E premte, 29.03.2024, 06:42 AM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Faleminderit o plehra

E diele, 04.04.2021, 04:50 PM


Faleminderit o plehra

Nga Edison Ypi

Më i mrekulluar se para çdo vepre arti, qëndroj i shushatur para malit me plehra me ngjyra që ka grumbulluar në oborr pastruesja.

Ke qef ta shohësh;

Në një kuti kartoni gjysma e djathit që duket i freskët, është flakur.

Nuk kuptohet nëse qumështi nga kutia e kartonit është pirë apo derdhur.

Mbi ca qese plastike të mbyllura dhe të lidhura, mbishkrime misterioze në disa gjuhë nga kinezçja te arabishtja.

Disa tapa si jetime të vogla kërkojnë të rivendosin lidhjet me grykat.

Tava plastike me ëmbëlsira, llokume, bakllava, revani, cip mbi cip rrëzë një kutie kartoni që mban mbishkrimin e një kompjuteri.

Vegla hidraulike të kromuara flakur për defekte të thjeshta.

Karrocë kalamani.

Litarë, ushkurë, rripa, tuba, ulluqe. Rrotëza, çikrikë, pjata, tiganë, lugë, pirunë, thika, që edhe mund të përdoren.

Arka me fruta aspak të kalbura.

Pjata, gota, kupa, me dhe pa mbishkrime.

Shishe me mbeturina lëngjesh brenda.

Pjesë kompjuterësh.

Gazeta dhe revista të zhubrosura.

Mbi kutitë me ngjyra, çmime, oferta.

Çarçafë dhe peshqirë aspak të grisur.

Dysheku i flakur duket sikur pret dikend të shtrihet mbi të.

Të dish t'i lexosh plehrat, kupton gjithçka;

Kah po shkon vendi, ekonomia?

Po qan apo po qesh biznesi?

A po e bën si duhet punën e vet lubrifikanti i ekonomisë, korrupsioni?

Lëviz apo fle diplomacia?

Ç'thotë gjeopolitika?

Ç'mollois parlamenti?

Cilat maja ka kapur qeverisja?

Cilat rekorde po thyen llafollogjia?

Kah po shkon kultura?

Po i lexojmë apo po na lexojnë librat?

A po na tret stomaku?

A rrezikohemi nga diabeti?

Si na rreh zemra ?

A po na kruhet ndopak fundshpina?

Plehrat dhe vetëm plehrat janë ato që dëshmojnë gjithçka;

Qëndrueshmërinë e genit, vazhdimësinë e rracës, humoret e miletit, piskamat e fukarenjve, icklat e zengjinëve, mbarëvajtjen e shtetit, të ardhmen e Kombit.

Për vlerat që keni dhe për gjithato gjëra që na mësoni;

Faleminderit o plehra.



(Vota: 2 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora