E premte, 19.04.2024, 06:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Kaza: Adoleshenca, stina e shpërthimeve (Kreu I)

E shtune, 29.11.2008, 11:25 AM


MOSHA E ZHVILLIMEVE TË VRULLSHME

 

Kur fillon dhe përfundon adoleshenca?

 

Është një pyetje që gjithmonë është shtruar dhe vazhdon të shtrohet jo pa interes. Adoleshenca është një fazë e jetës së secilës qenie njerëzore, në të cilën individi përfiton aftësi e njohuri për përgjegjësitë e të rriturit. Përvojat emocionale dhe ndryshimet trupore marrin ngarkesë të lartë drejt vendosjes së raporteve të reja me botën e veten. Kur nis e mbaron adoleshenca, nga mosha 11-18 vjeç apo 20-25 vjeç? Për këtë e mjaft probleme të tjera ka ide dhe mendime të ndryshme, të cilat janë me nuanca të veçanta, por në trajtim të përgjithshëm nuk kanë dallime thelbësore. Adoleshenca është periudha e jetës, e cila përfshin vitet ndërmjet fëmijërisë dhe moshës së rritur. Ajo shoqërohet me ndryshime rrënjësore, të cilat kanë të bëjnë jo vetëm me rritjen biologjike, por edhe me zhvillimin mendor, sjelljen, komunikimin etj. Në pikëpamje psikike, adoleshenca është një periudhë krize, që përfshin njëkohësisht ndarje, shkëputje, zhvillim e vetaktivizim të vrullshëm në një klimë shndërrimesh e shpërthimesh të mëdha.

Adoleshenca nuk është thjeshtë një stinë e jetës, por një mënyrë ripërtritjeje e psikikës, ku pasiguria dhe ankthi për të ardhmen, ndikimi i instinkteve, nevoja për përkujdesje dhe dëshira për liri, japin të gjitha së bashku mundësitë e shfaqjes mbi të cilat mund të zhvillohet vetë jeta. Por në kushte të ndryshme jetese, kemi vështrime të ndryshme. P.sh., në vendet e zhvilluara nga ana ekonomike rritja biologjike në ditët tona bëhet më shpejt nga ç’ndodhte vite më parë, edhe shkollimi që u ofrohet të rinjve është i ndryshëm, është më i gjatë. Pavarësia ekonomike arrihet më vonë, përtej moshës 20 vjeç. Ndonëse pjekuria biologjike është realizuar, statusi i të rriturve ende nuk u njihet. Vetë të rinjtë nuk ndjehen të rritur. Ata, siç i trajton shoqëria, janë në rrugën drejt formimit. Pra, adoleshenca përfaqëson një kohë kalimtare nga fëmijëria në pjekurinë relative. Ajo është një moshë kritike ndryshimesh dhe përjetimesh, prandaj ndikimi i faktorëve shoqërorë në të është shumë i rëndësishëm. Kohëzgjatja e adoleshencës mund të mos korrespondojë e njëjtë për të gjithë njerëzit përsa u takon karakteristikave të tyre të ndryshme të zhvillimit.

 

Në vështrim të përgjithshëm, adoleshenca është një dukuri e përbashkët për të gjithë individët, por natyrisht për secilin individ ose grup individësh ka ndryshime, që i ndeshim rëndom. Ato ndodhin për shkak të nivelit kulturor, periudhës historike dhe veçorive individuale të çdo subjekti. Duke u mbështetur në këto argumente, mund të arrijmë në përfundimin se adoleshenca pavarësisht mospërputhjeve kohore në mënyrë të plotë, përbëhet apo kalon në tri faza apo pjesë, të cilat janë: paraadoleshenca, adoleshenca e hershme dhe adoleshenca e vonë.

Në etapën e parë, paraadoleshenca, që lidhet me rindërtimin e organizmit, zhvillimi fizik dhe fiziologjik nuk bëhet i njëtrajtshëm. Prandaj koha e pubertetit shfaqet jo në të njëjtën kohë, duke e shtrirë krizën. Ritmet e zhvillimit janë të larta, por në planin e formimit të personalitetit ka paqëndrushmëri të madhe, megjithëse bie në sy e shprehet ndjenja e të rriturit. Shfaqen dyzime e lëkundje në karakter, të rinjtë dashurojnë vrullshëm dhe urrejnë papritmas, binden, nënshtrohen, por edhe rebelohen, paraqiten të sjellshëm e idealistë, por edhe brutalë e materialistë. Ata manifestojnë gjendje të ngritur emocionale dhe pa u kuptuar shndërrohen në pesimistë e kokëfortë, jo rrallë hutohen, përfshihen nga ndjenja e të qenit i pavlefshëm (kjo ndikon të mbyllen në vetvete). Në këtë moshë zhvillohet të menduarit teorik refleksiv, shkallë-shkallë ngrihen në një nivel më të lartë veprimet mendore: analiza, sinteza, klasifikimi, përgjithësimi etj. Lindin elementet e logjikës së të rriturit, duke u ngritur cilësia e perceptimeve, të kujtesës dhe imagjinatës. Adoleshenca e hershme është koha e vërtetë kalimtare ndërmjet paraadoleshencës dhe rinisë. Në këtë moshë krijohet një përfytyrim fillestar për orientimin profesional, gjë e cila krijon një tendosje e frikë, pavarësisht nga zgjedhjet që mund të bëhen. Gjatë saj marrin përparësi vlerat vetjake në krahasim me ndikimet e jashtme, ndërtohet plani jetësor dhe nevoja për intimitet është e papërballueshme. Ndjeshmëria emocionale e adoleshentëve është e lartë. Prandaj në këtë moshë shfaqen reagime të forta në çaste të papritura. Vlerësimi dhe vetëvlerësimi janë mekanizma nxitës, por në pranimin e tyre real ka luhatje të mëdha.

Ndryshimet fizike dhe emocionale të ndjeshme e të shpejta ndodhin në një hapësirë kohe të caktuar. Ato zgjasin deri në arritjen e autonomisë së plotë, atëherë kur vendosen raporte emocionale instinktive të shpejta me grupe të tjera dhe me mjedisin shoqëror. Megjithatë është disi e vështirë të përcaktojmë kufirin kohor të mbylljes së adoleshencës. Frojdi e ka përcaktuar këtë afat kohën kur “adoleshenti është i aftë të dojë e të punojë,” ndërsa Erikson e përcaktoi si kohën kur i riu “është i aftë të përfshihet për një raport intim me një tjetër, duke realizuar një takim ndërmjet dy “unë-ve” të ndryshëm”. Pra, adoleshenca mbyllet kur individi është i aftë të krijojë raporte të qëndrueshme me veten, me grupin e afërt dhe gjithë mjedisin ku jeton. Ky koncept i bazuar në aftësinë e përshtatjes me veten, me të tjerët apo me botën, tregon si ndodhin ndryshimet, që e detyrojnë individin të sillet e të formohet në bazë të raporteve që ka me mjedisin ku bën pjesë, me grupin më të afërt dhe me shndërrimet e tij të brendshme. Adoleshenca mund të karakterizohet si fazë e kalimit nga bregu i frikës dhe i ankthit në atë të strukturës funksionuese të sigurisë së të të rriturit. Ky kalim nuk bëhet në një ditë, as në mënyrë të rrufeshme. Për të duhet të shmangen a të kapërcehen një mori pengesash një nga një dhe jo të grumbulluara në mënyrë absurde. Një i ri, edhe pse është i gatshëm të jetojë i pavarur nëpërmjet punës së tij, ende trajtohet adoleshent dhe mbetet për një farë kohe nën ndikimin e të tjerëve, veçanërisht të prindërve të tij jo vetëm për forcën e zakonit, por për efekte të tjera, kryesisht psikologjike, shoqërore dhe ekonomike. Prandaj themi që adoleshenca vazhdon e zgjatet. Kjo na bën të bindemi që edhe pse arrihet mosha 20 vjeç, individi ende nuk e ka mbaruar këtë fazë kritike, pra ai nuk është i gatshëm të futet në botën e të rriturve. Pikërisht përballë kësaj zgjidhjeje ekziston rreziku i tërheqjes, veçanërisht kur të rinjtë nuk arrijnë të ndërtojnë raporte të drejtpërdrejta me realitetin. Për këtë arsye, në momente të tilla mund të paraqiten mundësi për t’u shfaqur te adoleshentët edhe prirje neorotike. Në të kundërt, ka nga ata të rinj që rriten përpara limiteve të caktuara kohore për arsye mbijetese, megjithëse kapacitetin, gjykimin e kritikën ende nuk e kanë të zhvilluar në nivelin e dëshiruar.

