Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ibrahim Kabili: Arjan Sala, heroi që sakrifikoi veten, për të shpëtuar shokët

| E hene, 05.04.2021, 08:14 PM |


Arjan Sala, heroi që sakrifikoi veten, për të shpëtuar shokët...

Nga Ibrahim Kabili

Dhimbje dhe trishtim për këtë humbje të madhe. Dhimbje për Janin i cili sakrifikoi jetën e tij në moshën më të bukur, në luftë me flakët. Heroi Arjan Sala, shpallet "Dëshmor i Atdheut". Ai dha jetën e tij, për shpëtimin e mbi 20 njerëzve të tjerë... Ky është heroi i gjallë i ditëve tona! I ditëve tona tmerrësisht të vështira, por që të bëjnë të shpresosh  falë Tij! Kjo është dhimbja deri në palcë, por dhe shpresa që po ringjallet. E kjo dhimbje e madhe, duhet mposhtur nga krenaria. Kjo krenari forcohet, përjetësohet, kur vdes për të shpëtuar shokët! Arjani me aktin e lartë që bëri u vetshpall hero në moshën 33 vjeçare. Herojtë nuk vdesin, ata mbeten të gjallë në përjetësi! Arjani me  këtë akt sublim, nderoi veten, familjen Sala, fisin, fshatin Bulçesh, Bendën dhe gjithë shqiptarinë. Njerëz të tillë i bëjnë nder kombit.

Arjan Fadil Sala lindi në fshatin Bulçesh në një familje të thjeshtë, por me tradita dhe e njohur në të gjithë krahinën. Ai lindi nga dy prindër shumë të mirë, Fadili dhe Liria të cilët u kujdesën shumë për të dhe i dhanë një edukatë shembullore. Këtë sjellje Ai  e manifestoi deri në çastet e fundit të jetës së tij. Gjyshi i tij Ali Sala ka qenë një figurë e njohur në gjithë krahinën dhe më gjerë. Ai ka mbaruar arsimin e lartë për teologji në Turqi  me nota shumë të mira. I ofruan punë atje por nuk e pranoi, u kthye ne  vendlindje dhe punoni pranë saj. E emërojnë imam xhamie në Bruz ku punon për një kohë të gjatë aty. Si imam, shquhet për devotshmëri ndaj islamit, dhe u shërbeu shumë mirë njerëzve. Nuk e ndërpreu shërbesën edhe kur u ndalua feja, nga regjimi i kohës. Gjatë kësaj kohe u shqua edhe për humanizëm dhe bamirësi me njerëzit. Ky ambient i mirë familjar u edukua dhe u trasmetua tek fëmijët e tij, dhe më pas edhe tek nipi, Arjani. Kjo edukate familiare ndikoi në formimin e karakterit dhe personalitetit të tij.

Që fëmijë ai qe shumë i ndjeshëm, i dashur me shokët dhe shoqet dhe ishte shumë i prirur për të mësuar. Shkollën fillore dhe atë 8 vjeçare e kreu në fshatin e tij të lindjes në Bulçesh. Këtu doli me nota shumë të mira. Ai në shkollë qe me shumë edukatë dhe tepër human me shokët. Ishte i prirë për ti ndihmuar shokët në shkollë, i ndihmojë edhe në jetë, derisa u flijua për to... Shkollën e mesme e kreu ne Yzberish, Tiranë në degën gjimnaz. Familja qe në vështirësi ekonomike ndaj Arjani pavarësisht se i plotësonte kriteret e shkollimit të lartë, nuk mundi ta vazhdojë atë, por u fut në punë për ti ardhur në ndihmë familjes. Arjani është i martuar dhe ka një djalë 4 vjeç... Djali i tij i mitur dhe tani e pret babain e tij në shtëpi, por... E tillë është jeta, me të mirat dhe të papriturat e saj! E fatkeqësisht, ajo, u tregua e pabesë me Arjanin... Ajo që u bë, nuk çbëhet më! Një gjë është e sigurtë që djali i tij do ta kujtojë me nostalgji babain e tij, do krenohet me Të kur të rritet, dhe do të çoj më tej traditën e familjes!

Arjani qe një familjar shumë i rregullt, një prind dhe bashkëshort shembullor. Qe shumë i sjellshëm në familje, në punë, në shoqëri dhe rrezatonte vetëm kulturë dhe mirësi. Natyrisht e gjithë familja e tij njihet për sjellje shumë të mirë, e pa dyshim kjo reflektohej qartësisht edhe tek Arjani. Në këtë aspekt Ai qe model, dhe i tillë mbeti në memorjen e secilit që e njohu, që pati lidhje me të, kudo që jetojë dhe punojë.

Nga mbarimi i shkollës deri në vitin 2015, Jani ka punuar si punonjës sigurie në shumë biznese, firma private, në pozicione të ndryshme nga punonjës deri në përgjegjës shërbimi. Kudo që punoi la përshtypjet dhe kujtimin më të mirë. Nga viti 2015 deri më datën 24 mars 2021 ai punojë, te "Casa Italia", si përgjegjës sigurie në firmën "Braçani Kompani" bashkë me shokët e tij, ku gjeti dhe vdekjen. Këtu Ai ra heroikisht, për të mbetur i përjetshëm! Duke kujtuar ngjarjen e rëndë, xhaxhai i Arjanit, Naimi, shprehet: " Kam qenë prezent aty që në minutat e para që ra zjarri, bashkë me vëllain e tij Mondin dhe pjestarët e familjes. Kemi bërë përpjekje për ta shpëtuar nga flakët por nuk u bë e mundur. Pas dhënjes së sinjalit, Jani së bashku me shokët e tij u futen për të shuar zjarrin. Luftojnë me flakët por vetë baza materiale që gjindej në magazinë e favorizojë shumë zjarrin dhe rritjen e temperaturave maksimale. Arjani pasi e pa se flakët dolën jasht kontrollit, nxitojë të shpëtonte shokët. Kështu bëri duke u futur në çdo front ku shokët po punonin për shuarjen e zjarrit dhe ti nxirrte jasht ndërtesës. Me ndihmën dhe këmbënguljen e tij u nxorën dhe u shpëtuan nga flakët dhe nga vdekja mbi 20 persona".

Pasi nxori shokët e punës Arjani  futet përsëri për tu siguruar nëse kishte të tjerë brenda. Por kjo qe fatale për Të! Ai nuk mundi të dalë më! Çdo komunikim me të si me radio dhe telefon u ndërpre. Shokët e punës të shpëtuar prej tij,  së bashku me mjetet zharrfikëse, bënë të pamundurën për ta shpëtuar, Arjanin. Me kalimin e orëve, shpresat për ta gjetur të gjallë Arjanin po veniteshin, ankthi po shtohej, dhimbja bëhej gjithnjë e më e madhe. Tani pas tetë ditësh që ndodhi tragjedia, babai i tij Fadili  mes lotëve shton: "Na ishin shuar të gjitha shpresat për ta gjetur të gjallë, Janin. Prapë mendonim se mund të ndodhte mrekullua, por, jo... Ndodhi tragjedia. Isha aty, kur u gjet i vdekur Arjani, më 27 mars rreth orës  03:15 minuta. Qe momenti më i vështirë i jetës time, por dhe i gjithë familjes. Dhimbjen nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Arjani ra për të shpëtuar shokët. Kjo ma zvogëlon sadopak dhimbjen dhe më bën krenar. Ai vdiq, për të shpëtuar 20 jetë të tjera. Ai tani nuk është vetëm djali im por i gjithë shqiptarisë. Shqiptarët kudo që janë me përkrahën dhe më dhanë zemër. Mirnjohje për jetë, të gjithëve".

Arjani qe një djalë i shkëlqyer, Kudo që shkoi la përshtypje shumë të mira. Ishte shumë i dashur me prindërit, vëllain e tij, xhaxhain, djalin e tij që e kishte pikë të dobët, me gjithë familjen, fisin, shokët. Arjani qe shumë korrekt edhe në punë, sillej mirë e ndihmonte shokët, ku fitoi besimin e tyre dhe të punëdhënësve. Ai qe shumë human, qe i lindur për të bërë mirë. Për mirësi u flijua heroi ynë Arjani. Xhaxhai i tij, Naimi për aktin heroik shprehet:

"Dhimbja qe e madhe por dhe krenaria e tillë. Arjani bëri të mundur që të mos qanin 20 nëna për djemt e tyre, por vetëm nëna e tij për Të". Kështu janë herojtë! Ato japin jetën, për të  shpëtuar të Tjerët! Ai mbeten modeli që frymëzon, modeli që vepron, modeli që duhet ndjekur!

Në këtë tragjedi të madhe familja e Arjanit nuk qe vetëm. Me familjen e tij u solidarizuan të gjithë shqiptarët.  Brenda dhe jashtë vendit, nga të gjitha anët e globit, nga Amerika e largët deri në Indonezi, të njohur dhe të panjohur, përkrahën familjen dhe lehtësuan dhimbjen. Kjo është tradita dhe për këtë shquhen shqiptarët.

Ky vlerësim dhe humanizëm për heroin, është shprehur në:

• Pjesmarrjen masive në ceremoninë e varrimit, nga e gjithë Shqipëria të qindra e qindra njerëzve për ta përcjell për në banesën e fundit dëshmorin.

• Vizita ngushëllimi në shtëpi të mijra vetëve nga gjithë i vendi, shumë prej tyre edhe të panjohur.

• Mesazhe ngushullimi, shumë poezi dhe  këngë për heroin Sala.

• Sensibilizimin dhe solidarizimin e medios në mbështetje të familjes.

• Dekorimin e Arjanit me vendim të instancave shtetërore, dhe ju akordua titulli i lartë: Dëshmor i Atdheut". Ky është nderim i madh për Të dhe familjen.

• Në Indonezi një grup shqiptarësh investuan për furnizimin me ujë të një fshati me emrin e Arjan Salës.

• Ndihma ekonomike në mbështetje të familjes dhe djalit 4 vjeçar.

E pata shumë vështirë ta bëj këtë shkrim për heroin tonë Arjanin. Krenaria për Të më bëri ta mposht dhimbjen! Njerëz si Ai , nuk vdesin kurrë. Ngushëllime familjes për humbjen e Arjanit! Ai ra, për tu dhënë jetë të tjerëve...

IBRAHIM KABILI

Tiranë më 04.04.2021