetëm mund të gënjejnë, mbasi për të ardhmën nuk din askush. Në fund të muejt tetor 1949, vjen lajmi nga nana prej Shkodrët, se Don Koleci asht lirue nga Sigurimi. Gjyshja thonte: "Pritni, mos i tregoni njeriu, se nuk e besoj pa e pa me sy!"

Daja Don Kolec pak ditë ndej në Shkodër mbasi nuk fliste, se nuk kishte za, dhe nuk ecte fare nga dhimbjet e kambëve. Ishte i dërmuem nga hetuesia. Vetëm vinin lajmët se "asht mirë" dhe ka ndej me ba letër-njoftimin e ri. Mbas një jave lajmëruen se nesër vjen. Katundi u çue në kambë mbasi edhe lirimi pa gjyq ishte shenjë pafajsie. Të nesërmen, ditë e shtunë nga ora tre mbas dreke, fshatarët morën çilsat e kishës dhe filluen me i ra kumbonëve... Filloi festa... Lajmi i ardhjës mori dheun, "po vjen Zotnia!", mbasi kështu thirrëj prifti nga fshatarët. Një grup të rinjësh doli tek Lisi në Vorr, aty ku pritët Buna me kalue nga Ana e Malit për në Samrishë. Tek ajo pikë ishin grumbullue shumë vetë tue fillue nga Velipoja, Mali Kolaj, Pentari e me rradhë të gjitha fshatrat e bregut të Bunës kishin dërgue përfaqësuesit e vet ndër kuaj. Lac Gjushi, fshatari ma besnik i jetës së tij nuk kishte dalë vetë, por kishte dërgue vëllain e tij Kolën, bashkë me kalin e vet, për me marrë Don Kolecin në kalin e tij dhe me e sjellë në Dajç. Kur ka mërrijte tek Lisi në Vorr, aty Don Koleci, asht nda me fshatarët e Anës së Malit që e kanë shoqnue prej Oblike, bashkë me Hoxhën e tyne.

Kumbonët vazhdonin me ra... ndër të gjitha katundet. Nga ora 4.30 mbas dreke daja hyni në oborrin e Kishës që ishte edhe i qelës, i mbushun polt me njerëz. Zbriti nga kali dhe u përqafue me nanën Nine ku, plasi një vajë gëzimi... dhe mbasi u përshëndet me të gjithë, u drejtue nga kisha, u ul tek dera puthi prakun, bani Kryq dhe hyni mbrendë. Shkoi drejt e tek Elteri i djathtë i kishës, tek Elteri i Zojës së Papërlyeme, ku ishte edhe Sakramendi, bashkë me një kandil që nuk fikej kurrë. Aty ra në dy gjunjë dhe bashkoi duert, filloi me thanë një uratë të shkurtë në shenj falnderimi. Erdhi në qelë dhe priti urimet e ardhjes. Vizitat vazhdonin. Secili urimet e veta, por të gjithë papërjashtim i puthnin duert e veladonin tue kja prej atij gëzimi aq të madh që kishin ndër zemrat e tyne. Kumbonët kanë pra vetëm në orën tetë. Gjatë gjithë kohës ndër kambët e tij ishte edhe "Frida", qeni besnik që qëndronte edhe ai tue shprehë mallin e vet. Atë vjeshtë u gëzue edhe toka, dukej se edhe bari nuk thahej prej gëzimi. Të nesërmen Lac Gjushi, herët nga ora 6.00 solli një ka kulari, dhuratë për me ba gostën e lirimit nga burgu. Don Koleci tha meshën në ora 10.00 dhe tha vetëm pak fjalë: "Falnderoj Zotin dhe Zojën e Papërlyme, së cilës i jam lutë me më nxjerrë të papërlym edhe mue prej atij vendi, ku të gjithve si jeni ju uroj "mos e provoshi", ju falëm nderës për gjithçka keni ba për mue!". Falnderimi ishte me plot zemër, mbasi asnjë fshatarë, gjatë gjithë hetuesisë, nuk ka pranue me i dalë dëshmitar. Dhe ju lumtë!

Ndër ditët e para vazhdonin vizitat, po kohën e lirë ai e kalonte në bibliotekë. Kërkonte në rrumbujën e krijueme nga kontrollet me mujtë me gjetë diçka. Nuk fliste veç sistemonte librat. Nuk ndihej mirë, pinte ndojë filxhan qumësht por nuk ishte i qetë. Njëditë kishte hapë një bisedë të shkurtë rreth shëndetit dhe i kishte shpjegue së motrës, Rozës, se nuk ndihej mirë me fyt, kishte një shqetësim të vazhdueshëm, madje, edhe natën. Për problemët tjera të çfaquna në hetuesi nuk kishte bisedue gja edhe mbasi Roza e kishte pyetë për disa shenja, si gropa në mish mbi nejet e kambëve, ai kishte tretë bisedën pa i dhanë asnjë shpjegim. Nuk fliste as për vuejtjet as për shkaqët e arrestimit, as për trajtimin në hetuesi dhe as për ndonjë mendim të ndonjë bakeqi. Kur Roza e kishte pyetë për ndonjë arsye që ishte arrestue, ai ishte përgjigjë shkurt: "Komunistët me klerin kanë punë, se mos bani gja axha Padër Mati, apo Vinçenci !?". E kishin pyetë në hetuesi disa herë se pse je tue përkëthye librin "Dishmori i Golgotës", deri njëditë që e kishin mërzitë dhe i kishte thanë: "Jam kenë tue e përkthye mbasi aty kam gjetë vendin ku më dukej se shoh axhën tem, që e keni vra të pafaj" dhe, mbas asaj dite nuk ia kishin tregue ma as blokun e përkthyem, as librin origjinal që kishin marrë gjatë kontrolleve të bame. Atij nuk i dhimbej puna, mbasi atë e bante prap por, i dhimbej origjinali mbasi atë nuk kishte ku me e marrë ma. Ai ishte libri i fundit.

Ka kalue gati një gjysëm shekulli padijtë kush pse ishte arrestue.

Dosja nuk asht kurrkund mbasi gjoja nuk asht dënue. Në një fletë sekret të arkivit asht përmbledhë vuejtja e 11 muejve ndër ata pak rreshta ku, shkruhët se ka propaganduar në favor të... dhe vazhdon, se duhet dënuar për veprimtari armiqësore. Shënohet në fillim se asht nipi i At Matisë vëllai i Paulinit e Mikelit por, çështja kryesore mbetë se ka strehuar kriminelë të arratisur. Kjo asht akuza ma e rrezikëshme dhe ma e paprituna, ku Don Koleci mundohët me mohue, por ai duhet të jenë ndodhë shumë ngusht para deklarimit të Bep Negrit, i cili në dosjën 1072/1 deklaron: "Jam nisë me ikë prej Shkodrët bashkë me Paulin Prennushin dhe Ndrekë Pukën, aty nga data 26 nandor 1944, kur kemi mërrijtë tek fabrika e çimentos, aty na ka dalë para fshatari Marin Beci prej Dajçit dhe na ka marrë me vedi e, bashkë me Ndrekën e Paulinin kemi shkue tek Don Kolec Prennushi. Kemi ndej 4-5 ditë, mandej kemi shkue të shoqnuem me njerëzit e tij në Mal të Kolaj, tek shtëpia e Dul Doshit, edhe atje na ndjeku Ndjekja,...dhe kemi shkue ...." (vazhdon Dosja 1072/1 Bep Negri). Fshatari Marin Beci pranon se i ka takue rastësisht dhe se ka njoftë Paulinin, por jo se e ka çue aty prifti Don Koleci, ai nuk pranon se asht kenë fundi i nandorit por e çon ngjarjen kah vera, në të dalun të vjeshtës, d.m.th. nga gushti ose fillimi i shtatorit, kjo përputhet për fat me deklarimin e Paulinit. Ndërsa i shkreti Ndrekë Puka, në vitin 1945 asht pushkatue, kur përpiqej me gjetë mundësinë e dorëzimit, si duket asht trathtue dhe asht kapë nga forcat e Ndjekjës. Kur pyetet Don Koleci për këtë çështje, edhe ky deklaron se nuk ka kanë në fund të nandorit por kah vera, saktësisht gjoja nuk e kujtonte kohën.

Në fakt Bepi bashkë me Paulinin e Ndrekën janë kenë në Dajç, kur kanë hy forcat partizane dhe janë kenë në qelë kur partizanët ndjeknin të arratisunit e kanë shpëtue për mbrekulli. Edhe në Mal të Kolajve janë kenë në shtëpinë e Dul Doshit, që asht kenë aty edhe baba i Don Mark Hasit. Menjëherë sa këta janë largue prej shtëpisë Dul Doshit, kanë mërrijtë forcat partizane, kanë kontrollue, thohej se kanë gjetë funda cingarësh në një qoshe të podrumit, janë interesue ke kanë pasë aty, ata nuk kanë tregue dhe, flitej se për terror kanë vra Kirin, axhën e Don Markut, një burrë i vërtetë. Shtëpia e Dul Doshit asht ndër shtëpitë e njoftuna të malësisë për kah ndera, pritja e trimnia.

Pikërisht atë kohë partizanët kapin një barkë me 200 vetë që donin me ikë në Itali, nëpërmjet lumit Buna. I sjellin në oborrin e kishës se Dajçit me pritë sa të vinin forca të tjera partizane. Dy vetë kalojnë mbas mullarëve të sanës dhe bijnë në not, mbasi ishte përmbytë krejt bregu i Bunës. Ata u zhdukën. U kontrollue katundi po nuk u gjetën. Në vitin 1949 Zalo Ali Selenica, tregon sesi u ka ikë partizanëve dhe asht njeni nga të arratisunit në Dajç. Ka hy në një shtëpi dhe u ka thanë se më ka çue Don Koleci, me e ndihmue për me ikë. E kanë veshë fshatarë, e kanë hypë në një sule, kanë shkue në fshatin Samrishë ndër miqtë e fshatarit. Ai i ka lanë aty me porosi prej Don Kolecit. Të nesërmen i kanë çue në Mal të Jushit, prap me porosi të Don Kolecit. Mbas disa ditësh fshatarët e Malit Jushit i përcjellin në Breg të Matës dhe prej andej në Milot, tue vazhdue me porosi të Don Kolecit. Në Milot kanë kalue në thellsi derisa kanë dalë në rrethina të Elbasanit ndër miqtë e vet, të cilët i kanë ndihmue me dalë në Greqi. Në vitin 1949, Z. Zalo, kapët si diversant dhe tregon sesi asht largue nga Shqipnia. Kur përmend emnin e Don Kolecit, hetuesi gadi-gadi harron se asht me diversantin dhe kërkon shpjegime të hollësishme për Don Kolecin, si u njohë me të, çka të tha dhe si të shoqëroi me u arratisë? Zalo, përgjigjet shkurt: -"Nuk e njoh as për fytyrë Don Kolecin, por kur partizanët na çuan në oborrin e kishës së Dajçit, pyeta njërin, si e ka emrin prifti dhe ai më tregoi se quhët Don Kolec, mbiemrin as ai nuk e dinte. Kur hyra në shtëpinë e një fshatarit në Dajç, ai sa dëgjoi se më ka dërguar Don Koleci më ndihmoi me shkuar në Samrishë... dhe kështu, unë, pa e njohur fare Don Kolecin, arrijta me emrin e tij me dalë në Greqi".

Në vitin 1951, Zalo, mbas dënimit, në kampin ku e dergojnë, tregon historinë e arratisjes nëpërmjet emnit të Don Kolecit, njëkohësisht shton edhe interesimin e hetuesit për këtë emën. Aty, ai asht interesue me dijtë se çfarë bahët me këtë prift, me emnin e të cilit i shpëtoi jeta, mbasi nga 200 vetë të kapun nga partizanët, nuk kishin shpëtue vetëm 18 vetë, të tjerët të gjithë ishin pushkatue e zhdukë. Një përson i kishte tregue se ai njeh vëllain e Don Kolecit, Mikelin, që ishte në atë kamp i dënuem 10 vjet dhe i kishte tregue se ka ndigjue që Don Koleci ka pak kohë që ka vdekë. Menjëherë kishte takue Mikelin, i kishte shprehë ngushllimet dhe i kishte shpjegue kush asht. Gjatë kohës së burgut tregonte Mikeli, shpesh Zalo, e ftonte për kafe në shenjë mirënjohje.

Sigurisht, vetëm për emnin "Don Kolec", ai duhej dënue për "veprimtari armiqësore", si të gjithë priftnit tjere.

Jam takue me At Konrrad Gjolaj, Don Zef Gilën dhe Dr. Avokat Emid Tedeschinin, dhe kam bisedue për lirimin e këtij grupi klerikësh në vitin 1949. Mendimi i tyne asht i njajti: "Jemi lirue gjoja për mungesë faktesh, por, sidukët, mendohej nga shteti për nënshkrimin e "Statutit të Kishës Katolike Shqiptare" pa probleme, mbasi këta që po lirohën nuk kanë me mendue me ardhë prap këtu". Asht e vërtetë që mbas lirimit të Don Kolecit, kanë ardhë dy herë grupe me 3-4 vetë në qelën e Dajçit me takue Don Kolecin. U ndrynin me té nga 6-7 orë, pinin një ose dy kafe dhe iknin pa i tregue se kush janë e pse vijnë. Nga bisedat e pakta që tregonte Don Koleci, mendonte se vijnë nga Tirana. Bisedat silleshin rreth dogmave të kishës dhe kush mund t'i ndryshojnë ato. Kishin interesim të madh për zgjedhjen e ipeshkvijve dhe rrugën që mund të ndiqët pa pjesmarrjen e Vatikanit. Deri në vitin 1968 kam pasë një letër të Don Dedë Malaj që i shkruan Don Kolecit (8 qershor 1950) , në lidhje me mendimin që kishte Don Deda, si me veprue në mbledhjen e ardhëshme ku, kujtoj vetëm një rresht mbasi fatkeqësisht letra asht zhdukë, ai shkruante: "Ti ishalla don Zoti e ban ma mirë me shndet edhe po nuk muejte me ardhë, mos u ban marak, do të flas unë, si me kenë ti aty!..." (Mbledhja e tretë asht zhvillue shumë vonë nga data e caktueme, pritej me u shtrue terreni).

Avokat Tedeschini tregon qëndrimin burrnor të Don Kolecit, në dy mbledhjet e para, mbasi mbas vdekjes së tij, as avokati nuk ka shkue ma aty, kishte vërejtë se grupi që ishte për nënshkrimin e Statutit po e fitonte davanë dhe nuk donte me kenë ma prezent në atë çështje.

At Gjergj Vata S.J. më ka tregue në vitin 1996, se asht ndodhë me punë në Tiranë në 1950. Njëditë e ka thirrë në qelën e Tiranës Don Zef Bici. Ky ka shkue dhe ka gjetë aty: Don Zefin, Don Mark Dushin, Don Ndoc Sahatçinë, At Rrok Gurashin dhe At David Picin. I kanë tregue se kanë ba një letër për qeverinë e Tiranës, ku i paraqesin dëshirën për një mbledhje të shpejtë mbasi shumica e klerit tashti, (mbas vdekjës së Don Kolecit), asht për miratimin e Statutit dhe me kenë se nuk kishin asnjë jezuit aty kishin mendue me marrë firmën nga Gjergj Vata, i cili nuk pranon me firmue, mbasi në atë kohë nuk ishte i shuguruem meshtar pra, gjeti një mënyrë me iu shmangë firmës. Kishte shkue menjëherë dhe i kishte tregue mikut të vet Pjetër Topallit, i cili ka dijtë shumë gjana por nuk dij në se i ka shkrue, mbasi kur me ka bisedue për qëndrimin e klerikëve të Tiranës në kohën e Statutit, më ka pasë premtue se do t'i shkruente të gjitha ato që dinte.

Gjaja ma interesante që kam ndigjue për atë kohë prej At Konrrad Gjolaj asht kenë qëndrimi i Don Jak Gazullit, që kur po diskutonte Don Koleci i ka ndërpre fjalën Don Ndoc Sahatçija, me mendimin se nuk kemi çka zgjatemi, po t'i japim fund diskutimeve e të bajmë si thotë shteti. Don Jaku i ka pré fjalën tue i thanë: "Ti Don Ndoc që nuk jé prift e dij, por sot po besoj, se ti nuk jé as katolik!". Aty, asht ngritë në kambë Imzot Shllaku, dhe ka mbyllë mbledhjen.

At Frano Kiri, më ka pas tregue se, aso kohe në 1950, mbas vdekjes së Don Kolecit kishte shkue në burgun e Burrelit, Hilmi Seiti, kryetar i Seksionit të Mbrendshëm në Shkodër, bashkë me një oficer të naltë nga Ministria e Mbrendshme, dhe kishin thirrë: At Donat Kurtin, At Pjetër Meshkallën e At Franon. I kanë tregue se bisedohet për një Statut të Kishës, projektin e së cilës ia kishte sjellë me vedi. Ne, po ua japim ju shikojeni dhe na jepni mendimin tuaj, u kanë thanë ata dy. At Donati pa mbarue mirë fjalën ata, u kishte thanë: "Na e kemi Statutin e Kishës, se atë Statut e ka lanë Krishti, prandej, ketë që doni me ba ju, banje me ata që e keni fillue!" Kanë pyetë At Meshkallën, edhe ai i ishte përgjegjë: "Nuk kam çka i shtoj as çka i mungoj fjalës At Donatit". Kanë dalë për dere tue sha e kërcënue: "As nuk keni për të dalur ndonjëherë nga ky vend!"

Në vitin 1951, Statuti u aprovue nga kleri katolik, por jo si dëshroi shteti komunist.

Kleri Katolik Shqiptar asnjëherë nuk asht shkëputë nga Vatikani edhe pse nuk ka pasë mundësi asnjëherë me u lidhë direkt, Ai ka kenë gjithënjë i vëndosun në njohjen e Papës dhe të Vatikanit.

 

TË VËRSHUEMIT

 

Buna asht breg në breg. Bora maleve asht de prej erës së jugut e ka ajë lumin. Me madhni të njij ngallnjyesi, të cilit s'ka forcë qi i ban ball, ulët rryma e gjanë pa pushue.

Gjindja janë strukë nëpër shtëpija. Ndonji bari i rrall qi nget kah shtëpija, kqyrë pa da at element të mnershëm, qi vjen tue u shtri me kërcnim. Në të tanë katundin zotnon nji qeti vorresh porsi në nji qytet të mundun qi pret tue u dridhë kur të derdhet ushtrija me ba rrufi.

Qielli asht terratisë. Ret e zeza si male vigane njiten prej gryke. Duket se të tanë kupa e qiellit asht tue u dyndë, si të njitej deti mbi horizont. Së largu ndihet gjama e ndryme e bumbullimës qi dridhë shtëpijat me themel. Deti, i tollovitun si përbindsh i egërcuem, buluron për mnerë.

Mbi horizontin e ximë kah gryka shpërthejnë prej gojve të reve të zeza porsi gjarpij rrufet vetuese e futen vrap në gjinin e zymtë.

Nji fishkullimë e thekshme shiroku kalon nëpër shelqe e plepa porsi piskamë orësh qi ikin prej katundi. Mandej nji hingllim e ulurim i tërbuem nëpër gembat e landvet qi shpërvilen e përkulen si vigaj, qi luftojnë me elementa të shpranguem e mbrapa shtërgata me trollim të frigueshëm. Shiu me shena ka veshë shtëpijat e landët. Tushti i stuhisë e ka pështjellë katundin mbarë. Ret janë bashkue me uj poshtë qi ka nisë me lëshue.

"U thye penda e madhe!" ndihet nji vigëm e tretun nëpër ushtimë të motit. Uji derdhet nëpër rruga të katundit porsi pushtues krenar mbi plaçkën e vet. Rrugat nji metër e ma nën trollin e shtëpijavet e të kopshtijevet mbushen me uj qi shkon tue u rritë pa da. Ndihet kushtrimi i ndonjij bariu qi ka mbetë me gja në fushë qi e bredh ushtima e valvet me ndërlikim të zymtë. Valët e harlisuna dirgjen si aradhet e rrebta t'ushtrisë ngallnjyese. S'të dallon syni përveç shtëpija të zhytuna n'uj.

Errej nji mbramje e ftoftë. Qelqet e dritores n'odë të zjarmit krisshin prej pikave të shiut qi shkrepshin pa pushue. Era e fortë, hove-hove, kthente tymin e tymtarit teposhtë qi na pshtielltë për rreth votre. Zjarmi strukej herë në njenën në anë, herë në tjetrën. Tjegullat kërsitshin në pullaz. Shtëpija mbarë gjimonte prej duhme s'erës qi frynte me tërbim.

Përjashta ushtonte zhaurima e ujnavet qi bajshin rrjedhat e trumhasuna, e rridhte zymtas krah për krah me gjamën e stuhis.

N'errsinë e heshti të natës gjithkah prej ujnash edhe mjedis shtëpijave të njij katundi, e ndien njeriu vetmin e trishtueshme si të gjindej mbi nji gumë mjedis detit e pa fuqin e vet para këtij elementi të tmershëm.

Të nesërmen në mëngjes mendimi i parë qi m'erdh qe nji.

Dola në dritore. Kishte dalë nji ditë prandvere. Natën kishte çue murrla e ra borë bjeshkvet. Malet e kaltërta kah veriu ngrehshin në horizont majat e mbulueme në borë, qi vetojshin në rreze të diellit. Përmbi majën e Rumis endej hija e reve të bardha qi velizojshin në kupen e qiellit.

Poshtë ujnat e ndyta të Drinit qi kalojshin me shurimën e trishtueshme e shkulmet qi rrihshin me sulmet e veta muret e shtëpijavet hidhshin në kreni porsi trofe plaçkën e bame: cokla, cunga, trupa e bagti të mbytuna. Nëpër dritore burrat i bajshin za shoqishojt, tue pyetë si kishin gdhi. Nëpër katund shkojshin e vijshin lundrat tue u bajtë tagji bagtive. Vetë sulja e vogël me nji njeri, dy gisht mbi ujë, dukej porsi shigjetë rrymës teposhtë, me u dridhë tue e pa. Dam të pamatun ban të vërshuemit në katund.

 

 

Muis Polemi UIS POLEMI

 

Shënim: Muis Polemi asht pseudonimi i Don Kolec Prennushit.

Kjo pjesë letrare asht marrë nga: Antologjia "Rreze Drite" fq. 221-223, botim i vitit 1941.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora