E premte, 29.03.2024, 05:55 AM (GMT)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Përgjigje shqiptarit të rremë të Tetovës

E diele, 04.04.2021, 04:51 PM


Përgjigje shqiptarit të rremë të Tetovës, me prejardhje të qartë pakistaneze Sulejman Mehazi

Nga Kastriot Myftaraj

Sulejman Mehazi nga Tetova, i cili paraqitet si poet mistik, në 29 mars ka reaguar ndaj statusit tim në Facebook të datës 28 mars “Ibrahimoviçi katolik, i cili gabimisht u mirëprit në Prishtinë si vëlla musliman, tani po shahet si shkije kafir (femohues)”.

Reagimin e tij Mehazi e ka botuar në disa portale me titullin “Miu Kastriot Myftaraj dhe devja inteligjente”. Gazeta “Bota Sot” e ka botuar me titullin e zbutur “Reagim kriptoshqiptarit të Shqipërisë, Kastriot Myftarajt”. Nuk do të kishte qenë problem edhe nëse do të kishin vënë titullin “poetik” të Mehazit.

Mehazi e nis reagimin e tij me një gënjeshtër: “I nderuar Kastriot Myftaraj, ja e zëmë se shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë Veriore janë turkë e arabë shqipfolës e nuk dinë të flasin e shkruajnë shqip, po ti i Shqipërisë a di të shkruash shqip?”

Unë nuk kam thënë ndonjëherë se shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë Veriore janë turq dhe arabë shqipfolës por kam thënë se ndër ta ka shumë turq dhe arabë shqipfolës. Nëse do të kisha thënë atë gjë do të kisha fyer më së pari miqtë e shumtë që kam ndër shqiptarët e këtyre trojeve. Dhe e siguroj këtë Mehazin se unë kam më shumë miq edhe ndër shqiptarët e Maqedonisë Veriore sesa ka ai i cili ka lindur dhe jeton atje. Unë i quaj si turq dhe arabë shqipfolës ata të cilët, ta them shkurt, mendojnë turqisht dhe arabisht por flasin shqip. Të tillë ka shumë edhe në Republikën e Shqipërisë. Sulejman Mehazi është shembull i këtij lloj shqiptari të rremë. Veç krahasoni emrin dhe mbiemrin tim dhe të atij. Unë kam lindur në një familje që u kthye me dhunë në Islam në kohën e pushtimit Osman por që nuk i ushtroi ritualet fetare pas largimit të pushtuesve osmanë. Mua më quajtën me emrin “Kastriot”, pra me një emër historik shqiptar. Mbiemri im është turk “Myftaraj”, fjalë që tregon kryeplakun e katundit ose të lagjes së qytetit.

Këtë tjetrin e quajtën me një emër arabo-turk, “Sulejman”. Mbiemrin, “Mehazi” e ka një fjalë në gjuhën urdu që është gjuha zyrtare në Pakistan. Fjala “mehaz” do të thotë në urdu “asgjë më shumë se çka është përcaktuar”. Pra është një fjalë juridiko-administrative, me gjasë. Por mund të jetë edhe e filozofisë islame. Në shekujt XVIII-XIX, kur Britania e Madhe krijoi koloninë e saj indiane, ku bënte pjesë edhe Pakistani i sotëm, shumë prej atyre muslimanëve që luftuan kundër britanikëve emigruan në Imperinë Osmane, e cila një pjesë të tyre i solli në Ballkan. Të parët e këtij Sulejmanit janë ngulitur në Tetovë. Sulejmani është i vetëdijshëm për prejardhjen e tij por shtiret si shqiptar për të siguruar përfitime, benefite.

Ky Urduxhia më qorton se nuk e njoh gjuhën shqipe! Ja çka thotë ai:

“vet titulli i shkrimit tuaj tregon se je kriptoshqiptar (shqiptar që në shtëpi flet turqisht, serbisht, italisht, arabisht e jashtë shtëpisë me miq e në punë shqip)”

Ironikisht edhe në këto fjalë ka disa gabime që rëndom I bëjnë ata që e kanë shqipen gjuhë të huaj. Kështu, ai shkruan “vet” për “vetë”. Në harkun e e pesë fjalëve më drejtohet në fillim me “ju”, pastaj me “ti”. Gjithashtu Sulejmani parapëlqen të përdorë dendur nyjen e përparme “e” që është ndikim sllav, në vend të fjalës burimore shqipe “dhe”. Merret vesh është mësuar me sllavizma. Gjithashtu ai përdor fjalën e huaj të panevojshme “kripto” në vend të shqipes “i fshehtë”. Veç kjo fjali e tij është si thesi i miellit që sa herë t’ i biesh qet pluhur. Ai shkruan “shqiptar që në shtëpi…” Për një mësues të gjuhës shqipe i cili ka magjistruar në këtë gjuhë dhe madje e mban veten edhe si poet, përdorimi në këtë mënyrë i fjalës “që” është ngathtësi në artikulim.

Dhe ja sesi e vërteton Mehazi që unë nuk di shqip. Ai thotë:

“O shqiptari ateist i Shqipërisë, po ju shkruani sikur me qenë turk apo arab, nuk thuhet ‘shkije’, po shka: jo ‘tani po shahet si shkije kafir’, po ‘tani po shahet si shka kafir’, o kriptoshqiptar i Shqipërisë!”

Pikësëpari këtu më bën përshtypje se përse, kur Mehazi më qorton se nuk di ta përdor fjalën “shka/shkije” në njëjës dhe në shumës, ai më quan “ateist”. Qartësisht paska një lidhje mes përdorimit të fjalës “shka/shkije” dhe të qenurit fetar apo ateist. Dhe merret vesh se lidhja është që me fjalën “shka/shkije”, muslimanët shqipfolës quajnë sllavët e krishterë për dallim nga sllavët muslimanë që janë vëllezër.

Të mos njohësh hollësitë e ndryshimit të fjalës “shka/shkije” në njëjës dhe shumës nuk do të thotë se nuk di gjuhën shqipe pasi kjo fjalë nuk është shqipe por është krijuar nga shteti osman për të nxitur vëllazërimin e muslimanëve me nacionalitet të ndryshëm në Ballkan, përkundër të krishterëve.

Që fjala nuk është shqipe dhe ka hyrë artificialisht kuptohet nga fakti që në numrin njëjës thuhet “shka” ndërsa shumësi bën “shkije” kur duhet të bënte “shkaje”.

Mehazi nuk e paska kuptuar ironinë time kur më qorton se nuk kam përdorur parafjalën “me” kur kam shkruar se: “Me rastin që Ibrahimoviç erdhi dje në Prishtinë me përfaqësuesen suedeze të futbollit e cila do të ndeshet Kosovën”

Për këtë Mehazi më qorton se unë e përdor kundrinorin e shqipes si turk dhe arab. Kjo s’ ka lidhje me turqishten dhe arabishten dhe unë këtë gjë e kam bërë vetëm në këtë rast me qëllim. Sepse kam dashur të them që Suedia nuk do të ndeshej me Kosovën por ndeshi Kosovën. Sepse, siç kam shpjeguar edhe në raste të tjera më hollësisht, nuk ka shembull në botë që një shtet i ri të marrë emrin që i ka vënë dikur  pushtuesi. Parafjalën e kam shmangur qëllimisht për efekt nënkuptimi.

Gjithashtu Mehazi më qorton se:

“O kriptoshqiptar i Shqipërisë, Kastriot Myftaraj, nuk shkruhet: ‘Të shumta janë edhe ankesat në rrjetet shoqërore nga vëllazëria muslimane e Kosovës.’ po ‘nga vëllazerit muslimane të Kosovës’, jo ‘se Ibrahimoviçi’, po, se Ibrahimoviqi, me (q) e jo me (ç) jo ‘se Ibrahimoviçi është shkije tekefundit’, po ‘se Ibrahimoviqi ështe shka tekefundit".

Unë kam dashur të them pikërisht “vëllazëria muslimane e Kosovës”, që është bashkësia e vëllezërve muslimanë atje. Dhe ironikisht Mehazi shkruan gabim “vëllazërit” që nuk është as në gjuhën letrare as në dialekt, ku në gegërisht bën “vllaznit”. Sa për atë që unë shkruaj “Ibrahimoviç” me “ç” dhe jo me “q” ka një rregull gjuhësor që emrat e njerëzve duhen shkruar ashtu si janë në gjuhën e prejardhjes së tyre. Gazetarët shqiptarë të Kosovës dikur i qortonin gabimisht kolegët e tyre të Tiranës se këta shkruanin “Milosheviç” (korrektësisht) dhe jo “Millosheviq”.

Në fragmentin e mësipërm Mehazi shkruan tre herë gabimisht “po” në vend të “por”.

Meqënëse ky Mehazi më ka quajtur “mi” po i bëj një pyetje. Meqenëse qenkemi miq në Facebook, me kërkesën e tij të dikurshme, përse nuk ka paraqitur të dhëna për moshën si unë. Unë i kam 54 vjeç, në tetor i mbush 55, sa vjeç i ka Mehazi? Pyeta në Tetovë për këtë kureshti dhe më thanë se Mehazi e mban të fshehtë moshën sepse e ka pasion që të flasë  në facebook me vajza të reja poetesha, pra është një horr virtual.



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora