E enjte, 25.04.2024, 03:26 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Bedri Islami: “Përjetësia e dyfishtë“, Fehmiu dhe Xheva - një jetë e jashtëzakonshme (IV)

E shtune, 29.11.2008, 11:22 AM


Një rrëfim për udhëtimin në Stara Gradishkë

 

Më shumë se 30 të burgosur politikë shqiptarë në Stara Gradishkë do të thotë më shumë se 30 familje shqiptare të Kosovës,  nga të gjitha viset e saj, që duhej të merrnin rrugën e gjatë, të lodhshme drejt bijve të tyre.

 

Unë pyeta Bacën Tush se si shkonit në Stara Gradishkë.

 

"Në Stara Gradishkë gjithëherë kemi shkue me tren. U bashim bashkë disa familje e shkonim. Për herë të fundit kam qenë  dhjetë ditë para se me u lëshue Feha prej burgut. Nuk më ka kallzue kurrgja, ndoshta nuk e ka ditë se po i lëshon Tugjmani.  Veç më ka thanë se a kam pare me vedi dhe po i them se kam diçka. Kam mendue se i ka ndodhë ndonjë gja, po e pyes se çfarë  i ka ndodhë, por veç po më thotë se, në paç në shtëpi ose në bankë, m'i dërgo me postë. Dhjetë ditë pa u lëshue ka qenë  kjo.

 

Treni i parë ka qenë në orën 3 e 15 minuta prej Fushë Kosove. Udhëtonim gjashtë ose shtatë orë deri në Beograd. Kur  udhëtonim me trenin tjetër, në orën 11 të natës, mbërrinim në Beograd në gjashtë të mëngjesit. Ky tren shkonte deri në  Zagreb. Kur udhëtonim në orën tre e ndërronim trenin, kur udhëtonim në mbrëmje, ndërrohej vetëm lokomotiva e treni ishte po  ai.

 

Kur shkonim në burg, shkonim me shokët, ishte dhoma e pritjes. Si shkonim aty, ata të burgut kërkonin kartelën, me numrat  si ishin, ashtu e kishim pasë edhe vizitën. Me Fehën, krejt, krejt, veç dy vizita i kam pasë të lira. Veç në dy vizita nuk  ka pasë polic e as përkthyes. Një polic që ka qenë prej Terstena, rrinte aty, e falenderoj, ai për mua ka qenë njeri i  mirë, kur më jepte shenjë Feha për me folë, më thoshte fol lirisht, mos u druaj prej tij. Polici qeshte, polici kishte vetë  vërejtje prej naçallnikut. Kemi heqë në udhëtime, jo se na kanë maltrajtue, por nuk kemi qenë të lirë. Mirëpo të gjitha  këto u qofshin hallall shokëve dhe djalit tim.

 

Prindërit e të burgosurve qëndroshin mirë. Shkonim në vizita në burgje, krejt mundeshe me i dallue se kush ishte prej  tonëve. I kam pa edhe kur janë takue me djemtë në burg, edhe kah dalim, nuk kam pa kënd tuj i dalë lotë, por vetëm tuj folë  a tuj qeshë. E të tjera kombe i kam vërejtë, edhe kur hinin, ma së pari tuj qa, edhe prap kur dilnin, tuj qa e tuj bërtitë.  Me shqiptarët nuk ka ndodhë kjo, kurrë, kurrë. Veç tuj qeshë.

 

Me tanë të burgosurit jemi përshëndetë. Na përshëndetshim me grusht, ashtu ishte atë botë. Aty ishte edhe Demaçi, e kam pa  shumë herë. Ishte një korridor ku hynim dhe dilnim për me shkue në vizita dhe gjithnjë e kemi pa edhe bacën Adem, edhe  shqiptarët. Shqiptarët ishin të gjithë me numër, si të burgosur politikë. Edhe kurrë nuk ka ndodhë që kur kemi hy në  vizitë, të shkojmë më parë tek djali jonë. Për shembull, ishin vizitat e lira, kurrë nuk kemi shkue për shembull me u  përshëndetë unë me Fehmiun, por secili, jemi përshëndetë më së pari me të tjerët, e masandej me djalin apo me vëllain.  Kështu ka shkue. Kur kemi ecë në korridor nuk kemi mujtë me i takue të tjerët, por i kemi përshëndetë. Kurrë nuk e kam heqë  kapuçin e bardhë kur kam shkue për vizitë. U gëzonte Feha dhe më thoshte se shumë po më gëzon se po vjen me kapuç të  bardhë. Edhe shokët gëzohen, më thoshte. U shqetësonte se mos kisha ndonjë problem kah të kthehem, prej kapuçit të bardhë,  por nuk kam pas.

 

Ka qenë një rast, ndoshta nuk është me e tregue. Në Varazhdin, ishim tuj pritë, kishim zbritë prej trenit dhe duhej me  pritë për me shkue në Stara Gradishkë me tren tjetër. Duhej me pritë tri orë. Po vjen një djalë dhe po më thotë, ka thënë  baba ejani pak se po ju kërkon. Isha me Ajetin, babën e Idriz Hysenit e shokë të tjerë. Nuk i dishim sendet, kohën e trenit  dhe po i them se jemi mirë. Shkoi djali dhe erdhi edhe një herë. Po u them shokëve, eja të shkojmë.

 

Baba i vocrrakut kishte qenë tek dera e një dyqani. Kishte pasë aty plot njerëz. Na pyet se për çka jeni me pi. Na qiti. Po  na thotë se për çka jeni me hangër. Po i themi se nuk kemi kohë. Na thotë se e di shumë mirë kohën kur ju vjen treni dhe  shumë e mirë e di se ku po shkoni. Na shtroi bukë. U ngushtuam dhe si shqiptarë, deshëm të paguajmë. Na thotë, ky është  qejfi im. Po më thotë Ajeti, baba i Idriz Hysenit: ja pamë hajrin kapuçit tënd".

 

Ktheheshin të ripërtëritur prindërit dhe të afërmit e Fehmiut, sepse kishin me vete fjalët që ua kishte thënë ai, ato fjalë  që shumë natyrshëm do t’ua shkruante në një kartolinë, më datën 18 nëntor 1988. Është një kartolinë e zakonshme, një vazo  me lule të kuqe gjak, në një sfond të errët. Në shpinë të saj duket vula e rrumbullakët "Stara Gradiska. 55435. 18.1.88".  Në të Fehmiu ka shkruar: "Unë në burgjet serbe kaloj ditët më të ndritura të jetës, duke u nisur nga ajo se, "Edhe më i  merituari i ka borxh atdheut, më shumë se sa ai atij". Këtë vazo me lule të kuqe ta dërgoj për Nëntorin tonë të Pavarësisë,  për fitoret tona të reja, e ta përkujtojmë përherë me respekt e nder... Ardhmëria nuk matet me pasuri, por me vizione".

 

Në burgun e Stara Gradishkës, Fehmiu e ka quajtur veten një njeri me fat. Aty ishin shumë nga shokët e tij të dikurshëm,  por mbi të gjitha aty ishte baca Adem Demaçi. Dhe kjo për të nuk mund të ishte burgim. Ishin vërtet ditë të vështira. Në  një letër të tij, Fehmiu e ka përshkruar një ditë të zakonshme burgu:

 

"Zgjimi në orën pesë e gjysmë të mëngjesit. Një copë bukë dhe pastaj në punë. Punës ia fillojmë nga ora 7 dhe deri në 14.30  minuta. Kthim i lodhshëm, një drekë e vonshme e zakonshme, pas orës 15 e 30 minuta, më shumë me gjërat që kishin mundur të  sjellin njerëzit e shtëpisë. Pas drekimit, dal në shëtitje, aq sa është e lejueme, pastaj leximi i gazetave, i librave,  bisedat për situatat dhe për të ardhmen, ëndërrimi për t'u marrë me shkencë, ndërprerë dhunshëm nga burgimet dhe vetë çasti  i ëndërrimit i ndërprerë nga thirrja për të të pyetur për diçka, pastaj izolimi i ashpër. Më ka marrë malli të lexoj një  roman siç duhet. Në të vërtetë, kemi pak kohë dhe atë kohë që kemi, duhet patjetër të lexojmë shtypin.

 

Xhevë, tani duhet të shkruaj ca fjalë edhe për shokët. Baca është shumë mirë me shëndet, të falenderon për të falat dhe të  përshëndet ngrohtësisht, edhe shokët e tjerë janë mirë, të përshëndesin. Kushëriri të bën të fala posaçërisht, me një  respekt të lartë, të lavdëron shumë; e unë e nguc e ai vetëm skuqet e qesh. Atë ditë, kur mora letrën tënde të fundit,  ishte ora 14 e 40 minuta, datë 19.05.89, porsa u kthyem nga puna. Ishim së bashku me të gjithë shokët dhe më ftuan të marr  letrën tënde. E pashë adresën, e dallova që ishte shkruar nga dora yte. E vërejtën edhe shokët, e filluan të ngacmojnë  kushëririn, duke i thënë, shiko kushërirën tënde, sa kohë ka harxhuar vetëm me emrin. Si zakonisht, ai prapë u skuq dhe tha  duke qeshur, se "boll inat po më vjen". Shokët qeshin e ai vetëm skuqet. Unë i thërras "mik" dhe të gjithë shokët më  ngacmojnë, sidomos baca që më thotë, "sa bukur e thërret".

 

Çfarë mund të thuash tjetër pas kësaj letre? A mund të kishte kush dyshimin se mes këtyre njerëzve kishte filluar thyerja.

 

Fragmente nga dy letra ose respekti për shokët e tij

 

Të gjithë ata që në momente të veçanta të jetës së tyre, kanë qenë në të njëjtin burg me Fehmiun, sjellin në kujtesë, si  relike që i kanë ruajtur me kujdes, dëshmi, fakte e ngjarje, përmes të cilave, edhe një herë krejt qartësisht vjen respekti  për mikun, shokun, bashkëluftëtarin e drejtuesin e tyre.

 

Kjo është njëra anë. Tjetra ishte mendimi i Fehmiut për shokët e tij.

 

Si i ka përshkruar Fehmiu dy momente të natës së kalimit të Vitit të Ri ose, më saktë, respekti i tij për shokët e  burgut...

 

4 Janar 1988:

 

"...po të shkruaj disa fjalë edhe për "Vitin e Ri", si e kaluam.

 

Edhe në këto kushte kishim ca momente gëzimi, duke u ulur në një tavolinë me shokë, të cilët edhe jetën në ferr ta bëjnë të  lumtur e të gëzuar, shokë që nuk dinë për lodhje, dëshpërim e pesimizëm, por kokën plot, të fortë e të çeliktë gjithmonë.  Edhe tavolinën e kishim "të begatshme", me ushqim që na e dërguan familjet, kishim edhe ca lëngje për t'i cakruar gotat,  por vlen të ceku se më të begatshme ishin bisedat e rrëfimet tona, ku çdonjëri nga shokët rrëfente momente interesante nga  jeta. Ishte një natë e gjatë, e begatshme dhe e gëzuar për ne...".

 

3 janar 1989:

 

"...ishte kjo natë kur ndahen vitet. Ishim ulur në një tavolinë me shokët më të dashur, me të cilët ndajmë çdo gjë, gëzimet  e hidhërimet, të mirën dhe të keqen, por kurdoherë të dashur, të afërt e krenarë, pa u luhatur nga asnjë furtunë e acar.  Tavolinën e kishim plot me gjëra ushqimore që na i dërguat ju të dashur, e bisedat sikur nuk kishin kufi, nga të gjitha  fushat e jetës, nga kultura, tradita, historia e gjithë të arriturat e popujve liridashës, për të mirën e njerëzimit. Është  kënaqësi të kalosh kohën me shokë të tillë, të cilët e kanë syrin pishë e zemrën barot. Bisedë pas bisede, arritëm tek tema  e dashurisë, kuptohet është një temë shumë me rëndësi dhe e cila gjithëherë na preokupon, e shtjellojmë dhe e trajtojmë,  ashtu si e meriton, e në mes të të tjerave, ka edhe ngacmime..."

 

Duke lexuar për herë të parë këta rreshta, jam krejtësisht i bindur se të gjithë shokët që kanë qenë në të njëjtin burg me  Fehmi Lladrovcin, duhet të jenë të lumtur për përcaktimin, ngrohtësinë dhe mirëdashjen me të cilën i ka përshkruar ai.  Duhet të ndjehen të lumtur, edhe një herë, që kanë pasur një shok si Ai, i cili, edhe në një letër të zakonshme, gjen  rastin të bëjë përshkrimin e tyre, i cili, aq sa është njerëzor, është edhe i jashtëzakonshëm.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora