Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Pjesë nga kujtimet e luftës

| E premte, 09.04.2021, 09:00 PM |


Pjesë nga kujtimet e luftës

Nga Blerim Latifi

Një natë para se të futeshim në frontin e Kosharës, qëndruam në fshatin Padesh, i cili ishte ngjitur me zonën kufitare. Natën e kaluam në disa tenda,të cilat i kishte ngritur prapavija e brigadës sonë. Natyrisht, asnjëri nga ne nuk pati gjumë në sy, sa për shkak të emocioneve që kishim, aq edhe për shkak të zhurmës së madhe që bënin avionët e NATO-s që fluturonin mbi Kosovë. Në mëngjes u rreshtuam për nisje. Para nesh doli një oficer i brigadës, i cili kishte për detyrë të na jipte udhëzimet e fundit para hyrjes në luftë. Pjesën shokuese të ligjëratës së tij udhëzuese e kishte lënë për fund. Ai na tha: - Merreni nga një copë nga paketa e cigareve dhe shkruajeni në të emrin, mbiemrin tuaj, vendlindjen tuaj dhe futeni në xhepin e djathtë të uniformës, sepse nëse bjen puna me ju tërheq, na duhet ta dimë identitetin tuaj. Fjalët e tij na ranë si rrufe. Ato na paralajmëronin se po hynim në një betejë ku me siguri dikush nga ne do të vritej gjithsesi, nëse jo të gjithë. Oficeri e pa se ishim zverdhur në fytyra dhe mori sërish fjalën: Keni 10 minuta të mendoheni, kush nuk e ndjen veten të gatshëm për luftë, le ta thotë tash, ne e lirojmë dhe kurgjo kerkujt, kjo është luftë vullnetare, askënd se detyrojmë me zor. Një heshtje e plotë e mbuloi gjithë njësitin tonë. Kur e pa se asnjëri nga ne nuk ishte lëkundur në synimin për të hyrë në luftë, oficeri ia bëri me shenjë një ushtari i cili kishte marrë detyrën për të na dërguar në vijën e frontit. Nisuni, i tha atij. Dhe derisa po ngarkonim çantat në shpinë, u kthye nga ne dhe na tha: U lumtë pushka djem, dalshi faqebardhë! Rrugës filluam të diskutonim se pse oficeri na tha që copën e letrës me emrat tanë ta vendosnim në xhepin e djathë e jo në të majtin.Atëherë dikush e tha një shaka të hidhur: - Sepse armiku kërkon të nga godas në zemër e aty gjaku e prish letrën. Pasi e pata shkruar emrin dhe vendlindjen në atë copë letre, sa herë më ndodhte ta prekja në xhepin e djathtë ku e kisha vendosur, më kujtoheshin skenat nga "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur" i Kadaresë, kur i zhvarrosin trupat e ushtarëve të vrarë dhe në skeletet e tyre gjenin pjesët metalike me emrat tyre të shkruara në to. Ditën që lufta përfundoi, atë copë letre e pata grisur, si për t'i thënë vdekjes se kisha triumfur mbi të.

___________

Kjo është njëra prej dy fotografive të vetme që kam nga Lufta e Kosharës. Neve që ishim në vijën e parë të frontit nuk na binte në mend për të bërë fotografi dhe po të mos ishte Rexhep Shehi që kishte sjellur një fotoaparat nga Norvegjia, as kjo fotografi nuk do të shkrepej kurrë. Këtu kam dalë bashkë me Nehat Shalën, i cili u nda nga ne vitin që shkoi. Unë isha vetëm 20 vjeç, ndërsa Nehati dyfish më i moshuar. Sot ne kujtojmë fillimin e Luftës së Kosharës, luftës që theu përfundimisht kufirin e vendosur dhunshëm midis trupit etnik e territorial të kombit shqiptar. Për ne që mbetëm gjallë krenaria është e dyfishtë: krenarë që patëm fatin të jemi në atë vend ku u nderuan armët e kombit tonë dhe krenarë që ishim bashkë me 114 heronjtë e Kosharës që dhanë jetën e tyre për nderin dhe lirinë e Kosovës. Varret e tyre janë pishtarë që na e ndriqojnë rrugën sa herë që ne e humbim atë në terrin e rrjedhës së historisë.