Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Gjekë Gjonaj: Martin Gjokaj, viktima e parë shqiptare e pafajshme e ferrit komunist në Goli Otok

| E hene, 05.04.2021, 06:44 PM |


Martin Gjokaj, viktima e parë shqiptare e pafajshme e ferrit komunist në Goli Otok

Nga Gjekë Gjonaj

Ditën e Pashkëve u mbushen 72 vjet nga arrestimi i Martin Bacit Gjokaj, 18 vjeç  nga fshati Muzheçk-Triesh  nga ana e  policisë sekrete jugosllave, dhe nuk u kthye më  nga burgu i tmerrshëm  në Goli Otok  ( Ishulli i Zhveshur),    ndodhet në brigjet e Dalmacisë veriore në mes të  detit Adriatik, si një kështjellë  natyrore  me një bukuri të frikshme.    Në Arkivin Shtetëror të Kroacisë gjendet lista me emrat e të gjithë të burgosurve të internuar sipas  Byrosë Informative, të cilën e ka bërë “UDB-ja”  federale. Në atë listë ( Dosja nr.3975, data 2.07.1963) nënshkruar nga ndihmësshefi i Administratës së II-të , Jure Koshutiq gjenden emrat e 16.101 të burgosurve dhe të paraburgosurve. Sipas listës, në të gjitha kampet e “Informbyro-së”, kanë vdekur 413 njerëz    popujve dhe kombësive të ndryshme, mes të cilëve edhe  shqiptarë.  Aty figuron edhe  emri i  të riut shqiptar-malësor , Martin  Gjokaj.  Sipas hulumtimeve të bëra dhe  në bazë të dokumenteve që kam pasur në dorë , ky djalë në moshën e pjekurisë, në lulen e rinisë, u burgos më   22 prill  1949 dhe  vdiq më  12 tetor 1949, pas  diç më pak se  6 muaj qëndrimi në  burgun famëzi Golli Otok, apo “Ferrin komunist” siç e kishin quajtur të burgosurit, këtë vend ( ishull). Ky i burgosur për motive politike, si shumë shqiptarë të tjerë,  akuzohet  dhe ndëshkohet me burg, pa asnjë  fakt  e dëshmi të  dokumentuar, mbi bazën e supozimeve se mund të ishte mbështetës i fshehtë i Bashkimit Sovjetik, ose ndonjë shteti satelit të tij. Martini  sipas dokumenteve arkivore kroate  ishte ndër katër të ndëshkuarit e parë që vdiq në rrethana të pasqaruara e të panjohura deri në ditët e sotme,  për arsye se e shpallin “ armik të popullit jugosllav”. Bazuar në këto dokumente rezulton se ai  ishte  shqiptari i parë  që vdiq në  Goli Otok.    Në këto dokumente nuk  sqarohet ( thuhet)  arsyeja e vdekjes,   e as vendvarrimi i tij.   Familja e tij nuk mori kurrë asnjë lajm për kufomën ose për vendin e varrosjes së  Martin Gjokajt: vetëm një lajm të vonuar   që vërtetonte se   ka vdekur. Asgjë  më shumë se kaq. Ai është  viktimë  e pafajshme e një krimi më monstruoz të shtetit jugosllav në burgun e tmerrshëm  në Goli Otok

Martini Gjokaj  lindi më 21 .o1.1931 në fshatin Muzheçk, Triesh.  Ai ishte djali i vetëm  i Baca Nikë Gjeloshit, bajraktar e burrë i respektuar   në Triesh  e krahina të tjera shqiptare, i cili dallohej me të gjitha virtytet pozitive të malësorit të ndershëm, fisnik, trim e atdhetar. Edukatën e mori nga i ati, por edhe nga axha i tij Tomë Nikë Gjeloshi, bashkëluftëtar   i udhëheqësit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe në Deçiq dhe mbrojtësit fisnik të  trojeve shqiptare Dedë Gjo’ Lulit, të cilin me Dekretin nr. 547    presidentit të Shqipërisë Dr. Sali Berisha, më 3.06 1993, nderohet me Urdhrin për Veprimtari Patriotike të Klasës të Dytë, me motivacion “ Luftëtar i shquar në mbrojtjen e qytetit të Shkodrës  nga pushtuesit  serbo-malazezë në vitet 1912-1913 “. U rrit dhe u edukua në frymën e dashurisë  për mbrojtjen e atdheut  dhe çlirimin e tij nga pushtuesit e kohës. Trashëgoi edhe shumë veti të mira njerëzore nga i ati  dhe burrat e tjerë të shquar  të kësaj familje  e   cila për veprimtarinë e saj kombëtare ishte në vrojtim të vazhdueshëm  të pushtetit sllavo-komunist.   Rritet me ngjarjet e mëdha  që kalonte kombi ynë, në periudhën e fillimit të Luftës së Dytë Botërore, kur komunistët pas rënies së mbretit  Ahmet Zogut, morën   kontrollin në Jugosllavi dhe Shqipëri.  Këto ngjarje, ndryshime e pushtime nga sundues shekullorë ,   lanë vragë të pashlyeshme  në edukimin e tij dhe  përcaktuan edhe fatin e tij të hidhur ( tragjik)  jetësor.  Ardhja e komunistëve në pushtet ia shkëputi rininë e hershme  dhe ia mori jetën, duke  ua thyer zemrën  dhe shpirtin e lënduar përgjithmonë babait Tomës dhe nënës , Lulë Perkaj nga fshati Luhar - Fundna.

Ishte  kjo  periudha e përplasjes  së Byrosë Informative Komuniste dhe Partisë Komuniste të Jugosllavisë, respektivisht konfliktit të Bashkimit Sovjetik dhe RSFJ-së, e cila filloi në vitin 1948,    më vonë  u  vlerësua si  ngjarja,  më vendimtare për shtetin dhe shoqërinë jugosllave dhe kapitulli më dramatik  në historinë e ish-bashkësive  të kombeve jugosllave. Regjimi komunist  nën drejtimin e Titos  burgosi njerëz të dyshuar, të ashtuquajtur “ Inforbirovca- Inforbyroistë”,  se mbështesnin ende liderin sovjetik Stalinin. Pikërisht  për këtë arsye  regjimi komunist ngriti llogorin e Goli Otokut  me  qëllim të grumbullimit të armiqve politikë të Jugosllavisë, në veçanti për ata që kishin rënë ndesh me politikën e Jugosllavisë  përballë kampit socialist të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik. Nga kjo politikë antishqiptare, e UDB-ës jugosllave,  e ndihmuar edhe nga  bashkëpunëtorët  vendas për privilegje të vogla,    u burgos edhe Martin  Gjokaj. Ky djalë i bukur e njerëzor i cili gëzonte autoritet   sikur  të burgosurit e tjerë që nuk “ riedukoheshin- përmirësoheshin,  përjetoi vuajtje personale fizike e psiqike, tortura, rrahje,  shkelmime, flakaresha, etjen që të përvëlonte shpirtin, bartjen e gurëve  mbi supe, fshikullimën e kamxhikut e tmerre  tjera të   komunizmit titist.

Faksimili 1:  Lista e të vdekurve në Goli Otok

Për këtë tragjedi të familjes Gjokaj  dhe  për vuajtjet e saj  për herë të parë  fletë hapur  Zef Kola, kushëriri i  personazhit të këtij shkrimi përkujtimor, me rastin 72 –vjetorit  të vdekjes së tij në kampin e Goli Otokut  ku edhe i la eshtrat  përgjithmonë , i cili synon të zbardhë fakte të panjohura deri më sot për këtë  viktimë të pafajshme të  një krimi më monstruoz të shtetit jugosllav, këtij biri të shquar të kësaj familje me traditë të virtytshme  dhe atdhetarie.  Ja rrëfimi  rrënqethës i Zef Gjokajt:

“ Ishte Dita e Pashkëve, më 22 prill 1949. Milicia ( policia)  e shtetit atë mëngjes  troket në derën e shtëpisë  së Baca Nikës. Ai e hapi derën dhe kur i shef policët  u thotë: “ Urdhëroni brenda në shtëpi! Ata nxjerrin nga xhepi autorizimin  për arrestimin e djalit të tij të vetëm  Martinit.  Baci,  edhe pse e kuptoi arsyen e  “ vizitës” së tyre të papritur   u drejtohet me këto fjalë:  “ Hyni brenda! Sot festojmë Pashkët. Pini nga një gotë raki dhe hani nga një vezë të kuqe. E pastaj kryeni detyrën tuaj shtetërore. “Policët  i përgjigjen: “ Ne kemi urdhrin  të arrestojmë Martinin , edhe pse e dimë se  nuk keni tjetër djalë,  po ne jemi të detyruar   ta zbatojmë atë. Na vjen shumë keq se ne para tre muajsh arrestuam edhe anëtarin tjetër të familjes  suaj,  Kolë Gjonin”. Policia  nuk e prangos Martinin në sytë e prindërve e familjarëve të tjerë, sepse njëri prej policëve  nga dhimbja  kishte thënë se edhe unë kam vetëm një djalë .

Ndarja e  familjes, veçmas e prindërve  nga  Martini  ishte tepër e dhimbshme. Secili anëtarë i familjes me lot  në sy u përqafuan, duke e zënë  grykë,  me   të birin e tyre të zemrës, dritën e vetme të syve  të prindërve  të tij. Ndërsa, Martini edhe pse i ri, qëndroi stoikisht duke i thënë familjes mos qani se përsëri  do kthehem në mesin tuaj.  Mirëpo, për fatin e kobshëm të tij dhe të familjes  Martini u nis  dhe nuk u kthye më. I la eshtrat në  këtë gurishte përvëluese që e quanin Goli Otokun. Babai i tij Baci ishte shumë i mërzitur. Nuk e mbanin këmbët. I mbështetur për qoshen e kullës së vjetër i thotë të birit: “  Biro, udha e mbarë! Sytë e mi dhe  të tuaj nuk do të shihen më!”  Pas këtyre fjalëve Martini largohet për herë të fundit nga kjo shtëpi-kullë dhe dërgohet në  burgun e Podgoricës, në një qeli afër qelisë ku ishte burgosur më parë djali i axhës së tij Kolë Gjon Nika, mësues.  Të nesërmen, siç më ka treguar babai im Kola,    Martinin e dërgojnë në burgun famëzi  në Goli Otok, ku përjetoi torturat më çnjerëzore të regjimit komunist. Për gjashtë muaj  e gjithë familja ishim në ankth  e të trishtuar për  jetën e tij.  Gjatë kësaj periudhë kohore  nuk kishim asnjë lajm për gjendjen e tij shëndetësore.  Lajmi i parë ishte i kobshëm.  Në Zyrën e Vendit të Trieshit kishte mbërritur telegrami për vdekjen e tij. Për këtë lajm paraprakisht kishte dëgjuar, Pjetër Gjon Nika,  djali i axhës së Martinit, nga turma e trieshjanëve që udhëtonin për në Titograd ( sot Podgoricë) . Pjetri kthehet  nga rruga e nisur.  Shkon në Zyrën e Vendit në Stjepoh, ku edhe ia konfirmojnë lajmin e keq. Vjen në shtëpi. Njofton familjen. Të gjithë qajnë e bërtasin. Nuk mund ta ndalin vajin e zëshëm për lajmin e zi. Pas pak vjen  në shtëpi Baci ,  babai i Martinit. Askush nga familjarët nuk ka guximin t’i tregojë  Bacit për këtë  tragjedi familjare. Ai  e vëren se  ka ndodhur diçka   dhe i pyet: Mos ka ndonjë lajm    ri?  - Jo, jo, asgjë, i përgjigjen. -Mos fshihni nga unë, se sikur mos të kishte ndodhur diçka  e re do të kishit shtruar sofrën  për të ngrënë bukë. Më tregoni ! Pas këtyre fjalëve të Bacit, Pjetër Gjoni merr guximin dhe i  thotë  atij se na ka gjuajt  rrufeja  dhe se  Martinin e kanë pushkatuar. – Mos ka ndodhur diçka tjetër se sa për Martinin e kamë ditur se do ta vrasin ditën kur jam ndarë  nga ai në oborrin  e shtëpisë? – u përgjigjet   Baci  dhe u lutet familjarëve të qetësohen e të qëndrojnë me krenari se  shteti ka fuqinë e vet dhe s’kanë  çfarë të bëjmë”, thotë Zefi. Ai  tregon se lajmi i zi për vdekjen e Martin Bacit  u prit me keqardhje e dhimbje    në Triesh.  Shton se tre  vëllezërit  e fshatit : Gjokajt , Gjonajt dhe Nikollajt  për një vit u kthyen në zi dhe nuk organizuan   këngë e kremte familjare.

Kjo histori e veçantë  e kësaj familje , për të cilën nuk është guxuar të flasin  me vite të tëra,  është e ngjashme me shumë histori të tjera të hidhura  shqiptare që kanë përjetuar krimet , vuajtjet dhe dënimet në burgun e tmerrshëm  Goli Otok.

Faksimili 2: Lista e të burgosurve në burgun famëkeq Goli Otok