Një tipar tjetër i këtij ndryshimi, është rritja e adoleshentëve me shfaqje e prirje mbrojtëse, maniake e paranojake, dukuri këto të mundshme gjatë zhvillimit, të cilat shfaqen ose jo gjatë kësaj periudhe. Prandaj me të drejtë nga shumë studiues adoleshenca është përcaktuar si moshë e cila shoqërohet me probleme tepër të ndjeshme.

 

Zbulimi i kontratës shoqërore

 

Po të gjykojmë me kujdes, arrijmë në përfundimin se e gjithë jeta është ndërtuar e rrjedh në mënyrë të tillë, që të ngjason me një sistem piramidal, brenda të cilit gjenden një rrjedhshmëri detyrash, që duhen zgjidhur në momente sa më të përshtatshme. Nëse këto zgjidhje nuk bëhen në kohën e nevojshme dhe në përputhje me kërkesat etiko-morale, zhvillimi i individit bëhet gjithnjë e më kompleks, ndërsa në marrëdhëniet ndërpersonale paraqiten mjaft probleme. Po marrim një shembull. Në fëmijëri ekzistojnë detyra, të cilat artikulohen nga të gjithë krahët, si:

? Të folurit;

? Të ecurit;

? Vetëshërbimet etj.

Limiti është i përcaktuar në kohë biologjike. Po qe se për ndonjë motiv individi nuk arrin t’i realizojë këto detyra, I gjithë mekanizmi kompleks i evolucionit të përsonalitetit dhe zhvillimit të tij vihet në dyshim dhe fillon e kompromentohet.

Paralelisht me ato që përmendëm më lart, ekzistojnë edhe detyra të tjera socialkulturore, si:

? Të përftohen aftësi komunikuese specifike: shkrimi, leximi;

? Të fitohen shprehi shoqërore: të bëhesh qytetar i denjë, të demonstrosh përgjegjëshmëri në afate kohore të përcaktuara etj. Të gjitha këto kërkesa të argumentuara do të realizohen mirë, nëse respektohen parimet dhe metodat psikologjike të zhvillimit të personalitetit të njeriut. Në këtë fushë ka traditë kulturore të trashëguar, por ajo drejt së cilës kërkohet të përqendrohemi më tepër, mbetet edukimi i mirëfilltë me njohuri, parime dhe metoda bashkëkohore edukimi, të cilat na lejojnë dhe na ndihmojnë për të respektuar zhvillimin e individualizuar dhe efektiv të çdo fëmije. Disa parime zhvillimi janë të përbashkëta dhe të pandryshueshme për çdo kulturë njerëzore. Të tjera janë të pranishme në disa shoqëri të caktuara. Natyrisht, të gjitha këto parime ndikojnë drejtpërdrejt në tipin njerëzor, që shoqëria ka mision për të realizuar. P.sh., përgatitja për një karrierë pune në një shoqëri të prapambetur është detyrë e thjeshtë, pa kërkesa thelbësore, sepse ndarja e punës bëhet vetëm në bazë të një kriteri, të kriterit gjinor. Të gjithë anëtarët e shoqërisë, me përjashtime të vogla, kanë të njëjtën punë, prandaj përgatitjen e pasardhësve e realizojnë pothuajse në mënyrë standarde. Ndërsa në shoqërinë e sotme të konsumit procesi i edukimit paraqitet më i ndërlikuar, më i vështirë, sepse individi duhet të përgatitet në të gjitha drejtimet, që të përballet e të zgjidhë një numër situatash e detyrash, të cilat në jo pak raste mund të jenë edhe të paparashikueshme. Shoqëria demokratike krijon mundësi të panumërta, punë e probleme me të cilat individi përplaset. Pra, që një individ i tillë të triumfojë dhe të realizojë qëllimet e tij në jetë, kërkohet të ketë një shkallë të lartë zhvillimi, përgatitjeje të gjithanshme, e cila arrihet me një sistem të përparuar e kompetitiv edukimi.

Në praktikë, që në moshë të re përpiqemi t’i edukojmë fëmijët të zbatojnë disa rregulla. Dalëngadalë gjatë jetës individi nis të kuptojë vlerën e vertetë të zbatimit të tyre në mënyrë të përpiktë. Hap pas hapi ai arrin të përvetësojë edhe koncepte të tjera, si: kooperimi, drejtësia, mirëkuptimi etj. Prandaj Piazhe e karakterizon këtë veprimtari si proces ku fëmija zbulon kontratën e tij shoqërore. Në këtë mënyrë, individi jo vetem vendos raporte me realitetin në të cilin jeton, por ndërgjegjësohet për atë që në të vërtetë duhet të bëjë e duhet të jetë. Në të gjithë këtë proces roli i familjes është parësor. Në këtë fazë zhvillimi, krijimi i steriotipeve të gabuara krijon vështërsi për marrjen e përgjegjësive, të cilat rriten në mënyrë të përshkallëzuar së bashku me fëmijën. Prandaj metodat e edukimit familjar, orientimi, komunikimi dhe parimet e organizimit të punës konkrete kërkohet të përshtaten e të modelohen me veçoritë individuale të secilit fëmijë. Mbi këtë bazë realizohet në mënyrë të natyrshme dhe pa sforcime kontrata me realitetin shoqëror, e cila zgjerohet çdo ditë.

 

Vajzat e djemtë-orientime të identifikuara, adoleshenca mbetet universale

Qëllimi i çdo akti moral të njeriut është krijimi i një strukture drejtësie, ashtu siç e percepton dhe e koncepton ai, gjithnjë me synim për të siguruar kushte sa më normale, për të realizuar barazi për të gjithë. Kur një normë shoqërore shkon kundër të drejtave individuale të njeriut, përkundrejt qoftë edhe të një minorance, ajo normë normalisht del e paligjshme, e papranueshme, prandaj duhet ndërruar sa më shpejt të jetë e mundur. Përveç linjave të përbashkëta për të dyja gjinitë, ka edhe dallime të cilat në punën edukative është e domosdoshme të trajtohen në mënyrë të individualizuar. Vajzat edhe djemtë sillen në përshtatje me pozitën në shoqëri. Vlerësimet e tyre janë rrjedhojë jo vetëm i gjykimit, por edhe e përvojës. Ata kanë besim e binden për veprimet që kryejnë, gjithnjë mendojnë për vete, për probleme etiko-morale. Zbulimi i botës subjektive, nxjerrja në pah e fshehtësisë së saj, shkakton një periudhë kalimtare mbylljeje. Kjo tregon se adoleshentët kanë filluar përjetimin e vetes dhe të botës që i rrethon. Zhgënjimet dhe vështërsitë jetësore mund të sjellin gjendje kritike psikike, të cilat çojnë në dilemën a ia vlen të jetohet.

Sipas një sërë studimesh dhe vëzhgimesh të kryera, është arritur në përfundimin se zhvillimi i femrave është i orientuar kryesisht drejt marrjes nën kujdes. Në të kundërt, te zhvillimi i meshkujve. Këto orientime të identifikuara shpjegojnë edhe arsyen pse vajzat e ndërtojnë identitetin e tyre në një raport të thellë e shumë të fortë me nënën, figurë kryesore që kujdeset për to, kurse djemtë e zhvillojnë realisht identitetin pikërisht në momentin e ndarjes nga nëna. Prandaj këtë kohë ata e vlerësojnë si më të rëndësishmen në jetën e tyre të pavarur. Gjatë procesit të zhvillimit vajzat vazhdojnë të marrin tipare të identifikuara me nënat e tyre dhe të manifestojnë një ndjenjë të theksuar kujdesi e ndihme ndaj të tjerëve. Fëmijët e moshave të vogla kuptojnë shumë mirë gjendjen emocionale të përsonave që i rrethojnë dhe përpiqen të reagojnë në mënyrë sa më të përshtatshme. Fillimisht djemtë orientohen drejt atyre që njohin më mirë, ndërsa rreth moshës 9-10-vjeçare kjo ndjeshmëri shndërrohet në ndjenja altruizmi dhe kujdesi të vertetë ndaj problemeve të ndryshme të karakterit universal. Për zhvillimin e kësaj ndjeshmërie, luajnë një rol të rëndësishëm dhe disa faktorë kulturorë, të cilët kanë forcë më të madhe në shoqëritë tradicionale se në shoqëritë moderne. Në shoqëritë e ashtuquajtura postindustriale duket se një problem kyç është edukimi i ndjenjës së solidaritetit. Sidoqoftë, në periudhën e adoleshencës sjellja morale për një kohë të gjatë merr vlerat e familjes, prindërit vazhdojnë të mbahen si modele morale për ta.

Prirja karakteristike e të rinjve është se duan të marrin e të trajtojnë gjithçka seriozisht. Ata kërkojnë të jenë të respektuar. Në disa raste këto dukuri krijojnë edhe një farë mbingarkese dhe humbje të panevojshme energjish, gjë që e ngadalëson procesin e zhvillimit. Nëse këtë dukuri arrijmë ta vëmë në baraspeshë, pjesëmarrja e adoleshentëve në jetën shoqërore e familjare do të jetë më pozitive, më terheqëse dhe më prodhimtare. Në të kundërt, dështimet, zhgënjimet dhe mungesa e perspektivës sjellin çrregullime të mëdha. Kjo është më e theksuar tek tipat sentimentalë, veçanërisht tek vajzat. “Do të doja që mos të kishte moshë ndërmjet dhjetë dhe njëzet e tre vjetëve ose që rinia të flinte gjithë këtë interval kohor, sepse në këtë periudhë ka vetëm mashtrime deri në përdhunime, vjedhje, sharje, rrahje etj.” Këtë përcaktim e kam shkëputur prej një testi të bërë me disa vajza maturante. Përgjigje të tilla ose të përafërta me to dhanë rreth 8,5% të pjesëmarrëseve, pra një numër i kufizuar i këtyre vajzave janë të zhgënjyera dhe të pakënaqura me periudhën më të mirë të jetës së tyre. Shkaqet mund të jenë të shumta, por dukuri të tilla ndeshen kudo në shoqërinë tonë, gjë e cila shtron domosdoshmërinë e parandalimit, por edhe të shërimit të këtyre plagëve nëpërmjet projekteve të mirëfillta edukative. Adoleshenca, pavarsisht se shfaqet në mënyrë të ndryshme sipas kulturave të caktuara, karakterizohet nga disa dukuri të veçanta që mund të merren si universale. Adoleshenca është një kohë e zhvillimeve të shumta, në të cilën veprojnë faktorë të natyrës biologjike, psikologjike e shoqërore. Ndryshimet somatike të pubertetit, hyrja në një shkollë, ndikojnë ndjeshëm në raportin e adoleshentit me vetveten dhe me të tjerët. Puberteti biologjik është koha kur arrihet statusi biologjik i të rriturit. Vëmendja në këtë kohë drejtohet më tepër tek trupi, tek pamja e jashtme, tek përshtypja që u lihet të tjerëve, tek pranimi ose jo i tyre. Të gjitha këto ndryshime bëjnë që çdo individ të trajtohet në mënyrë të ndryshme nga të tjerët, pak a shumë të individualizuar.

Ndryshimet fizike shoqërohen me përvoja emocionale intensive: ndryshimet trupore çojnë në kërkimin e qëndrimeve e të vlerësimeve të reja me vetveten dhe të tjerët. Zhvillimi më i ngadaltë i disave shkakton ankth dhe paqartësi. Ndryshime të shumta në raport me botën që na rrethon, janë të nxitura nga ngacmuesit, të cilët bëhen tërheqës për adoleshentin. Në këtë kuptim, relacionet shoqërore, miqësia, dashuria e mosmarrëveshjet familjare marrin kuptim të veçantë dhe mund të bëhen objekt preokupimi për adoleshentin. Shumë ide dhe mendime të konsoliduara vihen në diskutim edhe për faktin se përballimi i së ardhmes duket i vështirë. Adoleshenti në këtë periudhë kërkon të riorganizohet në vetvete. Ndryshimi është gjenetik dhe ka të bëjë me kalimin nga varësia fëminore në pozicionin e të rriturit gjatë një intinerari pak a shumë të gjatë që ndryshon sipas kulturave. Njëkohësisht, ky proces synon për të fituar forcën riprodhuese, forcën e çiftëzimit, forcën në shoqëri e mbi të gjitha vetërealizimi si individ, si njeri. Konfliktet e të rinjëve me më të rriturit shkaktojnë vështirësi, të cilat mund të përshkallëzohen sipas disa niveleve, që përkojnë me tiparet e karakterit dhe veçoritë e personalitetit të tyre. Përveç ndryshimeve brenda së njëjtës gjini dhe të gjinive të ndryshme, ka ndryshime të ndjeshme individuale që lidhen me stilin konjitiv. Aftësia për të përvetësuar rregulla, njohuri dhe sjellje, përcaktohet sipas variacioneve intelektuale të çdo individi. Adoleshentët impulsivë kanë një ritëm të shpejtë në fitimin e aftësive të të kuptuarit. Ata mendojnë dhe përgjigjen menjëherë, ndërsa të rinjët reflektivë duan kohë përpara se të përgjigjen dhe vlerësojnë alternativën më të drejtë. Adoleshentët janë mbase të ngathtë për t’u ndërgjegjësuar për rritjen e tyre të vrullshme, gjë e cila sjell edhe shqetësime të natyrave të ndryshme që shfaqet në qëndrime dhe sjellje në jo pak raste të paparashikuara. Kjo bën që prindërit dhe mësuesit edhe të zhgënjehen për momentin, duke vënë në pikëpyetje shumë nga mendimet që kishin krijuar më parë në vlerësimet e tyre për të rinjtë. Reagimet shfaqen të ndryshme tek individë të veçantë, por kjo dukuri është më e shprehur dhe më e dallueshme për djemtë dhe vajzat, gjë e cila ndodh për shumë arsye. Janë djemtë ata që krijojnë alarm me veprimet e tyre të papritura kundër normave e kundër autoriteteve në familje, në shkollë e bashkësi. Situata e vuajtjeve të djemve shprehet nëpërmjet veprimeve, kundërshtimeve dhe aksioneve të përditshme. Vajzat vuajnë në heshtje e vetmi, fshihen në dhimbjet e tyre. Prandaj ato i mbajnë dhe i përjetojnë më tepër së brendshmi këto dukuri. Mjafton këtu të përmendim problemet e paraqitjes së jashtme, mënyrën e shijen e të ushqyerit etj. Në këto kushte, familja dhe shkolla është me vend të sjellin tek psikologu të rinjtë më problematikë me shpresën se një specialist i tillë arrin t’i kthejë aksionet në mendime dhe të modifikojë sadopak veprimet e tyre. Në raste të kundërta kemi posoja deri të pariparueshme. Ndryshimet në mes të djemve dhe të vajzave shikohet edhe tek elaborimi i riprodhimit, domethënë formimi i aftësive materne dhe paterne, të cilat tek vajzat janë evidente, spektakolare e prodhojnë mendime, ëndrra e fantazi, ndërsa tek djemtë ato dukuri shfaqen të heshtura, të rastësishme dhe jo aq të thella. Dallimet ndërmjet sekseve, jo sa ngjashmëritë, na terheqin vemendjen dhe nxisin një farë interesi studimor. Edhe në paraqitje ka ndryshime të ndjeshme: femra është më e shkurtër, zotëron më pak muskuj dhe, përgjithësisht, është më e lehtë. Vajzat hyjnë më shpejt në pubertet dhe kanë 25% më tepër aftësi për të dalluar ngjyrat. Djemtë përballojnë më shpejt depresionin. Ata janë më pak të ndjeshëm ndaj shijeve dhe kanë më shumë prirje për të kryer akte të padëshiruara; janë më tepër agresivë, sidomos në planin fizik. Ndryshime vërehen edhe në krijimin e marrëdhënieve shoqërore dhe në mënyrën e ndërtimit të komunikimit. Në sjelljen e meshkujve pasqyrohet pothuajse gjithnjë shqetësimi për superioritet e pavarësi, ndërsa tek femrat vërehet më shumë prirja për vartësi e nënshtrim, gjë që shoqërohet me buzëqeshje dhe tolerim të ndërhyrjeve. Kështu, meshkuj dhe femra në adoleshencën e tyre ndjekin rrugë të ndryshme zhvillimi. Ata shprehin e përjetojnë në mënyra të veçanta vuajtjet dhe shqetësimet, që shkaktohen kur perkorsi evolutiv pëson një ndalim duke reaguar në mënyra të ndryshme: vajzat dëmtojnë trupin e tyre, ndërsa djemtë sulmojnë realitetin, shoqërinë, shkollën e familjen. Djemtë luftojnë për pavarësi. Ata e përcaktojnë identitetin e tyre të ndarë nga njerëzit që përkujdesen për ta. Ndërsa vajzat e mirëpresin pavarësinë. Ato e përcaktojnë identitetin e tyre përmes lidhjeve shoqërore. Djemtë përfshihen në veprimtari me grupe të mëdhaja, ndërsa vajzat në grupe më të kufizuara, me më pak agresivitet, me më tepër përfshirje, me intimitete diskutimesh e marrëdhëniesh. Në grupet shoqërore djemtë shpërndajnë informacion, ndërsa vajzat ndajnë ide për të dhënë ndihmesë e mbështetje.

 

 

Tranzicioni moral

 

Në pamje të parë, qëndrimi socialopolitik e çështjet publike duket se janë larg interesave dhe vemendjes së adoleshentëve. Duke i vlerësuar nga ky këndvështrim, mund të themi se ata janë të lirë, të painteresuar. Prandaj ngjajnë sikur rrinë në heshtje. Shoqëria e të rriturve është e domosdoshme dhe mjaft e nevojshme që të dekodifikojë të gjitha mesazhet e të rinjve. Jo vetëm ato që kanë të bëjnë me miqësinë, me raportet ndërmjet bashkëmoshatarëve, me raportet me familjen e me relacionet e dashurisë etj., ku për probleme të tilla adoleshentët nuk del se rrinë të njanshëm e të heshtur. Ka faktorë të mjaftueshëm pse adoleshentët propozojnë shndërrimin relacional në botën e dashurisë dhe jo në atë të politikës.

Të rinjtë kanë dëshirë, veçanërisht gjatë viteve të shkollës së mesme, të jenë gjithnjë e më të pavarur. Kjo vërehet në veshjen e tyre, në pjesëmarrjen në diskutime, në mendimet e vlerësimet që shfaqin, në teknikat që përdorin për zgjidhjen e problemeve. Ata janë të shqetësuar se çfarë të tjerët thonë e mendojnë për ta. Të gjitha këto krijojnë një periudhë stuhie, trazirash dhe stresi, të cilat, veç të tjerash, rrjedhin dhe nga prirja për t’i zgjidhur të gjitha gjërat përnjëherë. Jo në pak raste adoleshentët që dështojnë, manifestojnë akte brutaliteti e vandalizmi. Reagime të tilla të rënda amortizohen me marrëdhënie të ngrohta, me shprehje të besimit reciprok, me qëndrime dashamirëse, me respekt duke shmangur vërejtjet, britmat dhe ironinë. Vlerësimi i anëve pozitive, krijimi i besimit në aftësitë dhe mundësitë që kanë të rinjtë, krijojnë kushte reale për të ndërtuar projektin e suksesshëm edukativ. Të rinjtë që kanë vlerësim të tepruar në shkollë apo familje, pa baza e arritje konkrete, rrezikohen të shndërrohen në idhuj të rremë. Baraspesha e kërkesave, kritikave e vërejtjeve me vlerësimet dhe vetëvlerësimet kërkohet të ruajnë raporte që të shërbejnë për nxitje e motivim të mëtejshëm.

Koha e adoleshencës mund të karakterizohet si kalim ndërmjet moralit të detyruar dhe bashkëpunimit. Në fund të shkollës së mesme vajzat kanë më shumë çrregullime emocionale se djemtë. Ato janë të shqetësuara dhe në disa raste të frikësuara për të ardhmen e tyre. Ato shfaqen të çorientuara në punë të ndryshme. Në mësime marrin vlerësime të pakënaqshme. Adoleshentët me çrregullime emocionale bëhen depresivë. Niveli dhe shkalla e prekjes së tyre nga depresioni varet nga cilësitë e karakterit. Ata të cilët ndjehen të paaftë për të realizuar detyrat, të painteresuar për shokët, familjen dhe që sundohen nga mendimi negativ, kanë shfaqje tipike depresive. Shkaqet e burimet e depresionit janë të ndryshme, por më së shpeshti për adoleshentët mbeten dështimet në jetën e përditshme, edhe në mësime, të cilat analizohen e vlerësohen me përgjegjshmërinë karakteristike të moshës së tyre. Nëse një adoleshent për dështimin në një provim fajëson veten, ai fillon të mendojë dhe mund të arrijë në përfundimin se është me mangësi mendore. Duke e mbështetur dështimin kështu në një tezë të padrejtë, ai fillon të inatoset me veten. Thellimi i një mendimi të tillë pesimist e vetëfajësues nuk është gjë tjetër, veçse një ndjenjë depresioni e mungesës së shpresës. Gjendjet shpirtërore i japin ngjyrë mendimit, kur ndjehemi të lumtur, kujtojmë e mendojmë gjëra të bukura. Nëse gjendja shpirtërore errësohet, mendimet marrin udhë të tillë, fillojnë e grumbullohen ide e mendime të errëta dhe ngjarje negative. Në këtë moment marrëdhëniet e adoleshentëve zbehen, sjellja ndryshon, ata ndjehen të vetmuar, të veçuar nga të tjerët dhe pa perspektivë për të ardhmen, gjë e cila mund të nxisë përvoja negative. Për t’u dhënë fund situatave të tilla, kërkohet një punë këmbëngulëse. Në raste të tilla, fëmijëve në kohën e përshtatshme u duhet dhënë një shpjegim alternativ për shqetësimin dhe dështimet e mundshme, për të kuptuar shkakun e tyre të vërtetë. Prandaj është mirë që të rinjtë të marrin informacion për mundësitë e aftësitë që në të vertetë kanë, gjë që do t’i ndihmojë për të krijuar sfondin emocional pozitiv për t’i motivuar në veprimtaritë e ardhshme. Krijimi i përfytyrimeve dhe i besimit për arritje më të mira, rrit dëshirën e nivelin e kërkesave dhe të synimeve për objektiva më të lartë.

 

Vlerësimi i motivon të rinjtë

 

Nëse adoleshentët nuk vlerësohen apo dyshojnë se mendimet e tyre u lihen pas dore, pasqyrimi i kësaj gjendjeje do të ndikojë në marrëdhëniet me prindërit, si dhe me të tjerët, duke u bërë gjithnjë e më problematikë në familje dhe në shoqëri. Krijimi i një sistemi sa më të drejtë vlerësimi, pa teprime, fyerje, por dhe pa sentimentalizëm, krijon kushte dhe jep mundësi për ta kthyer atë në një mjet të vërtetë motivues edukimi. Vlerësimi në adoleshencë ka lidhje sidomos me motivimin mësimor. Prandaj në disa raste kur në këtë proces nuk tregohet kujdesi i duhur, lindin keqkuptime dhe shkaktohen përjetime të rënda. Koncepti për vetveten ndikon vazhdimisht gjatë gjithë veprimtarisë njerëzore, por në momente të caktuara vetëvlerësimi bëhet më i dukshëm. Pikëpamjet teorike dhe studimet bashkëkohore rreth këtij problemi janë të shumta dhe të ndryshme. James ka thënë se vetëvlerësimi bazohet në vlerësimin që i bën individi mënyrës së funksionimit të tij në vende të rëndësishme për të. Nëse ai frekuenton mjedise që nuk kanë ndonjë interes për të, vërejmë se vetëvlerësimi është në nivele të ulta. Mead, një tjetër studiues i kësaj fushe, thekson se për formimin e vetëvlerësimit një rol të veçantë kanë gjykimet dhe vlerësimet e të tjerëve. Për këtë arsye vërejmë shpesh se individi bën të vetat sjellje që nuk i përkasin atij, të cilat janë të të tjerëve. Psikologia Suzan Tharter mbështet idenë se vetëvlerësimi është i ndikuar drejtpërdrejt nga ajo si individët ndjehen të aftë, të frytshëm dhe të nevojshëm në mjedise ku suksesi ka shumë rëndësi për ta. Edhe vlerësimi që ata bëjnë ndaj sjelljeve të të tjerëve, është i lidhur me vlerësimin që kanë për veten e tyre. Kjo dukuri është e dukshme në adoleshencë, megjithëse vazhdon të ndeshet edhe më vonë, gjatë gjithë jetës. Adoleshenti kur ndjehet i vlerësuar dhe i mbështetur nga faktorë që i vlerëson të rëndësishëm, nxitet e fiton energji të reja. Problemet fizike, sidomos për vajzat, janë faktorë vendimtarë për përcaktimin e vetëvlerësimit. Paraqitja e jashtme ka më tepër vlerë krahasuar edhe me aftësinë shkollore apo sjellje të tjera. Në adoleshencë prindërit dhe mësuesit ndikojnë në mënyrë të ndjeshme për zhvillimin e vetvetes, shkallë-shkallë rritet edhe roli i moshatarëve dhe i të njohurve në rrethe të ngushta në këtë fushë. Për t’u theksuar është fakti se ka një vartësi të veçantë ndërmjet faktorëve kulturorë, shoqërorë dhe vetjakë në formimin e konceptit të vetëvlerësimit. Ideja e vetes lind dhe zhvillohet gjatë gjithë qenies së njeriut. Ajo është një ndër elementet më të rëndësishme që ndikon jo thjesht për mbijetesë, por për një prirje pozitive identifikimi. Me shpresën se do të lënë përshtypje të mira tek të tjerët, jo pak njerëz shpenzojnë shumë energji, mund të bëjnë sakrifica të mëdha dhe kufizime të vazhdueshme. Ata shqetësohen për vetëparaqitjen, vëzhgojnë me vëmendje sjelljen e të tjerëve për të qortuar sjelljen e tyre. Adoleshentët shqetësohen nga fakti si i perceptojnë të tjerët, si i vlerësojnë ata. Nga ana tjetër, ata luftojnë të paraqitet sa më dinjitozë dhe të aftë në lidhjet që realizojnë. Secili adoleshent shpreh interes se çfarë mendojnë shokët dhe prindërit e tij për të. Për të lënë një përshtypje të mirë, nga secili prej tyre mund të mbahen qëndrime dhe të kryhen veprime te të cilat nuk besohet plotësisht, por veprohet vetëm se shtyhen më tepër nga ideja e administrimit të mendimit të të tjerëve. Prandaj është me vlerë t’i ruajmë të rinjtë nga vlera e mendimeve dhe e përshtypjeve të të tjerëve, që ato të mos kthehen në mënyrë të menduari dhe të vepruari, pasi reagimi dhe rregullimi i marrëdhënieve shoqërore vetëm mbi këtë bazë, nuk jep ndonjë përfundim të dëshiruar. Madje shpesh qëndrime të tilla të stërzmadhuara, duke mos e përputhur sjelljen me situatën konkrete, i kthejnë adoleshentët në njerëz qesharakë, në mizantropë a don kishotë të kohëve moderne. Të rinjtë që drejtohen nga bindjet e tyre të brendshme, që veprojnë ashtu siç besojnë, kanë rezultate më të larta në të gjitha fushat e jetës. Prandaj mënyra e sjelljes, qëndrimet apo veprimet është mirë të ndryshojnë vetëm pasi i riu të ketë motive të qarta, pa ndonjë trysni për të rivlerësuar qëndrimet dhe sjelljet e mëparshme. Këtu do treguar kujdes edhe përsa i takon vetëvlerësimit. Në përgjithësi, ai zhvillohet në vartësi të asaj që individi kupton se shkon mirë në mjediset, të cilat për të kanë rëndësi, pasi në to ai ka sukses. Në ato veprimtari që vlerësohen të pasukseshme, ndikimi në vetëvlerësim s’përmban ndonjë motivim të brendshëm. Të rinjtë që nuk e mbajnë veten për të zotin në veprimtarinë mësimore, shfaqen me pasoja edhe në zhvillimin e personalitetit. Vetëvlerësimi, pra për të qenit i aftë, është domosdoshmëri për të krijuar atmosferën e ngrohtë psikologjike, përkrahjen dhe nxitjen për arritje të kënaqshme. Në këtë drejtim, jo pak interes paraqesin edhe gjykimet e të tjerëve. Ajo çka ata mendojnë, vlerësojnë e shprehin, ndikon dukshëm në qëndrimin dhe sjelljen e të rinjve. Kjo nuk duhet vlerësuar thjeshtë dhe vetëm si ndikim i mendimit të të tjerëve në kuptim të tij klasik, por si një shtysë reale, vlerësuese që na nxit për të ecur përpara. Këtë proces nuk duhet ta ngatërrojmë me manitë që kanë disa individë, të cilët për nga vlera që i japin vlerësimit të çfarëdoshëm të të tjerëve, duket sikur jetojnë për botën, jo për veten e tyre. Pavarësisht nga lëkundjet në nivelet e vetëvlerësimit, mund të flasim për një farë stabilizimi të personalitetit të adoleshentit, që lidhet me formimin e konceptit “unë” në kufinjtë e paraadoleshencës dhe të moshës së rritur. Në këtë moshë respekti për veten është më i lartë, rritet aftësia vetërregulluese dhe vetëkontrolluese për sjelljet, qëndrimet dhe emocionet. Kemi një qëndrushmëri morale të personalitetit që dallohet në veprimet dhe sjelljet e adoleshentëve në shkollë, familje dhe në kryerjen e detyrave të ndryshme. Prirja e vlerësimit nuk është karakteristike vetëm për periudhën e adoleshencës, por edhe më tej, gjatë gjithë jetës së njeriut. Pavarësisht se në çfarë moshe e shkalle zhvillimi është individi, ai ka nevojë të brendshme të ndjehet i vlerësuar jo thjesht për kënaqësi, por si një tregues për nxitje të mëtejshme. Njeriu që ndjehet i mbështetur e i vlerësuar nga bashkëpuntorët e tij, të cilët natyrisht mbahen të rëndësishëm për të, do të ketë më tepër shtysa për të përjetuar një vlerësim pozitiv për vetveten. Perceptimi që kanë individët mbi sjelljen e të tjerëve, është i lidhur me vetëvlerësimin e tyre. Natyrisht që shkalla e këtij ndikimi ndryshon në vartësi me nivelin e formimit dhe me moshën e subjektit. Në konceptin e vlerësimit të vetes ka një kuptim domethënës gjendja fizike, pranimi nga ana e bashkëmoshatarëve, aftësia shkollore, sjellja etj. Problemet që lidhen me anën fizike, kanë më tepër vlerë për vajzat se për djemtë. Prandaj në shumë raste ato bëhen në mënyrë të menjëhershme të pakënaqura me një situatë të pafavorshme, qoftë dhe e krijuar rastësisht. Ky qëndrim te to ndeshet me shpesh se te meshkujt. Është kjo arsyeja që një adoleshente sapo fillon të ndjehet se nuk është e këndshme, tërheqëse, e bukur, do të ketë edhe një nivel më të ulët vlerësimi nga moshatarët e saj djem. Ky fakt sjell një lloj nënshtrimi e tërheqjeje në vetvete, të cilat shkaktojnë dhimbje dhe në ndonjë rast edhe brenga, të cilat mund të lënë gjurmë e të mbarten për një kohë të gjatë. Në shumë analiza pas studimesh të njohura, të kryera në vende të ndryshme me një nivel të lartë shkollimi, vërtetohet fakti se prindërit dhe mësuesit ndikojnë mjaft dhe kanë një rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin e konceptit të vetvetes. Kjo ka të bëjë me të gjithë të rinjtë që bëjnë jetë të organizuar. Ndërsa për pakicat e detyruara nga kushte të caktuara për të jetuar nëpër rrugë, janë moshatarët e tyre, të cilët ndikojnë më shumë në këtë drejtim. Një dukuri e tillë shpjegohet me faktin se shpesh bashkëshoqëruesit e tyre mbeten e vetmja pikë referimi për ta. E njëjta gjë ndodh gjatë rritjes së individit, sepse lidhjet shoqërore sjellin mënyra të reja të të menduarit dhe të sjelljes. Ky moment vlerësohet jo vetëm në konceptimin e një shembllimi që mund të kopjohet apo të modelohet, por në drejtim të përvojës së fituar.

 

Përpjekje për sisteme sjelljesh të reja

 

Adoleshenti e zhvillon konceptin për veten dhe për të tjerët pikërisht për faktin se në këtë moshë kanë rëndësi dhe vlerësohen lidhjet e raportet e panumërta shoqërore. Ky koncept është i shoqëruar me zhvillimin e ndjenjave të natyrave të ndryshme. Shumë studiues mbështesin teorinë e evolimit të vetvetes të karakterizuar nga një vazhdimësi përvojash dhe zbulimesh, ku çdo njëra prej tyre mund të shmanget duke zgjedhur diçka tjetër më të re. Në praktikë kjo është mënyra e funksionimit të çdo njeriu. Dëshira për ndryshim të vazhdueshëm zë vendin e qëndrueshmërisë që mbisundonte më parë. Në adoleshencë dallohen qartë karakteristika të tilla, si: paqartësia, lëkundshmëria, mosvendosmëria, humbja nëpër qindra mendime dhe ide të ndryshme. Nëse raportet shoqërore të fëmijëve bazohen nga largësia që kanë, apo nga aftësitë fizike, kjo lidhje mund të mbarojë në momentin kur fëmijët fillojnë të frekuentojnë shkolla të ndryshme. Hap pas hapi me rritjen zhvillohet dhe koncepti i kohës. Tashmë një shok është ai me të cilin kalojnë një etapë kohore të rëndësishme, me të cilin ndahen të mirat e të këqijat pa formuar pakënaqësi, por afrimitet, besueshmëri e ndërsjellë etj. Aftësia dhe mundësia e të folurit, e shkëmbimit të pikëpamjeve për gjëra të rëndësishme dhe të parëndësishme etj., përbëjnë bazën dhe themelin e shoqërisë së vërtetë të adoleshentëve. Problemet e shumta që lindin në këtë etapë, për cilësinë e shoqërimit, kërkojnë të trajtohen me kujdes të veçantë, larg recetave të gatshme. Më tepër vlerë merr në raste të tilla ndërgjegjësimi dhe bindja. Këshillat, urdhrat, diktati dhe moralizimet jo në pak raste janë me pasoja negative. Ato ngjallin pakënaqësi të brendshme dhe në momente të caktuara sjellin kundërveprimin e të rinjve. Në praktikë, të vegjëlit e pranojnë në heshtje faktin që prindërit dhe mësuesit të jenë autoritarë, duke i dhënë kësaj një nuancë të pranueshme apo më të rëndë se kaq. Ndërsa të rinjtë nuk e shohin më veten në këtë nivel. Ata e dinë se duhet vetëm të ndjekin rregullat për të qenë brenda normave, pra e pranojnë në formë të bëjnë çfarë u thonë të tjerët. Prandaj përpiqen në shumicën e rasteve që t’i përcaktojnë sa të jetë e mundshme vetë rregullat, veprimet dhe mënyrat e sjelljes. Falë këtij zhvillimi, nuk janë të pakta rastet në të cilat adoleshentët përfytyrojnë dhe përpiqen të praktikojnë sisteme sjelljesh shoqërore të reja për të shmangur e për të kapërcyer padrejtësitë, të cilat i vlerësojnë si të tilla në jetën e përditshme. Prandaj ata gjithnjë luftojnë të ndërtojnë me shumë pasion një shoqëri sa më të drejtë dhe mundësisht të barabartë për të gjithë. Ky idealizëm njerëzor bie ndesh me moralin që ndeshin në shoqëri, i cili jo rrallë është i zhveshur në një farë mase nga humanizmi, toleranca dhe mirësia. Autoriteti i prindërve dhe mësuesve është mirë të kuptohet qartë; të trajtohet e të përceptohet ai si diçka e drejtë në kuptimin relativ të këtij koncepti, për të shmangur keqkuptimin me një autoritet të rremë, të detyruar e dhunues, i cili nuk buron nga mirëkuptimi dhe toleranca, por lind mbi bazën e nënshtrimit të padiskutueshëm. Prindër që fitojnë një autoritet të tillë, pra që kërkojnë nënshtrim të plotë të fëmijëve të tyre, kanë prirje ndëshkuese dhe agresive. Ata përpiqen t’i bindin fëmijët me të bërtitur, me ulërima. Nëpërmjet dhunës përpiqen t’i mësojnë ata që të zgjidhin e të përballen me problemet e jetës. Dhuna brenda familjes çon në dhunë, prandaj në familje të tilla prodhohet edhe përqindja më e lartë e prindërve të ardhshëm abuzues dhe të kontigjenteve të të rinjve të përfshirë në krime. Këtu do vënë në dukje se edhe kujdesi i tepruar dhe shfaqjet e ngushta emocionale në mënyrë të vazhdueshme, nuk janë të frytshme, sepse nxisin pasivitetin, varësinë dhe shkaktojnë vështirësi komunikimi në mjedise jofamiljare. Edukimi nëpërmjet kontradiktave në marrëdhëniet prind-fëmijë ka pasoja negative, të cilat pasqyrohen në zhvillimin e përgjthshëm të personalitetit të të riut. Prandaj këmbëngulet që raportet në marrëdhëniet familjare është e domosdoshme të ndërtohen drejt. Ato kërkohet të jenë të ndërsjella, ku, përveç kontrollit, merr vlerë vemendja e kujdesi për fëmijën, dashuria, respekti, pranimi dhe trajtimi i tij sipsas veçorive individuale moshore. Fëmija mëson nga shembulli, nga modeli që i jepet në çdo moment, por ai ka nevojë të lejohet të rritet edhe siç dëshiron, me një pavarësi të arsyeshme, e cila çliron energji e zhvillim.

 

Lindja e projektit për jetën

 

Psikologu amerikan Stanley ka argumentuar shkencërisht, ndër të tjera, edhe shumë veçori të adoleshencës. Ai, duke vënë përballë njëra-tjetrës botën e fëmijës dhë të adoleshentit, e ka përcaktuar këtë të fundit, pra botën e adoleshentit, si lindje e re apo rilindje. Kjo ndodh se në këtë moshë është koha e ndryshimeve dhe e shpërthimeve të mëdha, të menjëhershme, të cilat për nga përmasat e shpejtësia e veprimeve dhe të dukurive, mund të krahasohen me vërshimin e rrëmbyeshëm të një katarakti. Ajo që më parë dukej si një ëndërr, papritmas është bërë realitet, fillon të marrë trajta të vërteta, lind projekti i ri, që i përket të ardhmes së afërt, jetës. Fëmija është i orientuar kryesisht drejt botës së jashtme dhe dukurive të saj të shumta, ndërsa adoleshenti është i interesuar më shumë drejt zhvillimit të një jete të brendshme, pra të unit, që ka karakter intensiv. Kjo realizohet në bazë të aftësisë së autoeksplorimit, kapërcimit, kalimit nga njëra tek tjetra, të cilat vijnë shpesh edhe në mënyrë dramatike. Për këtë arsye, etapa e adoleshencës është gjithënjë e shoqëruar me ndjenja e vështrime të kundërta, me gjendje shpirtërore herë entuziaste, herë pasive, e fjetur. Kalimi i menjëhershëm nga njëra gjendje në tjetrën shkakton edhe trauma. Prandaj vëmendja e edukatorëve kërkohet të përqendrohet, së pari, në shmangien e faktorëve që i krijojnë ato. Ndërsa në rastet kur ndodhin, është e domosdoshme të mbahen nën kontroll të plotë për të ulur sa të jetë e mundshme ndikimet e tyre negative. Kjo mënyrë vështrimi e përjetuar nga brenda, por edhe shoqërimi me të tjerët dhe me botën në marrëdhënie të shumëllojshme provokon, pa dyshim, një farë përhumbjeje, shpërndarjeje, e cila, nëse manifestohet për një kohë të gjatë, e bën adoleshentin të paaftë të zgjedhë në jetë një rrugë të tijën. Kjo shpjegohet edhe me faktin se çdo zgjedhje që bën, i jep atij përshtypjen, qoftë edhe iluzive, se po humbet një sërë mundësish, të cilat i dalin përpara dhe që mbeten pa u shfrytëzuar. Megjithatë, edhe të shmangurit, edhe tërheqja përballë zgjedhjeve, sjellin një lloj shpërndarjeje apo pamundësie për të provuar e për të vepruar në realizimin e projekteve rreth vetes dhe vendit që i takon të zërë në botën që e rrethon. Prandaj kërkohet vendosja e një baraspeshe dinamike në këtë drejtim. Lindja e ndjenjës së të rriturit varet nga mjedisi në të cilin rritet adoleshenti, shfrytëzimi i kohës, veprimtaritë në të cilat përfshihet, dhe pavarësia që zotëron, e krahasuar kjo edhe me moshatarët e tij. Rol kyç në këtë fushë ka sistemi i marrëdhënieve në të cilat është përfshirë fëmija, pranimi apo mospranimi i tij nga prindërit, mësuesit dhe moshatarët. Zbulimi i botës së brendshme dhe përjetimet e thella në marrëdhëniet e reja ndikojnë për vetënjohje të përshkallëzuar, në të cilën ka jo pak edhe doza pasioni. Evolucioni i vetes, në raste të tilla, merr rëndësi të veçantë. Ai merret dhe përforcohet si një vazhdimësi përvojash dhe eksplorimesh, ku secila prej tyre mund të braktiset për të parapëlqyer apo për të përqafuar një tjetër. Kështu krijohet një nga mënyrat tipike të të funksionuarit të jetës njerëzore në epokën tonë, në të cilën nxitja e ndryshimit të krijon idenë e të duket se ka zënë vëndin e qëndrueshmërisë, të jetës së rregullt. Kjo dukuri është e lidhur edhe me paqartësinë shpërndarëse, e cila përbën një nga tiparet më të dallueshme të adoleshencës. Krijimi i përfytyrimit për një model të ëndërruar apo për një formë të plotë të projektit shoqërohet me interesa intelektuale e estetike, me shfaqjen e padurimit dhe me prirjen për pavarësi prej të rriturve.

 

Formimi i identitetit

 

Në lidhje me formimin e identitetit në moshën adoleshencës, Erikson ka thënë se ky proces është rrjedhojë pozitive e konflikteve jetësore, të cilat i japin ritmin ciklit të jetës nga lindje gjer në vdekje. Adoleshentët për të përballuar vështirësitë me mjetet sa më racionale, duhet të kenë një mbështetje të veçantë shoqërore, e cila u jep atyre edhe një farë sigurie. Shpërndarja e vetes përbën zgjidhjen negative të të njëjtit konflikt. Psikologët e kanë përshkrur “identitetin” si një lloj ose si vendosje e një baraspeshe ndërmjet impenjimit dhe konfuzionit rreth vlerave shoqërore. Marcia e ka lokalizuar interesin e tij për llojin dhe mënyrat e impenjimit të çdo adoleshenti përballë realitetit në të cilin ndodhet. Çdo impenjim është cilësuar si një nivel indentiteti dhe çdo nivel është i përcaktuar mbi dy mundësi. E para është eksplorimi i alternativave të mundshme në fushën e punës, të politikës etj. E dyta është impenjimi me alternativën e zgjedhur.

Sipas Marcias nivelet e indentitetit janë katër:

? Fitimi i indentitetit;

? Bllokimi i indentitetit;

?Vonesa;

? Përhapja e indentitetit.

Kush ka fituar identitetin, e ka arritur atë falë një procesi eksplorimi në të cilin indetifikimet e mëparshme janë radhitur në një paraqitje të vetes, e cila nga ana cilësore është superiore nga shuma e komponentëve që e përbëjnë. Duke formuar identitetin, adoleshenti braktis konceptin e vetvetes, që është krijuar në bazë të opinionit të prindërve, duke e zëvendësuar me atë që formohet nga vlerësimet që vijnë nga moshatarët. Ky koncept i ri i vetvetes përmban aspektin fizik, tërheqjen seksuale dhe inteligjencën. Po u vlerësua negativisht një nga këto elemente, shkaktohet ankthi. Duhet kaluar një përvojë eksplorimi, duhet kaluar kriza e zgjedhjeve të zhvillimit për të arritur stacionin e dëshiruar, për kapjen e të cilit ka shumë mundësi, megjithëse ai mbetet i njëjtë. Ndërsa adoleshentët që janë në “nivel bllokimi” ende nuk kanë filluar asnjë lloj eksplorimi të nevojshëm për të formuar një identitet origjinal. Kështu, identifikimi me njerëz të tjerë të afërt e të rëndësishëm qëndron si e vetmja alternativë për të zgjidhur problemin, për t’u rritur në kuptimin e vertetë të këtij koncepti. Ekziston një anologji ndërmjet “vonesës dhe përhapjes”. Të dyja janë indikatorë të një mungese impenjimi të saktë në drejtim të identifikimit të realitetit në të cilin veprojmë. Në fazën e vonesës kemi një lloj sforcimi eksplorimi drejt roleve shoqërore konveniente e të përshtatshme me natyrën e veçoritë individuale të çdo subjekti. Përhapja i korrespondon fazës që shoqërohet me identifikime të zbehta dhe të momentit, pa zhvillimin e një interesi të vërtetë, i cili çon në marrjen e impenjimeve moshore. Pengesat drejt fitimit të identitetit janë të shumta. Disa janë të lidhura me një lloj sjelljeje të karakterit mbrojtës të familjes, e cila e detyron dhe e bën individin të mos dijë, të mos jetë i aftë të kapërcejë identifikimet fëminore. Rezultati i kësaj gjendjeje është mungesa e eksplorimit, bllokimi i identitetit në një nivel zhvillimi të karakterit pothuajse primitiv. Mbrojtja që u bëhet të rinjve nga prindërit e tyre, mbajtja nën kontroll për gjithçka në jo pak raste, jep ndikime negative në edukim. Ndoshta është paksa paradoksale, por e njëjta gjë ndodh dhe kur individi jeton në mjedise jashtëzakonisht të varfra me pak mjete nxitëse. Kjo gjendje përgatit një tip të veçantë mjedisor, nga i cili adoleshenti nuk mund të shkëputet lehtë. Kështu, duke qenë se nuk ka alternativa të tjera për të zgjedhur, adoleshentit i mbetet të përcaktojë identitetin e tij në të vetmen mënyrë që kushtet i mundësojnë. Shpërndarja është niveli në të cilin individi nuk arrin të kalojë të bëjë dallimin ndërmjet vetes reale dhe ideales. Ai nuk merr përsipër detyra, pasi mendon se do të gjejë diçka më të rëndësishme për t’u përshtatur me normat shoqërore. Nga ana tjetër, nuk arrin të eksplorojë alternativat, që ka përpara, sepse zotërohet nga ankthe të shumta dhe konflikte të brendshme, të cilat pengojnë procesin normal të zhvillimit të individit. Vonesa është faza në të cilin individi ëndërron, ka objektiva gjithnjë e më ambicozë. Mbase për këtë, nxitja dhe eksplorimi në një farë mase janë të bllokuara. Kjo kohë mund të vlerësohet si momenti kur individi përpiqet të dallojë në vetvete realen dhe idealen. Nëse njeriu do të dijë të shfrytëzojë paknaqësinë që lind nga shkaqe të ndryshme, pa i lënë vend zhgënjimit, ndjenjës së impotencës, pamundësisë etj., sforcimi i tij mund të ndihmojë për të fituar identitetin. Kjo shoqërohet edhe me përcaktimin e projekteve ambicioze për jetën. Ndërsa përzgjatja e kësaj faze do t’i ngjajë një periudhe përhumbëse, e cila do të shoqërohet me një frustacion, që shkaktohet prej mundësive të pashfrytëzuara. Të gjitha këto procese mund t’i shpjegojmë me pak fjalë me këto argumente: Nëse ka shqetësime të dukshme në rrugën e zhvillimit të konceptit të vetvetes në moshë të re, krijmi i identitetit do të shoqërohet me komplikime, të cilat janë pasojë e tyre. Këto shqetësime mund të vijnë si rrjedhojë e paaftësisë. Prandaj zhvillimi në një moment të caktuar lidhet me mjedisin shoqëror, mund të jetë edhe rrjedhojë i limiteve të rënda që vijnë nga vetë mjedisi që na rrethon. Mundësia e të përballuarit në mënyrë pozitive me këto dhe vështirësi të tjera të mëdha në dukje, lehtësohen nga mbështetja shoqërore. Në jetën e çdo njeriu, zgjidhja e detyrave të zhvillimit, nga më të lehtat gjerë tek më të vështirat, realizohet falë mbeshtetjes shoqërore, tek e cila individi shpreson dhe pret ndihmë konkrete. Parësore është familja, e cila është përgjegjëse kryesore. Por për realizimin e procesit të edukimit, ka edhe mjaft faktorë të tjerë, vlera e të cilëve është e madhe dhe në momente të caktuara mbetet vendimtare. Përfitimi i identitetit zgjat shumë. Ai arrihet pas përvojash e identifikimesh, duke provuar, si një aktor, situata reale, njohje personash, vëzhgime, shfaqje ndjenjash të ndryshme: habi, irritim e kënaqësi.

 

Bindjet - pjesë e identitetit

 

Duke u nisur nga mosha e adoleshentëve, e cila është mjaft e ndjeshme, bindjet morale bëhen pjesë e rëndësishme e identitetit të tyre personal. Për këtë arsye moralin si kategori mund ta përcaktojmë si një respekt të veçantë për rregullat dhe normat shoqërore, për drejtësi, të paturit kujdes për të tjerët etj. Përsa i përket detyrave me të cilat përballohen adoleshentët, Harighurst veçon, ndër të tjera, kërkimin e pavarësisë si një ndër çeshtjet kryesore të kësaj moshe. Në një studim të tij, ai ka paraqitur një listë me dhjetë detyra që vlerësohen si më vendimtaret, të cilat mendohet se e dallojnë adoleshencën nga grup-moshat e tjera:

? Ndërtimi i raporteve të reja me moshatarë të të dyja gjinive;

? Përfitimi i një roli shoqëror;

? Të pranojë dhe të përdorë në mënyrë të frytshme trupin e tij;

? Të ketë pavarësi emotive nga prindërit dhe të tjerët;

? Të arrijë një siguri që rrjedh nga pavarësia ekonomike;

? Të orientohet e të përgatitet drejt një pune e profesioni;

? Të përgatitet drejt në jetën familjare (martesa);

? Të zhvillojë intelektin;

? Të ketë sjellje shoqërore të përgjegjshme;

? Të fitojë një sistem vlerash etike, të cilat duhet t’i shërbejnë si udhëheqje e sjelljes në jetë. Në shoqërinë që po ndërtojmë, demokratike e komplekse, sidomos në kohën e trazicionit, vështirësitë që duhen përballuar, nuk janë të njëjta dhe të ngjashme për të gjithë njerëzit. Disa prej tyre janë pjesë “e udhëtimit” njerëzor, por disa nga ato në një masë të ndjeshme nuk janë të pashmangshme.

Adoleshenca është periudha e jetës me më shumë ndryshime, të cilat rrjedhin me shpejtësi, me intesitetin e vrullit të tyre dhe në mjaft raste të krijojnë idenë se ndodhin pa ndonjë kontroll të vetëdijshëm. Objektivi që ka çdo fëmijë për t’u bërë sa më parë i rritur, për të vepruar i lirë dhe i pavarur jo vetëm e shoqëron atë gjatë gjithë periudhës së adoleshencës, por edhe e mundon në çdo hap, e streson dhe e detyron që shpesh me veprimet e pakontrolluara të dalë jashtë vetvetes. Kërkesa për të fituar hapësira më të mëdha, mbetet permanente. Kjo edhe për arsye se në shumë raste ato u mungojnë në mënyrë të pakuptueshme. Një dukuri e tillë shpjegohet kryesisht nga mungesa e emancipimit të brezit më të rritur, i cili, i mbërthyer nga psikologjia e më të fortit, e më të diturit, vë në plan të dytë në mjaft raste arsyen.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora